Mjeku anestezist: Çfarë i shtyn pacientët me Covid-19 drejt akteve ekstreme

Duke folur për situatën aktuale në Shqipëri ku po regjistrohet numër i madh viktimash nga Covid-19 si dhe vetëvrasje, mjeku anestezist Arjan Panajoti thotë se faji mbetet deri diku tek problemet menaxheriale në sistemin shëndetësor.

Në një bisedë me gazetaren Jonida Shehu në “Radari Informativ” në ABC, mjeku anestezist u shpreh se në vendin tonë ka 30 vite që nuk ka ndryshime në sistemin shëndetësor.

“Në Shqipëri ka 30 vite që nuk ka ndryshime në lidhje me sistemin shëndetësor, në një situatë të vështirë nuk ka organizim të mirë të këtij sistemi. Eshtë një çështje menaxheriale…Duke parë që edhe vende të tjera kanë hasur vështirësi në trajtimin e këtyre pacientëve.”

Ndërsa, i pyetur nëse mjekimet të cilat jepen për të trajtuar pacientët me Covid-19 japin efekte anësore, Panajoti thotë që të gjitha medikamentet japin të tilla efekte.

“Çdo ilaç jep efekte anësore. Nuk ka asnjë ilaç që nuk jep efekte anësore. Në rastin e koronavirusit, shkaktojnë edhe çrregullim të sistemit mjekësor. Mendoj që ka shkaqe, më të forta që të çojnë në vetëvrasje, edhe në Indi ka raste të shumta vetëvrasjeje, edhe në vende të tjera.”

Por cilat janë shkaqet që i çojnë të sëmurët me Covid-19 drejt këtyre veprimeve ekstreme?

Sipas mjekut, shkaqet janë të shumta: “Një është paniku që ata kanë nga një bum informacionesh të gjitha anët. Por, edhe mungesa apo tepria e okisgjenit që vepron mbi sistemin nervor. Pakësimi i oksigjenit në inde dhe në gjak çon në çregullime në tru apo në sistemin nervor…Këtyre u shtohet përdorimi i medikamenteve apo edhe kushtet e jashtme.”

/abcnews.al/ 

SHKARKO APP