Në Prishtinë votohet, në Shkup dialogohet, në Tiranë vegjetohet

Nga Skënder Minxhozi –

Ka qenë shumë e vështirë të detyroje Lulzim Bashën të përmendte togëfjalëshin “zgjedhje të parakohshme”, pak orë pasi Lulzim Lulzim mbylli përfundimisht derën e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Insistimit normal të gazetarëve nëse ai ishte në favor të mbajtjes urgjente të zgjedhjeve, siç po ndodhte në Maqedoni, ai i përgjigjej me frazën standarte “Edi Rama e di vetë ç’duhet të bëjë”!

Kjo parodi politike, ku opozita nuk gjen dot një pikë takimi brenda vetes, as për më të natyrshmen e dëshirave të saj, shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, pasqyron më së miri kënetën ku dergjet këto kohë klasa jonë politike. PD e LSI kanë kohë që nuk bien dakord për momentin dhe modalitetet e mbajtjes së zgjedhjeve në Shqipëri. Kryemadhi thotë se duhet të shkojmë sa më parë në votime, edhe me Ramën kryeministër, kurse Lulzim Basha nuk e di as vetë çfarë do. Përveç një gjëje, të cilën e kanë marrë vesh të gjithë: që ka frikë të shkojë tek kutitë e votimit!

Mbajtja peng e negociatave për anëtarësim në BE për dy vendet e Ballkanit Perëndimor, prodhoi në dy kryeqytetet respektive dy situata cilësisht të ndryshme. Në Shkup u ra dakord të shkohet në zgjedhje në prill, kurse në Tiranë, ashtu siç pritej, qeveria ja hodhi fajin Evropës, kurse opozita bëri sikur u zemërua. Rezultati: asnjë lëvizje, vetëm vegjetim. Debati u fokusua rrejshëm tek nëntë kushtet e Bundestagut, a thua se kemi patur nevojë të dalin ca të huaj e të na vendosin diagnozën.

Problemi shqiptar sot qëndron në faktin se sistemi aktual politik ka skaduar në ide dhe veprim. Partitë ecin me sondazhe në dorë, e jo me sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar. Sepse mjafton të shohësh, e jo të lexosh shifra, për të kuptuar diçka të thjeshtë si drita e diellit: vendi ka nevojë urgjente të shkundet. Dhe me shkundje nënkuptohen disa gjëra fare të thjeshta.

Së pari të nisë dialogu dhe komunikimi mes partive të mëdha të vendit. Pasi PD sulmoi palën tjetër me bojë e molotov nja katër muaj me radhë, veshi rrobat e banjos dhe ju fut plazhit. Dhe pas shtatorit, me stinën e re politike, opozita megjithëse i ndërpreu protestat e dhunshme, vijon të mbajë gjallë logjikën e shkurt-marsit. Jo dialog me Edi Ramën, shprehet Basha, sa herë që zyrtarë të lartë evropianë e amerikanë i kërkopjën dialog pa kushte. Po me cilin atëhere nëse jo me kreun e shumicës? Me cilin, nëse jo me atë që ka pushtetin dhe të paktën gjysmën e votave të Shqipërisë?! Duke mos folur nuk arrihet asgjë përveç statu quo-së. Duke mos folur, hallet e krizat shtyhen, por nuk zgjidhen.

Së dyti, ajo që mungon dhe që është rrjedhojë direkte e dialogut politik, janë reformat e mëdha. Të vetmet që do të krijojnë kushte për më shumë drejtësi, më pak korrupsion, zgjedhje të ndershme dhe sundim të ligjit. Është provuar katërcipërisht se nuk ka asnjë dalje tjetër të shpejtë nga bataku ku ndodhemi, nëse nuk kalojmë nëpër vrimën e ngushtë të ndryshimit të rregullave të lojës në drejtësi, zgjedhje, ekonomi etj. E kjo bëhet jo me Facebook e Instagram, as me deklarata të helmatisura nga podiumet eselive partike, por duke u ulur dhe duke folur. Shikoni çfarë ndodh këto orë: të gjithë thonë duam të nisë dialogu dhe hapat konkrete e askush nuk del nga llogorja. Njëzet minuta takim për reformën zgjedhore me insistimin e skajshëm të OSBE, ku lajmi ishin personat që shkonin e vinin në tryezë, e  jo ajo që bisedohej aty!

Ndërkohë një shtet i ri dhe i papërvojë si Kosova s’e ka për fare merak që të mbajë zgjedhje të parakohshme, ashtu siç e ka hiç gajle të shpallë fitimtarin pak orë pas votimit. Shpërfilleni sa të doni Kadri Veselin dhe Ramush Haradinajn, por shihni çfarë bëjnë. I pari uron palën tjetër për fitoren dhe pranon publikisht humbjen, kurse i dyti, pasi bie nga kryeministër, deklaron largimin edhe nga poltroni i parlamentarit!

Për të mos folur për Shkupin, i cili vërtetë sakrifikoi gjithçka për negociatat dhe u tradhëtua shumë shëmtuar nga Macron e të tjerët. Megjithatë, përtej faturës shumë të kripur që pagoi, Zaev,e  bashkë me të edhe presidenti Pendarovski e opozita,  nuk e humbën logjikën e ftohtë për t’u ulur në mënyrë civile në një tryezë e për të diskutuar duke u parë në sy, sesi dilet nga ky moment delikat. Një leksion i thatë dhe i pamëshirshëm evropian, vetëm dy orë me makinë nga Qafë-Thana!

JavaNews.al

SHKARKO APP