Migjeni dhe kolltukët apokaliptikë

Nga Moikom Zeqo – 

Migjeni shkruan në vitin 1934 në një prozë të tij: “vëren se si shkëlqejnë tryezat e gurit të bardhë, karriget e zeza me politurë, – iu banë si me qenë pjesa e një trupi të tij të madh, nga i cili u shkëpueste…”

Imazh i dyfishtë, si i centaurëve. Bashkues dhe ndarës. Shumë i çuditshëm! Përherë më ka tronditur. Sa më shumë ikin vitet, aq më shpesh mendja rikthehet në ngjarje më të hershme.

Ah, rastësi e pabesueshme, lirishmëri e bekuar, e papërmbajtshme. Në një libër për Futurizmin “Il Futurismo” , lexoj një manifest të piktorëve futuristë Umberto Boccioni, Carlo Carrá, Luigi Russolo, Giacomo Balla, Gino Severini.

Manifesti është i vitit 1910. Në të thuhet ndër të tjera: “Kush beson më në patejdukshmërinë e trupave, që prej kohës kur ndjeshmëria jonë e mprehtë dhe e shumëfishuar i ka arritur shfaqjet e errëta të mediumeve?… Trupat tanë depërtojnë në kolltukët mbi të cilët ulemi dhe kolltukët depërtojnë në trupat tanë.”

Si të shpjegojmë këtë përputhje? A mund ta quajmë tamam përputhje? Të dy tekstet janë të shkëputura si dy trupa qiellorë më vete, pa lidhje në të njëjtin cikël rrethqarkullimi kozmik.

A thua Migjeni të ketë lexuar këtë Manifest Futurist? Migjeni ka lindur në 1911. Vështirë që ai ta ketë lexuar tekstin rebel të piktorëve futuristë të vitit 1910. Asgjë nuk mund të sqarojmë në këtë pikë kriptologjike. I afrohemi simbolit, por s’futemi dot brenda tij. Kjo pamundësi është fatale, e pazhbirueshme. Mbase imazhi është arketipal, i perceptueshëm dhe i lindur njëkohësisht. Ja një lloj mirëkuptimi delikat dhe i brishtë.

Por le të thellohemi në pasazhin sintetik. Kolltuku dhe njeriu. Pushteti, autoriteti, egoja e secilit, janë thelbi ku rrimë, ku ulemi, ku qëndrojmë, urdhërojmë, meditojmë, thurrim intriga, bëjmë plane, por edhe ëndërrojmë. Froni mbretëror është mbreti, ai presidencial vetë presidenti, kolltuku i drejtorit të bankës është gati vetë banka, kolltuku i drejtorit të mediave, vetë mediat.

Ah, kolltukët e antropomorfizuara! Ah, kolltukët e qenieve të plotpushtetëshme! Ah kolltukët fatalisht heriarkikë!

Askush nuk i vlerëson ndenjëset e thjeshta, karriget, stolat, tërë ato struktura ku ulen punëtorët, njerëzit e varfër, emigrantët, lypësit, prostitutat, nëpunësit e vegjël, nxënësit, poetët e rinj, që s’kanë para të botojnë librat e tyre të ëndrrave, të sëmurët me kancer që s’kanë siguracione për t’u kuruar në spitale, të papunët e pafund, të divorcuarit, fëmijët e braktisur, pa lodra, pa përkëdhelje, të çmendurit, vetëvrasësit e ardhshëm, kërkuesit e plehrave, të paralizuarit, të verbrit, njerëzit e shkretëtirave dhe të periferive! Ah,skotat dhe ndarjet e njerëzve të planetit të sfilitur! Ah, fronet e praruar të shtetarëve të mëdhenj, burokratëve, papëve, akademikëve servilë, VIP-ave të marrë, gjeneralëve! Ah! Migjeni rebel! Një imazh apokaliptik mund të përmbyllej me kolltukë prej zjarri për prapanicat që shtypin fytyrën e dëlirë të së Ardhmes! Ah!

Dita

SHKARKO APP