Mediokriteti, karrierizmi e militantizmi partiak sëmundja foshnjore e arsimit kombëtar

Nga Gentiana NISHICA MALAJ –

Jemi në javën e protestave studentore, një eveniment që është vënë me të drejtë në epiqendër të opinionit publik të mediave të shkruara e vizive dhe sigurisht edhe në vëmendjen e qeverisë së cilës ata i drejtohen përmes protestës për kërkesat e tyre. Përtej simpative pro e kundër tyre, përtej shkaqeve që ata protestojnë, studentët tanë, bij të këtij populli, na dhanë një postulat të artë të protestave civile, paqësore e vizionare njëherësh: jo politizimit, jo politikës. Ata kanë lindur të lirë. Bijtë, djemtë e vajzat që protestojnë sot janë të pafajshëm si engjëjt. Prindërit e tyre patën guximin të ngrihen kundër diktaturës komuniste në dhjetorin ‘90 e brezi i sotëm i lindur në demokraci kërkon të ndryshojë marshin e shpejtësisë, të fitojë kohën e humbur, të realizojë ëndrrat e veta e më në fund ta ndjejë veten të barabartë në dije, kulturë, standard jetese e dinjitet njerëzor me kolegët e tyre studentë në mbarë Europën. Është e vështirë të gjesh në historinë e Europës një popull më të etur për kulturë e dije se shqiptarët. Dhe historia është në anën e tyre, e drejta hyjnore e njerëzore njëherësh.
Një popull e një kulturë superiore dallon në radhë të parë nga standardi i jetesës së qytetarëve të vet dhe nga niveli i shkollimit dhe institucioneve shkencore. Shiheni Europën Perëndimore, historinë e universiteteve të saj, standardet e jetesës e nivelin e kulturës e të shkencës së saj. Janë 10 shekuj kalvari e maratone që e kanë bërë Perëndimin epiqendër të arsimit, kulturës, shkencës e pararojë të civilizimit botëror.
Bolonja e Parisi, Budapesti e Praga e së fundmi Zagrebi kanë 6,7 e 10 shekuj histori universitare. Dikur shkollimi ishte privilegj i të pasurve dhe i kastave sunduese. Idetë iluministe të Revolucionit Francez, Karta e të Drejtave të Njeriut të OKB-së e vitit 1948 e Karta Europiane e të Drejtave të Njeriut e kanë vënë në kushtetutat e kombeve të lira e demokratike si një kapitull kryesor. Arsimimi në të gjitha nivelet është bërë kësisoj jo vetëm një e drejtë legjitime, por edhe monopol i popujve ashtu si besimi fetar. Njerëzit që kulturën e arsimin i kanë binom të ëndrrave të tyre, e kalojnë një të tretën e jetës në këto institucione. E kjo kërkon së pari vullnet e vendosmëri, kosto të lartë financiare e më kryesorja vullnetin e përkushtimin e prindërve tanë që shpesh sakrifikojnë bukën e gojës për të na hapur portat e dijes.
Të rikthehemi te plagët e arsimit shqiptar. E prapë duhet t’i referohemi Europës, lagjes më luksoze të globit, siç e ka cilësuar Kadare. Arritjet më të shquara të arsimit, kulturës e shkencës i takojnë markës “Made in Europa” të shekujve 18, 19 e 20. E kjo ka ndodhur jo vetëm për shkak të traditës shekullore të shkollave e universiteteve të tyre, por në radhë të parë prej infrastrukturës së fuqishme, revolucionit industrial e drejtuesve mendjendritur të cilët investuan para kolosale për kërkimin shkencor. E këtë e bënë jo vetëm qeveritë e përgjegjshme të Francës, Anglisë, por edhe miliarderët, korporatat e fuqishme e shoqëritë shumëkombëshe që u krijuan dhe blenë e investuan për ajkën e kulturës e të shkencës.
Ne shqiptarët jemi ndryshe, me histori e kushte specifike e historike. Jemi një komb i vogël që nuk arrijmë dot të mëdhenjtë e aq më pak nuk na lejohet t’i kopjojmë e t’i implementojmë në mënyrë shabllone skemat e tyre. Ndryshe do të bëheshim si në atë fabulën e famshme të La Fontenit ku miu i thotë elefantit: “A shikon si dridhet ura nën këmbët tona!” Arsimi, kultura e shkenca janë së pari monopol i kombeve të zhvilluara, të industrializuara e me standard të lartë jetese.
Të kthehemi pas kësaj ekspozeje te Shqipëria jonë. Historia e shkollës shqipe ka jo vetëm një vonesë të madhe historike në raport me fqinjët ballkanas e Perëndimin, por edhe një kalvar sakrificash e mundimesh të mëdha. Në kohën e mbretërisë 1928-38 arsimi fillor u bë i detyrueshëm me ligj. Në kohën e diktaturës 1945-90 u bë i detyrueshëm arsimi 8 – vjeçar, shkollat e mesme e ato profesionale i hapën dyert edhe për “armiqtë e popullit”. Figura e mësimdhënësit është e shenjtë për shumë breza shqiptarësh. Shqiptarët fisnikë edhe pse analfabetë u drejtoheshin mësimdhënësve të fëmijëve të tyre me shprehje aristokrate: “Tungjatjeta, si je zotni mësues!” E për shumë kohë zotnitë u sollën si zotni. Na mësuan ABC-në, gjuhën shqipe e historinë e kombit me këmbëngulje, dashuri të madhe e patriotizëm të flaktë. Sot ka qindra “mësimdhënës” krejtësisht mediokër, me dije e kulturë të padenjë për t’u thënë zotni. Ata duan të bëjnë karrierë të pamerituar e për këtë u ngjiten si rrodhe partive e bëhen militantë fanatikë e të egër.
Dija e kultura janë të shenjta. Më pëlqen ta mbyll këtë shkrim me thëniet e dy Profetëve më të njohur të botës. Kur e kryqëzuan Jezusin, Ai iu drejtua Krijuesit të Botës: “Fali o Zot se nuk dinë çfarë bëjnë!” “Kërkojeni diturinë nga djepi në varr!” thoshte Profeti Muhamed (a.s.).

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?