Mjerim deri në dhimbje…

    

Nga Nikolla Sudar

Çdo gjë e ka një cak, e ka një limit, ku logjika elementare vë kufirin dhe thotë: “Mjaft më! Më tej nuk shkohet!” Por varfëria e një populli nën një diktaturë unikale si e jona, nuk i njihte këto limite. Ajo vazhdonte pa ndërprerje me varfërimin total, gjersa kaloi plotësisht në ekstrem. Skamja tanimë i kishte kapërcyer tërë parametrat njerëzorë, kur një institucion prestigjioz i huaj (me cinizëm apo me tërë mend) vlerësonte me çmim ndërkombëtar “Shqipërinë socialiste për arritjen e mrekullueshme në sigurimin e ushqimit për popullsinë”. Pikërisht në këtë kohë (1988) vendi më i varfër në kontinent u nderua edhe me vizitën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-s, z. Peres de Cuelar. Vallë, mos kishin lajthitur organizmat ndërkombëtare? Në axhendën e vizitave të këtij personaliteti ishte parashikuar edhe pritja në “Kooperativën bujqësore të Shijakut”. Për këtë arsye me urgjencë u porosit një tabelë e madhe metalike me dy kolona të larta, ku do të shkruhej: “KOOPERATIVA BUJQËSORE E TIPIT TË LARTË – SHIJAK”, e cila do të vendosej pikërisht tek Katër Rrugët e Shijakut, në kthesën për në qytet. Por punonjësit e repartit metalik, këta demokratë të vërtetë, të cilët do të bëheshin edhe nismëtarët e proceseve demokratike në qytet, e sabotuan qëllimisht këtë porosi. Tabela nuk u përfundua, por edhe vetë Cuelari “nuk pati nderin e madh të vizitonte qendrën e kooperativës bujqësore të tipit të lartë” (qytetin me 13 mijë banorë e me tradita të shquara në të gjitha drejtimet, që tashmë diktatura e kishte shndërruar në qendër kooperative).

 Paradokset në këtë drejtim janë kaq tronditës, saqë shpesh herë ndihesh shumë keq kur i përmend, sepse ato nuk i rrok dot mendja e një njeriu normal. Brezat që do të vijnë, jo vetëm që do ta kenë të vështirë t’i besojnë “bëmat e kohës së mjerimit total”, por me të drejtë do të na akuzojnë: “Vallë, a kishit gjak në deje, që paskeni duruar këtë shfytyrim të përbindshëm të dinjitetit njerëzor?”

Të gjalla janë edhe sot ato përjetime poshtëruese të asaj kohe, që mos ardhshin më kurrë! Dita fillonte me radhën e tmerrshme të qumështit, që zihej në orën 2 pas mesnate. Ashtu në të ftohtë, në shi, apo vapë të padurueshme, duhej pritur deri në orën 7 të mëngjesit, kur vinte nga Durrësi makina e qumështit. Në dyqan shërbente i papërtuari Alush Myrto (dikur mjeshtër i vërtetë i përpunimit të bylmetit, që tashmë nuk kishte më ç’të përpunonte). Por ankthi i përfshinte të gjithë kur shumë herë dyqani furnizohej vetëm me dy arka, njëra me qumësht dhe tjetra me kos, (pa përmendur tmerrin e vërtetë, kur makina e “anashkalonte dyqanin”). “Të privilegjuarve”, që arrinin të merrnin një shishe qumësht apo kos, “u ndrinte fytyra”. Drithërima u kalonin nëpër trup atyre që kishin fëmijë të vegjël, sepse shpesh herë ngelnin “me gisht në gojë”. Pra, ky ishte fillimi tronditës “i ditës në socializëm”. Po  buka? Gruri prodhohej me bollëk në fushat e begata të Shijakut, kurse qyteti për dekada me radhë detyrohej të hante bukë misri të dominuar nga krundet. Politika  antikombëtare dhe antinjerëzore e “mbështetjes vetëm në forcat tona”, e ideuar nga një paranojak, e varfëroi deri në dhimbje këtë vend kaq të bukur dhe kaq të pasur, duke e çuar atë në periudhën e “apoteozës së misrit” të Migjenit. Gjithçka mungonte në atë kohë: mishi i racionuar dilte në treg pas një “përpunimi 20-vjeçar” nëpër frigoriferët e Evropës (megjithatë, familjet e shndëronin në festë ditën kur siguronin nga një minithelë për çdo pjestar të familjes). Vezët, djathi, gjalpi dhe frutat tregtoheshin me listë dhe vetëm në ditë festash. Po ashtu sallami e zarzavatet gjithashtu jepeshin me racion (një copë sallam me gjatësi prej “20 cm” i jepej për një familje një herë në muaj. A ka mjerim më të madh?) Në vitrinat e dyqaneve “miu thyente kokën”, do të shpreheshin nën zë njerëzit e thjeshtë. Vitet kalonin, por mjerimi ekstrem do të linte gjurmë të thella në shpirtin dhe trupin e çdo shqiptari.

 Si këdo, edhe mua më tronditi thellë humbja e nënës, në vitin 1986. Por për një çast “harrova xhenazen”, sepse nuk po gjeja sadopak mish për drekën sipas zakonit, për të nderuar për herë të fundit para miqve e dashamirëve kujtimin e nënës. Por nga kjo situatë dramatike më shpëtoi kardiologu i mrekullueshëm, humanisti i njohur, njeriu të cilit i detyrohet çdo shijakas, Dr. Xhemal Doçi. Ky burrë fisnik, jo vetëm më siguroi mishin në frigoriferin e plazhit, por mori përsipër edhe organizimin e funeralit kushtuar nënës, si ish punonjëse e vjetër e spitalit të Shijakut, (atij i mbetem gjithmonë borxhli). Por sipas zakonit në ditët në vijim do të vinin njerëz për ngushëllim, të cilëve duhet t’u nxirrja, të paktën, kafe dhe cigare. Po ku t’i gjeja? Drejtuesit e tregtisë “vunë dorën në zemër” dhe më siguruan një sasi qiqrash: ato u poqën, u bluan në punishten e ëmbëlsirave dhe m’u dhanë mua, që “t’ua servirja miqve në vend të kafesë”. Nga ky siklet u mundua të më nxirrte miku im, Besnik Llaftiu. Sapo vlonte kafeja me qiqra, ai i hidhte pak sodë buke që të krijonte “shkumë!” Mirëpo njerëzit, me të drejtë, vetëm sa vinin buzët tek fixhani dhe pastaj e linin mbi tavolinë… Gjithashtu bëra të pamundurën, madje, vajta edhe në Turizëm për të siguruar disa paketa “Luks” ose “Diamant”, por… qe e pamundur: bashkëqytetarët i prita vetëm me paketa cigaresh “Partizan”. Ky ishte “nderimi” që u bëhej në atë kohë atyre që nuk do të ktheheshin më, duke na lënë turpin neve, të gjallëve.  Nuk ka shqiptar që nuk e mban mend “luftën e vërtetë” që bëhej në çdo kolektiv për të siguruar një autorizim për televizor. Mbledhjet e kolektivave organizoheshin me seanca të gjata për të ndarë një ose dy autorizime, që u që jepeshin kolektivave një herë në vit. Shpesh herë ato shndërroheshin në arena përleshjesh, derisa më në fund vendoste vetë titullari… se kush “e meritonte”. Për një çast “fatlumturi” harronte tmerrin që e priste: ku të gjente 45.000 lekë (të asaj kohe)? Vetëm po të lihej mënjanë (gjë që s’ishte e mundur) për tetë muaj rroga e kryefamiljarit, mund të blihej “kutia e ëndrrave”, prandaj merrej gjithandej borxh, (më pas e tërë familja duhej të kursente për vite me rradhë për ta shlyer borxhin). Njerëzit nuk jetonin, ata vetëm vegjetonin.                                                                 

Paradokse të paharruara…

Tashmë ka marrë karakterin e barcaletës ngjarja kushtuar dy vëllezërve në një qytet verior. Kur e pyetën atë që punonte në kanal, si ishte e mundur që ai, ish partizan, të trajtohej në atë mënyrë, burri i urtë u përgjigj me shpoti: “E kam pasur vëllanë me Ballin!” Tjetri, “ballisti”, i cili tashmë punonte në administratën e rrethit, kësaj pyetje iu përgjigj: “E po, vëllanë e kam pasur partizan!”

Në Shijak jeton familja e nderuar e agronomit të njohur e të paharruar, Mitat Myftiu, që në periudhën e fundit të jetës do të jepte mësim në shkollën e mesme të qytetit. Për vite me rradhë kam punuar me këtë burrë të urtë, të përgatitur, korrekt dhe shembullor në punë (ai kishte mbaruar studimet në Itali). “Z. Mitati” (siç e thërrisnim në konfidencë) kishte dhënë një kontribut të madh për zhvillimin e bujqësisë në shumë rrethe, qysh nga çlirimi i vendit. I ati i tij kishte qenë një patriot i shquar, por me bindje nacionaliste. Më në fund, për arsye moshe, ai del në pension. Shpesh vinte tek unë në muze, ku bisedonim për ngjarje të ndryshme dhe ai, me atë dashamirësine e vet karakteristike, më jepte këshilla shumë të vlefshme. Një ditë i drejtohem për të më ndihmuar në përvetësimin e gjuhës italishte dhe ai, si gjithnjë i gatshëm, më thotë se do të më vinte në dispozicion edhe librat që dispononte në këtë gjuhë. Nuk kaloi shumë dhe mora vesh se këtë burrë të nderuar, këtë intelektual atdhetar… e kishin arrestuar (për motive politike). Mua më erdhi shumë keq, sepse ishte njeri rrallë. Por ja që një ditë prej ditësh, të revoltuar në kulm më vijnë në muze sekretari i organizatës së Partisë për lagjen dhe zëvëndësi i tij (ky i fundit nuk pranoi të më jepte as dorën). Arsyeja e kësaj vizite ishte, sa qesharake, aq edhe e rrezikshme. Nisur nga kontributi shumëvjeçar i agronomit Mitat Myftiu, si edhe nga konsiderata e lartë që kishim të gjithë për të, para disa kohësh i kisha propozuar organizatës bazë të lagjes që t’i jepej një autorizim për televizor. Kaq mjaftoi që organizata “të më bënte hetuesinë, duke vënë në dyshim të plotë personin tim”. Edhe pas kaq vitesh e kujtoj me neveri këtë ngjarje absurde. Zëvëndësi i papërmbajtur i drejtohet sekretarit:

– Ç’e zgjasim më me këtë. Ti e di se në shtëpinë Mitatit, nuk u gjet asnjë vepër e sh. Enver, ndërsa ky mbante miqësi të ngushtë me të, madje edhe na propozoi t’i jepnim televizor. Ne duhet të mblidhemi si organizatë dhe të ndalemi seriozisht…!” (Sipas tij faji im paskësh qenë i rëndë, prandaj më priste ndëshkimi).

Unë e kuptova se situata po merrte një drejtim plotësisht të padëshiruar, por revoltimin nuk e përmbajta dot, prandaj u përgjigjem:

– Para se të më dënoni mua, e mira është që të dënoni në fillim, duke e përjashtuar nga Komiteti Qendror, madje, edhe nga Partia, shokun Haxhi Lleshi, i cili e ka dekoruar Mitat Myftiun me “Urdhërin e Punës të klasit të Parë”.

Të dy miqtë e paftuar u panë sy ndër sy dhe u larguan pa thënë më asnjë fjalë. Pas kthesës së madhe, djemtë kurajozë të z. Mitatit, besnikë të idealeve demokratike të babait të tyre, do te viheshin në pararojë të lëvizjeve demokratike në Shijak.  Në familjet “e deklasuara” të Shijakut do të futej edhe ajo e intelektualit të paharruar Pjerin Stambolla. Me origjinë nga Shkodra, prej dekadash ai ishte larguar nga vendlindja dhe për një kohë të gjatë punoi në ish SMT-n e Shijakut. Të gjithë ata që e kanë njohur e mbajnë mend për aftësitë e tij të rralla si financier, për thjeshtësinë, për humorin e këndshëm dhe për mikpritjen e rrallë. Bashkëshortja e tij, Gjinovefa (një vëlla e kishte dëshmor), mësuesja e mrekullueshme e punës së dorës në shkollën 11-vjeçare të qytetit prej vitesh kishte fituar dashurinë dhe respektin, jo vetëm të kolektivit pedagogjik, por edhe të gjithë nxënësve. “Zonjush Gjenovefa”, siç e thërrisnim, gjithnjë e papërtuar ishte shpirti i organizimit të çdo mbremjeje apo feste në shkollë. Fqinjët e tyre (ndonëse të dy ata, nuk jetojnë më) flasin edhe sot me respektin më të madh për këta njerëz humanë, që ndihmonin cilindo në nevojë. Gëzimi më i madh i bashkëshortëve u bë lindja dhe rritja e tre fëmijëve shumë të mbarë (dy djem dhe një vajzë). Në Shijak mbahet mirë mend sesi mbushej shtëpia e tyre plot e përplot për të ndjekur pograme të ndryshme televizive, por sidomos ndeshjet e futbollit, që shoqëroheshin me debat të gjallë tifozash. Dhe të gjithëve u sajohej vendi për t’u ulur, kurse amvisa e shtëpisë me atë buzagazin e saj karakteristik dhe mikpritjen e rrallë, qeraste miqtë e shumtë. Por ja që dikujt nuk i pëlqente një “grumbullim” i tillë njerëzish dhe sidomos debatet (ndonëse pa të keq), që zhvilloheshin atje. Prandaj u gjetën ata që do të “dëshmonin për shfaqjet e huaja gjatë debateve” dhe Pjerinit një ditë prej ditësh iu vunë prangat, duke befasuar dhe tronditur në kulm atë vetë, familjen e tij të rregullt dhe gjithë banorët e Shijakut. Gjyqi qesharak do të ndiqte “porosinë nga lart”, prandaj Pjerini, tashmë në moshë madhore, u dënua me burgim të gjatë nga “diktatura e proletariatit”.

Ky veprim ekstrem la një shije shumë të hidhur në Shijak, por ai u thellua edhe më tej: pjesëtarët e familjes, sidomos fëmijët u hoqën nga puna dhe u dërguan në punë krahu “për riedukim”. Pjerini tashmë i thyer në moshë, i rënduar nga shëndeti, por akoma më tepër i prekur thellë nga kjo padrejtësi e hapur, nuk e përballoi dot këtë sfidë makabre. Pas disa vitesh ai ndërroi jetë në burg. Pikërisht këtu do të dilte përsëri në pah antihumanizmi i diktaturës: me gjithë përgjërimet e familjes për ta marrë trupin e të ndjerit e për ta varrosur në Shijak, drejtoria e burgut nuk ua plotësoi kërkesën.  Por ka edhe qyfyre të tjera, ndonëse qesharake e të pabesueshme në dukje, por reale e me pasoja të rënda. Në një fshat operativi i zonës i ishte qepur një “të deklasuari” për ta dënuar, thjesht për arsye personale. Pasi vrau ca mendjen, (si gjithmonë) gjeti një zgjidhje “ideale”. Një mbrëmje së bashku me kryetarin e pushtetit dhe atë të frontit të fshatit i trokasin në shtëpi. Fshatari i vënë në shenjë del tek dera me një fener dhe u drejtohet me fjalët:

–  Bujrum, urdhëroni brenda!

Por operativi nuk kishte ndër mend “ta nderonte armikun e klasës me vizitën e tij”, por i bën menjëherë një pyetje provokuese.

–  Ore, desha të të pyes, a pjer.. për Partinë ti?

Fshatari i varfër, i vënë në siklet të madh, nuk dinte si t’i përgjigjej, sepse e parandjeu të keqen. Pas një heshtje të shkurtër, iu përgjigj, ashtu siç do të bënte çdo njeri me arsye në atë rrethanë:

–  Si, ore nuk pje… për Partinë?

–  Ashtu ë? Domethënë se e pje… Partinë ti?

Kaq mjaftoi dhe fshatarit fatkeq iu vunë prangat. Këto paradokse, sa të dhimbshme, aq edhe aq edhe absurde, ishin dukuri të zakonshme në jetën tonë “socialiste”.

 

Pak fjalë për tre njerëz të mirë”…

 “Vështirë është të gjesh njerëz të mirë, – thotë një fjalë e urtë, – por më vështirë është t’i mbash ata pranë vetes”.  Mbase, kjo është arsyeja që shpesh dëgjojmë të thuhet se e keqja përhapet me progresion gjeometrik, ndërsa e mira me atë arithmetik. Pikërisht njerëzit e mirë janë ata që e zbukurojnë mjedisin shoqëror, janë ata që ushqejnë shpresat dhe optimizmin në mesin e tij, janë ata që merren si “etalon i modelit shoqëror”. Të tillë ka kudo dhe respekti e dashuria për ta do të rrojë sa edhe vetë jeta. Lidhur me këtë “filozofim”, mendimet e vlerësimet janë të ndryshme, megjithatë, mbase edhe “subjektive”, por unë do të përmend tre shijakas të tillë, që e meritojnë t’i quash “njerëz të vërtetë, me shpirt të madh dhe të prirur për të bërë vetëm mirë”. Ata janë të paharruarit Sulë Gallaj, Xhemal Kruja dhe Cen Gurabardhi. Ishte viti 1942 kur një djalosh i ri, me atë entuziazmin e moshës dhe dëshirën për të kënaqur bashkëqytetarët, do të hapte në Shijak të parën kinema, këtë “oaz kënaqësie të veçantë”, duke u bërë edhe operatori i parë në historikun e qytetit. Ai quhej Sulë Gallaj, (apo siç do ta thërriste më vonë, i madh dhe i vogël këtë njeri babaxhan, “Babë Sula”). Të moshuarit e mbajnë mend jehonën e madhe që bëri në qytet kjo ngjarje, sidomos në masën e të rinjve. Gjithçka jepnin ata për të parë një film. Në atë kohë njerëzit magjepseshin nga “bëmat e” Xhon Veismylerit, këtij aktori të famshëm, që luante “Tarzanin e pavdekshëm”, apo filma me dyshen jashtëzakonisht simpatike, seritë e të cilëve ishin shumë të frekuentueshëm e që në popull njiheshin me nofkën “I holli dhe i trashi” (Olio dhe Stelio).  Ndërkohë, Sula, ky antifashist i orëve të para, do të bëhej një nga kuadrot kryesore të luftës ilegale në Shijak e pastaj do të vinte çlirimi, i cili do të sillte ndryshime në jetë e në mentalitet.  Por Sulë Gallaj do të ishte një nga ata njerëz të mrekullueshëm që në devizën e tij të padeklaruar do të kishte vetëm postulatin “Kudo, ku të jepet rasti, bëj vetëm mirë!” Dhe ai e respektoi me fanatizëm këtë, duke u shndërruar në një “bamirës të vërtetë” e me shumë kurajo, në atë zymtësi, mjerim dhe urrejtje, që ndeshej në periudhën e diktaturës. Mirësitë e këtij njeriu të rrallë janë të shumta, sidomos gjatë kohës kur ishte drejtor i fermës së Sukthit. Ferma ishte një konglomerat të ardhurish nga të katër anët e vendit, me mentalitete dhe zakone nga më të ndryshmet, mirëpo, njeriu zemërbardhë, i durueshëm dhe mbajtës i fjalës, hyri thellë në zemrat e tyre dhe u bë “si i shtëpisë”. Kjo është arsyeja që dashuria dhe respekti për këtë humanist të mrekullueshëm edhe sot ruhet si hajmali në zemrat e atyre që e kanë njohur dhe dashur.

Me kurajo ai shkeli edhe “vijën e partisë” për të sistemuar në punë dhe ndihmuar materialisht mjaft “të deklasuar”, tek të cilët ngjalIi besim dhe shpresë për të jetuar. Shpesh herë e përmendim me respekt të thellë në familjen time këtë njeri të mirë, kur kujtojmë peripecitë e mia për të ndjekur studimet e larta. Ai linte mbledhjet e punës, madje edhe njerëz të dërguar nga “qendra”, dhe tregohej gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar.  I dyti nga këta të tre, të cilët miqësinë e vërtetë midis tyre e ruajti si gjënë më të shtrenjtë, ishte Xhemal Kruja, rrobaqepësi virtuoz dhe i papërtuar. Ky njeri i rrallë, ky dashamirës i vërtetë shijakas, do të linte mbresa të pashlyeshme në mendjen dhe zemrën e bashkëqytetarëve të vet. Dikur në rininë e vet kishte marrë pjesë në luftën ilegale. Dyqanin në qendër të qytetit e kishte kthyer në qendër takimesh dhe grumbullimi materialesh ilegale, ndërsa shtëpinë në bazë të rëndësishme të luftës për nënprefekturën e Shijakut. Me kalimin e viteve ai do të arrinte perfeksionim shumë të lartë e do të shndërrohej në një mjeshtër të vërtetë të zanatit. Njeri gojëmbël, i padjallëzuar, me atë shpirtbutësinë e tij karakteristike, pa bërë asnjë dallim, ishte i gatshëm pa kurrëfarë interesi të ndihmonte edhe materialisht cilindo. Shpesh herë kjo mirësi e tepruar edhe do ta zhgënjente, por ai nuk do të hiqte dorë. Rastet në këtë drejtim nuk numërohen. Dikush nga fshati Shetel porositi një kostum për dasëm, por hallexhiu e donte brenda në një kohe rekord. Atëherë Xhemali mbyllet në dyqan dhe nuk del prej tij, derisa e qepi kostumin. Për çudi, ku rastisa edhe vetë, fshatari erdhi për të marrë kostumin, por… paratë nuk i kishte me vete. Mirëpo ustai me atë buzagazin e tij karakteristik i thotë: “S’ka gjë, merre kostumin dhe pas dasmës m’i sill lekët”. Një miku i tij i ngushtë, që u ndodh bashkë me mua, iu “hakërrye”: “More, Xhemal, a je në vete? Pa e njoft tjetrin dhe vetëm në mirëbesim i dhe kostumin? Mos ke dalë për sevap? Po sikur të të vijë ndonjë kontroll nga ndërmarrja?” Ky njeri fisnik, pasi na vështroi, vuri buzën në gaz dhe u përgjegj me atë çiltërsinë e tij të zakonshme: “S’ka gjë, se e kam rrogën në xhep, kështu që edhe po të vijë kontrolli… ”. Si aktivist shoqëror ai ishte i pazëvendësueshëm në zgjidhjen e problemeve në lagje, madje, edhe në ato brenda familjes, prandaj edhe njerëzit e donin dhe e respektonin jashtë mase. Kurrë nuk do ta harroj mbështetjen e fuqishme dhe me rrezik të madh që na dha ky burrë i vërtetë në lidhje me njohjen e figurës së Qemal Deliallisit. Ai qe nga të parët që, jo vetëm lëshoi deklaratë, por kërkoi me këmbëngulje që Qemali të njihej dëshmor i atdheut.

I treti nga këta, por jo më pak human, ishte mjeshtri i madh, usta Cen Gurabardhi, orëndreqësi i famshëm në të gjithë republikën. Ky burrë i urtë, gjithnjë fytyrëqeshur, që nuk dinte te nxirrte një fjalë të keqe nga goja, ishte një profesionist i rrallë, një njohës i jashtëzakonshëm i të gjitha llojeve të orëve. Që në fëmijëri ai u dha me mish e shpirt pas këtij profesioni saqë mrekullohej si fëmi, kur i binte në dorë një markë e panjohur ore, prandaj linte çdo punë derisa të zbulonte mekanizmin e saj. Ishin fare të rinj kur bashkë me të vëllanë, Hamitin, do të angazhoheshin në rininë antifashiste të qytetit. (Asnjëherë ky njeri modest nuk e përmëndi kontributin e tij të asaj kohe). Shpesh ne, të rinjtë, kthenim tek dyqani i usta Cenit në qendër të qytetit e, duke pirë kafe me ustain e përmendur, bisedonim për pobleme të ndryshme. Prej tij do të dëgjonim vetëm mendime të pjekura dhe shumë dashamirëse. Keqdashjen, hipokrizinë, pabesinë, që ishin të huaja për të, ai i luftoi deri në fund në marrëdhëniet me njerëzit. Të shumtë janë ata që i drejtoheshin për hallet e tyre usta Cenit dhe ai, pa mëdyshje, me atë bujarinë e veçantë, që e karakterizonte, hiqte shumën nga paratë e tij dhe ndihmonte hallexhiun. Madje, arrinte deri atje, sa që të merrte edhe vetë borxh diku për t’i kryer punë bashkëqytetarit në nevojë .

Profesionin e tij të bukur usta Ceni ia la trashëgm së bijës, Nebahetit, ndërsa dy fëmijët e tjerë do të merrnin drejtim krejt tjetër: i madhi, Dashi, do të bëhej një piktor i suksesshëm, si brenda dhe jashtë vendit. Këtë reputacion tashmë ai e ka shtrirë dhe në Nju-Jork, ku jeton sot familiarisht. Djali tjetër, Bahriu, asi më i miri i të gjitha kohëve në historikun e shkollës së mesme të Shijakut, kreu degën e ekonomisë agrare dhe sot jeton e punon në Durrës.  Ç’i lidhte midis tyre këta burra të vërtetë? Mosha? Ata ishin gati të një moshe! Shijaku? Ai do të mbetej mjedisi i veprimtarisë së tyre! Por mbi të gjitha tri do të ishin arsyet bazë të kësaj miqësie shumë të ngushtë, derisa qenë gjallë: sinqeriteti, dashuria dhe respekti i jashtëzakonshëm për njëri-tjetrin, gadishmëria për t’u shërbyer në çdo kohë dhe me të gjithë mundësitë njerëzve dhe e treta, e vogël në dukje, por me domethënie të madhe: pasioni i patreguar për futbollin e në rradhë të parë për skuadrën e tyre të zemrës, “Erzenin”.  Mbase, mund të jetë edhe rastësi, por ngjarjet e ndryshme personale dhe shoqërore të tre ata i përjetonin thellë, prandaj mbresat do të ndikonin shumë fort në shëndetin e tyre. Ato do t’ua dobësonin organizmin e sidomos pjesën më vitale të tij, zemrën. Të tre këtyre burrave të shquar, për fat të keq, dëmtimi i zemrës do t’ua shkurtonte  jetën. Ata sot nuk janë më, por ne që i kemi njohur e ndiejmë thellë në çdo hap praninë e tyre. Ajo mirësi e rrallë, ajo gadishmëri njerëzore, ai përkushtim për hallet e njerëzve do të mbeten të ngulitura thellë në mendjen dhe zemrën e çdo shijakasi. Jo vetëm ne, por edhe brezat që do të vijnë do të thonë: “Shijaku ka pasur shumë njerëz të mirë, por midis tyre gjithmonë do të shkëlqejnë tre burra të vërtetë, të cilët janë: Sulë Gallaj, Xhemal Kruja dhe Cen Gurabardhi”. Mirënjohje për jetë këtyre njerëzve të rrallë e të mrekullueshëm, që e kanë mbajtur gjithmonë lart emrin e mirë të Shijakut.

*Historian dhe përkthyes.

SHKARKO APP