“Në çdo vështirësi të kombit, do kemi po aq njerëz të dobët, sa të fortë, po aq budallenj, sa të mençur”
Nga Louis P. Masur
CNN – “Presidenti nuk duket aspak mirë,” raportoi John Hay më 26 nëntor, 1863. Kur u kthye pas bërjes së homazheve tek varrezat kombëtare “Gettysburg”, ku ai bëri disa vërejtje të vogla por të nevojshme të cilat më pas do të ishin përcaktuese për luftën dhe për atë çka do të simbolizonte Amerika, Abraham Lincolni ishte sëmur me ethe, për shkak të lisë. Edhe “New York World”, një gazetë që kritikonte ashpër administratën, shkruante që shpresonte “se Presidenti do të shërohej sa më shpejt”.
Lincoln e përballoi sëmundjen me humor. Ai thoshte me shaka se “qëkur u bëra president, shumë njerëzish kanë kërkuar që t’u jap diçka, dhe tashmë kam diçka që mund t’ua jap të gjithëve. Ai me gjithë thjeshtësinë që e karakterzionte si person, shprehej së të qënurit sëmurë i ofronte ngushëllimin që edhe pse sëmundja mund të linte shenja, “mua nuk mund të më shpërfytyrojë.”
Kam menduar për Lincoln-in gjatë kohës që epidemia e Covid-19 vazhdon dhe përhapet. Figura publike si Dr. Anthony Fauci, drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, dhe Guvernatori i New York, Andrew Cuomo kanë dhënë shembullin ideal se çfarë do të thotë të jesh lider në kohë krize. Ato ia kanë komunikuar faktet publikut ashtu siç i dinë, nuk kanë devijuar nga e vërteta sado e rëndë që ka qenë, u kanë ofruar mbështetje atyre që janë në zi, dhe kanë përdorur humor për t’i bërë sado pak më humane, këto kohë të vështira.
Ajo çka e bënte Lincolnin një lider efektiv, ishte që ai kurrë nuk e lejonte peshën e situatës, apo prirjet e tij drejt melankolisë, që ta pengonin të gjente mënyra për t’u ofruar ngushëllime, apo të ngjallte shpresë. Në studimin tim për Lincolnin, i rikthehem gjithmonë një letre që ai shkroi më 23 dhjetor 1862, për Fanny McCullough, vajza e mikut të tij William McCullough, i cili ishte vrarë në betejë.
Lincolni kishte çdo arsye që të mos i shkruante “Fanny-it.” Pasi lufta nuk po i shkonte mirë, kishte kundërshtime ndaj njoftimit të tij për “Shpalljen e parakohshme të Emancipimit” dhe pezullimin e “habeas corpus-it”, dhe në zgjedhjet e nëntorit republikanët kishin marrë një goditje.
Pas humbjes së Unionit në Fredericksburg, Lincolni thuhet se ka deklaruar: “Nëse ka një vend më të keq se ferri, unë jam në të”.
Por, sado i mërzitur që ndihej personalisht, edhe kur në shkurt 1862 djali i tij Willie vdiq në Shtëpinë e Bardhë, ai ishte në gjendje të merrej me të tjerët dhe nevojat e tyre.
Në letrën e ngushëllimit të tij për Fanny, pasi mori vesh që po vuante jashtëzakonisht shumë për shkak të vdekjes së e babait të saj, ai shkroi: “Në këto momente nuk mund ta imagjinoni që do të ndjeheni më mirë, a apo jo? Por gaboheni. Të jeni e sigurt që do lumturoheni përsëri.”
Lincolni nuk rreshte së përgatituri për atë se çka do të vinte në të ardhmen: Në mes të sëmundjes së tij, ai riformuloi planet për rindërtimin e Unionit. Ai e dinte që çfarëdo veprimi të ndërmerrte, do të gjykohej dhe do të mbahj mend. Kjo është ajo që ai nënkuptoi me komentin e tij para Kongresit në Dhjetor 1862: “Ne nuk mund t’i shpëtojmë historisë”. Ai po mendonte për gjykimet e ardhshme – gjykimet tona – për veprimet e tyre për momentin.
Lincolni i inkurajonte njerëzit të mendonin sesi do të dëshironin të kujtoheshin dhe të vepronin në përputhje me rrethanat. Në një letër publike drejtuar mikut të tij James C. Conkling, që do të lexohej në një tubim në Illinois, ku do të mblidhej Unioni në Shtator 1863, Lincoln fyente ata Demokratë që dëshironin paqen dhe kundërshtonin pranimin e ushtarëve me ngjyrë, me këtë vizion të së ardhmes:
“Kur e gjitha kjo të ketë përfunduar, do të ketë disa burra zezakë, që do ta mbajnë mend se, me gjuhë të heshtur, me dhëmbë të shtrënguar, sypatrembur dhe pa iu dridhur bajoneta, ata kanë ndihmuar njerëzimin; ndërsa kam frikë, do të ketë disa të bardhë, që nuk do munden ta harrojnë se, me zemrën e ligë dhe fjalime mashtruese, ata janë përpjekur t’i pengojnë”.
Lincoln në fakt ishte duke u thënë amerikanëve atë çfarë tha Mbretëresha Elizabetë të dielën në fjalimin e saj para Britanisë dhe vendeve të Komonuelthit: “Shpresoj që në vitet në vijim, të gjithë do të jenë në gjendje të krenohen me mënyrën sesi iu përgjigjën kësaj sfide”.
Edhe ndaj atyre që nuk vepruan siç duhej, Lincolni nuk mbajti mëri dhe armiqësi dhe kjo çuditi dhe mrekulloi shumicën: refuzimin e tij për të mbajtur mëri dhe gatishmëria e tij për të falur. “Me keqdashje ndaj askujt; me mirësi për të gjithë,” e përfundoi fjalimin e tij të dytë të përurimit si president, dhe e kishte shumë seriozisht. I pyetur se çfarë të bëhej me rebelët e mposhtur, ai tha: “Lërini të ngrihen avash”.
Kjo nuk do të thotë se ai nuk e njihte ligësinë dhe egërsinë e të tjerëve. “Natyra njerëzore nuk do të ndryshojë,” thoshte Lincolni. “Në çdo vështirësi që do të ndeshë kombi në të ardhmen, në krahasim me burrat e sotëm, ne do të kemi po aq njerëz të dobët, sa edhe të fortë; po aq budallenj, sa edhe të mençur; po aq të ligj, sa edhe të mirë. Le të studiojmë pra, incidentet e kësaj kohe, si filozofi për të nxjerrë mësime, dhe asnjë prej tyre si gabime për t’u hakmarrë “.
Është koha e duhur për të kërkuar tek Lincolni mësime në udhëheqje, filozofi nga e cila të mësojmë mençurinë, dhe një kujtesë se ne nuk mund t’i shpëtojmë historisë. / CNN – Bota.al