Në gjyqin e Ratko Mlladiç në Hagë
Nga Moza Boletini –
Nën statusin e gazetares me disa misionerë të paqes, asistova në një ndër proçeset gjyqësore të kriminelit Ratko Mlladiç në Hagë. Isha bashkë me babain tim, ish i burgosur politik në Shqipëri, nip i Boletinëve të Mitrovicës martire, kur dihej që diktatori hoxha edhe shqiptarët e Kosovës, i burgoste, i vriste, i internonte. Vetëm Xhafer Spahiu bëri ” hajër” në atë rregjim si anëtar i komitetit qëndror, të tjerët u persekutuan nën gijotinën komuniste.
Në një event në Washington, D.C, im atë i tha Presidentit Thaçi “Shumë gjenerata u sakrifikuan për Kosovën, por luftën e fituat ju. Ju lumtë”. Ai e dëgjoi me vëmëndje dhe kureshtje. E takonte për herë të parë….Nisur nga të gjitha këto isha e gëzuar që babai im arriti të shikojë Kosovën e Pavarur.
Duke u ndalur përsëri tek proçesi gjyqësor i Ratko Mlladiç në Hagë, u vu re një situatë tejet e tensionuar. E vështirë do të thoja jo vetëm për Prokurorin e përzgjedhur nga SHBA, por edhe ne si vëzhgues u tronditëm shumë nga faktet, shifrat e larta të krimeve, vrasjeve që kishin ndodhur në Srebenicë. Dëshmimtar i radhës ishte Presidenti i Republikës Serbska, i cili hodhi poshtë çdo akuzë të rëndë ndaj gjeneralit famëkeq Mlladiç, me një fjalë sipas tij Ratko Mlladiç ishte i pafajshëm. Një dëshmimtar shqiptar para tij mungoi në seancë, ndoshta nga presionet, kërcënimet, ku i dihej, pasi kishte ndodhur që një dëshmimtar edhe e kishin vrarë.
Personalisht nëpërmjet medias isha njohur me krimet monstruoze të kriminelit Ratko Mlladiç ndaj popullsisë muslimane, por kur matanë xhamit hermetik në atë sallë gjyqi u ndesha sy me sy me të, seç ndjeva një pështjellim dhe urrejtje pafund.
Me çudit fakti kur sot Ratko Mlladiç vuan dënimin e përjetshëm për genocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, shoqëria civile serbe nuk është ndërgjegjësuar akoma për krimet e tij, por ngrihet nëpër protesta.