Nderim historianit të shquar akademik Stefanaq Pollo

Nga  Qatip Mara*

Me rastin e  95-vjetorit të  lindjes 7 shkurt 1923 – 7 shkurt 2018

Stefanaq Pollo lindi më 7 shkurt 1923. Trekëndëshi natyror: Frashëri hyjnor i origjinës, si vatra e shqiptarizmës; Leusa piktoreske e belbëzimeve të para të lindjes, Përmeti i magjishëm, ku mori mësimet e para të shkollës fillore dhe trashëgimia edukative prindërore, krijuan së bashku portretin e shkëlqyer të studentit, pedagogut, drejtuesit e studiuesit Stefanaq Pollo, me shumë dituri shkencore, me sjellje e qëndrime shembullore, por edhe me bukuri trupore.

Djaloshi Stefanaq Pollo, dallohej për zgjuarsi natyrore e vullnet për të mësuar, qysh në shkollën fillore, në Përmet. Më tej, e vazhdoi me nota të shkëlqyera Liceun Kombëtar-francez të Korçës.

Aty i shfaqi prirjet e tij për historinë, letërsinë e gjuhën shqipe, duke u dalluar për formim shkencor, aftësitë interpretuese e vlerësuese. Vitin e fundit të Liceut ia ndërpreu agresioni fashist, i 7 prillit 1939. Zëri i Atdheut, në ndërgjegjen e tij djaloshare, e motivon të dalë në protestat e para kundër fashizmit, në Korçë. Më vonë ishte pjesëmarrës aktiv në Lëvizjen Anifashiste, deri në çlirimin e plotë të vendit nga pushtimi nazifashist. Nëpër betejat e luftës për liri, ishte kryeredaktor i gazetave “Kushtrimi i Lirisë” dhe “ Zëri Rinisë” Pas çlirimit nuk e pëlqeu jetën politike, por zgjerimin e njohurive shkencore. Prandaj, në vitet 1945-1950, shkoi për studime të larta, në degën e historisë, në Universitetin “Lomonosov” të Moskës, të cilin e përfundoi me arritje shumë të mira.

Kur u kthye në Shqipëri, tashmë, me një kulturë të gjerë, Stefanaq Pollo filloi menjëherë si pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik të Tiranës. Në vitet 1951-1957, e vazhdoi detyrën nënkryetar i Institutit të Shkencave. Me krijimin e Universitetit të Tiranës, në shtator 1957, u emërua dekani i parë i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. Ndërsa në vitet 1972-1989, u caktua drejtor i Institutit të Historisë, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Këto detyra të rëndësishme ai i kreu me përgjegjshmërinë dhe aftësitë e shkencëtarit, me dinjitetin e njeriut të ditur e të kulturuar.

Historiani ynë i shquar, prof. Stefanaq Pollo-Akademik, u ka lënë pas brezave një vepër të vyer, e cila ka vlera të vërteta shkencore, për të sotmen edhe për të ardhmen. Breza studentësh, tani mësues, gazetarë, redaktorë, shkencëtarë, në mbarë vendin, që morën dije nga ky pedagog, meritat e punës dhe arritjet e tyre i njohin me krenari edhe si merita të këtij pedagogu. Ata kanë mësuar prej tij se si të japin më si me leksione, si të bëjnë punë kërkimore-shkencore etj.

Shumë prej tyre i ka ndihmuar në hartimin e temave të diplomës, si dhe për disertacionet e ndryshme, në fushën e historisë sonë kombëtare, për marrjen e gradave e titujve shkencorë. Pra, ata i detyrohen shumë, shpirtërisht, kësaj figure të shkencës e pedagogjisë shqiptare, që më shumë fliste me punë, sesa me fjalë. Ai ka qenë dhe mbetet shembull për ish-studentët dhe kolegët e tij më të rinj: i drejtë, kërkues, nxitës i përhershëm, që edhe ata t’i futeshin sa më shpejt punës pedagogjike-shkencore, duke dhënë vetë shembullin vetjak, duke u bërë për ata shëmbëlltyra e pedagogut dhe shkencëtarit të pasionuar.

Prof. Stefanaq Pollo ka dhënë ndihmesën e vet në zbulimin dhe lartësimin e vlerave historike të Kombit tonë, në një nga periudhat e tij më të ndritura, të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në punimet e tij, ajo jepet jo vetëm në përmasat e veta kombëtare mbarëshqiptare, por dhe në kuadrin ballkanik. Studimet përgjithësuese të tij, kushtuar Rilindjes, janë një kundërvënie e argumentuar ndaj pasaktësive dhe shtrembërimeve të qëllimta, nga disa autorë të huaj dhe fushatës së qarqeve shoviniste fqinje, për denigrimin, mohimin dhe zhvleftësimin e Rilindjes sonë Kombëtare. Kjo nuk ka qenë një detyrë e lehtë, se ishte mjaft vështirë t’i shmangeshe trysnisë së historiografisë së huaj, e cila nuk ia ka arritur dhe as nuk do t’ia arrijë kurrë qëllimit të saj antishqiptar. Parë me këtë sy, punimet e tij, në këtë fushë të studimeve tona historike, marrin një karakter të theksuar aktual.

Ai e ka parë Rilindjen, një periudhë të re, cilësisht më të lartën e historisë sonë kombëtare, e cila çoi në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, në krijimin e shtetit të parë shqiptar, mbi 100 vjet më parë. Për të arritur në përfundime të tilla, ndalej në shqyrtimin e aspekteve kryesore të Lëvizjes sonë Kombëtare antiosmane, siç janë: kushtet ekonomike shoqërore, në të cilat u zhvillua Rilindja; formimi i ndërgjegjes kombëtare dhe depërtimi i saj në masat e gjera popullore; qëndrimi i shtresave të ndryshme shoqërore ndaj Lëvizjes Kombëtare dhe vendi e roli i tyre në të: format e ndryshme të qëndresës antiosmane të shqiptarëve në atë periudhë; programi politik i Rilindjes, ideologjia e Rilindjes dhe përkatësia shoqërore e përfaqësuesve të saj; karakteri politik i lëvizjes iluministe, arsimore-kulturore, gjatë Rilindjes; qëndrimi i rilindësve ndaj problemeve fetare dhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ndaj Fuqive të Mëdha e monarkive fqinje etj.

Përveç artikujve të shumtë në shtyp, në gazeta e revista të kohës, sidomos shkencore, ai është autor i librave, “Në gjurmë të historisë shqiptare”, nr.1 e nr.2. Analizat e thelluara dhe me argumente bindëse, aty u kundërvihen qëndrimeve të ngushta, shoviniste, intolerante, antinjerëzore e antidemokratike. Ato hedhin poshtë mjetet e udhët e gabuara, që lartësojnë epërsinë etnike, nxisin urrejtjen ndaj të tjerëve, si ndaj shteteve ashtu edhe ndaj grupimeve të ndryshme të popullsisë. Ky botim ka vlera të shumta, është me përmbajtje të ngjeshur e trajtim të spikatur profesional, që të shton njohuritë për këtë fushë të dijes njerëzore dhe ngre më lart ndjenjën e atdhedashurisë për vendin tonë dhe popullin e stërlashtë shqiptar, në trojet e tij të sotme stërgjyshore.

Prof. Stefanaq Pollo ishte model pune, përkushtimi moderues, por edhe një model njerëzor. Ai, së bashku me prof. Aleks Budën, krijuan harmoni ndërmjet kolegëve për studimin e çështjeve madhore kombëtare mbarëshqiptare dhe të dy ishin shembulli më i mirë i bashkëpunimit të ndërsjellë e me rendimet të lartë shkencor. Ata plotësonin njëri-tjetrin, duke e përballuar organizimin dhe drejtimin e punës shkencore bashkërisht, për të lëvruar historiografinë shqiptare. Nuk mund të kuptohet shkenca shqiptare, në një periudhë 50-vjeçare të shekullit XX, pa historianët Aleks Buda dhe Stefanaq Pollon dhe pa bashkëpunimin e tyre, si një çift studiuesish shumë të aftë dhe me ndershmëri shkencore objektive.

Prof. Stefanaq Pollo-Akademik ishte pjesëmarrës në kongrese e konferenca: zonale, kombëtare dhe ndërkombëtare. Me referatet dhe kumtesat e tij të thelluara paraqiti arritjet e shkencës historike shqiptare, duke argumentuar teza të rëndësishme shkencore të historiografisë ballkanike dhe evropiane. Ai është autor i studimit “Historia e Shqipërisë, nga origjina e deri në ditët tona” , botuar frëngjisht (Lion, 1974) dhe anglisht (Londër, 1981) dhe tani është i ribotuar në dhjetë gjuhë të huaja, duke shërbyer burim informacioni kryesor, ku bota akademike e huaj njihet me historinë e Shqipërisë.

Prof. Stefanaq Pollos, ishte ndër te parët, që shkroi artikuj në median evropiane, në mbrojtje të të drejtave të vëllezërve shqiptarë kosovarë, duke argumentuar shkencërisht, në gazetën franceze “Le Monde”, të vërtetën historike, se populli shqiptar i Kosovës banon në trojet e stërgjyshërve të lashtë dardanë. Ai ishte pjesëtar i Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës.

*Autori i shkrimit është njëkohësisht autor i librit (monografi)  FRASHËRLLIU – AKADEMIK STEFANAQ POLLO

 

SHKARKO APP