Mbahet në Tiranë Forumi i Sipërmarrjes Rumani-Shqipëri

Nga Entela Binjaku –
Është mbajtur ditën e enjte në Tiranë Forumi i Sipërmarrjes Rumani-Shqipëri.
Organizuar nga Ambasada e Rumanisë në vendin tonë aktiviteti mblodhi bashkë në sallën e konferencave të hotelit Tirana AS sipërmarrës dhe përfaqësues të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë nga të dyja vendet.
Në fjalën e hapjes znj. Patricia Flavia RĂDUȚ e ngarkuara me punë si Këshilltare për Ekonominë dhe Tregtinë falënderoi për gadishmërinë për bashkëpunimin dhe i ftoi të pranishmit të ndiqnin axhendën e këtij takimi.
Në forumin e 24 tetorit 2019 Ambasadori i Rumanisë në vendin tonë SH.T. Mircea Perpelea falënderoi njerëzit e biznesit që kishin udhëtuar nga Rumania dhe e konsideroi këtë aktivitet si një fillim të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Tregu shqiptar është tërheqës dhe i gjallë. Zhvillimet që ka bërë Shqipëria japin besimin se është duke ecur në rrugën e duhur”, u shpreh z. Perpelea. Turizimi është një ndër sektorët ku Shqipëria mund të ofrojë shumë me një vijë bregdetare thuajse 10 herë më e madhe se vija bregdetare e Rumanisë edhe pse Rumania është 10 herë më madhe se Shqipëria.
Duke ju drejtuar sipërmarrësve shqiptarë, ambasadori u shpreh se Rumania ofron një numër të madh mundësish. Ai foli për hapjen si një element i rëndësishëm në dobi të të dyja vendeve.
“Mes të dyja vendeve ka një lidhje të hershme dhe si në çdo marrëdhënie tjetër, në themel qëndron besimi. Si përfaqësues i Rumanisë jam ndjerë si në shtëpi që kur kam ardhur, ndaj edhe miqtë nga Rumania i ftoj të hedhin një hap të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve”.
Fjalën e mori z. Mihai Andritoiu, President AFPICE, Konsulli i Nderit i Mbretërisë së Kamboxhias në Rumani dhe njëherazi Presidenti i Nderit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Rumani-Shqipëri.
Ai prezantoi fillimisht kuadrin gjatë të cilit realizohet edhe ky forum. “Nisma 17+1 mbledh bashkë Përfaqësuesit e Dhomëve te Tregtisë dhe Industrisë të 17 vendeve plus Kinën. Çdo vit forumet mbahen në shtete të ndryshme dhe këtë vit po mbahet në Tiranë. Delegacioni rumun këtë vit është i madh në numër”.
Në këtë forum që po kryhet me nismën e ambasadës janë 26 përfaqësues që po marrin pjesë. Përbërja është e larmishme duke nisur me sipërmarrës që vijnë nga mjedisi, turizmi, agrobiznesi, moda, industria e makinave, por edhe nga mjediset universitare dhe të edukimit.
Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës z. Nikolin Jaka shprehu gadishmërinë dhe mbështetjen e institucionit që ai përfaqëson dhe drejton duke propozuar edhe axhendat e përbashkëta dhe terrene bashkëpunimi të përshtatshme për të dyja palët.
Më tej në forum e mori fjalën z. Costica Mustata, Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Bukureshtit.
I sapo zgjedhur në këtë pozicion z. Mustata shprehu befasinë e këndshme për zhvillimet që ka njohur Shqipëria në këto 25 vitet që kur ai kishte vizituar për herë të parë vendin tonë.
“Kam parë një Shqipëri tjetër ndaj dhe e përgëzoj popullin shqiptar për përparimet e bëra. Duke qenë se Shqipëria ndodhet në rrugën që paraprin aderimin në BE, këshilla ime për miqtë shqiptarë do të ishte: mos bëni gabimet që kemi bërë ne”.
Më tej z. Mustata, bëri një paraqitje të Dhomës së Tregitsë dhe Industrisë së Bukureshtit e cila “vitin që kaloi festoi edhe 150 vjetorin e themelimit. Kjo dhomë është me e vjetra në raportet mes biznesit dhe autoriteteve të shtetit”. Duke shprehur disa statistika ai tha se “kjo dhomë përfaqëson 23% të të gjitha bizneseve rumune. Bizneset në Bukuresht realizojnë 17 % nga totali i eskporteve rumune dhe përcjellin 30% nga tërësia e importeve që kryen Rumania.
Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë së Bukureshtit ka firmosur rreth 100 marrëveshje bashkëpunimi dhe ndaj e ftojmë edhe Dhomën e Tiranës të firmosim marrëveshjen”.
Kjo do të ishte edhe marrëveshja e parë që z. Mustata firmos në cilësinë e detyrës së re. Ai ftoi Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës të vizitojnë Rumaninë pasi siç u shpreh ai: “populli rumun e simpatizon popullin shqiptar ndaj dhe marrëdhëniet e komunikimit mund të vendosen më thjeshtë”. Marrëveshja e bashkëpunimit mes të dyja Dhomave të Tregtisë kishte përfunduar ndaj dhe nga ky forum të dy presidentët vendosën të firmosin edhe marrëveshjen e re.
Në forumin e 24 tetorit një grup të madh sipërmarrësish përfaqësoheshin nga z. Dan Dragomir zv. Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Qarkut të Vëlçeas.
“Kjo është hera e tretë që e vizitoj Shqipërinë”,- tha z. Dragomir duke i përshëndetur të pranishmit edhe me disa fjalë në gjuhën shqipe. “Vëlçea”,- tha ai,- “njihet si nga zonat më të bukura të Rumanisë, e bekuar nga 57 manastire dhe të tjera vlera që e bëjnë atë nga zonat më tërheqëse turistike”. Ai foli për 5 drejtimet kryesore të ekonomisë ku mund të bashkëpunohet mes të cilave: turizmi, mjedisi, agrobiznesi etj. Ai përmendi edhe mundësinë e vlerësimit të rivendosjes së linjës së drejtëpërdrejtë ajrore Tiranë – Bukuresht.
“Natyrisht kërkojmë të shihen se cilat janë programet qeveritar të zhvillimit në to”, u shpreh z. Dragomir, ku përfaqësuesit shqiptarë të institucioneve shtetërore mungonin.
Më tej u vijua me biseda mes pjesëmarrësve dhe takimet bilaterale.
Forumi 17+1 do të vijojë punimet gjatë ditës së premte në Hotel “Plazza”.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?