Mes krizës morale komuniste dhe trazicionit, Njeriu i ri në Shqipëri

 

Mbi librin e Albert P. Nikolla L’Uomo Nuovo albanese. Tra morale comunistae crisi della transizione

Në këtë studim, Albert P. Nikolla nxjerr në dritë mekanizmin retorik nëpërmjet të cilit regjimi komunist shqiptar – në pushtet të vazhdueshëm prej vitit 1945 deri në vitin 1991 – punoi për ndërtimin e Njeriut të Ri, duke e veçuar nga modele të tjera komuniste të Europës Lindore tjetërsoj, frymëzuar nga perspektivat klasike të marksizmit. Në Shqipëri, ndërtimi i shoqërisë komuniste nën diktaturën e Enver Hoxhës, ndodhi falë një detaji: zhvendosja propagandistike e përmasës politike dhe ekonomike në një virtualitet moral, personal, marrëdhëniesor. Ky proces është shumë i kapshëm në një artikull të vitit 1965, gjurmët e të cilit Nikolla i gjen te Rruga e Partisë, revista zyrtare e partisë, që antropologu e ka përfshirë në burimet e tij parësore etnografike: “Kur flasim për profilin moral të njeriut të ri, ndërtuar nga socializmi, duhet të dimë të shqyrtojmë një tërësi cilësish morale të ndërlidhura në mënyrë të tillë që të përbëjnë një të tërë të pandashme.

Ky profil moral bëhet vendimtar për pozicionin e komunistit përballë shoqërisë, punës, së mirës së përbashkët, kolektivitetit në të cilin jeton dhe vepron njeriu i ri; përballë dashurisë për atdheun, për popullin, për njerëzimin. I njëjti profil gjen shprehi edhe në jetën personale të njeriut të ri, në marrëdhëniet me të afërmit, me pjesëtarët e familjes, mbi të gjitha kundrejt gruas dhe fëmijëve, në marrëdhëniet me shokët e punës dhe në përgjithësi në jetën e përditshme shoqërore. Kuadri moral i ndërtuar nga socializmi nuk mund të kuptohet veçse brenda konceptimit komunist të jetës personale”.

Të surprizojnë referencat për figura të identifikueshme, të cilat janë sinergjike më shumë për një lëndë (matricë) morale sesa politike, në gjendje të ngulitë modelin komunist në çdo aspekt të jetës individuale, shoqërore e deri onirike.

Ideja, që Nikolla e shpjegon me termat e një “presioni moral”, në të vërtetë është vite dritë larg nga ajo marksiste: njeriu i lirë nga të gjitha skllavëritë, nga padronët dhe nga makinat. Duke u nisur nga kjo ide, u punua për të plazmuar 360 gradë “njeriun e ri” të komunizmit shqiptar, përmes një shumëllojshmërie mjetesh kontrolli, që më shumë se vepra ishin narracione. Mes të tjerash: riedukimi brenda sistemit shkollor; librat, kazma e pushka të lartësuara në çdo propagandë të revolucionit kulturor që synonte të ndërtonte “familje të reja”; kolektivizimi i të mirave dhe robotizimi i punës në fabrikat e reja të revolucionit tekniko-shkencor (kombinati); “realizmi socialist” me vulë sovjetike, i zgjedhur si poetika artistike e letrare e Shtetit; kontrolli i hapësirës arkitektonike, urbane dhe shtëpiake; policia sekrete dhe spiunazhi (Sigurimi), që në Shqipëri qenë ndër më dyshuesit e komunizmave të Lindjes; ato të “biografive”, pra rivlerësimi i “gjakut” proletar, tregues i familjeve dhe e vlefshmërisë së tyre për përfshirje në luftën e klasave; partia dhe udhëzimet e saj, që duhej të zëvendësonin plotësisht ato tradicionale të fisit; organizmi i kohës së lirë; frika, ndëshkimet, internimi, izolimi, vetëizolimi, kufiri me gjemba dhe mijëra bunkerë me anë të së cilëve u blindua për dhjetëra vjeçarë ngrehina shqiptare. Bëhet fjalë për mjete që u lidhën me një projekt diktatorial titanik, “prometeik”, i prirur për të ndërtua shokë të rinj të moralit të hekurt, të “virtytit” të njëjtë me atë të mishëruar dhe vulosur, ab origine, nga Prijësi i kulluar.

 

Nëse, në njërën anë bëhet fjalë për pikëpamje të njëjta sa i përket të gjitha regjimeve totalitare dhe si të tilla të mirënjohura nga një literaturë historike e filozofike familjare me perspektivën antropologjike të Nikollës – që nga studimi i njohur i Hannah Arendt e deri tek problematizimet teorike të Achim Siegel dhe Juan J.Linzi – në anën tjetër, titanizmi moral i ndjekur nga komunizmi shqiptar veproi në favor të një ripërshtatjeje të një mozaiku nacionalist lokal, që kish filluar të ngjizej së paku prej Tetëqindës, si përbashkues retorik mes sipërmarrjes letrare dhe asaj politike, e që do të vazhdojë të zhvillohet ende, edhe pas fundit të regjimit e deri më sot, duke lënë gjurmë në pasazhet më kritike të Shtetit demokratik dhe Bashkimit Europian, edhe pse me korrigjime interpretuese të dukshme.

Në këtë mënyrë, Nikolla shqyrton në veçanti variantin komunist të këtij mozaiku gjithëpërfshirës dhe lëndën morale me të cilën organet e qeverisë enveriste prodhuan në vazhdën e gjysmë shekulli, për të ripërkufizuar historinë shqiptare, derisa “Shqipëria e Re” komuniste të mund të gjente vendin e saj më te lartë, falë disa veçorive mesianike, që studiues si Arshi Pipa dhe Peter R. Prifti kishin identifikuar si politika izolimi dhe që e bëjnë akoma Shqipërinë – Nikolla pohon – një kontekst që prodhon “subjekte utopike”.

Si përfundim, Nikolla dallon dhe analizon një nga një veçoritë etike që Hoxha desh të nguliste tek Njeriu i Ri shqiptar, duke e bërë atë bartës të një moraliteti shpesh në kundërshti me projektin marksist të revolucionit ekonomik. Në skalitjen e “figurave morale” të shqiptarëve të rinj, Hoxha operoi pak a shumë si Lenini, që Maksim Gorki e portretizoi “si një kimist laboratori, por ndryshe nga kimisti që përdor lëndë pa jetë, Lenin punon me material të gjallë”.

*Botuar së pari në: RivistaAnnuale di Scienze Umane diretto da Luigi M. Lombardi Satriani. VOCI. 2014

SHKARKO APP