Malësia në karantinë u shndërrua në një yll solidariteti njerëzor

Nga Gjekë Gjonaj –

Nuk është aspak e lehtë të qëndrosh në izolim të plotë, siç qëndruan qytetarët e Malësisë 21 ditë radhazi. Përkundrazi, është tepër e vështirë të kalosh orë të tëra në një hapësirë të vogël, i mbyllur brenda mureve të shtëpisë, pa e ditur se si do të jetë dita që vjen. Këtë herë nuk kishin zgjidhje tjetër fatlume për të mbrojtur shëndetin e tyre, të familjarëve dhe të tjerëve, pas thirrjes që u bëri bashkëqytetarëve të vet, kryetari z. Nik Gjeloshaj, natën e 23 marsit 2020, që të gjithë, i madh e i vogël, gra e fëmijë, pleq e plaka të mbyllen në shtëpitë e veta, për shkak se atë ditë Instituti për Shëndetin Publik i Malit të Zi kishte regjistruar 15 persona nga kjo trevë të prekur me një virus të padukshëm e të panjohur më parë, të quajtur Covid-19.
Lajmi ishte i menjëhershëm, i nevojshëm, i detyrueshëm, i duhur e shpëtimtar, sado i trishtueshëm. “Kjo situatë duhet të merret me seriozitet të plotë . Ne të gjithë duhet të ndalojmë përhapjen e këtij virusi dhe këtë mund ta bëjmë vetëm së bashku, jo vetëm për të mbrojtur veten, por për të mbrojtur edhe familjarët, edhe të moshuarit, edhe miqtë, edhe të afërmit që duam. Ju lutem rrini në shtëpitë tuaja, asnjë lëvizje jashtë! Ndihmoni bluzat e bardha! Frikë jo, kujdes po! Malësia ka mbijetuar luftëra, sëmundje dhe fatkeqësi të ndryshme gjatë historisë së saj, por jam i bindur se edhe kësaj herë do t’ ia dalim!” Këto ishin fjalët e njeriut të parë të Malësisë drejtuar bashkëqytetarëve të vet nga studioja e dritares së tyre të preferuar informative – Televizionit lokal “Boin”.
Nga ky moment jetën normale edhe në Malësi e ndërpreu “dhunshëm” një armik që e shihnim të parrezikshëm, sepse ishte mijëra kilometra larg nesh. Por, ky armik i shtriu këmbët edhe në Malësi, duke e bërë atë pjesë të fenomenit global, që pritet të sjellë ndryshime në perceptimin mbi jetën dhe funksionimin e marrëdhënieve sociale dhe ekonomike në botë. Kështu pandemia e pamëshirshme e koronavirusit futi në karantinë mijëra qytetarë të Malësisë me qëllim që, siç pohuan atë mbrëmje mjekët specialistë të epidemiologjisë dhe autoritetet qeveritare, të frenohen rastet e konfirmuara dhe të shpëtohen jetët e njerëzve.
Liria e lëvizjes së qytetarëve të kësaj treve u kufizua dhe përditshmëria e tyre u njëjtësua me atë të njerëzve të Wuhanit në Kinë dhe disa të tjerëve të cilët kishin javë që rrinin të mbyllur nga frika se emrat e tyre mund të gjendeshin në listën e të prekurve, të shëruarve apo edhe të vdekurve nga virusi i pamëshirshëm.
Qytetarët e Malësisë deri më sot “të keqen” e kanë pas të njohur. Dinin nga të ruheshin. Sot, sfilitja më e madhe është pikërisht të identifikosh rrezikun. Ai është kudo, por s’e dallon lehtë. E gjithë Malësia e kuptoi se nuk është një luftë si luftërat tradicionale, ku vihet në pah tërësia e virtyteve njerëzore që lidhet me trimërinë, guximin, me pasionin për lirinë deri në vetë sakrifikim. Por, është një luftë me një armik të padukshëm, fare të padukshëm, që hyn në trupin tonë dhe në trupin e njerëzve tanë më të dashur, duke kërcënuar shëndetin dhe jetën e atyre. Ajo, duke mos pasur zgjidhje tjetër dhe duke e kuptuar se nëse gjithçka do t’ia linin në dorën e tij katastrofa do të ishte e sigurt, u tregua e ndërgjegjshme, e disiplinuar, e kulturuar në këtë situatë tepër të vështirë të papërjetuar ndonjëherë më parë.
Pavarësisht se ky armik që nuk dihet se si duhet luftuar, i aftë të shkaktojë vuajtje të tmerrshme, i cili e bëri botën të heshtë dhe të gjunjëzohet, ndërsa Malësinë e futi në karantinë, ka sjellë edhe efekte pozitive. I gjithë pushteti vendor – komuna, në bashkëpunim me pushtetin qendror, natën e parë u organizua dhe u mobilizua për t’u gjetur pranë qytetarëve të Malësisë dhe për t’i ndihmuar ata në ato çaste të vështira të krijuara nga ky armik përbindësh, i cili deri më tani mori më se 150. 000 jetë njerëzish të të gjitha grup-moshave dhe profesioneve, duke mos njohur shtet, komb, kombësi, fe, racë, të varfër apo të pasur. Ky armik nuk pyet as nga vjen, as kush je, as çfarë historie ke dhe as ku je. Të godet!
Në ato ditë të para vetëmohuese ishin pikërisht të rinjtë vullnetarë të Malësisë, të cilët menjëherë u vunë në aksion 24 orë për t’u ndihmuar bashkëqytetarëve të vet për çdo nevojë që kishin. Ata (vullnetarët), në organizim të Komunës së Tuzit, me gjithë forcën e humanitetit të tyre ofruan ndihmën e pakursyer për bashkëqytetarët e vet të mbyllur, duke shpërndarë në çdo familje të Malësisë ushqime dhe ilaçe, madje edhe në ditët me dëborë në zonat më të thella të saj. Ky shembull unik i solidaritetit në gjithë këtë vështirësi bëri bujë dhe lëshoi një dritë të përtejme përpara opinionit vendas dhe të huaj.
Po aq i shpejtë ishte edhe uniteti, humanizmi dhe solidariteti njerëzor i mërgimtarëve të Malësisë në Amerika, Evropë dhe kontinente të tjera. Si gjithmonë deri më sot, vëllezërit tanë në mërgim dhe shoqatat e tyre, edhe pse të prekur nga i njëjti virus i mallkuar, dërguan ndihma të shumta financiare për të ndihmuar vëllezërit dhe familjarët e vet në nevojë në luftën e përbashkët kundër koronavirusit. Nga ana tjetër, nuk munguan as donacionet nga kompani dhe individë vendas, të cilët me shembullin e tyre treguan se humanizmi dhe solidariteti njerëzor janë në themel të vlerave tona, me të cilat krenohemi kudo në botë. Sot si kurrë më parë nderojmë dhe vlerësojmë sakrificat e mjekëve dhe infermierëve tanë që përballen çdo orë me rrezikun dhe sfidat e vështira të shpëtimit të jetëve nga pandemia e COVID-19.
Shfaqja e pandemisë së koronavirusit në Malësi dëshmoi se qytetarët e kësaj treve shqiptare janë njerëz humanë, njerëzorë e fisnikë. Populli i saj, edhe në këtë sprovë të re në luftë me këtë virus të rrezikshëm, sikurse edhe në të kaluarën e hershme shekullore, tregoi se ka zemër të gjerë dhe të madhe, e cila i zë të gjithë. Ata rikthyen në Malësi virtytet më të vlefshme të saj. Në këto ditë të errëta që po kalon e gjithë bota, Malësia u shndërrua në një yll që po ndriçon me humanizëm e solidaritet njerëzor. Ky shpirt i madh i humanitetit të shqiptarit ka marrë përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare. I treguam botës se jemi komb i Nënë Terezës, e cila me veprimtarinë e vet do të na shërbejë si shembull frymëzimi se si njerëzit e zakonshëm, me shumë dashuri, mund të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme për njerëzit që kanë nevojë për ndihmë e solidaritet. Nuk ka thënë kot populli ynë i mençur: “Ku ka kënë, ka me kënë”.

SHKARKO APP