Mirdita, vendorigjina e kastriotëve

“Tokat që iu përkisnin zotërimeve të Gjon Kastriotit  nisnin në perëndim, në bregdet, në rrethinat e qytetit të Lezhës dhe arrinin deri në rrethinat e Prizrenit, dmth, përfshinin trevën në jug të lumit Drin:  Mirditën e Lumën”.

Aleks Buda     “Shkrime historike”, f. 201

TEZA DHE ANTITEZA PËR VENDORIGJINËN E KASTRIOTËVE

Nga Preng Cub lleshi*

Duke ndjekur një emission televiziv të TVSH për vendorigjinëm e Kastriotëve, më bëri përshtypje këmbë ngulja e organizatorëve të këtij emisioni për të quajtur Dibrën si vendorigjinën e Kastriotëve legjendarë, edhe pse dihet nga historiografia shqiptare se, për këtë çështje, ka, të paktën, katër teza kontradiktore mbi trojet e familjes princore të Gjon Kastriotit, e cila la gjurmë të pashlyeshme në qendresën antiosmane të shqiptarëve.

     Për këto katër teza, në përgjithësi,  fliste Fan S. Noli edhe në variantin e vitit 1921, edhe në variantin e vitit 1947 të “Historia e Skënderbeut”, duke iu referuar të dhënave të historianëve të ndryshëm mbi  vendorigjinën e fisit legjendar të Kastriotëve.

     Kështu ai përmend një dokument të Fermenxhin, sipas të cilit “Kastriotët quheshin kështu sepse ishin nga një katund i quajtur Kastrat në malësinë e Hasit”. Më tej, po ky historian, përmend P.Lukarin, që kishte pohuar se familja e Gjon Kastriotit “doli nga fshati i Kastratit nën juridiksionin e Asit (Hasit- shënimi im), jo shumë larg lumit Drin”.

     Sipas të dhënave të Gjon Muzakës, që ishte bashkëluftërar i Gjergj Kastriotit dhe njohës i fisnikëve shqiptarë të kohës, “gjyshi i Skëndërbeut- Pal Kastrioti, kishte në zotërimin e vet feudal vetëm 2 fshatra: Sinjën dhe Gardhin e Poshtëm”. Prej këtij pohimi të Gjon Muzakës, si dhe nga emri i fshatit Kastriot të rrethit të Dibrës, ka gjetur përkrahje edhe teza që e kërkon vendorigjinën e Kastriotëve në këtë fshat, tezë që gjeti një mbështetje të fortë në gjysmën e dytë të shekullit XX e më vonë nga historianët Aleks Buda e Kristo Frashëri dhr ndonjë tjetër.

     Teza e tretë për vendorigjinën e Kastriotëve lidhet me pohimet e historianit të madh të Skëndërbeut, Marin Barleti, i cili, në veprën kushtuar jetës dhe bëmave të Gjergj Kastriotit, thekson se Kastriotët ishin nga një familje e vjetër prej Matit. Dhe Faan S. Noli, duke mbajtur parasysh këtë pohim,  sjell në veprën e tij edhe pohimin e Dhimitër Frëngut, sipas të cilit “z. Gjon Kastrioti qe ai që sundoi atë pjesë të Shqipërisë, e cila quhet edhe sot Mati a Vumenishti”.

     Rreth këtyre tre tezave kanë polemizuar historianët shqiptarë gjatë gjithë shekullit XX e deri në ditët tona, në agimet e shekullit XXI: Disa kanë mbrojtur tezën e Barletit për Matin si vendorigjina e Kastriotëve, të tjerë, ku hynte edhe historiani Kristo Frashëri, tezën e prejardhjes nga fshati Kastriot i Dibrës dhe grupi i tretë, ku hynte edhe historiani Aleks Buda, tezën e prejardhjes së Kastriotëve nga një “Kastrat” i Hasit në krahinën e Kukësit,  edhe pse, me ndonjë parashtrim të tij me rëndësi, e kundërshton qartë vetvetën.

     Duke gjykuar mbi këto tezat kontradiktore për vendorigjinën e familjes princore të Kastriotëve, historiani serioz, por edhe dashamirësi i historisë, ka të drejtë të pyesë:  Vallë, i kanë analizuar këta historianë të gjitha parashtrimet e gjersotme për vendorigjinën e Kastriotëve? Dhe përgjigja vjen e menjëhershme: Jo! Janë parashtruar dhe diskutuar vetëm tre teza që janë konsideruar si më të rëndësishmet rreth kësaj çështjeje dhe është lënë jashtë vëmendjes një tezë, të cilën e kanë hedhur shumë historianë, midis të cilëve Jakob Falemrajet, Athanas Gerga, Fan S. Noli e të tjer, të cilët përcaktojnë Kastrin në Vig të Mirditës si vëndorigjinën më të mundshmë të Kastriotëve. Dhe ta “harrosh” një tezë të tillë, nuk është serioze, për të mos thënë se është një tendencë për të fshehur të vërteta të historike!

     Është kjo arsyeja që, për të arritur në Kastër të Mirditës etnografike, do të na duhet të bëjmë një rrugë të gjatë nëpër dokumente të ndryshme, duke sjellë pohime interesante nga historianë, shkrimtarë e dijetarë më zë në kulturën shqiptare. Dhe le ta nisim shtegtimin tonë për në Kastër me pohimin e historianit Kasem Biçoku, i cili, duke folur për trojet e Kastriotëve, ka theksuar se “Ky lumë (Mati–shënimi im) shërbente si kufi ndarjeje me një tjetër njësi administrative, të ndarë në vilajete, të përfshirë në një regjistër të veçantë të emëruar “Defteri i emrit të Gjonit”. (Gjon Kastrotit), ku gjendeshin të shënuara edhe fshatrat e vilajetit të Dhimitër Jonimës, që shtriheshin nga Lezha në Rubik” , kur dihet se Lezha dhe Rubiku ishin pjesë e Mirditës etnografike, siç dëshmonte rilindasi Preng Doçi

     Ky pohim sikur na thotë prerë se tokat midis rrjedhës së mesme dhe të poshtme të lumenjëve Mat dhe Drin ishin territore të dy fiseve legjendare, disi rivalë midis tyre-Dukagjinëve dhe Kastriotëve. Kësaj ideje i vjen në ndihmë edhe pohimi i historianit Selami Pulaha, i cili kumton se “në vitin 1431 u vunë për herë të parë nën zotërimin e timarit krahinat e përfshira në zotërimet e Gjon Kastriotit e të Gjergj Aranitit në vilajetin e Dhimitër Jonimës (krahina mes Rrëshenit e Lezhës)”.

     Pas këtij pohimi, ai shton: “Ka mundësi që rregjistrimi të jetë shtrirë në veri, në krahinat e Tanush Dukagjinit, deri në Danjë”, që është cepi veripërëndimor i Mirditës etnografike. Dhe, kur dihet se, siç ka pohuar rilindasi Preng Doçi, “Lezha ka bërë pjesë, si edhe më parë, në trevën e Mirditës, që luftonte nën shenjën e Gjergj Kastriotit”, çështja bëhet më e qartë: Kastriotët i kishin zotërimet e tyre në trevat e Mirditës etnografike!

     Që në territoret e shtetit të Arbërit, vatra e të cilit ishte Mirdita, banonte edhe fisi i Kastriotëve, na dëshmon edhe akademiku Dhimitër Shuteriqi, kur na sjell një dokumet, të përcjellë edhe prej Fan Nolit. Sipas këtij dokumenti Gjon Kastrioti “më 1407 pretendon të ketë kisha të cilat ….. ishin pjesë e peshkopatës së Arbërit. Midis tyre është edhe Shën Mëria e Ndërfanës. Ai (Gjon Kastrioti) thotë se, që prej 800 vjetësh, peshkopata e Arbërit vendosej në tokat e sunduara … prej tij”.  Duket qartë, pra, se edhe të parët e Gjon Kastriotit ishin nga këto treva, ndryshe nuk do të kujtohej të përmendte se të parët e tij ishin zotër në këto anë që prej 800 vjetësh!

     Po le të sjellim edhe një pohim të historianit më të shquar të shekullit XX, Aleks Budës! Ai, duke iu referuar J. Radoniq, pohon qartë: “Sipas të dhënave të një marrveshjeje tregtare me qytetin e Dubrovnikut (1420), tokat që iu përkisnin zotërimeve të Gjon Kastriotit nisnin (vini re: nisnin!) në perëndim, në bregdet, në rrethinat e qytetit të Lezhës dhe arrinin deri në rrethinat e Prizrenit, dmth, përfshinin trevën në jug të lumit Drin: Mirditën e Lumën”, pra jo Matin e Dibrën!

     Të njëjtën pikëpamje për vendorigjinën e Kastritoëve duket se mbështeste edhe historiani Serge Me`tais, kur shkruante se “Në fillim të shekukkit XV, Gjon Kastrioti ishte një prej feudalëve më të mëdhenj shqiptarë. Zotërimet e tij shtriheshin në Veriun e Shqipërisë së sotme, deri në krahinat e Dibrës dhe të Prizerenit”, pra deri në Dibër! Dge këtu, siç kuptohet lehtë, nuk figuron as Mati!

     Këto ide i gjejmë të shprehura qartë edhe tek historiani Selman Riza në librin “Kosova gjatë shekujve XV-XVII”, kur shkruan: “Sipas burimeve osmane, Kastriotët ishin pronarë të tokave në mes të Shkodrës dhe të Lezhës. Në kohën e Balshajve, sëbashku me Dukagjinët, Kastriotët u shpronësuan, kurse pas vdekjes së Balshës së dytë (1385), u bënë përsëri zotërues të tokave të veta…”.  Dhe, kur marrim vesh se në vitin 1385 Kastriotët “u bënë përsëri zotërues të tokave të veta”, që nisnin nga Lezha dhe sosnin në Prizren, nuk ka si të mos besojmë se vendorigjina e Kastriotëve, ashtu si edhe e Dukagjinëve, ishin territoret e Mirditës etnografike dhe jo në Mat, Dibër apo Has!

     Për të shkuar drejt Kastrit në Vig të Mirditës, si vendorigjina e familjes princore të Kastriotëve dhe si vëndlindja e Gjergj Kastriotit, na duhet të kujtojmë edhe një tezë që hedh historiani Kasem Biçoku, kur kundërshton që Kastrioti i Dibrës të jetë vatra e hershme e Kastriotëve. Dhe, për ta argumentuar tezën e tij kundërshtuese, shkruan:

“Nevojat e drejtimit të Principatës (të Kastriotëve) kërkonin që Gjon Kastrioti dhe familja e tij të mos banonin në viset ekstreme lindore, siç ishin ato të Dibrës, por në një nga qëndrat kryesore të saj, prej nga Gjoni mund të drejtonte e administronte principatën e tij, siç u bë Kruja në kohën e Skëndërbeut”.

Kështu, ai që e njeh sado pak gjeografinë e viseve të Shqipërisë veriore, e kupton pa vështirësi se ky historian nuk kundërshton vetëm tezën e Kristo Frashërit, që i bën Kastriotët me origjinë prej fshatit me të njëjtin emër në rrethin e Dibrës, por edhe tezën e tij, sipas të cilës vendorigjina e Kastriotëve duhet kërkuar në Kastrat të Hasit, sepse edhe Hasi, që asokohe nuk kishte as emër, ishte një krahinë po aq e thellë, sa dhe Kastrioti i Dibrës. Ndaj, sipas kësaj logjike, duket se “qëndra kryesore” nga Gjon Kastrioti mund të drejtonte dhe administronte principatën e tij, ishte Kastri në Vig të Mirditës, afër qytetit të Lezhës.

Gjurmët për në Kastër na çojnë edhe në dritën e të dhënave që sjellin dy historianët më në zë që janë marrë me origjinën e Kastriotëve: Fan Noli në variantin e vitit 1921 të Historisë së Skëndërbeut dhe Athanas Gega në veprën “Arbëria, Gjergj Kasrtrioti-Skëndërbeu”. Për në Kastër na çojnë edhe parashtrimet e historianit Selami Pulaha me të dhënat që sjell për territoret ku shtriheshin, sipas tij, Kastriotët. Për në Kastër na çojnë edhe pohimet e udhëtarit frëng Ami Bue e të Hahn-nit, edhe pohimet e poetëve të shquarë të Rilindjes kombëtare Gavril Darës (I Riu),  Risto Siliqi e rilindasi Zef Jubani.

     Duke i përmendur të gjithë këta, mbajmë parasysh faktin se idenë mbi origjinën mirditore të Kastriotëve e hodhi i pari historiani austriak Jakob F. Falmerajer. Ky, siç theksohet në librin “Elementi shqiptar në Greqi”, qysh në fillim të shekullit XIX, kishte pohuar qartë se “Kastriotët ishin nga fshati Kastër i Mirditës”.   Dhe një pohim i tillë nuk mund të kalohet në heshtje, nuk mund të lihet në harresë nga historianët seriozë dhe as të injorohet, sië duan të bëjnë disa historian të ditëve tona, kur merrën me vendorigjinën e Kastriotëve!

     Nuk mund të lihet në harresë as pohimi i historianit turk Halil Inalçik, i cili ka shkruar se “Nga një shënim në defterin shqiptar lidhur me Skënderbeun mësojmë se në maji të vitit 1438 nëntë katundet nga vilajeti i Dhimitër Jonimës, që i përkisnin Skënderbeut, i ishin dhënë Andrea Karlos…  Nëntë katundet në fjalë, me qenë se gjendeshin në defterin e Juvan Iliut, janë toka që i përkisnin babait të Skënderbeut”.

      Këtë ide duket se e shpreh qartë edhe dijetari Shuflay, i cili, duke bërë fjalë për Gjon Kastriotin, shkruante: “Ivani (Gjon Kastrioti) shfaqet për herë të parë në dokumente (1407) si Protektor i Peshkopatës së Arbëri” (“Arbanum”). Të njëjtën gjë na thotë edhe Jereçek, kur shkruan se “Për nga relata kishtare, vendi (tokat e Kastriotëve-shënimi im) i përkiste pjesërisht Peshkopatës katolike të Arbërit “Arbanum-it”), pjesa tjetër kishës serbe, prej ku kemi dhuratat që Ivan Kastrioti (Gjon Kastrioti) i bëri manastirit Hillandër, të themeluar nga serbi Nemanja”.

     Këtyre pohimeve sikur u vjen përsëri në ndihmë edhe historiani K. Biçoku kur flet për rrugën që lidhte Lezhën me Prizrenin në vitin 1409. Se ai, duke bêrë fjalë për këtë, tregon që “Jonimët nuk e mbajtën gjatë në zotërim rrugën… që lidhte bregdetin me Prizrenin, e cila u kaloi Dukagjinëve dhe pastaj Kastriotëve”. Dhe, më tej, rrëfen një të vërtetë të madhe, kur shkruan: “Në krahasim me Dukagjinët dhe Jonimët, që e zotëruan për pak vjet (këtë rrugë-shënimi im), Kastriotët ishin zotëruesit e vërtetë e të lidhur ngushtësisht për një kohë të gjatë me këtë rrugë”.

Këto pohime  zbulojnë të vërteta të mëdha  për vendorigjinën e Kastriotëve, kur mbajmë parasysh faktin që Mirdita, siç kanë pohuar shumë përsonalitete të njohuura të botës intelektuale në Shqipëri, ka qenë bërthama e Shtetit mesjetar të Arbërit. Se jo më kot arkeologu i shquar Neritan Ceka, duke folur për Mirditën, sjell në vëmendjen e historianëve teorinë e studiuesit gjerman G. Shtadmyler, sipas të cilës “kjo trevë përbën bërthamën qendrore ku u formua gjatë mesjetës popullsia arbërore”.

Një pohim të tillë, pothuaj, e bën edhe Prof. Dr. Muzafer Korkuti, i cili, në një intervistë dhënë një studiuesi të njohur mirditor, theksonte se mbishkrimi në Kishën e Gëziqit e mbështet tezën se “Mirdita ka qenë qendra e Shtetit të Arbërit”. Dhe parashtrime të tilla vështirë të mos e vënë në mendime historianin serioz, kur ai tenton të merret me vendorigjinën e Kastriotëve!

FAN NOLI, ATHANS GEGA DHE TË TJERË PËR KASTRIN, SI VATËR E HERSHME E KASTRIOTËVE

     Historianët, që synojnë të zbulojnë të vërtetat e mëdha për ngjarje të rëndësishme e përsonalitete të mëdhenj, sikur u ngjajnë bletëve punëtore, të cilat e mbledhin nektarin në lule të ndryshme. Ata, duke gërmuar nëpër dokumente e libra të ndryshme, analizojnë e krahasojnë të dhënat që kanë mbledhur, për t’i dhënë opinionit publik të vërtetat e mëdha dhe jo grimca të dhënash, që nuk na japin të tërën që kërkon logjika historike. Por kjo nuk ka ndodhur kur është folur, veçananërisht, për vendorigjinën e familjes princore të Kastriotëve, sepse disa fakte tepër të rëndësishme për këtë familje janë lënë në harresë, veçanërisht, gjatë shekujve XIX-XX e në vazhdim nga shumë historianë, kurse të dhëna të tjera janë interpretuar në mënyrë të dyshimtë.

Kështu, kur është folur për vendorigjinën e Kastriotëve, janë lënë jashtë vëmendjes, përveç atyre që u përmenden, shumë të dhëna që sjell Fan Noli në variantin e vitit 1921 të Historisë së Skënderbeut, siç janë lënë pa kujtuar edhe shumë parashtrime për vendorigjinën e Kastriotëve të Athanas Gegës, të poetëve Gavril Dara i Riu e Risto Siliqi dhe të rilindasit Zef Jubani. Se nuk mund të kalohet lehtë pohimi i Fan Nolit, sipas të cilit “Mirditën dhe Hasin i kishte Gjon Kastrioti, po Barleti s’ua përmend emrat fare dhe i përmbledh me emrin e përgjithshëm Aemathia”.

Ky pohim do kuptuar thellë, sepse pasqyron një të vërtetë të madhe historike- të vërtetën që Mirdita, si djepi i Dukagjinëve legjendarë, rrënjët e të cilëve duken, të paktën, që në shekullin e 7- të të kohës se re, shtrihej, si “Dukagjini i vërtetë”, nga Lezha e deri në Prizren. Për këtë dëshmon, sadopak, edhe fakti që “banorët e Hasit, edhe sot e kësaj dite, e quajnë veten dukagjinas dhe krahinën e tyre-Dukagjin”.

Lidhur me këtë, nuk mund të anashkalohet edhe gjykimi nolian, sipas të cilit “Aemathia e Barletit ka qenë, që nga koha e tij e gjer sot, një burim lajthitjesh, se me këtë emër quhej në kohët e vjetra Maqedonia Jugore dhe, shpesh, tërë Maqedonia”. Këto “lajthitje”, siç e ka konstatuar me kohë edhe akademiku Dhimitër Shuteriqi, kanë bërë që jo vetëm Barleti, por dhe historianë të tjerë pasa tij, t`i atribuojnë Matit ngjarje e përsonalitete që lidhën me Mirditën dhe jo me Matin. Për këtë mjafton të sjellim qoftë dhe vetëm një citim të Atë Giuseppe (Zef) Valentini, i cili, diku në veprën e tij, shkruante:

“Sipas Barletit, projë (mbrojtës ose prijës-shënimi im) e Sfetigradit kanë qenë ndër duar të nji abati të Shën Lleshit në zonën e Matës, i cili ishte prej familjes së zotnive të Përlatit”, ndërkohë që kisha e Shën Lleshit, ashtu si edhe fshati Përlat nuk gjenden në Mat, por në Mirditë: Kisha e Shënllezhdrit në Orosh dhe fshati Përlat po në Mirditë. Dhe ky fakt, që sjell Zef Valentini, nuk është një “lajthitje” e “vogël” e historianit tonë Marin Barleti, sepse shtrëmbëron një të vërtetë historike, të cilën, tërthorazi, e zbulon Zef Valentini!

     Për rrjedhojë, studiuesit serioz të historisë së Heroit tonë Kombëtar i mbetet t`u japë të drejtë historianëve tanë të shquar: Aleks Buda, Selman Riza, Kasem Biçoku, Selami Pulaha e Dhimitër Shuteriqi, të cilët emrin e Gjon Kastriotit e lidhin, përgjithësisht,  me Mirditën etnografike dhe jo me Matin,  me Kastriotin e Dibrës, apo me një Kastrat të Hasit!

     Dhe kjo ide përforcohet kur Fan Noli, duke folur për vendorigjinen e Kastriotëve, thotë: “Në Dibër të Poshtme ka një katund të quajtur Kastriot, por nuk dihet a e ka marrë emrin katundi nga Kastriotët, apo Kastriotët nga katundi”. Dhe a nuk është ky gjykim, në një fare mënyre, një mohim i tezës që i nxjerr Kastriotët me origjinë nga një fshat me të njëjtin emër që shtrihet në rrethin e Dibrës?! Po

Fan Noli, në variantin e parë të Historisë së Skënderbeut të vitit 1921, si pa dashur, sikur kundërshton edhe tezën që i bën Kastriotët me origjinë nga një Kastrat i Hasit, kur shjruan se, “Thaloc dhe Jeriçek (në
veprën “Zwei Urkunden aus Nordalbanien”-shënimi im) e
quajnë përallë sllavërinë e Kastriotëve dhe shtojnë se llagapi
i tyre… tregon se i kishin rrënjët nga një fshat i quajtur
Kastri”. Dhe a nuk duhet ta mbajnë parasysh këtë gjykim lapidar  ata historianë që merren me vendorigjinën e Kastriotëve?! Se fshat me emrin Kastër ose Kastri, në trojet shqiptare, ka vetëm në Mirditë! Dhe kjo nuk thotë pak për vendorigjinën e Kastriotëve, nëse i analizojmë me përgjegjësi pohimet e historianëve!

     Tezën që i bën Kastriotët nga një fshat me emrin Kastrat në rrethinat e Hasit a të Shkodrës, Fan Noli, përsëri, si pa dashur, e kundërshton edehe kur pohon, si edhe historianë të tjerë, se “etimolgjikisht, është shumë e rëndë të dalë llagapi Kastriot nga një Kastrat”, qoftë ky i Hasit apo i Shkodrës.

 Dhe, duke gjykuar mbi tezat kontradiktore rreth vendorigjinës së familjes princore të Kastriotëve, Fan Noli sikur i orientonte historianët drejt të vërtetave të mëdha historike, kur shkruante se “Të gjitha dëshmimet e ndryshme që numëruam sipër, mund t’i përmbledhim e t’i pajtojmë kështu: Kastriotët rrjedhin nga katundi Kastriot i Dibrës, ose nga një fshat i quajtur Kastria, që ndodhej a në Mat a në Mirditë, a në Has a pranë Mazarekut (Mazrekut-shenimi im) a në Kastrat, sidomos në Malësitë afër Drinit”. Dhe, pasi fshat me emrin Kastri – a  nuk ka as në Has, as në Kastriot të Dibrës, as në Mat, por vëtëm në Vig të Mirditës, i duhet besuar tezës, që i nxjerr Kastriotët nga treva e Mirditës etnografike.

Dhe ai që e thotë me zë të lartë këtë të vërtetë është prifti historian Athans Gega, të cilin Fan Noli e quante njohësin më të mirë të historisë së Gjergj Kastriotit. Ky historian, në veprën e tij “Arbëria, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, hedh dritë mbi vendorigjinën e Kastriotëve duke dëshmuar, së pari, se “Kastriotët zotëronin …. territorin e përfshirë në verilindje të Shkodrës dhe të Lezhës e deri në Prizren”, pohim i bërë edhe nga disa historianë të tjerë, siç u theksua më pare.

Dhe, së dyti, për ta bërë më të qartë mendimin e tij, historiani vazhdon: “Në perëndim shtriheshin pronat e Dukagjinit, që përfshinin fushat e Zadrimës dhe lokalitetin e Fanit”. Dhe shkon më tej autori, duke i vënë në mendime pasardhësit, kur thekson se “nuk mund të përcaktojmë me saktësi kufinjtë që ndanin pronat e këtyre dy familjeve”, (të Kastriotëve dhe të Dukagjinëve-shënimi im).

Të njëjtën ide për fqinjësinë e Kastriotëve dhe te Dukagjinëve përcjellin edhe gojdhënat e ndryshme që kanë qarkulluar në Mirditë në rrjedhën e shekujve. Për këtë akademiku etnolog Mark Tirta sjell një gojdhënë të mbledhur në fshatin Pëshqesh të Mirditës, në të cilën pohohet se “Mirdita ka shkuar me zotërimet e Skënderbeut, por këtu ka sunduar Lekë Dukagjini (deri në tre bajrakët e Mirditës së fisit)”.

Dhe kjo ndodhte, siç thoshte gojëdhëna, sepse “Kufinjtë midis Dukagjinit e zotërimeve të Skënderbeut nuk ishin të caktuara”. Kësaj ideje i vjen në ndihmë edhe konkluzioni i A. Gegës, i cili pohon qartë dhe shterrueshëm: “Kështu arrijmë në përfundimin se Mirdita bënte pjesë në zotërimet e Kastriotëve. Por nuk duhet harruar që Fani (njëri nga bajrakët e Mirditës etnografike-shënimi im) u takonte Dukagjinasve”.

Kështu, gjersa, “sipas burimeve osmane, Kastriotët ishin pronarë të tokave në mes Shkodrës dhe Lezhës”,  siç shkruan  Skënder Riza; gjersa, siç pohom historiani Aleks Buda, “tokat që iu përkisnin zotërimeve të Gjon Kastriotit,… përfshinin trevën në jug të lumit Drin: Mirditën e Lumën”, gjersa, siç kumton A. Gega, “sipas një dokumenti venecian të vitit 1439, pronat e Kastriotëve ishin fqinjë me Shkodrën dhe Lezhën”; gjersa, siç thotë Fan Noli, “Mirditën dhe Hasin i kishte Gjon Kastrioti”, atëherë edhe Gjergj Kastrioti, i biri i Gjonit, diku në pronat e babait të tij do ketë lindur më 1405, të cilat duket se i përkasin qartë Mirditës etnografike.

     Dhe duket se kurorën këtij mendimi ia vë historiania turke Nuray Bozbora, e cilia në veprën “Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në perandorinë osmane”, na thotë: “Skënderbeu ishte më i vogli i tre djemve (duhej thënë katër-shënimi im) të Gjon Kastriotit, kreu i familjes Kastrioti, që njihej si një nga princat katolikë të rajonit të Mirditës”.

     Ky pohim përbën një monument për vendorigjinën e Kastriotëve, i cili nuk mund të rrëzohet lehtë, sepse studiuesi i epokës Skëndërbejane e di që krahinat e ndëryshme të Shqipërisë e, veçanërisht ato të malësive, princat i kishin vëndas. Ato nuk mund t`i “importonin”, siç mund të ndodhë në “kohët modernee”! Për rrjedhojë, nuk mund të mendohet që Gjon Kastrioti të ishte nga Hasi, nga Kastrioti i Dibrës, apo nga Mati dhe të vinte princ në Mirditë! Kjo bëhet më bindëse kur mbajmë parasysh faktin që Gjon Kastrioti ishte kreu i kësaj familje legjendare dhe jo një Kastriotas çfarëdo. Këto troje Gjon Kastërioti, qysh në 1407, i quante toka të fisit të vet që prej 800 vjetësh, siç dëshmon, indirekt, akademiku Dh. Shuteriqi.

     Për vërtetësinë e pohimit të historianes turke Nuray Bozbora, që e konsideron Gjon Kastriotin si “njërin nga princat katolikë të rajonit të Mirditës”, duket se dëshmon edhe një letër e Senatit të Republikës së venedikut e dates 3 prill 1407, drejtuar papës Grigori XII, lidhur me pronësinë mbi kishat e Arbërit në atë periudhë. Se në atë letër Gjon Kastrioti cilësohej si “zot shumë i fuqishëm në trevat e Arbërisë”.   Dhe, kur dihet, siç pohon studiuesi Aleksandër Meksi,  se  “Shteti i Arbërit u ngrit në Mirditën e sotme”, çështja bëhet më e qartë dhe, pothuaj, e padiskutueshme!

     Ndoshta, këto të vërteta i dinte Athanas Gega, kur, në temën e doktoraturës, në universitetin e Luvrit, deklaronte: “Mbiemri Kastrioti… që ka mbijetuar në histori, lidhet më shumë me lokalitetin (fshatin-shënimi im) e Kastrit në Mirditë, që ndodhet midis fshatrave të Dibrit, (Dibri si bajrak i mëvonshëm i Mirditës-shënimi im) Mnelës, Kashnjetit e Vigut, se sa me lokalitete të tjera, që kanë të njëjtin emër”.

  Të njëjtën tezë duket se mbron edhe Atë Giuseppe Valentini, kur Dibrin, trevën nga Vigu e deri në Kuzhnen të Mirditës, e quan “tokë të Kastriotëve”. Dhe këto pohime tregojnë se edhe emërtimi “Gjon Dibrani” nuk ka të bëjë me Dibrën buzë Drnit, po me Dibrin, që njihet si bajraku i katërt Mirditës ettnografike.

     Tezës së A. Gegës, i cili e konsideron Kastrin në Vig të Mirditës si vatrën qëndrore të Kastriotëve, duket se i vinë në ndihmë edhe dy fakte: Së pari, një pohim i historianit Mikel Prenushi, i cili duket se zotëron një dokument interesant, sipas të cilit Gjergj Kastrioti, ka vënë kurorë pikërisht në Kastër, afër Vigut. Këtë ide sikur e bën krejt të qartësë pohimi i historianit gjerman Markus W. E. Petërs, sipas të cilit “Kisha gotike e Vaut të Dejës, e vetmja e këtij stili në Shqipëri,…ishte kisha në të cilën ishte martuar (kishte vënë kurorë-shënimi im) Heroi Kombëtar katolik Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Dhe, sipas logjikës së  thjeshtë historike, Gjergj Kastrioti nuk mund të udhëtonte në mesjetë nga Katrati i Hasit, nga Kastrioti i Dibtës, a nga Mati, për të vënë kurorë në Vat të Dejës, në Mirditë! Ai do të vinte kurorë, siç ndodh zakonisht, në kishën që ndodhej më afër Kastrit të Mirditës, që ishte atëherë qendra e Kastriotëve.

     Edhe fakti që Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti u varros në Kishën e Shënkollit në Lezhë dhe jo në trevat, ku është supozuar se ka lindur, nuk mund të kalohet lehtë pa një analizë të hollë të fenomenit, kur dimë se një udhëheqës i përmasave të mëdha, siç ishte Gjergj Kastrioti, nuk mund të mos e linte me amanet vendin ku do ta varrosnin. Ndaj na vjen keq që ky “amanet”, i cili flë në arshivat e Vatikanit, nuk u bëhet i njohur shqiptarëve edhe pas 600 vjetëve, për ta zbuluar, më në fund, saktësisht vendorigjinën e Kastriotëve! Sidoqoftë, pasardhësit e Gjergj Kastriotit kanë të drejtë të besojnë se prijsi legjendar e ka lënë vetë, me amanet, ta varrosnin diku afër Kastrit, vendlindjes së tij, në Kishën e Shënkollit në Lezhë!

    Për këtë të vërtetë duket se dëshmon edhe historiani francez Alen Dysylje, i cili, në një kumtesë mbajtur në Konfrencën e Dytë Kombëtare të Studimeve Albanologjike, shkruan:   “Konkluzioni: Midis rrjedhës së poshtme të Matit dhe të Drinit shtriheshin zotërimet e Kastriotëve dhe të Dukagjinëve, ku Lezha ishte kryeqendër”.  Kjo duhet besuar kur mbahet parasysh mendimi i Rilindasit Preng Doçi, i cili ka pohuar se “Lezha bënte pjesë, si edhe më pare, në trevën e Mirditës, që luftonte nën shenjën e Gjergj Kastriotit”.

     Dhe, për të shkuar më tej në gjurmim të vendorigjinës së Kastriotëve, ia vlen të përmendet edhe një pohim i historianit të madh francez Zhan Klod Faveirial, i fiksuar në librin “Historia e Shqipërisë”, botim i “Plejard” i vitit 2004. Ky historian, duke rrëfyer për Heroin tonë kombëtar- Gjergj Kastriotin dhe duke hequr paralele midis tij e mbretit të epirotëve-Pirros, i cili e kishte  pohuar origjinën e tij epirotase, shkruan:

     “Dikur, epirotët e lashtë e kishin quajtur shqiponjë Pirron, sovranin e tyre. -Po, unë jam shqiponjë, u përgjigj ai, por prej jush jam i tillë! Kjo (do të) ishte pikërisht përgjigja që do t`u jepte Skënderbeu të gjithë shqiptarëve, por mirditorëve në veçanti…”. Pra, ashtu si Pirroja u tha epirotasve se “prej jush jam i tillë”, për të treguar me krenari për vendorigjinën e tij, po ashtu, siç pohon historiani francez, edhe Skënderbeu do t`u thoshte mirditorëve: “Po, unë jam shqiponjë, por prej jush jam i tillë”!

     Një argument më tepër në favor të tezës që e konsideron Kastrin si vatrën qëndrore të fisit të Kastriotëve dhe si vendlindjen e Gjergj Kastriotit, sikur gjëndet edhe në fushën e dialektologjisë. Për këtë flet fakti që mbiemri Kastrioti, në të folmen e Mirditës, shqiptohej gjer vonë në formën Kastërjoti, gjë që na zbulon qartë emrin Kastër në trajtën e pashquar, siç shqiptohet, shpesh, edhe në ditët tona nga mirditorët.

     Forma Kastërjoti duket se ka qënë zotëruese në gjithë Shqipërinë e veriut, por mbi të, ndoshta, kanë vënë dorë herë historianët e herë gjuhëtarët. Sidoqoftë, me sa duket, i duhet besuar tezës, sipas të cilës mbiemri Kastrioti vjen nga trajta e shquar e nji Kastri, plus prapashtesën-iot, siç ka qënë që herët një traditë e shqipes. Dhe ky Kastër gjëndet vetëm atje ku janë gërmadhat e një kështjelle të vjetër pranë Vigut të Mirditës etnografike!

                           

 POETËT GAVRIL DARA I RIU E RISTO SILIQI DHE RILINDASI ZEF JUBANI POHOJNË ORIGJINËN MIRDITORE TË KASTRIOTËVE

    Duke ecur në kërkim të vendorigjinës së familjes princore të Kastriotëve dhe të territoreve ku e shtrinte autoritetin e saj kjo familje, pa u ndalur në  gojëdhëna, toponime e legjenda pa fund, që flasin për lidhjet e Gjergj Kastriotit me Mirditën, të cilat nuk mungojnë edhe për trevat fqinje me të, e shoh të domosdoshme të ndalem tek një tjetër ponim lapidar, për të cilin, çuditërisht, ka heshtur historiografia shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, siç po hesht edhe në ditët tona, në agimin e shekullit XXI.

     Ky pohim na ka ardhur nga përfaqësuesi i madh i Rilindjes Kombëtare Shqipëtare – poeti Gavril Dara i Riu, i cili, në një jetëshkrim të tij, që gjendet në hyrje të poemës madhore “Kënga e sprasme e Balës”, duke folur për të ardhurit në Palac Adriano të Italisë, fill pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, shkruante: “Ndër këta, të parët, prindërit e mi, që emërtohen gjer më sot Mërkuri e Njani i Dharenjëve, gjërinj (gjini, fis, gjak-shënimi im) të Kastriotit nga ana e Vojsavës, së jëmës së tij, së biljes (bijës-shënimi im), së Prenkut të Mirditëve”.

     Kjo e dhënë, e cila është me shumë rëndësi për zbulimin e të vërtetave historike, që kanë të bëjnë me vendorigjinën e Kastriotëve, në një variant tjetër na paraqitet në këtë mënyrë: “Midis tyre, ndër më të parët (që erdhën në Palaco – Adriano-shënimi im) ishin gjyshërit e mi, që përmenden gjer më sot, Mërkuri e Njani i Dharenjëve, gjërinj (gjini, fis, gjak-shënimi im) të Kastriotëve nga ana e Vojsavës, së jëmës së tij, që ishte e bija e princit të Mirditasve”, -variant që nuk e ndryshon përmbajtjen e variantit itë parë e që kërkon të studiohet me vëmendje nga të gjithë ata që merren me çështjen e vendorigjinës së familjes princore të Kastriotëve.

     Ky pohim, që është një fragment i autobiografisë së poetit Gaveril Dara i Riu, flet shumë. Ai dëshmon, së pari, se të parët e poetit të madh ishin shpërngulur që herët nga trevat e Mirditës etnografike, pikërisht fill pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, atëherë kur invadorët turq a osmanë kishin pushtuar qytetin e Shkodrës-portën veripërendimore të Mirditës etnografike e po suleshin drejt maleve të saj, duke djegur e shkatërruar gjithshka.

     Së dyti, duke treguar se të parët e poetit Gravil Dara i Riu kishin zbritur në Palac-Adriano më 1480, ai bëhet më i besueshëm se historianët e tjerë që janë marrë me vendorigjinën e Kastriotëve dhe territoret ku shtriheshin ata, sepse kemi të bëjmë me një njeri të ditur, që na rezulton pinjoll i lavdishëm i një dere princore të Mirditës, ose i një shtëpie të parë, i cili duhet të ketë pasur të dhëna më të sakta për fisin e vet, krahasuar me të tjerë historianë, që janë marrë me këtë çështje.

     Kështu Gavril Dara i Riu bëhet më i besueshëm se M. Barleti, i cili e paraqet Vojsavën-nënën e Gjergjit zëmadh, “bijë të princit të Tribalëve”,  baanorët e të cilit, siç shënonte përkthyesi S. Prifti, M. Barleti i quante “banorë në trevat e Maqedonisë dhe të Bullgarisë së sotme”, “banorë sllavë të këtyre vendeve”, siç pohon vetë përkthyesi Stefan Prifti, mendim që i trishton mbrojtësit e origjinës shqiptare të Kastriotëve, gjë që po vihet re edhe në polemikat e ditëve tona për këtë çështje.

     Dhe është më i besueshëm se historianët e tjerë rilindasi ynë i madh, kur na kujton se të parët e tij kishin zbritur nga viset e Mirditës etnografike pikërisht më 1480, vit që përkon me të dhënat e historiografisë shqiptare për emigrimin e madh të Kastriotëve e të Dukagjinëve, po në këtë mot, kryesisht drejt Italisë. Këtë të dhënë, ndoshta, as M. Barleti, as Fan Noli nuk e dispononin.

     Çështja, pra, duhet kuptuar e analizuar me përgjegjësinë e historianit objektiv, kur na thuhet qartë e prerë se Gavril Dara i Riu ishte fis, gjak e gjini me Kastriotët nga e ëma e Gjergjit-Vojsava, që ishte “bijë e princit të Mirditasve” ose e një Prengu të këtyre anëve. Çdo interpretim, që kërkon të hedhë hije mbi këtë të vërtetë, nuk mund të qëndrojë përpara logjikës së fakteve, kur mbajmë parasysh se kemi të bëjmë me të dhënat e një njeriu të ditur e të përgjegjshëm, jo vetëm për fisin e tij, por edhe për çështjen kombëtare shqiptare.

     Se askush më mirë se vetë Gavril Dara i Riu nuk mund të flasë për fisin e Darenjëve a Dharenjëve, kur ai, me të dhënat që na sjell, shkon më tej se M. Barleti në kohë. Askush nuk ka të drejtë të thotë se një njeri kaq i ditur dhe kaq i interesuar për fatet e kombit të vet, mund të ketë fantazuar për ta paraqitur Vojsavën si bijë të një princi mirditas, siç bën poeti në shënimet autobiografike në hyrje të poemës madhore “Kënga e Sprasme e Balës”. Ca më tepër duhet theksuar kjo, kur dimë se emri Mirditë në ato mote fshihej përgjithësisht, pas emrit “Dukagjin”, vatër e të cilit ishte Mirdita që nga shekulli VII e më heret.

     Duke iu referuar kësaj të vërtete, stdiuesi Luan Muhameti, në një të përditshme shqiptare, sikur të kishte bashkëbiseduar me rilindasin e madh, pohon se “Vojsava ishte bijë e Dukagjinëve, ishte halla e Lekë Dukagjinit”. Dhe një pohim i tillë hedh një dritë të madhe mbi vendilndjen e nënës së Heroit tonë Kombëtar, për të cilën po bëhet një zhurmë e madhe në ditët tona. Një pohim i tillë sikur u jep fund përrallave mbi “sllavërinë” e Kastriotëve. (?!)

     Për origjinën mirditore të Kastriotëve dhe të vijsavës Vojsavës, që është vështirë të kundërshtohet pa sjellë dokumente më të besueshme se të dhënat e njohura deri më sot, na vinë në ndihmë edhe pohime të historianëve të ndryshëm në trajtën e legjendave, ose të supozimeve, që kanë brënda tyre “grimca” të të vërtetave të mëdha!

     Kështu historiani K. Frashëri, si edhe të tjerë, përmend që “… udhëtari freng Ami Bue, shkruante se kishte dëgjuar që Skëndërbeu kishte lindur në fshatin Kastër të Mirditës,… gjysmë ore larg fshatit të sotëm Vig”. Këtë pohim na e sjell edhe albanologu gjerman Johan Von Hahn, kur kujton se prifti Don Engjëlli i kishte kumtuar atij se “Skënderbeu kishte lindur në një qytet të madh tashmë të shkatërruar, rrënojat  e shpërndara të të cilit  ndodheshin gjysmë ore në perëndim të famullisë së tij të Vigut,….të cilin populli e quante edhe sot e kësaj dite Kastri”.

     Dhe duket se Athanas Gega u jep fund supozimeve të mdryshme për vendorigjinën e Kastriotëve, kur shkruan se “mbiemri Kastriot, që ka mbijetuar në histori, lidhet më shumë me lokalitetin (fshatin- shënimi im) e Kastrit në Mirditë,….. se sa me lokalitete të tjera, që kanë të njëjtin emër”.

     Duket, pra, se Prenku i Mirditës, që nga historianë të ndryshëm quhet princi i kësaj treve, e martoi të bijën-Vojsavën, me një kastriotas-Gjonin, të fshatit Kastër, tek një derë tjetër princore ose tek një tjetër shtëpi e parë, siç ishte e modës në atë shekull, por edhe siç ishte në zakonet e kësaj treve. Dhe, duke i bashkuar natyrshëm të dhënat që sjell Gavril Dara i Riu për Vojsavën dhe fisin e vet, me pohimin e A. Gegës, bindeni se vendorigjina e Kastriotëve duhet konsideruar Mirdita etnografike!

     Për këtë të vërtetë na dëshmon edhe një rilindës tjetër i shquar-Zef Jubani. Nëpërmjet ca vargjeve lapidarë, të cilët nuk mund të konsiderohen “pjellë e fantazisë” së tij, por pasqyrë e të vërtetave historike, ky rilindas na çon bash tek vendorigjina e Kastriotëve, në Kastër të Mirditës, kur shkruan:

                            “Leu nji yll në Shqipni,

                      Me na shndritë, me na drejtue;

                      Me shumë dije e me trimni,

                      Andej Kastrit asht shenjue:

                      Gjergj Kastrioti këtij i thonë”.

     Dhe duket se Rilindasit i vjen në ndihmë në idenë e tij historiani Kasem Biçoku kur na kumton se “Sipas një dokumenti të fillimit të shekullit XV, Peshkopata e Arbërit shtrihej në zotërimet e Kastriotëve”. Dhe, duke e vazhduar më tej këtë ide, historiani duket se e miraton konkluzionin e rilindasit Zef Jubani, kur shkruan se “Ipeshkëvinj dhe klerikë të tjerë të rëndësishëm të ipeshkëvisë së Arbërit kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të Gjon Kastriotit dhe djalit të tij, Skënderbeut”.

     Dhe kur Ipeshkvia e Arbërit e shtrinte veprimtarinë e saj në zemër të Mirditës etnografike dhe jo në Mat, në Kastriot të Dibrës a në Kastrat të Hasit, merret vesh se zotërimet e Katriotëve shtriheshin pikërisht në trevën e Mirditës!

     Një argument më tepër në favor të tezës që e konsideron Mirditën si vatër të fisit të Dukagjinëve dhe të Kastriotëve, mund të konsiderohet edhe fakti që bashkëluftëtarë të Gjergj Kastriotit në betejat legjendare kundër turqve, përveç të tjerëve, ishin edhe Pal, Lekë e Nikollë Dukagjini, që i kishin zotërimet e tyre në trevat e Mirditës, Pjetër, Ndre e Gjon Përlati nga fshati Përlat i Mirditës, Pal e Gjergj Kuka nga fshati Shebe i kësaj krahine, Kojë Zaharia – nipi i Tanush Dukagjinit, vëllezërit e lavdishëm Gjon, Pal dhe Andrea Gazulli, bij të fshatit Gazull, fare afër Kastrit në Vig të Mirditës Se nga asnjë krahinë tjetër e Shqipërisë kryetrimi ynë nuk pasur kaq bashkëluftëtarë të lavdishëm sa nga treva e Mirditës etnografike! Dhe kjo nuk mund të konsiderohet si “rastësi”!

    Për afërinë e lidhjeve të gjakut dhe të atyre territoriale të shumë bashkëluftëtarëve të Skënderbeut dëshmon qoftë  edhe njëri nga këta- abati a gjenerali Pjetër Përlati, nga fshati Përlat i Mirditës, për të cilin na kumton historiani Kasem Biçoku. Ky abat që, në dhjetor të vitit 1447, qe “dërguar si përfaqësues i Skënderbeut pranë mbretit të Napolit, Alfonsit V”, na rezulton se ishte “kushri me Kastriotët”. Dhe, kur dihet se Përlati është një fshat i Mirditës dhe jo i Matit, i Dubrës a i Hasit, duhet besuar se Kastriotët  ishin banorë të hershëm në territoret e Mirditës etnografike, të cilët, më vomë, i shtrinë zotërimet e tyre edhe në krahinat fqinje, në Mat, Dibër e deri në Prizren.

     Edhe rrjedha e mëvonshme e historisë, veçanërisht e historisë së trevës së Mirditës, sikur i vjen në ndihmë tezës mbi origjinën mirditore të Kastriotëve. Për këtë flet fakti që Mirdita jo vetëm e trashëgoi, por dhe e përdori si flamur të saj flamurin e Gjergj Kastriotit edhe në periudhën e rëndë të robërisë turke, deri edhe si duvak për nuset mirditore.

     Këtë e pohonte edhe Doktori i shkencave historike Pal Doçi, kur kujtonre se edhe udhëtari frëng Ami Bue shkruante: “Flamujt e tij (të Skëndërbeut) ishin të kuq me shqiponjën e zezë me dy krerë, sikundër e kanë edhe mirditasit”. Edhe pohimi i kryengritësve mirditorë në protestën drejtuar Valiut të Shkodrës në vitin 1901, ku shkruhet se “flamuri ynë do të jetë ai i Gjergj Kastriotit, që, prej kohësh, valëvitet në majat e zbardhura nga bora e Shën- Palit”, të njëjtën gjë vërteton.

     Për të vërtetën që flamuri i mirditasve, si pasardhës dhe vazhdues autentikë të Dukagjinasve dhe të Kastriotëve, ishte pothuaj, si ai i Kastriotëve (ose anasjelltas), na dëshmon krahasimi midis flaamurit të Kastriotëve dhe atij të Mirditës, të ruajtur pikërisht afër Kastrit, në fshatin Kashnjet të Mirditës: Eshtë e njëjta shqiponjë dykrenare, me krahë të nderë, paralel me trupin e shqiponjës, me ndonjë stilizim të lehtë.

     Ndoshta këto të vërteta i ka ditur poeti i Rilindjes Kombëtare-Risto Siliqi, kur e ka quajtur Mirditën “trimneshë e dheut”, dhe “I Arbërisë fis i kryekreut”, që vuajti prova, por s’i mbeti shtegut “dhe ia mbajti jazin Skëndërbegut”, duke dëshmuar edhe ky rilindës i shquar se Mirdita është vendorigjina e Kastriotëve!

     Se nuk mund të jetë rastësi që një krahinë e tillë, krahas Himarës në Jug, të mbetej në shekuj vatër e qëndresës antiosmane dhe një ishull i rrallë, një oaz i katolicizmit në një popull, 75% e të cilit ishte islamizuar. Për rrjedhojë, nuk është qyteti i Shkodrës “kryeqytet i katolicizmit” në Shqipëri, siç pohojnë ca studiues, por Mirdita! Dhe kështjellë e lirisë, kështjellë e katolicizmit në këto anë, nuk qenë thjeshtë malet, por zemrat e mirditorëve, ku rridhte gjaku i kuq i Dukagjinëve dhe i Kastriotëve legjendarë!. Se nuk “fantazonte” as poeti zëëmbël Lasgush Pradeci, kur vjershëronte:

    “S`hyn dot ti turk e turqeli

     Në kullat mirditore;

     Të prêt në pritë e në frëngji

     Mirdita pushkëmizore”!

     Edhe legjenda për shaminë e zezë, që kanë përdorë vajzat dhe grate mirditore, e cila është unikale në Ballkan e më gjërë, sikur i kapërcen kufinjtë e legjendës, kur shpjegohet e lidhur ngusht me fakte të caktuara historike të kësaj treve. Se legjenda na thotë që shaminë e zezë vajzat dhe grate mirditore e vunë mbi kokë pikërisht atëherë kur vdiq Gjergj Kastrioti, ai që u kishte mbrojtur nderin dhe lirinë në vitet e robërisë turke!

    Dhe dukeet pak e çuditshme, por është e vërtetë se edhe një grua e famshme-     Katherina Die Grosse, e njohur si “Katerina e Madhe”, Perandoreshë e  Rusisë në shekullin XVIII, e pohonte origjinën mirditore të familjes princore të Kastriotëve, kur theksonte qrtë e prerë se “Kastriotët ishin prej Kastri”, siç pohonin edhe shumë studiues të tjerë paea saj.

     Për Mirditëm si vendorigjina e Kastriotëve pohon në një intervistë të tij edhe studiuesi Valter Shtylla. Ai shkruan se “Autorë të ndryshëm e përcaktojnë fshatin Simon, në veri të Krujës (duhej thënë: në zemër të Mirditës-shënimi im)), si vemndlindjen e Gjergj Kastriotit”. “Studiuesi maqedonas, Popovski, vazhdon ai,  thekson se Skëmderbeu ka lindur në fshatin Simon në tetor të vitit 1405”, duke shtuar se  “Për fshatin Simon shprehën edhe Johan Hahn në botimin “Udhëtime nëpër viset e Drinit dhe të Vardarit” të vitit 1867, Mamçillo Spremiç në librin “Albania nga shek. XIII-XV” e vitit 1969″,  Jastrebov, në “Stara Srbija i Albania”e vitit 1904, Fulvio Cordinjano, në veprën “Gjeografia e eklektastika e Shqipërisë nga dekadat e fundit të shek. XVI deri në mesin e shek. XVI” të vitit 1934″.

     Për këto të vërteta duket se bën fjalë, disi në formë fluide, edhe studjuesi e poeti Moikom Zeqo-Mjeshtër i Madh i Punës- në një shkrim kushtuar papës me origjinë shqiptare Klementi XI-Albani, kur flet për kuvendin e Arbërit, i cili u mblodh në fshatin Mërçi të rrethit të Lezhës më 14-15 janar të vitit 1703, pikërisht në një fshat të banuar edhe sot e kësaj dite nga mirditorët.

     Ky studiues, pasi e vlerëson këtë kuvend si një nga ngjarjet më të mëdha të historisë kulturore të Shqipërisë në shekullin XVIII, shtron ca pyetje që tingëllojnë edhe si teza, të cilat duket se “miratojnë” parashtrimet tona për vendorigjinën e familjeve legjendare të Dukagjinëve dhe Kastriotëve:

     “Përse u zgjodh pikërisht fshati Mërçi pranë Lezhës-pyet autori, si vëndi më i përshtatshëm për Kuvëndin e Arbërit? Pse pikërisht ky vënd dhe jo ndonjë vënd tjetër? – e vijon më tej pyetjen ai. A ka të bëjë zgjedhja e këtij vëndi historik-vazhdon përsëri stuiuesi-me evokimin e mrekullueshëm dhe të paharruar të Atletit të Krishtit Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, që mbylli sytë pikërisht në Lezhë?”.

     Dhe përgjigjet nënkuptohen: Kuvëndi i Arbërit i vitit 1703 u mblodh pikërisht afër qytetit të Lezhës, ku Gjergj Kastrioti kishte organizuar beslidhjen e madhe të shqiptarëve kundër turqve, pikërisht afër Kastrit, i cili na rezulton, siç pohojnë shumë historianë, vatra e familjes princore të Kastriotëve. Kuvëndi i Arbërit u mblodh pikërisht brenda atyre territoreve që njiheshin si territoret e Arbërit mesjetar e si “zotërime të Kastriotëve”, që shtriheshin midis rrjedhës së poshtme të lumenjëve Drin e Mat e që shkonin deri në Prizren, territore që u përkisnin dy familjeve legjendare shqiptare: Dukagjinëve dhe Kastriotëve.

     Se nuk është thjeshtë një “rastësi” edhe një kronikë që na e sjell poeti e studiuesi i spikatur i historisë së Shqipërisë, Moikom Zeqo në një shkrim të tij.  Kjo kronikë zbulon se, më 1 maj 1607, në një letër drejtuar Senatit të Venedikut, Pal Dukagjini informon se një “Andrea Manesi ka formuar një ushtri me shqiptarët e tij prej 10 mijë vetash”, duke shtuar se “në krahinën e Dukagjinit ai e ka quajtur veten një “Skënderbe të Dytë”.

      Dhe, që në krahinën e Dukagjinit, pra, në trevat e Mirditës
etnografike,  i kishin zotërimet e tyre eedhe Dukagjinët, edhe Kastriotët, dëshmon edhe një shënim tjetër që sjell ky autor, kur bën fjalë për disa dokumente të vitit 1609, që gjendeshin në rezidencën e Nënmbretit të Napolit,  Don Petro Fernando de Castro. Se, midis tyre,  ishte edhe një letër rekomandimi, e shkruar nga Anton Bertuçi, me anën e të cilës i kërkonte Don Petros që të priste një  kalorës shqiptar, Gjon Rencin, i cili ishte “nga një familje fisnike të lidhur ngusht me familjen e Gjergj Kastriot Skënderbeut dy shekuj më parë” .

    Që Kastriotët i kishin zotërimet e tyre në hapësirën e Mirditës etnografike e më gjërë na dëshmon edhe prifti historian Dom Ndoc Nikaj, i cili, në veprën “Historia e Shqipërisë”, vëllimi II, pohon “se Kastriotasit e kishin parinë (të drejtën për të sunduar-shënimi im) mbi Kurbin, Kthellë (krahinat nga Rrësheni e deri në Gjoçaj të Matit-shënimi im), Mat e në një pjesë të Dibrës”.

     Për    këtë sikur dëshmon edhe një hartë e rrallë e punuar nga B. Dërmishaj, e titulluar “Principatat Shqiptare në fillim të vitit 1400”. Në këtë hartë duket se zotërimet e Kastriotëve nisnin nga Lezha, e cila ishte cepi perëndimor i Mirditës. Këto zotërime përfshinin edhe Matin e Dibrën e shkonin deri në rreethimat e Prizrenit, pra në ato territore që i pat përcaktuar jo vetem më i madhi historian i gjysmës së dytë të shekullit XX-Aleks Buda, por edhe shumë historianë të tjerë.

Principatat Shqiptare në fillim të vitit 1400

Dhe të gjitha këto, qoftë edhe indirekt, dëshmojnë shumë. Parasëgjithash, këto dëshmojnë se përpjekjet për të ripërtërirë epokën skënderbejane bëheshin, më shumë se kudo, pikërisht në në trevat e Mirditës etnografike, në ato troje, ku lindi kryetrimi, ku organizoi besëlidhjen e madhe të shqiptarëve kundër turqëve, ku u kkrorëzua (në Danjë- shënimi im) dhe ku mbylli sytë përjetë, duke mbetur një yll i pashuar në qiellin e historisë së kombit Shqiptar!

     Këto pikëpamje ia kam paraqitur edhe Akademisë sè Skencave, edhe Qendrës së Studimeve Albanologjike, edhe Institutit të Historisë, të cilëve u kam kërkuar organizimin e një diskutimi të gjërë me historianë specialistë të kësaj periudhe historike, për të saktësuar të vërtetat historike, që zbulohen edhe në këtë studim, por ato kanë heshtur. Është kjo arsyeja që pikëpamjet e mia për Mirditën si vendorigjina e Kastriotëve po i  parashtroj përpara një publiku më të gjërë, me qëllim që, edhe nëpërmjet një debate, të shkohet tek të vërtetat historike, të cilat duhet të dalin në dritë në “Vitin e Gjergj Kastriotit”, që na prêt.

* Autor i 16 librave poetikë, publicistikë, historikë e gjuhësorë

SHKARKO APP