“Mali i harrum” i Shqipërisë! Të flasësh për ekonominë me gjuhën e kinemasë

A mundet që arti të vendosë në lëvizje një shoqëri të tërë, për t’u ndërgjegjësuar dhe kuptuar “minuset” e saj? Kinematografia dhe teatri, që në gjenezën e krijimit të tyre, si synim kryesor kanë patur ndërgjegjësimin e publikut, atij që me kalimin e kohës ka ndryshuar në shije dhe mendime. Filmi me titull “Mali i harrum” sjell pasigurinë e çdo qytetari në një vend si Shqipëria, aty ku debati nis me vrull e pa forcë mendimi. Regjisori i filmit, Ardit Sadiku sjell nëpërmjet filmit problemet më dinamike të shoqërisë shqiptare, pasigurinë ekonomike dhe humbjen e pronës, të cilët kanë shpresuar aq shumë, se e nesërmja do jetë më e sigurt ekonomikisht dhe se prona do të rikthehej një ditë.

Prej këtyre dy problemeve madhore, si rrjedhojë, shfaqen me mijëra shqetësime të tjera; me mijëra fenomene, që çojnë  në humbjen e ekuilibrave njerëzorë. Kasti i përzgjedhur nga regjisori mban në brendësi të tij aktorë shqiptarë dhe kosovarë. Kjo ka qenë një punë e gjatë për të mbërritur në finalizimin e filmit, si dhe një angazhim i një grupi të madh për të sjellë maksimumin në këtë projekt kinematografik. Sadiku shprehet se vetë nga titulli, audienca do të kujtohet për malin dhe do gjejë veten, ose një të afërm, duke kaluar të njëjtat eksperienca.

Humbja e pronës, ikja e brezit të vjetër dhe ardhja e brezit të ri janë një nga pikat kryesore të filmit. – Dua që publiku të marrë substancë dhe të ndihet i vlerësuar. Nuk kam bërë film që ta shikojë elita franceze, por kushdo – shprehet mes të tjerave regjisori, Ardit Sadiku. Realizimi i filmit, sigurisht që ka pasur vështirësitë e tij dhe kjo për regjisorin ka sjellë një punë të madhe, deri në përfundim të projektit. – Kam pasur vështirësi në pas-prodhim sidomos me audion, ku duhej të krijonim dhe të regjistronim ambiente natyre dhe efekte nga më të ndryshmet. Ne kemi punuar goxha shumë, por ia kemi dalë me sukses; kjo, falë punës së mjeshtrit të tingullit, Engert Keçi – vijon regjisori Ardit Sadiku.

Filmi ka mundur të shfaqet si premierë në ekranin e kinemasë përgjatë muajit nëntor. I gjithë ngacmimi për të nisur dhe finalizuar këtë film nisi nga një bisedë më një të moshuar që regjisori pati mundur të bëjë. Sipas tij, i moshuari nuk po gjente qetësinë, ashtu siç ndodh në Shqipëri. Ai kishte mbetur pa shtëpi, si rezultat i humbjes së pronës. Këto janë probleme që nisin  nga zemra e një vendi, aty ku njerëzia lufton çdo ditë me nevojat e saj, si pamundësia për të marrë vendime, pasiguria ekonomike që i shkakton ankth dhe keqmenaxhimi i marrëdhënieve. Këto janë ngacmime të vogla, në një shoqëri të madhe e të trazuar si e jona.

Kjo është një histori shqiptare

Filmi flet i gjithi në dialektin geg. Xhirimet janë bërë në fshatin Theth të Shkodrës. Rreth një vit më parë regjisori do të sillte filmin nën titull “Jeta mes ujërave”. Ashtu si në çdo film, vështirësitë nuk janë të pakta me realizimin edhe pse  ai pohon se është një punë që i fal kënaqësi. Sipas tij, puna me filmat është aq sa është bukur, edhe e vështirë, por unë e shoh si detyrë më shumë se sa punë. Ai thotë se e shijon periudhën e xhirimeve dhe vetëm filmi i jep mundësinë për të artikuluar qartë imazhet që ka në mendje. Ndryshe nga filmi që po punon tani, “Jeta mes ujërave” sillte një dramë që ka patur si temë jetën e një mekaniku të pakënaqur dhe gruan e tij të papunë, që përballen me zhdukjen e papritur të vajzës së tyre.

Ngjarjet filmi i ka vendosur në Tiranë, i në një zonë urbane. Edhe për këtë film regjisor tregon se skenarin e ka shkruar në një formë që mund të xhirohej kudo, pasi tema nuk lidhet shumë me vendndodhjen. Ai pohon se në këtë film ka trajtuar mungesën e komunikimit, keqmenaxhimin, dëshirën për të mos punuar gjë që është shumë e theksuar në ish-vendet komuniste, rinina që kërkon të emigrojë për arsye ekonomike, duke harruar që ndryshimi i mentalitetit ka më shumë rëndësi sesa ndryshimi i vendndodhjes. Në film Agimi është kryefamiljari, i luajtur nga Kastriot Shehi; një baba që vetëm punon duke menduar që ka përmbushur detyrat familjare.

Drita është kryefamiljarja e luajtur nga Jorida Meta;, ajo është e papunë, e kapur nga rutina e përditshme dhe padëshira për të bërë diçka. Ermela është vajza e luajtur nga Enxhi Cuku, e cila studion për piano dhe është shumë e dhënë pas rrjeteve sociale. Në shtëpi ajo përballet me të ëmën, që i cakton detyra, ndërsa babain e sheh rrallë, pasi ai i shmanget shtëpisë. Aktorë të tjerë në role janë edhe Klodian Hoxha, Ermela Ruri, etj. Pas kësaj drame, tashmë pritet premiera e filmit “Mali i harrum” me të tjera mesazhe për shoqërinë.

Përzgjedhja e aktorëve

Filmi “Mali i harrum” ka përfshirë në të një grup aktorësh të përzgjedhur me shumë kujdes. Regjisori ka përfshirë në të aktorë, të cilët e flasin në mënyrë perfekte gegnishten, si një formë për ta sjellë filmin më pranë idesë që regjisori pati që në krijimin e tij. Në role janë të përfshirë Xhevat Qorraj, Kastriot Shehi, Fatlume Bunjaku, Agron Disdari, Merita Gjyriqi, Igballe Qena, Agron Shala, e të tjerë. Në qendër të filmit “Mali i harrum” flitet për një të moshuar në pension, që e gjen vendin jashtë shtëpisë nga djali tij i papunë. Pasi e humb pronën, ai mbështetet te vajza edhe te dhëndri. Ata udhëtojnë në Alpe, ku dhëndri ka shtëpinë, por në një përpjekje për të gjetur edhe paqen shpirtërore.

Regjisori është kujdesur dhe për detaje të tjera të filmit të tij. Sipas tij, filmi i vendos ngjarjet në një ambient, me arkitekture tradicionale shqiptare për t’iu përshtatur asaj ishte menduar. Sadiku shprehet se aktorët janë përzgjedhur me qëllim të jetësimit të skenarit sa më mirë, pasi është shkruar në dialektin geg. Kjo ka qenë një nga arsyet, se përse aktorët janë përzgjedhur për të folur gegnisht, që personazhet t’i përshtaten skenarit dhe ambientit. Vështirësitë për të realizuar një film në ditët e stome janë të shumta, në një vend si i yni, ku arti shihet si i fundit për të investuar, por për njerëzit e ekranit, e për më tepër regjisorët, e vështira është sfiduese dhe e bukur në të njëjtën kohë.

Nga Jolanda Shuaipi/SCAN Magazine

SHKARKO APP