Ndryshimi i pagesave/ Më pak bankomate, më shumë terminale për karta

Ulja e përdorimit të parasë fizike dhe nxitja e instrumenteve alternative të pagesave është ende një sfidë për sistemin financiar shqiptar. Anketimet e Bankës së Shqipërisë kanë treguar se 96% e pagesave të konsumatorëve kryhen në para cash.

Dominimi i cash-it në pagesa lidhet me informalitetin, varfërinë ende të lartë dhe kulturën e dobët financiare. Megjithatë, sistemi bankar po tenton t’i ndryshojë këto raporte, sidomos në zonat e zhvilluara urbane, ku mundësitë objektive për ta bërë këtë janë më të mëdha. Një përpjekje e tillë mund të kuptohet nga statistikat që tregojnë dinamikën e infrastrukturës së pagesave gjatë viteve të fundit.

Sipas statistikave, në tre vitet e fundit bankat kanë ulur ndjeshëm numrin e bankomateve dhe kanë rritur numrin e pikave elektronike të shitjes, për kryerjen e pagesave me kartë. Në fund të vitit të kaluar, numri i bankomateve në të gjithë Shqipërinë zbriti në 723, në rënie me 12% që prej vitit 2015. Pjesërisht, kjo lidhet edhe me uljen e numrit të degëve dhe agjencive bankare në vitet e fundit. Nga ana tjetër, numri i terminaleve elektronikë të shitjes arriti në mbi 8700, në rritje me 30% që nga viti 2015.

Megjithatë, kjo tendencë është sidomos e theksuar në rajonin e Tiranës. Mbi 83% e terminaleve për pagesa me kartë ndodhen në kryeqytet, ndërsa depërtimi i tyre në pjesën tjetër të vendit është shumë modest. Një faktor nxitës për pagesat elektronike është edhe rritja e numrit të turistëve gjatë viteve të fundit.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar në Shqipëri u kryen rreth 3.6 milionë pagesa me kartë, për një vlerë totale prej 21.2 miliardë lekësh. Në harkun e tre viteve, pagesat me kartë pothuajse janë dyfishuar, qoftë si numër transaksionesh, qoftë si volum pagesash. Numri i kartave bankare në duart e shqiptarëve është më shumë se 1.1 milionë, nga të cilat afërsisht 10% janë karta krediti.

SHKARKO APP