Maturantët me sy nga Gjermania
Një pjesë e mirë e maturantëve të cilët iu nënshtruan provimit të radhës e shohin të ardhmen e tyre në Gjermani.
Lënda me zgjedhje ishte provimi i fundit. Testi i përbërë nga mbi 30 pyetje kishte të njëjtën kohëzgjatje, 2 orë e 30 minuta.
Në përfundim maturantët ndanë vlerësime të ndryshme për nivelin e vështirësisë.
Maturante: “Ishte nivel mesatar.”
Maturant: “Ishte normal, gjëra që i kemi mësuar në shkollë. Nuk ishte shumë i ngarkuar.”
Disa prej tyre tashmë janë të vendosur për degën e studimit që do të ndjekin.
Por një pjesë e konsiderueshme në vjeshtë do të lënë Shqipërinë për të vijuar studimet jashtë vendit, kryesisht në Gjermani. Dëshira për një arsim cilësor është arsyeja kryesore e largimit.
Maturante: “Kam investuar shumë tek gjuha gjermane. Më pëlqen të studioj jashtë për një arsim më të mirë.”
Maturante: “Nuk më pëlqen shumë jetesa këtu dhe mundësitë që ju ofrohen të rinjve.”
Këtë javë maturantët priten të njihen me rezultatet e gjuhës shqipe dhe letërsisë, provim të cilin e kanë cilësuar të vështirë
/Ora News