Mjerimi në kampet e refugjatëve

Në Bosnjë-Hercegovinë dhe Greqi situata me kampet e refugjatëve është cilësuar “eksplozive” për shkak të kushteve të vështira të jetesës. Afrimi i dimrit kërcënon jetët e tyre në Bosnjë, ndërsa Greqia ka ndërmarrë nismë për të adresuar krizën.

Qindra refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Azia u kërcënohet jeta nga moti i ftohtë, uria dhe mungesa e shtretërve në prag të dimrit.

Numri i tyre në Bosnjë-Hercegovinë është shtuar ndjeshëm që kur Kroacia, Hungaria dhe Sllovenia vendosën të mbyllin kufijtë e vet.

Rreth 40 mijë hynë në vend vetëm vitin e kaluar.

Prej qershorit disa banojnë në skamje dhe ambiente të hapura në kampin dhe ish-landfillin e Vuçjakut.

“Është e qartë se çfarë do ndodhë me ta. Nëse e kalojnë dimrin aty do vdesin brenda pak ditëve ose javëve sepse temperaturat po bien shumë shpejt,” deklaron punonjësi i një organizate për emigrantët.

Temperaturat afër zeros, ushqimi i racionuar, veshja pantoflave të thjeshta në terrenin me baltë apo sajimi i rrobave të ngrohta dhe larja me bidonë plastikë ka demoralizuar edhe vetë të ardhurit.

“Në Slloveni dhe Kroaci kam parë kafshë që jetonin më mirë sesa ne këtu në kamp. Ky nuk është kamp. Ky nuk është për njerëzit,” shton refugjati nga Afganistani, Muhamed Idriz Neaziv, teksa mbrapa tij të tjerët flijojnë një dele prej urisë së madhe.

Situatë të ngjashme po kalojnë edhe banorët e kampeve ishullore në Greqi.

68 mijë aplikime për azil u regjistruan rishtas këtë vit.

Qeveria greke të premten aprovoi në parlament një ligj për shpejtimin e procedurave për pranimin ose kthimin e azilantëve në vendet e origjinës, por grupet humanitare dhe Këshilli i Europës thonë se nisma nuk e adreson situatën si duhet.

SHKARKO APP