Misionari i shpresës

NgA Fran Gjoka

   Mësuesi i njohur Vlash Prendi,  ka rreth 35 vjet qe jep kontributin e tij maksimal për edukimin e brezave. Atë e takon çdo ditë bashkë me nxënësit e tij në aksin rrugor Skuraj – Gallatë ku udhëton rreth 10 km në ditë për në shkollën e tij të dashur. Takimi me të është tepër i këndshëm, sepse ai ka mbi 35 vjet mbi letrat shqipe, mbi historinë, traditën dhe kulturën tonë. Ai është protagonist në fushën e mendimit pedagogjik dhe të studimeve shqiptare me një numër të konsiderueshëm veprash studimore në fusha të ndryshme të jetës historike si atë të historisë folklorit dhe monografisë,  pjesmarrës në tubime dhe konferenca shkencore, autor i shumë artikujve studimorë në median e shkruar. Është personalitet i shkencës studimore në rajonin tone dhe më gjërë, me një trashëgimi studimore me vlera ku pasqyrohen hetime të imta intensive mbi të kaluarën, mbi rrugën e formimit të etnokulturës sonë. I paisur me ndërgjegjen kritike të shkollës shqiptare që qëndron në themelet e programeve të Normales së Elbasanit dhe më tej të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, shkëlqen që në vitet 1980 me artikuj të shumtë letrarë në shtypin e përditshëm. Janë me qindra artikujt e ndryshëm të shkruar nga dora e tij dhe të botuar në shtypin e kohës. Baza e suksesit të studiuesit të apasionuar Vlash Prendi duket se është njohja e thellë e historisë dhe jetës shqiptare, vlerat e padiskutueshme etnokulturore të qytetërimit të rajonit, si dhe gjuha e pastër dhe e pasur që përdor në veprat e tij.

   I lindur me 13 janar të vitit 1956 në fshatin Skuraj të Kurbinit dhe rritur në një ambient patriotik dhe atdhetar përfundon me rezultate shumë të mira shkollën 8-vjeçare në fshatin e lindjes, pastaj në vitin 1973 nis studimet në Shkollën e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në qytetin e Elbasanit. Pikërisht këtu shpërthen talent ii tij për krijimtarinë letrare, fushën studimore, madje edhe për artin e aktrimit. shkrimin e parë, studiuesi i ardhshëm e pati botuar rreth vitit 1970, në revistën e atëhershme “Pionieri”, referuar një legjende për Skënderbeun në trevën e Kurbinit. Që nga ajo kohë, pena e tij ka qënë e pranishme në shtypin e kohës kryesisht me shkrime letrare dhe studimore.

   Pas përfundimit të Shkollës Pedagogjike të Elbasanit, nis studimet në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Gjatë kësaj periudhe, veç shkrimeve të ndryshme në shtyp, mbledh dhe arkivon studime të fushave të ndryshme sidhe ne fushen e arsimit si mesues i perkushtuar ne lenden e gjuhes dhe letersise shqipe. Njëherit boton në shtypin e kohës mjaft shkrime dhe artikuj të karakterit historik dhe kulturor. Ka qënë gjithnjë i pranishëm në gazetat “Drita”,  “55”,  “Telegraf”,  “Ballkan”,  “Ora e Shqipërisë”,  “Bulevard”,  “Sot”,  Flaka e vllaznimit”,  si dhe në revistat “Spekter”,  “Kuvendi”,  “Kuq e Zi”,  etj. Ndërkohë përgatitet për të nxjerrë librin e tit ë parë, i cili u prit mjaft mirë nga lexuesit. Ishte viti 1997, kur botoi librin e parë me studime “Kurbini – Tradita kultura”, përmes të cilit shpalos historinë dhe kulturën e një treve, bajraku i së cilës ka qënë shumë i njohur në malësitë tona të veriut.

   Vend të veçantë zënë edhe studimet për punët, zejet e praktikuara në këtë trevë. Prof.  Mark Tirta për këtë libër do të shkruante: “…Deri vonë kanë shkruar vetëm të tjerët për këtë oreal kulturorë, tani po shkruajnë vetë kurbinasit për krahinën e tyre. Sot kurbinasit i gjen specialist të zotë në fusha të ndryshme të dijes dhe të kulturës si arsimtarë, profesorë universiteti, inxhinierë, ekonomistë dhe studiues të zellshëm. Një ndër ta është edhe autori i këtij libri Vlash Prendi, i cili prej vitesh ka gërmuar në thesaret e kulturës popullore e në të sotmen e këtij vendi,  i ka studiuar e përmbledhur në këtë botim. Ai ka shkruar me shumë pasion dhe dashuri për këta vlera të traditës, për t’ia dhënë atë lexuesit të qarta e të pastra, pa shtesa e zbukurime…”.

   Pas një pune të lodhshme hulumtuese dhe studimore të gjate, studiuesi Vlash Prendi boton volumin e dytë të librit “Kurbini – tradita, kultura”,  në vitin 2002. Ky material vjen më i plotë dhe më bindës tek lexuesi, për këtë arsye libri pëlqehet dhe vlerësohet nga kritika. Në ndryshim me librin e parë, në veprën e re, studiuesi i pasuron argumentet historike me fakte, duke na dhënë në çdo artikull mundësinë e një arsyetimi të ekuilibruar që përbën një faktor diturie të emancipuar të autorit për fakt6et dhe çeshtjet historike që trajton në këtë vepër. Duke qënë një trevë e pasur me fakte dhe ngjarje historike, sutori ka prekur një problematikë të gjërë dhe të shumëanshme, shumëserioze dhe të domosdoshme për opinionin duke dhënë fakte dhe ngjarje historike, disa prej të cilave dalin në dritë për herë të parë nga dora e tij.

   Thënë ndryshme është një vepër popullore që mbetet në duar të lexuesit të apasionuar për njohjen e historisë dhe të traditës kulturore. Kështu që në bibliotekën krijuese të studuiuesit Vlash Prendi autor i dhjete librave me studime dhe monografive, lexuesi hyn me kënaqësi dhe dëshirë, sepse do të gjejë fakte dhe vlera historike që kanë munguar deri sot. Për këtë libër me vlera të padiskutueshme historike dhe kulturore, studiuesi i njohur Dr.  Nikollë Toma shkruan: “…Autori ka meritë se përmes një analize të hollësishme, një dokumentacioni arkivor të pasur, të mbështetur në materialet e mbledhura drejt përsëdrejti në gjithë krahinën, duke shfrytëzuar njohjen e tij personale si vendos, ka trajtuar në libër dukuri jetësore të Kurbinit në shekuj, duke përfshirë aspekte të vështrimit gjografik, ekonomik, demografik, atnologjik dhe historic, po i dedikohet me përkushtim vendlindjes së vet për të shpalosur qartë e në mënyrë dokumentare kontributin e rëndësishëm që ka luajtur krahina e Kurbinit në historinë kombëtare shqiptare…”. Parë në këtë këndvështrim, libri i studiuesit Vlash Prendi, plotëson atë zbrazëtirë historike të lënë për shekuj me radhë nga paraardhësit e tij. Është një kontribut i vyer në lëmin e kulturës sonë kombëtare, historike,

monografike dhe etnokulturore.

  Në vitin 2003, studiuesi i njohur do t’i hynte një pune studimore sa të rëndësishme aq edhe të vështirë. Do të botonte librin monografik “Kronikë e një jete në amshim – Don Shtjefën Kurti”,  kushtuar figurës shumëdimensionale të priftit martir nga Ferizaj i Kosovës që dha një kontribut të madh për përhapjen e krishtërimit në trojet shqiptare dhe luftoi me guxim dhe vendosmëri kundër sistemit komunist në Shqipëri. Është quajtur edhe heroi pa varr, sepse eshtrat eë tij nuk janë zbuluar ende. Sipas dokumentave trupi i tij është përdorur si kadevër për mësimet praktike të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në vitet 1970. Përmes këtij materiali voluminoz, në dy vëllime autori autori Vlash Prendi paraqet me dokumente origjinale jetën dhe veprimtarinë atdhetare dhe kulturore të Don Kurtit, në fillim në Kosovë e më pas në trojet shqiptare. Është e rëndësishme të theksjomë se Don Shtjfën Kurti, është një nga hartuesit e Promëmarrjes së 5 majit 1930 dërguar Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve të Kosovës nga genocidi i rëndë serb. Përmes dokumentash, vlerësohet figura e tij si mështar, si atdhetar, si luftëtar, i paepur kundër vendosjes së diktaturë komuniste në Shqipëri, si një moderator i aftë për organizimin e veprimtarive kulturore dhe artistike në shërbim të komunitetit fetar, si mbrojtës i të drejtave të njeriut, sidomos të hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1967, kur në mbarë vendin tone shteti diktatorial mbylli kishat dhe xhamitë, Don Shtjefni nuk u largua nga Gurëzi. Për tre vjet, , derisa vjen arrestimi i tij i dytë punon si punëtor në cooperative bujqësore, pagëzonte fshehtas fëmijë dhe celebronte kurora martese. arrestohet përsëri në qershor të vitit 1970 me akuzën “Ka kryer shërbime fetare dhe ka pagëzuar një fëmijë”,  nga ana tjetër i ka sjellë një dëm ekonomik kooperativës në shumën prej 6658 lekë”, vlerë kjo e barabartë me një televizor bardhë e zi. Dënimi u bë me 30 korrik 1971, ishte dënim në grup. Don Shtjefni u dënua me vdekje – pushkatim e bashkë me të edhe shokët e tij të idealeve, bashkëpunëtorët e tij të pafajshëm. Libri i studiuesit Vlash Prendi bëri jehonë në media dhe në shtyp. Vlerat e tij dokumentare ngacmon kujtesën e shumë gazetarëve dhe studiuesve, të cilët e vlerësuan mjaft materialin voluminoz të mbledhur dhe përpunuar me pasion nga ky studiues.

   Studiuesi Vlash Prendi ka një kontribut të dukshëm edhe në gjurmimet dhe botimet rreth traditës dhe kulturës së trevës së Kurbinit, sidomos në mbledhjen dhe kodifikimin e vlerave shpirtërore të popullit tonë. Në këtë lemë ai ka publikuar librin e tij të shtatë me titull “Gjurmëve të melosit popullor”,  ku pasqyrohet një punë serioze dhe me vlera në fushën e kërkimeve folklorike. Libri është ndarë në pesë kapituj, ku janë dhënë me kopetencë të plotë studimore mendime e gjykime, janë bërë analiza tematike të këngëve të mbledhura ndër vite nga materialet e botuara, por edhe nga goja e popullit. E nis studimin e tij me këngën patriotike, e vijon pastaj me këngën e dasmës, me këngën e djepit, pastaj me dukuritë komike në këngën popullore dhe e përfundon me këngët e mërgimit. Është një material dokumentar, studimor i admirueshëm, i veçantë në llojin e vet. Përmes analizave nxirren vlerat e vërteta edukative dhe njohëse të këngës popullore dhe roli i saj frymëzues në momentet kulmore të historisë së popullit tonë. Libri është konceptuar si manual në fushën e folklorit, i pajisur me shpjegime dhe shënime për sejcilin zë, përbën një material me vlera për dokumentimin e këtyre perlave të krijimtarisë popullore. Ndërsa në vitin 2011, studuesi Prendi botoi vëllimin me vëzhgime kritike “Shtigjeve të traditës dhe kulturës sonë”, një libër mjaft tërheqës dhe i plotë, i munguar deri sot për shumë studentë, shkrimtarë dhe studiues.

   Poeti i njohur Çezar Rica, recensent i librit shkruan se “…është brenda energjive të mia poetike dhe kapaciteteve të mia intelektuale, që të konstatoj dhe të shpreh vlerësimin dhe admirimin tim për punë voluminoze të këtij punëtori të dijes, që në heshtje, prej më shume se pesë dekadash, rrëmon në rrënojat e humbura të konstitucionit shpirtëror, moral, kanunor dhe kulturor të një etnie të vjetër sa lumi pranë tij. Do të mjaftonte biografia në dy volume, kushtuar jetës, veprimtarisë dhe pavdekësisë së dom Shtjefën Kurtit, këtij patrioti kleri të madh,  intelektuali, filozofi, martiri të shqiptarizimit, për të cilin muret e Vatikanit do të ishin të ngushta dhe shkëlqimi pontifical është i zbehtë do të mjaftonte ky libër për të definuar përkatësinë e autorit Vlash Prendi në radhën e studiuesëve më seriozë, të paanshëm, të pakmpromisë, të palëkundur para busullës së fakteve e lavjerrësit të së vërtetës shkencore, do të mjaftonte ky libër që studiuesi Vlash Prendi të nderohej me çmimin letrar “Serembe” në vitin 2004. . . ”

   Vazhdon të punojë me përkushtim në detyrën fisnike të mësuesit, madje me klasa kolektive, duke synuar të përgatisë brezin e ri me dije të nivelit bashkëkohor. Ashtu i thjeshtë, i urtë, i dhembshur dhe njerëzor, punon pa u lodhur, pa u ankuar për vështirësitë qe i dalin përpara në punën mësimore dhe atë krijuese. Duke ditur se personazhi ynë është autor i 11 librave studimorë, mendoj se shteti dhe shoqëria duhet të kujdesen më shumë për njerëz të tillë, sepse ata meritojnë më shumë. Le t’u japim atyre atë që meritojnë, kjo është minimumi i asaj që ne duhet të bëjmë për këta njerëz me vlera.

  Studiuesi Vlash Prendi është autor edhe i disa veprave të tjera studimore si:“Kullat e bardha”–monografi 2009, “Pranverë e hidhur”– monografi 2010, “Vendlindja ime – Kurbini”– tekst për shkollat 9-vjeçare dhe ka në dorëshkrim edhe vepra të tjera të kësaj natyre. Duke qënë se kjo vepër para së gjithash është dëshmi e talentit të spikatur dhe artit të vërtetë të studimit, jemi të bindur se dialogu i tij me lexuesin do të jetë edhe në të ardhmen i bukur dhe i gjatë.

SHKARKO APP