Martin Nika, njeriu dhe ushtaraku model

Nga Safet Ramolli-    Rreth orës 11.00 të datës 25 maj 2018, përmes titrave të Televizionit NEWS-24 mësova se Martin Nika kishte ndërruar jetë pas një aksidenti automobilistik me pasojë vdekje në orën 24.30 të datës 24 maj 2014, në afërsi të Ish-Ministrisë së Integrimit, pasi kishte përfunduar kontrollin e shërbimit nga efektivi i Gardës së Republikës. Për rastin konkret u befasova dhe mu duk e papranueshme, sepse Martini, për shkak të formimit të tij (njeri pa vesin e pijes, dhe tërësisht i ekuilibruar në qëndrimet dhe veprimet e tij) të bënte gabimin fatal që të lëvizte jashtë kontrollit në rrugë. Por, fataliteti është fatalitet dhe e pranova, natyrisht me dhembje dhe i paqetësuar së brendëshmi. Mandej, në lajmet e mbrëmjes mësova se ishte organizuar një ceremoni, (më se e meritueshme për Martinin që unë kam njohur) për kryerjen e homazheve dhe përcjelljen pranë familjes, për të vijuar  mandej nderimet e fundit për ta përcjellë në banesën e përjetëshme, ku shkojnë gjithë të vdekshmit.

Si e kam njohur Martin Nikën?

Në fundviti 1992 jam bërë pjesë e efektivit të Gardës së Republikës, për të vijuar deri në prill 2014, kur, “për plotësim të moshës”, krejt papritur mësova se kisha kaluar në një status të ri social: “pensionim të plotë pleqërie”për shkak të qenësishëm të plotësimit të moshës (dy ditë më parë, ishte e shtunë, kisha plotësuar disa dokumente që kërkoheshin për të vijuar karrierën). Martini ishte “NJERI I MIRË” – me ç’ka e ka të nevojëshme një cilësim apo epitetim i tillë. Si në përrallë apo mitologji (sipas konceptit spartan të lashtësisë greke), kishte një përputhje harmonike të mrekullueshme midis cilësive fizike dhe atyre shpirtërore: shtatlartë, konstrukt fizik harmonik, sjellje e veprime klasike krejt të rregullta, fisnik dhe human përtej kufijve e kërkesave strikte të romantizmit apo klasicizmit klasik. Edhe pse, për shkak të dhuntive natyrore, kishte një fizik të nivelit të lartë, ai ndihej dhe paraqitej krejt natyrshëm, si i barabartë midis të barabartëve, nuk kishte asnjë “preferencë”, (në se mund të quhet apo klasifikohet e tillë), midis grupimit social që i përkiste ai dhe bashkëshokëve të tij në realitetin konkret të zhvillimit të përgjithshëm shqiptar të kohës. Ishte “harmonik”, (në kuptimin klasik të kësaj fjale), midis cilësive vetjake të karakterit dhe kërkesave të funksionit shtetëror të përcaktuar në udhëzimet apo instruksionet përkatëse. Martini ishte “NJERI” me të gjitha cilësitë më të mira të këtij nocioni: ishte kristian i ndershëm në të gjithë përbërësit e këtij frazeologjizmi; ishte pjesë reale në kushte reale e komunitetit ku jetonte e vepronte; ishte fisnik, (kalorës i klasicizmit radikal, do ta quaja unë, në paraqitje, sjellje e veprime), një krijesë  hyjnore, e shenjtë e përkryer, çka unë do ta kisha model shëmbëllimi dhe rrugëudhëtimi në të pastajmen).

Martin Nika: sportist elitar, human e fisnik.

Martin Nika, ishte sportis elitar, në kuptimin më të plotë të këtij frazeologjizmi. Në cilësitë fizike dhe ato psikologjike apo psikomotore, ai ishte, ndoshta, përfaqësuesi më korrekt dhe më i kompletuar në grupimin e sportistëve. Në fundvitin 1992 jam bërë pjesë organike e Gardës së Republikës. Midis shumë përparësive që gjeta, karahasuar me strukturat ushtarake në të cilat kisha rrugëtuar për 25 (njëzet e pesë) vjet, ishte prania e një resursi njerëzor të pajosur me mjaft kualitete pozitive. Efektivi ushtar, sipas një vendimi të veçantë dhe specifik, duhet të zotëronte aftësi fizike mjaft të mira, të kishte lartësi trupore më shumë se 175 cm., të kishte kryer arësimin e mesëm, si dhe të kishte figurë të pastër morale. Ndërkohë kuadri komandues e drejtues, si dhe personeli i shërbimit logjistik (shërbimi i ushqimit, i shëndetsisë etj.), vinte nga kontigjentet më të mira dhe të besueshme të resureseve njerëzore në tërësi.

Përpos mjaft disiplinave për përgatitjen ushtarako-profesionale, juridike dhe atdhetare, si dhe atë të kryerjes së shërbimit krejt specifik, vend të rëndësishëm zinte përgatitja fizike. Nga ky kontigjent ushtarësh të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, të stërvitur dhe trajnuar edhe sa më lart, kishin dalë dhe afirmuar mjaft sportistë cilësorë në mundje, karate, boks etj, pa bërë fjalë për sportet më masive si futbolli, volejbolli e basketbolli. Të tillë unë gjeta zotërinjtë Fidel Ylli dhe Paulin Sterkaj, tashmë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe bisnesmenë të suksesëshëm; Ardian Resuli dhe Pirro Ymeri, i pari mundës dhe i dyti boksier, për mjaft vite dhe, më vonë kuadro drejtues të niveleve të mesme e të larta në strukturat e Ministrisë së Brendëshme apo Rendit Publik, (emërtime këto që i kanë lënë vendin hera-herës njëri-tjetrit), por edhe mjaft të tjerë si Selami Kasollja me shokë, besnikë e profesionistë në shërbim, por pa ndonjë shkëlqim në karrierë. Në këtë grupim kuadrosh dhe sportistësh cilësorë, veçanërisht dalloheshin Martin Nika, Asim Ahmeti dhe disa të tjerë në disiplinën e boksit. Për disa vite radhazi Garda e Republikës kishte ekipin e boksit me emrin tingëllues “Shqiponja”, ekip elitar kampion për disa vite në këtë sport elitar.

Martin Nika ishte ndoshta sportisti më i kompletuar në të gjithë treguesit përbërës. (Këto vlerësime i kam formuluar disa herë në shkrimet e mia të viteve 1992-2004). Kishte trashëguar dhe kalitur një trup harmonik: shtatlartë, muskuloz, me tipare harmonike, i shëndetshëm dhe mjaft i fortë, i hijëshëm dhe me lëvizje të rregullta dhe tërheqëse.

Por Martini, më tepër se sa i pasur me këto cilësi trupore apo fizike, kishte edhe një pasuri që rrallëkund mund ta gjesh te tjetërkush. Ishte modeli “i luftëtarit” korrekt në ring, serioz përtej kësaj cilësie të karakterit, fisnik e human, dashamirës ndaj kolektivit, i thjeshtë dhe etik në veprime e qëndrime. Edhe kur Ai ndihej i sigurtë në fitore (nga sa e njihte kundërshtarin) në ring paraqitej dhe “luftonte” me thjeshtësi, pa asnjë shenjë mendjemadhësie, si i barabartë midis të barabartëve, vlerësues i kundërshtarit etj. etj. Në radhët e ekipit të boksit “Shqiponja” mobilizoheshin, (apo rekrutoheshin – i thonë tashmë) për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak aktiv, boksierë të rinj në moshë nga gjithë rrethet, por njëherësh përzgjidheshin e përgatiteshin si boksierë, elementë me të dhëna fizike të mira dhe “me vullnet e zemër të fortë” për të garuar në këtë sport burrëror. Martin Nika ishte “kundërshtar” i tyre njëherësh edhe një trainer i natyrshëm për ata. Ai harxhonte mjaft kohë nga koha e tij e lirë për t’i përgatitur ata në aspektin fizik, teknik, taktik, dhe çfarë e ka të nevojshme ky sport burrëror. Por Ai sakrifikonte dukshëm edhe nga shëndeti i tij për t’i aftësuar këta sportistë të ardhshëm: u krijonte hapësirë që ata ta grushtonin “pa kursim” sikur të kishin një kundërshtar të mirëfilltë dhe jo një bashkëluftëtar dhe trajnerin e tyre. Martini ngazëllehej dhe i falënderonte kur ata përparonin hap pas hapi, edhe pse goditjet i provonte në trupin e tij. Ishte fisnik Martini, ishte human, ishte luftëtar serioz, ndihej krenar për ekipin ku shërbente dhe për arritjet e secilit prej tyre.

Martini ishte i fuqishëm fizikisht, ngërthente dhe shpaloste teknikë mjaft të lartë në boksim, kishte vullnet të fortë dhe “luftonte” me zemër më shumë se sa me grushtim. Ai nuk kursente asgjë dhe asnjëherë nga ajo çka Ai e kishte “pasuri” për t’ua transmetuar apo dhuruar të tjerëve. Unë si sportdashës ngazëllehesha kur e shihja Martinin në ring: isha i sigurtë në fitoren e tij, kënaqesha me çka Ai shpaloste në teknikë e forcë, në etikë e moral, sepse Martini, kundërshtarin e konsideronte bashkëluftëtar të barabartë, nuk sillej apo vepronte, qoftë edhe në një raqst të vetëm,  me mendjemadhësi dhe nënvleftësim ndaj tij, i krijonte hapësirë që kundërshtari të shfaqte aftësitë e tij, e ndante miqësisht gëzimin e fitores duke e konsideruar atë edhe si pjesë a meritë e kundërshtarit; ndërsa shikuesit përveç kënaqësisë që i dhuronte me korrektesën dhe teknikën e tij në boksim, u dhuronte buzëqeshje dhe mirënjohje.

Për vite të tëra garoi me kënaqësi dhe vullnet të plotë; i fali spektatorit mjaft fitore bindëse dhe të bukura, pesë herë kampion i padikutueshëm në peshën e tij; për kënaqësinë e sportdashësve dhe krenarinë e ekipit e të vendit, pranonte të boksonte edhe me pesha më të rënda; asnjëherë s’e pashë të dëshpëruar, të mundur apo të mposhtur, të lodhur e vullnetplagosur. Fitorja e gëzonte por nuk e hidhte në skutat e neveritshme të mendjemadhësisë, fitorja e shokëve e ringjallte dhe entusiazmonte, kishte shpirt të gjerë kolektiviteti, me kundërshtarët që mposhtte përqafohej, i uronte, shkëmbente kafe, u ofronte ndihmë në stërvitje, i konsideronte pjesë të suksesit të Tij etj.; pra shpirti i kolektivitetit dhe dëshira që boksi të ecte vijëpërpjetë, i lexohej në çdo qelizë të trupit.

Midis grupimit ku ai punonte dhe kryente detyra shtetërore e shoqërore. Dëshiroja, dhe kam dëshiruar, që për mjaft cilësi të qëndrimit ndaj punës, sidomos ndaj bashkëpunëtorëve, të drejtuesit Martin Nika, të jem pjesë e metodës së tij të punës.

Martin Nika ishte shëmbëlltyrë e ushtarakut model.

Martini përjetoi kërkesat e punës në të gjithë hierarkinë e forcave të armatosura. Si ushtar i shërbimit të detyrueshëm ishte më tepër se sa i tillë. Korrekt në përmbushjen e detyrave të shërbimit në këtë strukturë speciale, e cila ka detyrë të vetme: ruajtjen dhe sigurimin e personaliteteve të larta shtetërore dhe të objekteve të rëndësisë së veçantë. Ai e kishte krejt të qartë detyrën, prandaj përveç stimujve të ndryshëm nxitës e pozitivë, nuk provoi asnjë tjetër. Si nënoficer i shërbimit aktiv, ishte ndoshta më i kompletuari, më i përgjegjëshmi dhe më vullnetploti, për t’i dalë zot çdo detyre. Ndër të rrallët ishte i gatshëm të angazhohej në shërbimet më të vështira dhe më me përgjegjësi. Në vitin e prapësht 1997, midis të tjerave kam fiksuar një moment: ishte tejmesnata, në trotuar përballë selisë së Presidencës ishte vrarë një njeri. Duhej shoqëruar nga Presidenca në vendbanim ish-ministri i jashtëm atëmot, i porsakthyer nga një shtet mik. Kishte një farë stepjeje, por Martini e theu heshtjen duke dalë vullnetar për realizimin e këtij shërbimi të vështirë.

Në çdo detyrë shërbimi, gjithkush ndihej i ndihmuar, i sigurtë, i mbështetur, i motivuar, nëse do të ishte në një ekip (a skuadër), shërbimi me Martinin. Ishte trim, jo i çartur por i matur, në veprime udhëhiqej nga arsyeja dhe logjika dhe jo nga momenti i çastit, gjakftohët dhe entuziast në çdo kohë. Këtë mënyrë veprimi pati edhe në detyrën si oficer deri në ditën kur jeta ju ndërpre aq papritur dhe në mesin e saj. Ishte vetëm 50 vjeç. Kishte më shumë se kaqë për të jetuar. Kishte ëndërra të pafundme si çdo prind!… Ishte romantik nga natyra, por edhe realist!… Duhej të rriste me gjithçka të domosdoshme fëmijët e tij!… Duhej të përfundonte me sukses dhe dinjitet të padiskutueshëm karrierën ushtarake, që e pati përzgjedhur me vullnet.

“I pamposhturi” në gjithë atë rrugë të gjatë garimi në sportin burrëror të sportit të boksit dhe në kryerjen e shërbimit ku kërkohet: profesionalizëm, trimëri, guxim, dinjitet, besnikëri, humanizëm, “u mposht” fizikisht, (s’mund ta pranoj këtë frazeologjizëm), por kurrësesi moralisht, nga një goditje e beftë e një automjeti. Keqardhje e thellë dhe e ndjerë për një NJERI-NJERI, për një shpirt të gjerë e krenar, për një njeri fisnik e human, që t’i ndërpritet jeta kaq papritur! Jam besëplot se Zoti do ta pranojë me zemër të hapur, dhe se dheu do ta tretë me dhimbje e lotë të pashterrur! Zoti, apo dikush tjetër, do të gjejë mundësinë të ngushëllojë bashkëshorten dhe fëmijët e tij, familjarët dhe miqtë e tij! Qofsh i përjetshëm dhe i paharruar midis nesh, i shtrenti Martin! Të qoftë dheu i lehtë! Shpirti Yt u prehët në paqe e qetësi, se ashtu ishe TI: paqësor tej kufijve, i qetë si rrallëkush!

Shënim: Familjarët, bashkëshokët dhe lexuesit, të më falin për ndonjë “tejkalim”  në sjelljen time njerëzore ndaj Martinit. Por Ai (MARTINI) ishte më shumë njerëzor se shumëkush që shfaqet apo shtiret si i tillë.

SHKARKO APP