Muç Nano: Të vjen të ulërish që na e ka kaluar edhe Mali i Zi

Mustafa Nano ka bërë një shkrim për mundësinë e hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Ai thotë se jo gjithçka varet nga Brukseli zyrtar, por më peshë do të ketë vota personale e 28 vendeve anëtare të BE-së.

Janë 28 shtete që lipset të japin miratimin e tyre. Mjafton që vetëm një shtet të thotë “jo”, dhe e gjitha kështjella rrëzohet.

Swiss Digital Desktop Reklama

Presidenti grek, por edhe autoritete të tjera greke para tij, nuk është se flasin kuturu, kur thonë se rruga e Shqipërisë për në Europë kalona nga Athina. Është tamam kështu. Nëse Greqia nuk do, negociatat e anëtarësimit tonë në BE nuk mund të hapen.

Swiss Digital Mobile Reklama

Por në këtë mes, problemi nuk është më Greqia. Kjo e fundit, edhe ngaqë ka marrë, apo pret të marrë, ndonjë gjë në këmbim të votës në favor të hapjes së negociatave (është duke u finalizuar një marrëveshje e madhe mes Greqisë e Shqipërisë, që do të celebrohet nga Ciprasi e Rama në Tiranë në muajin prill, ndoshta pas marrjes së rekomandimit), duket se ka vendosur të luajë rolin e “gjitonit të mirë”.

Problemi janë shtete të tjera, të cilave Shqipëria nuk ua ka mbushur dot mendjen se është gati të bëhet pjesë e klubit të vendeve më të pasura e më të emancipuara të botës. Dhe nuk është se e kanë gabim, apo jo?

Madje, unë kam përshtypjen se asnjë europian nuk e di saktësisht se sa e varfër dhe e prapambetur është Shqipëria në të vërtetë. Ne që jetojmë këtu e dimë.

Por, edhe aq sa dinë, holandezëve e danezëve u mjafton për të qenë ndërdyshës ndaj kërkesës së Shqipërisë për të hapur negociatat e anëtarësimit në këtë klub të tyrin.

Pastaj, edhe Angela Merkel e Emmanuel Macron, dy “fansat” e Edi Ramës, kanë punë me një opinion politik e publik të brendshëm që nuk po e bën dot të vetën idenë se Shqipëria mund të jetë një vend anëtar i BE-së”, shkruan ai për Mapo.

Nga ana tjetër, në këtë ekuacion Shqipëria nuk është e vetme. Dhe nuk do të shqyrtohet si një rast më vete. BE-ja po bën çmos të integrojë brenda vetes gjithë Ballkanin. Serbia e Mali i Zi kanë ecur më shpejt.

Të kap një parehati e madhe, kur mendon se Mali i Zi nuk i ka mbushur ende 10 vjet të jetës së vet si shtet, dhe menjëherë i ka dalë përpara Shqipërisë që ka më shumë se 100 vjet që ekziston, por ja që gjërat kështu janë, dhe kjo është një provë ulëritëse e faktit që Shqipëria është çdo gjë, por jo serioze.

Pas tyre vijmë ne, Kosova, Maqedonia e Bosnjë-Hercegovina. Mirëpo, Bosnja e Maqedonia kanë mbetur pas për shkak të fërkimeve të natyrës etnike brenda tyre.

Edhe Kosova, si shtet, ka më shumë se një alibi për vonesat e saj në procesin e integrimit në BE, ndonëse po bëhet gjithnjë e me qartë se nuk janë në gjendje të qullosin ndonjë gjë më të mirë sesa ajo që kemi qullosur ne prej 100 vjetësh.

Shkurt, mbetemi vetëm ne shqiptarët si një rast i veçantë në këtë histori, mbetemi si një popull me aftësi të dyshimta vetëqeverisëse. Dhe prandaj, integrimi në BE ka për shqiptarët një rëndësi më të madhe sesa ka për popujt e tjerë në Ballkan.

Do të vuajmë brenda klubit të BE-së në terma të imazhit e të fuqisë kompetitive, por do të fitojmë shumë në një drejtim tjetër: Do të jemi gjithë kohën të mbikëqyrur. Dhe të asistuar. Ky do të ishte një garanci e madhe që do na ofrohej ne shqiptarëve. Integrimi në BE vlen më së shumti për këtë”, vijon Nano. Mapo

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?