Mendoja se e kisha kuptuar Facebook-un! Por pastaj babai im u nda nga jeta…

Mendoja se dija gjithçka që duhej ditur për Facebook-un. Por pastaj, kur babai im u nda nga jeta në shkurt, kuptova se kisha shumë për të mësuar.  Babai im Donald Reisinger, u nda nga jeta papritur. Ishte 68 vjeç. Edhe pse vdekja e tij na shokoi mua dhe mamanë time, ajo nuk na surprizoi terësisht.

Ai vuante nga një sëmundje mushkërish e shkaktuar nga dekada duhanpirje. Ishte mbipeshë dhe kishte probleme me zemrën. Kur ai u sëmur nga gripi një javë para vdekjes, u shqetësova se gjërat mund të merrnin drejtim për më keq.

Kur mora telefonatën se ai nuk ndjehej mirë, shpejtova për në shtëpinë e prindërve. Mjekët u përpoqën ta shpëtojnë por për një orë, ai kishte ikur. Nuk isha i sigurtë se çfarë duhej t’u thoja tre fëmijëve të mi që e donin atë aq shumë.

Pas pak ditësh, nëna më kërkoi që të kontrolloj I-padin e babait për kodet bankare dhe passwordet e tjera që ai kishte. Gjeta gjithashtu edhe passwordin dhe llogarinë e tij në Facebook.

Unë jam një mbrojtës i privatësisë. Normalisht unë nuk do të kisha menduar se do të më duhej të futesha në llogaritë e babait tim në rrjetet sociale. Ai e dinte këtë. Vite më parë ai më kishte thënë se kur të vdiste, unë kisha lejen e tij për të hyrë në gjithçka, përfshirë llogaritë e tij në rrjetet sociale.

E mora me mend se bëhej fjalë për të marrë fotot dhe gjëra të tjera që ai mund t’i donte jashtë Facebook-ut.

Por mendoja edhe se ai donte që unë të shikoja disa prej rrugëve se si ai kishte përdorur Facebookun për të ndihmuar të tjerët.

Në këtë pikë, unë nuk e kisha aprovuar përdorimin që babai i bënte Facebook-ut. Ai ishte një njeri inteligjent që përfshihej në debate të nxehta. Ai i bashkohej grupeve të Facebook për të argumentuar dhe debatuar për çështjet më të nxehta politike të ditës. Në atë kohë, ndjehesha i turpëruar nga jeta e tij në rrjetet sociale, që shpeshherë binte ndesh edhe me pikëpamjet e mia.

I kërkova që të ndalonte në shumë raste, një kërkesë që ai nuk e merrte shumë mirë.

Ndaj, kur u futa në llogarinë në Facebook të babait tim, për herë të parë, më ranë në sy menjëherë debatet e forta për politikën. Por, aty gjeta shumë më tepër për jetën e tij. Ajo që gjeta më ndihmoi të kuptoja në një mënyrë shumë më të thellë jetën e tij.

Pasi ishte pushuar nga puna si shitës më shumë se një dekadë më parë, babai doli në pension. Ai e jetonte jetën e tij pjesën më të madhe brenda shtëpisë. Ulej në një karrige të madhe, duke parë ndeshje sportive. Kur sillja fëmijët që ta vizitonin, ai merrej gjithë kohës me ta. E njëjta edhe për mua dhe bashkëshorten time. Por kushtet e tij mjekësore e mbanin atë në shtëpi, larg nga bota e jashtme.

Ndaj babai im, që gëzonte kur fliste me njerëz, e përdori Facebook-un si mjet për t’u lidhur me njerëzit e tjerë.

Përtej grupeve politike, në Facebook ai i ishte bashkuar grupeve të ndryshme ku diskutohej për të shkuarën dhe ishte bërë një historian amator lokal, që ndihmonte njerëz nëpër SHBA, gjente fotografi dhe informacione për restorante që ishin mbyllur, dyqane dhe relike të humbura prej kohësh. Nëse ndokush kishte pyetje për historinë lokale, babai im ishte njeriu i duhur për këtë gjë.

Ai kalonte orë të tëra duke kërkuar nëpër artikuj të gazetave të vjetra. Kur gjente fotot dhe informacionin e kërkuar, ai e ndante për të gjithë falas. E vetmja pagesë që kërkonte ishte vetëm një “faleminderit”. Komplimentet për nipërit e tij ishin gjithashtu të mirëpritura.

Babai im e përdorte Facebook-un edhe për t’u lidhur me familjarët dhe kushurinjtë që nuk kishte pasur mundësinë t’i njihte apo të rrinte me ta.

Ai ndante copëza historie për të shkuarën, kafshët që njerëzit kishin shumë dëshirë t’i vizitonin në shtëpinë e tij kur ishte fëmijë pranë fermës dhe qejfin që bëhej në pishinën që ndodhej në oborr.

Një fotograf i apasionuar për pjesën më të madhe të jetës së tij, babai im bujarisht ndante foto të zakonshme të kushërinjve, hallave dhe xhaxhallarëve me anëtarët e tjerë të familjes. Ai kalonte orë të tëra duke kërkuar për foto, duke i skanuar në kompiuter dhe duke i postuar ato në Facebook.

Ndërsa kaloja nëpër postimet e tij, kuptova se ajo që dija për Facebook dhe rrjetet sociale ishte së paku pjesërisht e gabuar. Për mua, rrjetet sociale ishin një mjet, pjesërisht për arsye biznesi e pjesërisht për arsye familjare, që shpesh krijonte edhe mosmarrëveshje.

Por për babain tim, ishte një mundësi për t’u lidhur, për të bashkëndarë…

Nuk u desh shumë për njerëzit që të mësojnë se babai im ishte ndarë nga jeta. Disa anëtarë të grupit për historinë lokale që ai u ishte bashkuar, vunë re se nuk kishte postuar prej disa ditësh. Disa të tjerë kishin parë lajmërimin për vdekjen e tij.

Lajmërime ishin bërë gjithashtu në grupe Facebook-u. Të dy bashkë, unë dhe mamaja ime i shijuam shumë të gjitha komentet që shprehnin mirënjohje, se sa shumë babai im i kishte ndihmuar njerëzit në mënyrë të ndryshme dhe si i kishte pasuruar jetët e tyre.

Për të, të gjeje një fotografi të një shkolle apo restoranti në vitet ‘50 ishte gëzim i madh. Për ata që I kërkonin informacionet, ato ishin lidhje të rëndësishme e jetës së shkuar të tyre.

Babai im nuk ishte perfekt; ishte shumë larg të qenit i tillë. Në ato kohë, ai i përdorte rrjetet sociale  edhe në mënyrën që nuk duhej. Ai debatonte aq shumë për politikën dhe shpeshherë nuk pranonte kundër-argumente. Në disa raste, ai edhe fyente njerëzit në gjaknxehtësi e sipër kur debatonte.

Por kjo është gjë tjetër! Unë dua të fokusohem te pjesas kur ai ndante foto, video e ndihmonte njerëz që nuk i njihte në jetën reale. Ky ishte babai që unë njihja dhe jam i lumtur që shumë njerëz të tjerë patën shansin të njohin këtë anë të tijën.

Ky këndvështrim i ri që më lindi nga Facebook-u i babait tim, më dha shpresë për të ardhmen e rrjeteve sociale. Përveç shumë e shumë fajeve, ato përdoren çdo ditë nga njerëz që duan të lidhen e të kenë marrëdhënie njerëzore. Facebook, Instagram, Twitter dhe rrjetet sociale të tjera ndihmojnë për këto misione. Ato mund të jenë vende të mrekullueshme ku bëhet qejf.

Babai im padyshim e mendonte kështu…

Fortune/Përshtati në shqip: SCAN

SHKARKO APP