Mjeku popullor kuron prej vitesh me shushunja sëmundjet e gjakut
Mjeku popullor beratas, 83-vjeçari egjiptian Zani Hysi prej 65-vjetësh shëron sëmundje të ndryshme me shushunja në të gjithë Shqipërinë. Ai ka shëruar qindra pacientë nga rrethe të ndryshme të vendit tonë që vuanin nga sëmundjet si: reumatizma, tromboza, prostata, dhimbjet e kokës, ekzemat, damarët e këmbëve, infektimi i gjëndrave të trupit etj. Trupvogël, por i bindur tek mjekimi që e ka zanafillën e tij nga mjekësia popullore, 76-vjeçari vazhdon të kurojë rreth 35-lloje sëmundjesh nëpërmjet përdorimit natyral të shushunjave në trupin e të sëmurëve.
Përveçse ndihmës që u jep pacientëve të tij, mjeku popullor Hysi, i cili i përket komunitetit egjiptian në Berat, siguron edhe pak të ardhurat për familjen e tij pasi me këtë profesion që e ushtron prej vitesh, ai ka mundur të rrisë 5 fëmijët e tij, 3 djem dhe 2 vajza, por këto të fundit i kanë vdekur disa vite më parë nga sëmundje të pashërueshme, njëra nga paraliza dhe tjetra nga kanceri. Edhe pse nuk ka vënë asnjë pasuri me këtë profesion pasi jeton ende në një kasolle në lagjen e romëve, ai ndihet krenar dhe shumë i lumtur që ka shëruar qindra të sëmurë në të gjithë vendin, nga të cilët ka marrë mjaft “urata” e “bekime”, nga të cilat-siç shprehet edhe vetë jeton akoma.
Mjeku popullor, Zani Hysi tregon se, nëpërmjet këtyre specieve kurohen 35 sëmundje të ndryshme të gjakut pasi shushunja ka një ilaç në gojë që shpërndahet në të gjithë trupin dhe pi gjakun e keq. Ai tregon se, shushunjat hidhen atje ku ndodhet trompoza ku shushunja bën edhe tërheqjen e gjakut të keq. Hysi shpjegon se, kura me shushunja kryhet në 3 seanca: në muajt Maj, Korrik dhe Gusht dhe pas hedhjes së shushunjave njeriu jo vetëm që nuk duhet të pijë alkool dhe nuk duhet të lahet 7-ditë pas mjekimit por duhet të mbajë edhe regjim ushqimor duke eliminuar të hajë djegëse dhe mish pule për 3-muaj.
Mjeku egjiptian Zani Hysi, tregon se, profesionin e mjekut popullor e ka trashëguar në moshën 13-vjeç nga mamaja dhe daja e tij dhe tashmë pas 65-vjetësh eksperiencë në fushën e mjekimit popullor, ai i’a ka trashëguar këtë profesion njërit prej djemve dhe nuses së tij që edhe ata kurojnë me shushunja prej 10-vjetësh. Ai tregon për kamerën e ‘News 24’ se për të kapur shushunjat, sezoni i të cilave nis në muajin Shkurt dhe përfundon në muajin Gusht, atij i duhet të udhëtojë rreth 50 km për të shkuar në kënetën e Shkodrës. Pasi futet në kënetë, ai turbullon ujin dhe pret që shushunjat të dalin në sipërfaqe, më pas i kap ato me dorë dhe i fut në trasta ku u hedh edhe baltë kënete për tu ushqyer. Pasi vjen në shtëpi, ai i lan dhe i shpëlan shushunjat dhe më pas gjysmat i shet dhe pjesën tjetër e përdor për mjekime kuruese.
SHUSHUNJAT
Enzimat e shumta që përmbajnë shushunjat (Hirudo medicinalis në gjuhën mjekësore) ndihmojnë në shërimin e shumë sëmundjeve që kanë lidhje me gjakun, pasi shushunjat kryejnë thithjen e gjakut të papastër. Ato vendosen në trupin e të sëmurit, në vendin ku ai ka problemin. Shushunjat vendosen 3-4 copë çdo 6 cm plagë. Specia, menjëherë injekton një lëng “Hirudina”, i cili sipas studimeve shkencore, fillimisht bën hollimin e gjakut dhe më pas kalimin nga vendi i infektuar në trupin e species (shushunjës). Duke mos lejuar grumbullimin e gjakut të infektuar tek plaga apo pjesa e sëmurë, shushunja luan rolin e një pompe thithëse. Thithja vazhdon derisa të dali gjaku i pastër dhe shushunja të shkëputet vetë prej plagës. Kjo gjë përsëritet disa herë (sipas infeksionit),por në ditë të ndryshme. Shushunjat ngordhin pas çdo mjekimi si pasojë e infeksionit që marrin nga plaga të cilën vendosen.