Maqedonia një vit më pas

Nga Marjana Doda

Gjithmonë jam sensibilizuar nga ngjarje të trazuara në rajonin e Ballkanit, shpesh dhe kam shkruar për to, ndërsa më mbanin “pezull “protestat opozitare mëse dy vjeçare në Maqedoni që më ngjasonin si “pranvera maqedonase” që kërkonin të shpërndanin retë e zeza të “dimrit Gruevski” duke shtypur liritë dhe të drejtat e popullit të tij në forma nga më të paimagjinueshme. E gjithë kjo “pranverë” përkoi me fitoren e LSDM-së dhe të shqiptarëve të Maqedonisë në zgjedhjet e dhjetorit të vitit 2016, por nuk kishte mbaruar me kaq, “gjethet” e demokracisë ishin ende të brishta.

Më 27 Prill 2017 ndodhesha për një takim pune në Shkup, pa e ditur se pikërisht kjo datë do të shënohej si ditë e errët në historinë politike të Maqedonisë. Pas takimeve rutinë të punës që kisha, miqtë e mi po më bënin një guidë të shkurtër për të parë institucionet e qytetit. Më në fund u ulëm për kafenë e pasdites pranë parlamentit.

Për një moment makinat ndaluan dhe nga larg dëgjohej muzikë me tupana e vegla të tjera muzikore karakteristike të Maqedonisë. Pyeta miqtë e mi nëse po zhvillohet ndonjë festival duke harruar për një moment protestat tashme të përditshme të opozitës maqedonase, por ata më treguan se kjo “muzikë”, është thirrja për protestë që tashmë pritet të fillojë. Në çast mu kujtuan hoxhallarët në minaret e tyre që thërrasin ezanin…një moment reflektimi, lutjeje, paqeje. Por jo…kjo nuk kishte të bënte aspak me thirrjen dhe lutjen për paqe.

Nxitova të them në shenjë vlerësimi, se ndryshe nga Shqipëria, ku thirrjet për protesta më duken më të dhunshme, qytetarët maqedonas kanë gjetur një mënyrë më civile e paqësore për një gjë të tillë, por u zhgënjeva. Pak më vonë do ta tërhiqja vlerësimin tim për këtë “bande” muzike-protestuesish.

Ora po shkonte 17:30, dhe në pak minuta rrugët po boshatiseshin, ndërsa njerëzit nxitonin për tu futur sa më parë në shtëpi. Miqtë e mi më rekomanduan të shkoja në hotel, pasi nuk dihej se çfarë mund të ndodhte. Gjendja më dukej disi e çuditshme dhe e frikshme pasi nën kumbimin e muzikës përballë parlamentit,nuk më shkonte ndërmend të mendoja për sigurinë time dhe për asnjë situatë të rrezikshme, megjithatë dëgjova këshillën për të shkuar në hotel.

I kisha ndjekur ngjarjet në rajon, dhe veçanërisht në Maqedoni, duke u njohur në detaj me krizën e saj 2-vjeçare të mosfunksionimit normal të institucioneve qeverisëse. Ndërsa tashmë e gjendur pranë këtij parlamenti nuk mund t’a imagjinoja pushtimin dhe dhunimin e tij nga banda e “muzikantëve” huligane.

Vetëm pak minuta nga kthimi im në hotel, miqtë dhe kolegët e mi të shqetësuar më porositën që të mos dilja më dhe të qëndroja aty. Ndeza televizorin dhe po shihja situatë të tensionuar. Në telefon miqtë më thanë se është gati të shpërthejë luftë civile. Fillova të shqetësohesha. Ndërkohë televizionet transmetonin lajme dhe pamje nga parlamenti që tregonin sikur po ndodhte vërtet një puç shtetëror.

Nga ajo çfarë u iluzionova pak orë më parë sikur të ishte një ftese për lutjeje për paqe e muslimanëve, tashmë me ndjesinë e një katolikeje po thosha me vete: “Fali Zot se nuk dinë se ç’bëjnë”. Nga Shqipëria miq të tjerë më telefononin herë pas herë për të mësuar më shumë se çfarë po ndodhte në Maqedoni, por unë isha e izoluar dhe gati në gjendje shoku, ndërsa mendoja për bandën e kamufluar “muzikore” të huliganëve që tronditën Maqedoninë e mbarë rajonin duke dhunuar parlamentin dhe bashkëkombasit e tyre. Nuk doja t’a pranoja zhgënjimin, se fundja ata nuk përfaqësonin popullin e Maqedonisë.

Në parlament mbetën të ngujuar deputetë të shumicës e gazetarë, me mbi 70 persona që kërkuan ndihmë mjekësore, 22 policë e 3 deputetë që ju nënshtruan një ndihmesë të tillë. U sulmuan e dhunuan fizikisht lideri i LSDM Zoran Zaev, deputetja e kësaj partie Radmilla Shekerinca dhe lideri LRPDSH, Zijadin Sela.

Të nesërmen sapo takova kolegët e mi, fillova të flas për natën e trisht të 27 prillit, por çuditërisht u përballa me një lloj indiference ndaj gjithë asaj çfarë kishte ndodhur. Ndryshe nga sa ndodhë në Shqipëri, ku në një situatë të ngjashme …Tirana do “gumezhonte” me opinione e teori nga i madh e i vogël. M’u shprehën se kjo nuk ishte çështje e tyre, por e politikanëve, dhe se e pritnin të ndodhte një situatë e tillë. Më erdhi keq që nuk arrita të shpreh solidaritetin tim…ose me mirë nuk ishte e nevojshme. Gjithçka paska qene e pritshme?

Nuk mund t’a imagjinoja një indiferencë të tillë ku ndërkombëtarët po shprehnin hapur shqetësimin e tyre, ndërsa analistë parashikonin një proces zinxhir në Ballkan, më së pari Serbia që nxitojë e para të dërgojë trupa të ushtrisë në kufi, e me vonë, stafi i ambasadës ishte tërhequr për konsultë në Beograd, duke e veshur me “tis” dyshimi rolin e sajë në dhunën e ushtruar në parlamentin e Maqedonisë

Por ndoshta kjo indiference ishte e drejte, jo ndaj dhunës që u ushtrua në tempullin e fjalës, por ndaj lojërave politike të të gjitha partive politike në vend .Ky nuk ishte problem i popullit por i disa njerëzve të papërgjegjshëm që në emër të popullit duan ta shkatërrojnë atë. Po, indiferenca e tyre ishte e justifikuar duke marrë parasysh lodhjen qe i kanë shkaktuar partitë politike, ky nuk ishte problem etnik midis shqiptarëve dhe maqedonasve siç u munduan ta “shesin “ por problem i vetë partive politike të cilët luftonin për pushtet .

Iniciativa “Për Maqedoni të përbashkët”, që deri një ditë më parë protestonin me muzikën që mund të ndillte vdekjen, rrezikuan seriozisht ndarjen e Maqedonisë dhe jo bashkimin e demokratizimin e saj. Do të ishte pikërisht zgjedhja e Talat Xhaferrit si Kryetari i parë shqiptar i Parlamentit të Maqedonisë që kur Maqedonia fitoi pavarësinë nga Jugosllavia në vitin 1991, gjë e cila do të përdorej si justifikim për përshkallzimin e një lufte ndëretnike mes shqiptarëve dhe maqedonaseve. Pas kësaj ngjarjeje vetë z.Xhaferri do deklaronte se:” Nuk do mend që populli nuk mund të jetë puçist. Puçistë janë ata që kanë uzurpuar institucionet dhe nuk lejojnë të konsolidohen organet e parlamentit”.

Pas natës që po vriste “pranverën maqedonase”, do të reagonte dhe Presidenti i Maqedonisë, Gjeorge Ivanov i cili në një paraqitje të jashtëzakonshme bëri thirrje për një takim të liderëve të partive politike dhe ulje të tensioneve e sjellje të përgjegjshme në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e vendit. Ndërsa Nikola Gruevski i akuzuar drejperdrejte si dirigjenti i “bandës huligane muzikore” do shfaqej me një deklaratë duke justifikuar dhunën, pasi që sipas tij LSDM e parti të tjera shkelën procedurat ligjore në zgjedhjen e kryetarit të parlamentit.

Ndërsa LSDM në një deklaratë të saj do shprehej se regjimi  në shpërbërje i Nikolla Gruevskit nuk mund t’i ndalojë proçeset demokratike, duke porositur qytetarët të qëndronin larg skenarëve të dhunshme. Ngjarja dhe dhuna u dënuan nga Komisioneri i BE për Zgjerim Johanes Hahn dhe ambasada e SHBA që e quajti aktin të papajtueshëm me demokracinë e duke inkurajuar mbështetjen për përparimin e vendit.

Megjithse dhunuesit e parlementit dolen para drejtësisë,shumë pikëpyetje janë ende pa përgjigjie nga ajo nate e erret,sikundër dhe ngjarje të tjera të ndodhura më parë në Maqedoni.

Me rendësi është që nga ajo e keqe e madhe u kthye në një të mirë të madhe. Sot pas një viti Maqedonia dhe populli i saj duket se po marrin frymë lirisht. Pas ditëve me re te zeza qe pushtoji “pranverën maqedonase” ndriçoi dielli i vërtetë i Maqedonisë. Nën drejtimin e socialdemokratit Zoran Zaev duket se ka filluar një jetë më e qetë dhe më cilësore e qytetarëve të saj.Është rritur besimi i luftës kundër korrupsionit, të sundimit të ligjit dhe kthimit të besimit tek institucionet, i sigurisë dhe lirive që ju kishte munguar. Kuvendi miratoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike si element bazë i një bashkëjetese paqësore.Hapja e negociatave me greqine për zgjidhjen e emrit.”Unë besoj se ne kurrë nuk kemi pasur kushte më të mira për arritjen e një zgjidhje të plotë që do të zgjasë përgjithmonë”,-do deklaronte Zaev. Ndërkohënë samitin e ardhshëm te NATO-s i caktuar për 11 dhe 12 korrik të vitit 2018,Maqedonia pritet të jetë vendi i 30-të anëtar kesaj aleance. Ndërsa,vetem pak ditë më parëMaqedonia arriti të marrë rekomandim pozitiv nga Komisioni i BE-së, për hapjen e negociatave të anëtarësimit për në BE .Kohë e vonuar për të marrë atë që Maqedonia ka merituar.

SHKARKO APP