Muzika tradicionale gege

“Moj lahutë, piskamë ndër mote, Mos pushoftë kurrë kanga jote!”

Spiro J. Shetuni

Prof. Dr.  Spiro J. Shetuni*

 Çështje etnomuzikologjike, si:  shqyrtimi i vendit që zë muzika tradicionale gege brenda muzikës tradicionale shqiptare, njohja e tipareve të saj më të rëndësishëm lëndoro-substancialë e strukturoro-formalë, marrdhëniet me dialekte të tjerë të muzikës tradicionale shqiptare, rrezatimi kulturoro-artistik brenda dhe jashtë kufijve etnikë të Shqipërisë, etj., kanë qenë, ndër vite, sa shqetësime vazhdimisht të thellë, aq edhe ëndrra ngaherë të bukura, që unë kam pasur!  Duke dhënë një pamje të përgjithshme të përfytyrës së dialektit muzikor geg gjatë shekullit XX, artikulli im nuk përfaqësonvetëm se një përpjekje modeste për të njohur sadopak këtë lloj dialekti.

Parashtrim

Muzika tradicionale gege është dialekti i muzikës tradicionale shqiptare që bën jetë në Shqipërinë Veriut, ose, më mirë, në bashkësinë e madhe të krahinave etnografike, që, në popull, njihet me emrin Gegëri.  Nga pikëpamja tipologjike, ajo ekziston thjesht në një dialekt të vetëm, pra, pa nën-dialekte të caktuar muzikorë.  Sakaq, ndër stilet muzikorë më të kristalizuar të saj, lejomëni të përmend:  stilin muzikor të Malësisë së Madhe ose të Shkodrës, stilin muzikor të Malësisë së Vogël ose të Gjakovës, stilin muzikor të Mirditës, stilin muzikor të Matit, stilin muzikor të Dibrës, etj.  Ashtu sikurse stilet e muzikës tradicionale toske, të muzikës tradicionale labe dhe të muzikës tradicionale qytetare, edhe stilet e muzikës tradicionale gege, nga pikëpamja lëndoro-substanciale e strukturoro-formale, herë-herë, afrohen, për të mos thënë që përzihen, njëri me tjetrin.  Midis tipareve themelorë dallues të muzikës tradicionale gege, më lejoni të vënë dukje sidomos:  1)  përbërja nga një linjë melodike, përsa i takon strukturës së përgjithshme, ose sasisë së linjave melodike, çka nënkupton edhe të interpretuarit, zakonisht, nga një këngëtar ose instrumentist i vetëm, individualisht, solistikisht;  2)  sistemi modal/tonal herë diatonik, herë kromatik;  3)  metrika/ritmika më shpesh e matur, e qartë, e përcaktuar;  4)  shoqërimi me instrumente muzikorë disa herë mjaft të zhvilluar (fjala është për muzikën tradicionale zanore gege), etj.

Brenda muzikёs tradicionale gege, nga pikёpamja e shkallёs sё individualizimit melodiko-modal, shquhen njё radhё zhanresh, si:  nina-nana ose ninulla, vajtimi ose gjama, kënga maje-krahi ose kushtruese, kënga lirike me llojet më të ndryshme të saj (të dasmës, rituale, të punës, të dashurisë, etj.), ballada, eposi heroik legjendar, eposi heroik historik, etj.  Nina-nana gjithmonë e ngroh emocionalisht njeriun!  Vajtimi ngaherë e trondit emocionalisht atë:  e bën të mendojë thellë për qëllimet, për synimet, për veprën e tij në tërësi!  Kënga maje-krahi, ky zhanër muzikor aq tipik për Gegërinë, vazhdimisht i ka mahnitur studiuesit, vendas e ndërkombëtarë, për funksionin e rëndësishëm social të saj në jetën e popullisisë gege!  Kënga lirike (e dasmës, rituale, e punës, e dashurisë, etj.) pasqyron jetën, gëzimin, shpresat, ëndrrat më të bukura të popullsisë gege!  Ballada të fut në një botë dramash njerëzore, herë universale, herë nacionale, por më shpesh me karakter nacional!  Eposi heroik legjendar, i cili përcillet me instrumentin karakteristik tё lahutёs, të shtyn në meditime pёr bёma tё lashta;  të mrekullon me pasurinë e motiveve, temave, ideve, ngjarjeve, heronjve;  të bën të ndjehesh krenar për forcën krijuese gjeniale të popullit shqiptar!  Eposi heroik historik sjell të gjallë historinë e popullsisë gege!  Thirrjet me natyrë triumfale, të madhërishme, monumentale, të pranishme thuajse në çdo këngë tradicionale gege, lirike ose epike, të rrëmbejnë me fuqinë shprehëse të tyre!

Përsa i takon sistemit modal/tonal, muzika tradicionale gege afron mjaft sidomos me muzikën tradicionale qytetare (grupimin muzikor qytetar një-zërësh):  në të dy rastet, sistemi modal/tonal është i dyfishtë:  herë diatonik e herë kromatik.  (Në muzikën tradicionale qytetare, herë-herë, ai mund të jetë edhe pentatonik.)  Vetëm se, natyra kromatike, ose kromaticizmi, i muzikës tradicionale gege, shfaqet në një shkallë disi më të kufizuar, ose shumë më të kufizuar, në krahasim me natyrën kromatike, ose kromaticizmin, e muzikës tradicionale qytetare.  Përveç sistemit të përbashkët modal/tonal, një afri tjetër midis këtyre dy dialekteve muzikorë, ndonëse s’është aq thelbësore, shfaqet përcjellja instrumentore e muzikës zanore.  Duke qenë e përbashkët për të dy dialektet, një veçori e tillë, ndërsa, brenda muzikës tradicionale zanore gege, arrihet kryesisht me instrumente muzikorë tradicionalë (bilbil, fyell, curle, çifteli, sharki, lahutë, lauri, dajre, lodër, etj.), brenda muzikës tradicionale zanore qytetare, materializohet më tepër me instrumente muzikorë modernë (klarinetë, violinë, kontrabas, llautë, kitarë akustike, fizarmonikë, piano, dajre, etj.).

Të kuptuarit e mënyrës së ekzistencës së muzikës tradicionale gege ka qenë një proces bukur i vështirë!  Ç’është e vërteta, gjatë viteve të para të studimeve të mia, unë, thuajse qetësisht, mendoja se, muzika tradicionale gege–zanore o intrumentore—, ekziston thjesht si një dukuri kulturoro-artistike e pandashme në njësi të veçanta, pra, si një dialekt muzikor që nuk degëzohet në stile muzikorë!  (Në atë kohë, ndoshta me naivitet, unë arsyetoja pak a shumë në këtë mënyrë: “Përse duhet vallë që muzika tradicionale gege të ekzistojë në stile muzikorë?!  Çfarë kuptimi do të kishte një dukuri e tillë?!  Apo mos ndoshta ajo do të ishte thjesht një dëshirë subjektive e studiuesit etnomuzikolog?!”)  Mirëpo, me kalimin e kohës, duke dëgjuar këngë tradicionale gege të fshatrave dhe zonave të ndryshme etnografike, gradualisht, dalngadalë, si pa kuptuar, vura re se, muzika tradicionale gege, ekziston në stile muzikorë herë-herë mjaft të spikatur.  Kështu, për mua, filloi të bëhet përherë e më e qartë ideja se, zona etnografike, si:  Malësia e Madhe ose e Shkodrës, Malësia e Vogël ose e Gjakovës, Mirdita, Mati, Dibra, etj., ndërsa këndojnë brenda të njëjtit dialekt muzikor, sërish dallohen muzikalisht njëra nga tjetra.  Që të mund të shprehem në një mënyrë tjetër, arrita në përfundimin se, dialekti muzikor geg i muzikës tradicionale shqiptare, ekziston në stile të ndryshëm muzikorë, sipas zonave etnografike, dhe, herë-herë, sipas fshatrave të caktuar.  Megjithse duket e tepërt, sërish përmend faktin se, një ligjësori e tillë—prania e vazhdueshme e stileve muzikorë–, karakterizon të katërt dialektet muzikorë themelorë të muzikës tradicionale shqiptare:  dialektin muzikor geg, dialektin muzikor tosk, dialektin muzikor lab, dialektin muzikor qytetar.

Vetëm tani, pas dhjetëvjeçarësh të tërë hulumtimesh sistematike në fushën e muzikës tradicionale shqiptare të të gjitha krahinave të vendit, unë jam në gjendje që të vlerësoj siç duhet punën studimore të kompozitorit e muzikologut rus: Juri Arbatski [Yury Arbatsky] (1911-1963).  Që të mund të depërtonte sadopak në të fshehtat e muzikës tradicionale shqiptare gege në përgjithësi dhe të metrikës/ritmikës së saj në veçanti, ai jetoi plot nëntë vite në Gadishullin e Ballkanit (1933-1942).  Arbatski mundi që të shkruaj dizertacionin e tij—Lodra në Ballkanin Qëndror—vetëm pasi arriti që të luajë vetë në lodër, duke marrë mësime nga lodërtari virtuoz shqiptar:  Mehmet i Shpinadijës, banor i një fshati pranë Prizrenit (Arbatsky 1953:vii).  Pa dyshim se, përvoja e këtij studiuesi, mund dhe duhet që të shërbejë si model klasik në veprimtarinë e studiuesve të rinj muzikologë e etnomuzikologë.

Repertori

Muzika tradicionale gege ka një repertor mjaf të pasur.  Mund të shprehem pa ndrojtje se, çdo stil muzikor geg, përfaqësohet nga këngë të një niveli artistik, krijues e interpretues, me të vërtetë mjeshtëror.  Disa ndër krijimet muzikorë më të shquar tradicionalë gegë, të njohurbrenda dhe jashtë Shqipërisë, ndoshta do të ishin:  “Shqipëri, o nana ime,” “Moj e mira nga Gjakova,” “Moj e mirë vetullkunorë,” “Toka jonë e lashtë,” “Moj e mira në Bajzë të Kastratit,” “Ballada e Rexhës,” “Pa gjak malet nuk i lëshojmë,” “Dedë Gjon Lulit,” “Mirë se të gjejmë, Kosova trime,” etj. (brenda stilit muzikor të Malësisë së Madhe ose të Shkodrës);  “Mori nuse, si erdhe pramë,” “N’kambë asht çue e rreptë Shqipnia,” “Në Fierzë kanga buçet fort,” “Emri yt s’harrohet kurrë,” “Moj Vrani,” “Nëpër vepra rrisim shtatin,” “Emrin tënd do t’ja ngjis djalit,” etj. (brenda stilit muzikor të Malësisë së Vogël ose të Gjakovës);  “Mbusha ujë te kroni,” “Fryni nji veri i ftoftë,” “Xhamadani i trimnisë,” “Të marshojmë me partizanë,” “Bjeshkët e larta due me ngjit,” “Gusha jote bardh’ si bora,” etj. (brenda stilit muzikor të Mirditës);  “Plasi toka, bini molla,” “Mori lulja e frashnit t’ bardhë,” “Çfar’ të donte shtati, moj Fate,” “Uje përmbi uje,” “Pa liri nuk rron shqiponja,” etj. (brenda stilit muzikor të Matit);  “O, moj nuse, dil në lëmë,” “Oj syzeza vetullhollë,” “Kur përcolla ylberin,” “Shkojnë pampurat përreth detit,” “Këndojnë pushkët nëpër kulla,” etj. (brenda stilit muzikor të Dibrës).Më lejoni që të jap tekstin poetik të këngës me titull “Shqipëri, o nana ime:”

I

“Shqipëri, o nana ime,

T’përshëndes e t’sjell urime:

Larg të shtrenjtit Mëmëdhe,

N’a bjen dielli, nuk n’a nxeh!

Deti hallet nuk n’a i la,

Malli zemrat n’a i ka tha!

Për kët’ tokë me male të larta,

Ku asht’ balta porsi mjalta!

II

Dallgët ne n’a kan’ shpërnda,

Por nuk ndahet vëllau me vëlla,

Me një zemër si bilur,

Me një gjuhë e një flamur!

Zani i nanës kur jehon,

Preh’n e saja n’a bashkon!

Njani-tjetrin përqafojmë,

Amanetet s’i harrojmë!

III

Plaga në zemër t’mërgimtarit,

Eshtë e thellë sa shpella e malit:

Se ka mall për nanë e motër,

E për bukën pjekë në votër!

Kujton fushat tuj lulzue,

Kujton gurrat tuj burue,

Kujton dasmat ku ka këndue,

Loti s’ndahet, rrjedh si krue!

IV

Jam i lumtun e krenar,

Kur mendoj se jam shqiptar,

Nip-stërnipa thellë në zemër,

Do t’a ruajmë ne kët’ emër!

Kënga shkon tuj fluturue,

Male-dete tuj kalue,

T’përshëndes e t’sjell urime,

Shqipëri, o nana ime!”

Tipare themelorë dallues

Duke i shqyrtuar tiparet më themelorë dallues të muzikës tradicionale gege, qoftë edhe në vija të përgjithshme, ndoshta do të mund të fitohet një ide deri-diku e qartë rreth përfytyrës tërësore, lëndoro-substanciale e strukturoro-formale, të saj.  Lejomëni që të bëj një karakterizim të shkurtër, vetëm se thelbësor, të secilit prej tyre.

 Karakteri strukturor një-zërësh

Karakteri strukturor një-zërëshnënkupton përbërjen e muzikës tradicionale gege nga një linjë e vetme melodike.  Të gjithë zhanret e kësaj muzike–nina-nana ose ninulla, vajtimi ose gjama, kënga maje-krahi ose kushtruese, kënga lirike me llojet më të ndryshme të saj–të dasmës, rituale, të punës, të dashurisë, etj.–, ballada, eposi heroik legjendar, eposi heroik historik, pjesa muzikore instrumentore, vallja tradicionale, etj.–, janë, zakonisht, një-zërësh.  Përsa i takon interpretimit ose ekzekutimit, struktura një-zërëshe e muzikës tradicionale gege sjell si rrjedhojë dukuri, si:  i)  të interpretuarit, zakonisht, nga një këngëtar ose instrumentist i vetëm, individualisht, solistikisht;  ii)  interpretimin rëndom edhe nga dy këngëtarë ose dy instrumentistë, kolektivisht, së toku;  iii)  të intepretuarit, gjithashtu, nga një grup këngëtarësh ose instrumentistësh (tre ose më shumë), kolektivisht, së toku;  iv)  interpretimin në një mënyrë të ndërmjetme ose të trefishtë, e cila bashkon tri rugët e mësipërme.  Mirëpo, pavarësisht nga mënyra e interpretimit ose ekzekutimit, struktura e përgjithshme e muzikёs tradicionale gege mbetet në çdo rast një-zërëshe.

Karakteri modal/tonal i dyfishtë–diatonik e kromatik

Karakteri modal/tonal i dyfishtë–diatonik e kromatik–nënkupton strukturën modale/tonale herë diatonike e herë kromatike të muzikës tradicionale gege.  Karakteri modal/tonal diatonikparakupton një strukturë të tillë të muzikës tradicionale gege, e cila përbëhet nga dy gjysmë-tone dhe pesë tone të plotë.  Sakaq, karakteri modal/tonal kromatik nënkupton një strukturë të tillë të muzikës tradicionale gege brenda së cilës tinguj të caktuar alterohen(ulen ose ngrihen gjysmë-toni me anë të shenjave shartuese)Ose:  nënkupton një strukturë që përdor disa lartësi tingujsh të shkallës kromatike, nëse jo të tëra, përveç atyre të shkallës diatonike.  Dallimi kryesor midis diatonikës dhe kromatikës, si dy gjini të ndryshme universale modale/tonale, qëndron në mënyrën sesi vijnë gjysmë-tonet:  në rastin e parë, gjysmë-tonet nuk vijnë njëri pas tjetrit, kurse në rastin dytë–mund të vijnë njëri pas tjetrit.  Siç tregon përvoja e muzikës tradicionale botërore, rrugë e rëndësishme e përftimit të gjysmë-toneve mbetet alterimi—ulja gjysmë-toni mё poshtё ose ngritja gjysmë-toni mё sipёr–e gradëve të caktuara tё modit.  Alterimi shfaqet si një dukuri thelbësore e kromatikës si gjini modale/tonale.  (Në shkallën e rregullt diatonike alterimet mungojnë.)

Karakteri metrik/ritmik i matur

Karakteri metrik/ritmik i matur nënkupton natyrën e muzikës tradicionale gege për të qenë në përgjithësi e matur, e qartë, e përcaktuar, nga pikëpamja metrike/ritmike.  (Në këtë aspekt, ajo shfaqet thuajse e njëjtë sikurse muzika tradicionale labe, një-zërëshe o shumë-zërëshe.)  Pjesët muzikore, zanore o instrumentore të saj, duke u organizuar në metra/ritme të thjeshtë, të përbërë, të përzier, jepen zakonisht në mënyrë të përpiktë nga pikëpamja metrike/ritmike.  Lejomëni të kujtoj, p.sh., këngët tradicionale gege, sidomos ato që përcillen me instrumente muzikore.  (Pa dyshim se, brenda muzikës tradicionale zanore gege, saktësia metrike/ritmike nxitet mjaft prej shoqërimit instrumentor të saj.)  Më lejoni që të sjell ndër mend, po ashtu, pjesët muzikore instrumentore, veçanërisht ato që organizohen në metra/ritme të përzier:  pesë-njësish (5/8, 5/4), shtatë-njësish (7/8, 7/4), nëntë-njësish (9/8, 9/4), dymbëdhjetë-njësish (12/8, 12/4), etj.  Të mos harrojmë, pastaj, as vallet tradicionale gege, të shoqëruara ose të pashoqëruara me instrumente muzikorë.  Saktësia metrike/ritmike me të cilën jepen të gjithë zhanret e muzikës tradicionale gege–këngët e llojeve të ndryshme, pjesët muzikore instrumentore, vallet–është, sa shprehje e një kulture muzikore me tipare të spikatur nacionalë, aq edhe tregues i aftësive të mrekullueshme interpretuese e ekzekutuese të artistëve popullorë gegë.

Shoqërimi instrumentor

Muzika traditionale gege intepretohet në dy mënyra kryesore:  i)  pa shoqërim instrumentor (a cappella);  ii)  me shoqërim instrumentor.  Mund tё mendohet se, mënyra e parë, historikisht, ka lindur më herët sesa e dyta.Duke njohur si veçori themelore dalluese të saj shoqërimin instrumentor, muzika tradicionale zanore gege, herë-herë, megjithatë, nuk përcillet me instrumente muzikorë.  Një kategorie të tillë i përkasin, midis të tjerash, zhanre muzikorë, si:  nina-nana ose ninulla, vajtimi ose gjama, kënga maje-krahi ose kushtruese, etj.  Duke njohur edhe raste të mos-shoqërimit instrumentor, muzika tradicionale zanore gege, më shpesh, përcillet me instrumente muzikorë.  Një kategorie të tillë i përkasin, midis të tjerash, zhanre muzikorë, si:  kënga lirike me llojet më të ndryshme të saj (të dasmës, rituale, të punës, të dashurisë, etj.), ballada, eposi heroik legjendar, eposi heroik historik, etj.

 

Shoqërimi instrumentor lind, në mënyrë shkakësore, shfaqje të rëndësishme në jetën e muzikёs tradicionale zanore gege, si: qëndrueshmëria modale/tonale, metrika/ritmika e matur, tempua e gjallë, etj.  Së pari, përvoja tregon se, muzika tradicionale zanore gege, duke u përcjellë me instrumente muzikorë të familjeve të ndryshme, fiton një qëndrueshmëri të ndjeshme modale/tonale.  Ajo nuk modulon nga një qendër modale/tonale më e ulët në një më të lartë, sikurse ndodh, p.sh., në muzikën tradicionale zanore toske dhe atё labe.  Nga kjo pikëpamje, muzika tradicionale zanore gege afron mjaft me muzikën tradicionale zanore qytetare, ashtu sikurse edhe me muzikën profesioniste në tërësi.Së dyti, përmes shoqërimit instrumentor, muzika tradicionale zanore gege fiton një metrikë/ritmikë të matur, të qartë, të përcaktuar.  Për këtë ndoshta mjafton të kujtojmë për një çast vetëm saktësinë me të cilën jepen brenda saj metrat/ritmet e përzier.Së treti, në saje të shoqërimit instrumentor, muzika tradicionale zanore gege bëhet më e gjallë, më e vrullshme, më e mprehtë, nga pikëpamja e agogjikës.  (Me këtë, nё asnjё mёnyrё nuk dua që të mohoj se, edhe në kushtet e mungesës së shoqërimit instrumentor, saktësia metrike/ritmike dhe gjallëria agogjike së bashku, mund të jenë gjithaq të pranishme.)

 Muzika gege dhe muzika qytetare

 Muzika tradicionale gege dhe muzika tradicionale qytetare (grupimi muzikor qytetar një-zërësh) afrojnë mjaft midis tyre sidomos nga pikëpamja e sistemit modal/tonal.  Faktorë të rëndësishëm tregojnë se, krahas elementëve diatonikë, një tipar i sistemit të tyre modal/tonal shfaqen edhe elementët kromatikë.  Faktorë të tillë janë:  i)  prania e alterimit, shartimit, uljes gjysmë-toni më poshtë ose ngritjes gjysmë-toni më sipër të gradëve të caktuara të modit;  ii)  përdorimi melodiko-harmonik në mënyrë të dyfishtë–si në gjendje natyrale, ashtu edhe të alteruar–i gradëve të caktuara të modit.

Përsa i takon origjinës së tyre, elementët kromatikë tё sistemit modal/tonal të dialektit muzikor geg dhe atij qytetar, nuk i detyrohen vetëm dhe thjesht ndikimit të kulturës muzikore të Lindjes së Mesme, kryesisht turke, dukuri që erdhi gjatë sundimit pesë-shekullor të Perandorisë Otomane të udhëhequr nga turqit (1468-1912).  Duke marrë në konsideratë vetë origjinën e lashtë të dialektit muzikor geg, si një dialekt fshatar, mendoj se, elementët kromatikë, duhet që të kenë qenë të pranishëm brenda sistemit tё tij modal/tonal bukur përpara pushtimit otoman të shekullit XV.  Kohë më vonë, me lindjen e dialektit muzikor qytetar, elementë të tillë natyrshëm hynë edhe brenda sistemit të tij modal/tonal.  Vetëm se, duhet pranuar që, nën ndikimin e kulturës muzikore të Lindjes së Mesme, kryesisht turke, prania e elementëve kromatikë brenda sistemit modal/tonal tё dialektit muzikor geg dhe atij qytetar, sikur u bë më e ndjeshme.

Muzika gege dhe muzika toske e labe

Nga pikëpamja e pёrfytyrёs tёrёsore lëndoro-substanciale e strukturoro-formale, muzika tradicionale gege afron, gjithashtu, me muzikёn tradicionale toske dhe atё labe.  Ndonёse, përmes një dëgjimi të thjeshtë, afri të tilla mund tё dёshmohen vështirësisht, me anë të një studimi të vëmendshëm, ato dalin në pah lehtësisht.

 Studiues shqiptarë e ndërkombëtarë dhe poetë

Albanologë të ndryshëm, shqiptarë e ndërkombëtarë, herë më pak o herë më shumë, kanë ndriçuar aspekte të rëndësishëm jashtë-muzikorë të kulturës materiale e shpirtërore të Gegërisë.  Midis tyre, alfabetikisht, sipas mbiemrave, lejomëni që të përmend studiues, si:  Peter Bartl, Carleton Stevens Coon, Eqrem Çabej, Anton Çetta, Mary Edith Durham, Gjergj Fishta, Shtjefën Gjeçovi, Andromaqi Gjergji, Johann Georg von Hahn, Qemal Haxhihasani, Ismail Kadare, Mark Krasniqi, Albert B. Lord, Noel Malcolm, Franz Baron Nopcsa, Milman Perri [Milman Parry], Shevqet Pllana, Selami Pulaha, Rexhep Qosja, Georg Stadtmüller, Stavro Skëndi, Demush Shala, Milan Shuflai (Milan Šufflay), Alfred Uçi, Rrok Zojzi, etj.  Studiues të tjerë, shqiptarë e ndërkombëtarë, herë më pak o herë më shumë, kanë ndriçuar aspekte të rëndësishëm muzikorë.  Midis tyre, alfabetikisht, sipas mbiemrave, më lejoni që të përmend muzikologë, si:  Lorenc Antoni, Juri Arbatski [Yury Arbatsky], Ferial Daja, Rexhep Munishi, Ramadan Sokoli, Bahtir Sheholli, Sokol Shupo, etj.

Përfaqësues të shquar të poezisë shqipe, u ndikuan, në radhë të parë, pikërisht prej bukurisë dhe pasurisë së rrallë të poezisë tradicionale gege.  Midis tyre, alfabetikisht, sipas mbiemrave, lejomëni që të përmend figura, si:  Martin Camaj, Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Ndre Mjeda, Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), Vaso Pasha, Arshi Pipa, Lazër Shantoja, Filip Shiroka, etj.  Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, poezia tradicionale gege u lëvrua nga vjershëtorë të mirënjohur popullorë, midis të cilëve, alfabetikisht, sipas mbiemrave, më lejoni që të përmend vjershëtorë, si:  Gjokë Beci, Frrok Haxhia, Dedë Ndue Lazri, Sali Mani, Hazis Ndreu, Tom Nikolla, Fatime Sokoli, etj.  Duke u mbështetur në trashëgiminë e poezisë tradicionale gege, gjatë së njëjtës periudhë historike, doli një plejadë tjetër, më e re, poetësh të talentuar, midis të cilëve, alfabetikisht, sipas mbiemrave, lejomëni që të përmend poetë, si:  Skënder Buçpapaj, Ndoc Gjetja, Rudolf Marku, Besnik Mustafaj, Skënder Papleka, Frederik Rreshpja, Preç Zogaj, etj.  Mbledhës i përkushtuar i folklorit letrar të Shqipërisë së Veriut ka qenë, midis të tjerëve, Qemal Haxhihasani.

Të shpresojmë se, studiues të tjerë, shqiptarë e ndërkombëtarë, etnomuzikologë e muzikologë, do të bëjnë emër pikërisht duke iu përkushtuar hulumtimit të muzikës tradicionale shqiptare në përgjithësi dhe asaj gege në veçanti.

 Epilog

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, mjerisht, etnomuzikologjia shqiptare, me dashje ose pa dashje, vazhdimisht heshti përsa u takon shkallëve muzikore që përmbajnë elementë kromatikë brenda sistemit modal/tonal të muzikës tradicionale fshatare:  konkretisht të dialektit muzikor geg.  Asnjë artikull i vetëm s’është parë që të trajtojë këtë çështje!  Ndërkohë, etnomuzikologjia shqiptare, i vështroi me një frikë të shquar edhe elementët kromatikë që ekzistojnë brenda sistemit modal/tonal të muzikës tradicionale qytetare!  Rrjedhimisht, ajo s’ishte në gjendje që të argumentonte sidomos dy çështje:  i)  praninë e elementëve kromatikë brenda sistemit modal/tonal të muzikës tradicionale gege dhe asaj qytetare qysh në hershmërinë e tyre;  ii)  afrinë e natyrshme që historikisht ka ekzistuar dhe ekziston midis sistemit modal/tonal të muzikës tradicionale gege dhe asaj qytetare.Afritё midis dialekteve tё ndryshëm tё muzikёs tradicionale shqiptare s’janë veçse shprehje e njësisë kulturoro-artistike nacionale tё saj.

*Universiteti Winthrop, Rock Hill, South Carolina, SHBA

SHKARKO APP