Misteret e vdekjes së Stalinit dhe paralajmërimi i kobshëm i Enverit që trazoi Bashkimin Sovjetik
Si dhe përse u eliminua Stalini, kjo del nga dy burime zyrtare mjaft të rëndësishme. Njëri burim del nga një deklaratë e Enver Hoxhës (bazuar mbi një bisedë me Mikojanin).
Sekretari i Parë i KQ të PPSH Enver Hoxha kishte mbajtur me Moskën marrëdhënie mjaft të mira pothuaj deri në kohën para Kongresit të XXII të PK të BS. Ndoshta i vetmi gabim që bëri ai, ishte fakti se, ai qëndroi deri në fund një stalinist i vendosur, kur dhe në vetë Moskën komuniste nuk gjeje as edhe një të vetëm.
Fushata e pandërprerë e kritikave ndaj figurës së Stalinit kur Hrushovi ishte në krye të udhëheqjes sovjetike e vunë atë në mendime dhe dyshime:
“Mos ndoshta kritikat e tyre që e pasuan burojnë nga ata që kanë brejtje në ndërgjegjet e tyre?
Apo kjo ndodh për arsye se ndihen fajtorë përkundrejt një akti kriminal dhe nëpërmjet kritikave të vazhdueshme ndaj tij kërkojnë t`a mbulojnë me justifikime atë që kanë bërë?”
Nga analizat intensive të ngjarjeve për gjetjen e së vërtetës në rrethet e larta të PK të BS dhe të vendeve të tjera të Europës Lindore, Enver Hoxha doli në një konkluzion që do të ishte me pasoja katastrofike për vetë atë.
Bazuar mbi bisedat e dikurshme me Mikojanin, Enver Hoxha në fjalën e tij të mbajtur më 24 maj të vitit 1964 do të deklaronte:
“Udhëheqja sovjetike është sot një klikë puçiste, të cilët arritën deri aty sa të marrin guximin të deklarojnë hapur se ishin përgatitur plane konspirative për eliminimin e Stalinit”- (Robert Conquest, “The Great Terror”, London, 1971, faqe 172)
Kjo akuzë e fortë që dilte nga goja e Enver Hoxhës me mbështetjen edhe të Mao Ce Dun-it, e vuri Mosken në një pozicion të atillë që asaj akuze duhej t`i jepej detyrimisht një përgjigje, se përse vetë stalinistët u vunë para provës për eliminimin e Stalinit.
Dhe përgjigja erdhi pikërisht më 19 qershor 1964 dhe personalisht nga vetë Nikita Hrushov në pritjen për nder të vizitës së delegacionit partiak dhe qeveritar të RP të Hungarise me në krye sekretarin e Pergjithshëm të Partisë së Punës së Hungarisë, Janosh Kadar.
Koha dhe personazhet e vizitës nuk u zgjodhën aspak rastësisht.
Dihej në atë kohë që Janosh Kadar ishte burgosur me urdhër të Stalinit dhe kundër tij ishin përdorur tortura mjaft ç`njerëzore, por në fund i shpëtoi dënimit kapital po ashtu nga një urdhër i vetë Stalinit.
Në ceremoninë e mikpritjes që u transmetua direkt në tërë BS dhe në vëndet e tjera të Europës Lindore me anë të “Intervizionit”, Nikita Hrushov pranoi publikisht eliminimin e diktatorit sovjetik Josif Stalinit duke deklaruar:
“-Stalini vrau shokët e tij të luftës dhe veteranët e Revolucionit.
Për shkak të këtyre veprimeve arbitrare ne i dhamë atij dënimin e merituar…
Përpjekjet e atyre që tradhtuan udhëheqjen e vendit tonë për të marrë në mbrojtje tërë ato abuzime të kryera nga ai do të dështojne me turp.
Askush nuk mund t`a pastroje atë nga fajet që ka bërë…
Historia e njerëzimit ka njohur shumë tiranë gjakatarë, por ata të gjithë përfunduan në gijotinë, në atë gijotinë që ata e mbajtën ngrehur mbi kokat e të tjerëve me pushtetin e tyre absolut”.
(Transmetuar nga Radio Moska më 19 qershor 1964 ora 11.55 min, sipas orës lokale. Sekuencë e nxjerrë nga radio “Swoboda”).
Gazetat “Prawda” dhe “Izvestija” në numrin e tyre të ardhshëm kishin bërë retushim të fjalimit të Nikita Hrushovit duke fshirë fjalitë me ton të ashpër ku flitej kundër tiranit Stalin, por tashmë ishte tepër vonë, fjalimi ishte dëgjuar live nga miliona e miliona njerëz si brënda dhe jashtë BS.
Fjalët për tiranë dhe diktatorë të cilët kishin sunduar më ndihmën e gijotinës dhe që ranë vetë pre e saj, për veshët e anëtarëve të KQ të BS, Sovjetit Suprem, qeverisë, forcave të armatosura, sigurimit të shtetit, policisë dhe të çdo njeriu kudo ku ndodhej, kuptohej qartë që kishin vetëm një adresë të vetme. Dhe ajo adresë ishte: Josif Stalin.
Çështja e enigmës së vdekjes së Stalinit nuk qendron në atë që ai u eliminua apo jo, por qëndron në atë se përse ajo u realizua.
Para anëtareve të Byrosë Politike të BS qëndronin dy alternativa: Ose të kryhej eliminimi i tij, ose të eliminoheshin ata vetë.
Dhe padyshim që do të vendosej për alternativën e parë.
Duke marrë parasysh dhe përmasat njerëzore për atë veprim, ata nuk mund të gjykohen nga askush për atë vendim që morën.
Ky është i vetmi rast në historinë e shtetit sovjetik, ku interesat e udhëheqjes sovjetike me interesat e popullit të saj do të ishin në përputhje të plotë.
*Marrë nga libri me autor Abdurachman Awtorchanow me titull: “Das Rätsel um Stalins Tod“ (Enigma e vdekjes se Stalinit) nga faqet: 173-175./Tema