Magji artistike solidariteti në Anvers

Dr. Jorgji Kote

Nga Jorgji KOTE

Po, pa kurfarë tepërimi i tillë ishte Koncerti i solidaritetit dhe bamirësisë në pasditen e 22 Dhjetorit në Anversë; për shumë arsye madhore, madje hyjnore. Së pari, për vetë momentin, asnjë muaj pas tërmetit shkatërrimtar të 26 Nëntorit dhe valës së jashtëzakonshme të solidaritetit brenda dhe jashtë vendit; në prag të festave të Krishtlindjeve/ fund vitit dhe në vigjilje të Vitit të Ri 2020; vendi i zgjedhur për këtë aktivitet fisnik dhe humanitar – Kisha e famshme 400 vjeçare “ Sint Paulus“; e pasur veç të tjerash dhe me koleksione të rralla prej 200 skulpturash dhe 50 piktura nga Rubens, Van Dik, etj. Anversa vjen menjëherë pas Brukselit dhe është porti i dytë më i madh evropian.

Gjithsesi, mrekullinë më 22 Dhjetor e krijuan me intepretimin e tyre mjeshtëror të shtatë artistet e reja shqiptare që po bëjnë emër dhe famë në operat e mirënjohura evropiane – Paris, Lion, Berlin, Hamburg, Dresden, Anversë dhe Bruksel.

Veç solidaritetit me Shqipërinë, qëllimi i koncertit ishte dhe mbledhja e sa më shumë të ardhurave nga biletat dhe donacionet të tjera për të prekurit nga tërmeti.

Koncerti që vlerësua jashtë mase nga qindra të pranishëm, shqiptarë dhe belgë, ishte nisma e sopranos tonë të talentuar të Operas Mbretërore të Flandrës, Ana NAQE; megjithë ngarkesën e madhe artistike të fund vitit, Ana mblodhi pesë shoqe/ koleget e saj në atë mbrëmje të paharrueshme në Anversë. Jo vetëm për ata që e ndoqën në atë sallë madhështore, por dhe për shumë e shumë të tjerë mjafton të përmenden fare pak fjalë për të kuptuat dhe shijuar më mirë magjinë artistike të mbrëmjes shqiptare në Anversë. Sipas kritikës muzikore, Ana, që ishte dhe drejtuesja artistike e Koncertit, falë vokalit të saj të ngrohtë dhe rregjistrit të larmishëm shquhet për guximin dhe talentin e vet në shumë disiplina muzikore, si arie, recitale, etj ; ajo ka shkëlqyer dhe në mjaft vende të tjera deri në Australi dhe për improvizimet skenike, takentin në violinë, etj. Blerta Zhegu ka filluar aktivitetin muzikor; e shoqëruar nga e mirënjohura Nina Mula, me disa trainime dhe specializime në konservatorin Claudio Monteverdi” në Bolzano, Itali dhe « Darius Milhaud » në Aix në Provencë, Francë, ku dhe vazhdon të vlerësohet për mjeshtërinë e lartë artistike në intepretim; Etleva Shemai, këngëtare operistike, mezzo soprano me një timbër të fuqishëm zëri me nota epike, e brohoritur në Operën e Frankfuhrtit dhe Lira Milla, soprano e re me shkëlqim gjithnjë e në rritje e në Operën e Parisit.

Në magjinë e koncertit patën pjesën e tyre të madhe dhe tre instrumentistët tanë virtuozë: Bujana Ameti, harpiste e talentuar, ylli i ri i muzikës klasike shqiptare në Francë, Belgjikë dhe më gjerë; Olsi Leka, violenciolisti i parë i Operas Mbretërore belge, profesor në Konservatorin Anversës dhe të Brukselit. Padyshim që “qershiza mbi tortë“ ishte Elda Laro, pianiste me një interpretim dhe finesë të jashtëzakonshme gjatë gjithë koncertit, duke shoqëruar mjeshtërisht intepretimin brilant të shoqeve të saj të disa prej pjesëve më të bukura të repertorit klasik botëror dhe atij shqiptar; Elda është dhe repititore në Operan gjermane në Berlin ku ka filluar më 2016, pasi më parë ka qenë shefe muzike në Teatrin e Mynsterit. Ajo ka dirigjuar dhe në Teatrin tonë të Operas në Tiranë në vitin 2015 dhe 2016 “Capuleti et Montecchi të Belinit.

Në mbështetje të kësaj nisme u vu menjëherë OJQ e njohur e ndihmave humanitare Vizion Albania, e sidomos ekipi i saj në Anversë me bashkëatdhetaren tonë, menazheren marketingu dhe aktiviste e përkushtuar sociale, Era Hajdari. Bashkë me Anxhelën, Mirlindën dhe Altinin, me mbështetjen e miqve dhe dashamirësve, Era u kujdes me zell dhe pasion që aktiviteti t’i përgjigjej nivelit të lartë të artistëve pjesëmarrës dhe të pranishmëve shqiptarë, belgë dhe të huaj të

tjerë. Edhe pse me shumë pak kohë dhe plot aspekte logjistike dhe financiare për të zgjidhur. U desh një komunikim intensiv në shumë drejtime, duke filluar nga sigurimi i mbështetjes morale, logjistike dhe financiare, krahas komunikimit me disa institucione dhe bashki belge, duke filluar nga Ambasada jonë aktive në Bruksel dhe ajo e Kosovës; si gjithmonë, ato dhanë mbështetjen e tyre të plotë, veç pranisë në Koncert.

Padyshim që mbështetësi i parë i madh ishte i Zoti i Shtëpisë“ Katedralja “Sint Paules“ e cila vuri në dispozicion sallën e madhe dhe sheshin e saj, ku vijuan takimet dhe bisedat mes miqve dhe dashamirësve tanë, të cilët mund të shijonin diçka modeste dhe nga fondi ynë kulinar dhe i pijeve, me qëllim që të ardhurat nga ky event të jenë sa më të mëdha.

Koncerti me interpretimin brilant të shtatë artistëve ishte triumf i vërtetë artistik solidariteti, i përcjellë nga fillimi me “Moj e bukura more“ e deri në fund me duartrokitje dhe ovacione të vazhdueshme. Shumë të pranishëm që kanë dekada që banojnë në Belgjikë pohuan se ky Koncert ishte diçka e rallë dhe ndoshta i pari i këtyre përmasave; mbi të gjitha aty shkëlqeu talenti dhe atdhedashuria e një ekipi elitar artistësh, ku secili dhe të gjithë bashkë shfaqën vlerat dhe mjeshtëri të lartë artistike në të gjitha timbrat e zërit dhe tonet e interpretimit. Këto emocione u ndanë gjatë bashkërisht dhe pas përfundimit të Koncertit, ku u bisedua më tej për vendin tonë dhe sidomos për nevojat e shumta pas tërmetit të 26 Nëntorit. Vërtet që Koncerti zgjati 90 minuta, por jehona e tij do të vazhdojë dhe do të ndihet gjatë.

Në fund, vlen të theksohet se ky Koncert ishte mbyllja për këtë vit e shumë nismave dhe aktiviteteve që ka zhvilluar komuniteti shqiptar në bashkëpunim me organet e pushtetit dhe të shoqërisë civile belge gjatë këtij muaji, pas tërmetit të 26 Nëntorit. Të 10 shoqatat organizuan urgjentisht mbledhjen e ndihmave dhe fondeve, materiale të ndryshme, etj të cilat tashmë janë dërguar në destinacion. Disa ditë më parë, Kryetari i Bashkisë së Brukselit, Philippe Close, i shoqëruar nga tre këshilltarët e tij shqiptarë vizitoi vendin tonë. Veç ndihmave humanitare, ai premtoi rindërtimin e një shkolle dhe forcimin e bashkëpunimit me shkollat e Tiranës.

Ja pse, Koncerti elitar në Anversë ishte mbyllja më e bukur, më tingëlluese dhe me plot mesazhe solidariteti me vendin tonë, për të dëmtuarit nga tërmeti, si nga komuniteti shqiptar ashtu dhe miqtë e dashamirësit tanë belgë./argumentum.al/

SHKARKO APP