Miliona njerëz mund të humbasin shtëpitë, niveli i deteve rritje dramatike në tre dekadat e ardhshme
Miliona njerëz në mbarë botën rrezikojnë të humbasin shtëpitë e tyre pasi qytete të tëra mund të mbulohen nga uji për shkak të rritjes dramatike të nivelit të deteve gjatë tre dekadave të ardhshme, thuhet në një studim të ri, publikuar në revistën Nature Communications.
Hartuesit e tij paraqesin një tablo shumë më frikësuese nga sa është menduar deri tani: ata thonë se ndërsa kriza e klimës intensifikohet, niveli i deteve në rang global pritet të rritet nga 0.6 deri në 2.1 metra, e ndoshta edhe më shumë gjatë shekullit XXI.
Zbulimet e tyre bazohen në të dhënat e reja të përftuara prej inteligjencës artificiale; e vlerësimet paraprake gati e trefishojnë zonën e vlerësuar më parë si të kërcënuar prej këtij fenomeni, e kjo vlen edhe per popullsitë që preken prej tij.
Deri në vitin 2050, sipërfaqe toke të cilat janë aktualisht shtëpi e rreth 300 milionë banorëve do të përballen me përmbytje massive të paktën një herë në vit dhe deri në 2100-tën, një pjesë e kësaj toke do të ulet përfundimisht nën nivelin e detit.
“Rezultatet e studimit tregojnë se, shumë më tepër njerëz ndodhen në vende të rrezikuara nga sa ne kemi menduar deri tani, tha Benjamin Strauss, një nga bashkëautorët e studimit dhe CEO i organizatës jofitimprurëse Klima Qendrore. Ai shtoi se këto rajone të prekura duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të shmangur “katastrofën e afërt ekonomike dhe humanitare”.