Ndërtimi i Aeroportit të Vlorës ikurajues, por…

…Me ndërtimin e aeroportit të Vlorës duhet bërë mjaft kujdes për shkak të rrudhjes së popullsisë nga hemorragjia e emigracionit, por dhe trafikut. Me një llogari aritmetike i bie që edhe sikur të hamendësojmë se trafiku do shtohet, përsëri nuk do të mund të shfrytëzohet me efektivitet dhe rentabilitet ky aeroport….

Nga Sadedin Çeliku

Sadedin Çeliku

Njoftimi i Kryeministrit Edi Rama lidhur me ndërtimin e aeroportit të Vlorës dhe ndërtimin e terminalit të Farkës në Tiranë janë lajme të mira dhe mjaft inkurajuese. Si qytetar i këtij vendi desha të jap një mendim publik të cilat më duken të nevojshme në situatën që ndodhet aktualisht ekonomia shqiptare. Aeroporti “Nënë Tereza”, Rinas është e kategorisë ndërkombëtare dhe plotëson të gjitha kondicionet teknike të një aeroporti. Është i rrethuar, me shtatë vendqëndrime avionësh, me sistem ndriçimi të pistës, logjistikë bashkëkohore dhe një terminal që përballon një trafik udhëtarësh prej 1. 5 milion njerëzish, por që në fakt kjo shifër ka mbetur në letër sepse viti që shkoi rezultoi me një trafik prej mbi 2 mln udhëtarësh. Sigurisht ka ndikuar ndjeshëm liberalizimi i vizave, pra lëvizja e lirë, por dhe faktorë të tjerë. Sikur qeveria të ndërhyjë e të marri masa që biletat të shiten LOW COST, atëherë trafiku do të rritet edhe më. Ky trafik mund të shkojë dhe 3 mln në vit, por do ketë dhe impakt pozitiv turizmi dhe sektorë të tjerë shërbimesh. Theksoj se deri tani ky aeroport ka përballuar me sukses të gjithë fluksin shqiptar të fluturimeve jashtë vendit.

Aeroporti i Kukësit është përfunduar prej vitesh, por një gabim në marrëveshjen koncensionare me partnerët e huaj e penalizmi. Njëherësh nuk ju dha mundësia atij qarku të punësojë rreth 500 njerëz dhe qytetarëve, të cilët nuk mund të shfrytëzojnë këtë aeroport. Kjo vepër kushtoi 25 mln dollarë grand nga Emiratet e Bashkuara Arabe, është aeroport ndërkombëtar i kategorisë C dhe plotëson të gjitha parametrat e kushtet teknike. Nëse zgjidhet ngërçi që ka bllokuar fluturimet atëherë del se trafiku prej dhe nga Gjakova, Prizreni i largohen Prishtinës dhe marrin Kukësin të cilin e kanë mjaft afër e komod, por do të marri dhe trafikun e realizuar deri tani nga Rinasi të qyteteve Has, Kukës, Tropojë. Ky numër udhëtarësh i pakësohet propocionalisht Rinasit dhe i shtohet Kukësit. Pra mendohet që aeroporti i Rinasit të mos realizojë më shumë se 1.5 mln pasagjerë në vit.

Me ndërtimin e aeroportit të Vlorës duhet bërë mjaft kujdes për shkak të rrudhjes së popullsisë nga hemorragjia e emigracionit, por dhe trafikut. Me një llogari aritmetike i bie që edhe sikur të hamendësojmë se trafiku do shtohet, përsëri nuk do të mund të shfrytëzohet me efektivitet dhe rentabilitet ky aeroport. Ai, si dhe Kukësi do të përfshijë udhëtarët e Fierit, Vlorës, Himarës, Delvinë, Sarandës por ky trafik ul proporcionalisht trafikun e Rinasit. Në këtë mënyrë qytetareve u ofrojmë një shërbim më kualitativ, por të tre aeroportet do dalin me humbje ekonomike dhe kësisoj faturën si gjithmonë do ta paguajnë shqiptarët. Mendimi im është që aeroporti i Vlorës nuk ka pse bëhet më i madh se i Rinasit, është i panevojshëm dhe pse jo i nxituar. Ekspertët e aviacionit civil, Instituti i Transportit dhe Ministria e linjës duhet të bëjnë një studim fizibiliteti real dhe të përgjegjshëm dhe të mos bien pre e presioneve që vijnë nga politika por dhe nga segmente të caktuara qeveritare. Unë do të mbështetja ndërtimet e aeroporteve të vogla, funksionale dhe me pak shpenzime. Ndërkaq mendoj se ka ardhur koha që të fillohet dhe me ndërtimin e terminalit cargos të cilën deri më sot nuk e kemi, madje më duket se jemi shumë të vonuar në kohë. Nga përvoja ime shumëvjeçare në këtë drejtim vërehet se edhe vende mjaft të zhvilluara nuk ndërtojnë aeroporte të mëdha. Nëse do shikojmë Ljubjanën, Shkupin, Strugë, Ohrin, Beogradin, Vjenën, Barin e ndonjë tjetër  vërejmë se operojnë me aeroporte mjaft të vegjël. Berlini me 5.5 milionë banorë, një qytet me mjaft trafik dhe nyje udhëkryqesh kombëtare dhe ndërkombëtare, nyje cargosh (mallrash) e megjithatë ka një aeroport mjaft modest madje gati aq sa i joni.  Ideja e qeverisë për të filluar me shpejtësi negociatat s’më duket e mirë dhe as e drejtë por dhe subvencioni që do t;u jepet turqve nga qeveria nëse aeroporti i Vlorës del me humbje më duket mjaft e gabuar dhe jam i sigurtë që do tu kushtojë shumë shqiptarëve. Nga ana tjetër, nuk na bëhet publike kushtet me të cilat do të negociohet. Marrëveshja do jetë sipas ligjit konçensionit, me kushtin BOOT, partneritet privat apo partneritet publik+privat ? Mbeten për të parë detajet e ideve dhe projektmarrëveshjes.

Pozicioni gjeografik për ndërtimin e terminalit të transportit rrugor më duket i menduar mirë, por projektmoketi i afishuar në faqet e internetit më rezulton me kosto mjaft të lartë. Zor se gjen terminale të tilla në vende të tjera europiane dhe mesa duket ne do jemi të parët që ndërtojmë një terminal aq modern. A nuk do të ishte me mirë që edhe ne si kudo në Botë ta ndërtojmë me konstruksione të lehta dhe me më pak shpenzime. Kush dhe cili është i interesuar të bëjë kaq shumë shpenzime kot e pa bereqet, pse nuk dilni ti shihi terminalet që ka së paku rajoni jonë ballkanik. Të gjithë vendet terminalet i kanë atje ku ka dhe hekurudhë dhe nuk do të ishte më mirë që atje ku do të ndërtohet terminali i hekurudhës të ndërtohesh dhe ai qytetas, ndërqytetas dhe ndërkombëtar ? Shkoni dhe shihni se çfarë konstruksionesh metalike janë përdorur për mërkaton e pazarit ri kur ajo mban vetëm xhamat dhe asgjë tjetër, kush pagoi dhe pse ai projekt me kaq shumë vlerë ?  Sidoqoftë gjykoj që fjalën duhet ta thonë specialistat dhe jo politikanët dhe qeveritaret se nuk janë ato që paguajnë por populli i varfër shqiptar.

*Ish- zëvendësministër i Transportit

SHKARKO APP