Manaxhimi i ri publik
Nga Gertjan Veshaj –
Manaxhimi i Ri Publik është qasja pasuese e eksperiencës postmoderne të administrimit publik. Manaxhimi i Ri Publik është një vizion, një ideologji apo një paketë e veçantë masash, qasjesh dhe teknikash të manaxhimit publik. Në vitin 1992 Osborne & Gaebler, përkufizuan qasjen e re manaxheriale dhe theksuan se kjo qasje ripërcakton praktikat manaxheriale dhe qeverisëse në sektorin publik në përputhje me objektivat tipike të ekonomisë së tregut.
Kjo mendësi e re manaxheriale drejtohet nga parime specifike si efikasiteti, llogaridhënia, decentralizimi dhe tregu, parime këto që tentojnë të dobësojnë monopolin shtetëror të manaxhimit, ta drejtojnë atë drejt produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së tregut. Zëvendësimin e strukturave të ngurta hierarkike organizative me rrjete dinamike të njësive të vogla organizative; duke zëvendësuar praktikat autoritare, me vendimmarrje nga lart poshtë me praktikat e bërjes së politikave me qasje më konsensuale, nga poshtë lart, e cila lehtëson pjesëmarrjen e sa më shumë palëve të interesuara, veçanërisht qytetarëve të zakonshëm.
Qeveria i orienton funksionet e veta në format kuazi-kontraktues ose kuazi të tregut, hap rolet e ofruesit për konkurrencën midis agjencive të veta ose ndërmjet agjencive publike, firmave dhe organeve jofitimprurëse. Krijimi i një shteti të vogël, me qeverisje eficente dhe jo burokratike, ndërmjet një manaxhimi shtetëror të thjeshtëzuar, është pikërisht ideja e autorëve si Pollit dhe Bouchaert në vitin 2004. Ata gjithashtu theksojnë se rritja e kontrollit publik dhe e llogaridhënies është mënyra e kontrollit qytetar të kësaj qasje.
Modeli i shtetit burokratik i përcaktuar nga Max Weber fillon humb formën e vet origjinale. Struktura hierarkike dhe autoritare fillon të zhbëhet. Diskutimi publik dhe vendimmarrja e hapur përbën formën e re të vendimmarrjes publike. Kërkohet një shtet me demokraci të brendshme të zhvilluar dhe të konsoliduar për të mundësuar vënien në jetë të parimeve të tilla.
Edhe pse duket sikur ka një momentum për këtë lloj forme qeverisëse dallimi midis shteteve demokratikisht të zhvilluara dhe atyre më pak të zhvilluara është pikërisht sepse shtetet me demokraci të zhvilluar shtrijnë vendimarrjen e hapur nga niveli më i ulët i konsultimeve deri në nivelet e tyre më të larta të brendshme, ndërsa në shtetet demokratikisht më të dobëta konsultimi shpesh herë shërben vetëm si një fazë marrëdhënie me publikun sesa si brendi mendimi dhe vendimmarrje. Indikatori më i mirë për të kuptuar nivelin demokratik të zhvillimit të një shoqërie, është pikërisht roli që ka publiku në formësimin e politikave shoqërore. Kjo formë vendimarrje sipas Gutmann & Thompson kërkon të prodhojë vendime që janë të gjithëpranueshme, konsensuale dhe dinamika e të cilave mban të hapur mundësinë e dialogut të vazhdueshëm.
Weber gjithashtu thekson se burokracia është ndër ato struktura shoqërore, të cilat kur rrënjosen, janë më të vështira për t’u ndryshuar. Për të mundësuar pikërisht kalimin në struktura të përditësuara të manaxhimit publik, jo vetëm që nevojiten njerëz të përgatitur profesionalisht për këtë lloj stili manaxhues, por edhe zhvillimi shoqëror e kulturor duhet ta shohë si një nevojë të brendshme të vetën këtë lloj zhvillimi. Ekuilibri midis këtij efikasiteti financiar dhe vlerave demokratike është sfida më e madhe e çdo administrate publike moderne.
Ndryshimet që kanë ndodhur në shumë vende të zhvilluara dhe atyre në zhvillim përmes nismave të kësaj reforme, na nxjerrin në përfundimin se qasja e Manaxhimit të Ri Publik do të vazhdojë në të ardhmen. Duket se nuk do të ketë më kthime në administratën e vjetër publike. Ka fitues dhe humbës në çdo reformë, dhe për rendin e sotëm neoliberal ky model reformash konsiderohet si i suksesshëm. Manaxhimi i Ri Publik është një ndërthurje e teknikave bashkëkohore, ato kanë funksionuar mirë në disa vende, ndërsa, në të tjera, jo. Në disa vende këto reforma nuk kanë qënë të suksesshme, sepse siç cituam më lart, mungesa e disa parakushteve shoqërore dhe demokratike që duhen përmbushur, i bën ato jo eficente në zbatim.
Hughes beson se ndryshimi dramatik nga burokracia në qasjen e tregut në vendet në zhvillim, do të kontribuonte në një përhapje më të madhe të korrupsionit. Në këto vende, edhe pse ky model synon transparencën dhe zhdukjen e korrupsionit në sektorin publik, ai ka tendencë të krijojë efektin e kundërt, duke rritur shkallën e korrupsionit. Mongkol në vitin 2011, thekson se “Manaxhimi i Ri Publik” u siguron liri më të madhe manaxherëve publik, nivele më të ulta të mbikëqyrjes dhe të llogaridhëniës dhe në mungesë të një opinioni të fortë publik që ndikon në zgjedhjet politike, mund të krijojë një klimë të përshtatshme për korrupsion. Përveç problemit deontologjik ekziston dhe një praktik siç mund të jetë papërshtatshmëria e infrastrukturës, apo edhe mungesa e përvojës në tregjet operative ndërkombëtare. Pikërisht këto janë problemet që përballet edhe administrata publike shqiptare dhe këto janë sfidat reale në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian.
*Autori është pedagog në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë