Në shërbim të dashurisë për njeriun

 Profil nga Ndue Dragusha

Vitet ikin nën ritmiken e tyre dhe ne shohim njerëzit me të cilët kemi punuar apo njohur vite e vite me radhë dhe na duket çudi kur dëgjojmë se doli në pension. Gjithsesi vetëm atëhere fillojmë të kujtojmë se jeta ka ecur dhe vitet na tërheqin drejt moshës, e cila nuk ka më kthim pas. Shikojmë vitet tona dhe përnjëherë çuditemi me vete se si kaluan kështu. Megjithatë ndjehemi dhe krenar kur kemi realizuar aspirata pozitive, kur kemi shërbyer ndershmërisht, duke u shpërblyer me fjalët e zemrave të atyre me të cilët punuam dhe shërbyem. Duke ecur rrugëve të qytetit të Lezhës, pothuajse vazhdimish shikoj në xhiro, siç i thonë në gjuhën popullore, një njeri, një grua të nderuar, e cila të gjithë jetën e saj ia kushtoi punës dhe profesionit të mjekësisë, duke dhënë shumë në këtë fushë. Ashtu e thjeshtë, e qeshur, e dashur dhe shumë e komunikueshme si para dyzet vjetëve edhe sot, si në punë, si në pushim. Asnjëherë nuk e mbaj mend të ishte e zemëruar, të këlthiste, siç bëjnë disa njerëz të “vegjël” sapo ngjiten në shkallët e karrierës që fillojnë të bërtasin dhe të bëjnë të diturin brenda një adoleshence të vonuar të tyre, duke u përpjekur të imitojnë ndonjë “kuadër të fortë” të dikurshëm.

Myzin, kështu e thërrisnin të gjithë dhe po kështu e thërrasin Myzejen Dervishin (Dervishleri – Litja), e cila ka disa vite që ka dalë në pension dhe nuk tregon fare se ajo është një pensioniste me formën e mirë që ka si grua, si nënë dhe si qytetare. Përsëri shprehja e qeshur e fytyrës është si në rininë e saj. Ajo thjeshtësi, ajo kulturë qytetare, ajo sjellje e hijshme përsëri në personalitetin e saj. Dhe ne, në shenjë respekti për të dhe personin e saj, për punën dhe kulturën e saj, menduam t’ua sjellim qytetarëve tanë edhe njëherë verimtarinë e Myzit në shërbimin mjekësor. Ajo flet thjeshtë, qetë, ëmbël dhe tregon me një farë modestie për punën që ka bërë gjatë dyzet e një viteve punë.

Myzejen Dervishleri (Litja), e lindur në qytetin e Lezhës, më 20 janar 1952 dhe banuese po në qytetin e Lezhës, e martuar dhe me tre fëmijë, tregon: -Kam filluar punë më 15 korrik deri më 14. 09. 1970 në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor. Më 15 shtator 1970 deri më 30 shtator 1972 kam punuar infermiere-mami në qendrën shëndetësore Kalivaç (Kashnjet) Lezhë. Këtu unë kam ndeshur vështirësitë e para dhe bukuritë e profesionit të nderuar si infermiere–mami, në zonën malore të Kashnjetit. Në kontaktet e bisedat që kam bërë me banorët e kësaj zone jam përpjekur të fus mendimin shkencor të shërbimeve mjekësore, në luftë me konceptet e vjetra, kjo sidomos në kujdesin e shërbimit ndaj nënave e fëmijëve. Këtu fillova të formohem si specialiste e shëndetësisë, duke bashkëpunuar me specialistët e tjerë të shëndetësisë, që shërbenin në këtë zonë. Kam kontribuar në këtë rajon për hapjen e Spitalit Ungrej në vitin 1971, i cili ishte një spital me shërbimet përkatëse, si: sëmundje të brendëshme, pediatri, maternitet, këshillimore e nënës dhe fëmijës etj. Kontributi im në këtë zonë ka qenë i përkushtuar në shërbim të komunitetit. Në tetor të vitit 1972 rikthehem në Spitalin e Lezhës deri në muajin maj 1976, në pozicionin e K/infermieres së repartit të pathollogjisë. Në vitin 1976-1990 kam punuar në ish Kom. Ekz. KP Rrethit, Seksioni i Shëndetësisë, rrethi Lezhë, në funksionin e inspektores, duke mbuluar shërbimin e nënës dhe fëmijës, duke ndikuar në zhvillimin dhe përmirësimin e punës së këtij sektori, si për uljen e vdekshmërisë foshnjore, ndjekjen e problemeve të nënës dhe fëmijës, edukimit shëndetësor, etj. Për një periudhë kohe kam punuar edhe si përgjegjëse e zyrës së arkivit të rrethit Lezhë. Në vitin 1990 rikethehem në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor Lezhë deri në 20 janar të vitit 2012, periudhë që përkon me daljen time në pension, duke kontribuar kështu 41 vjet punë në shërbimin shëndetësor në funksione të ndryshme. Theksoj se (1990 – 2006 kam punuar K/Inf. Përgjithshme e spitalit, duke mbuluar edhe burimet njerëzore, nga viti 2006-20 janar 2012 kam punuar infermiere në specialitetin e alergologjisë në këtë institucion. Puna ime drejtuese dhe organizuese, në sistemin e shëndetësisë ka qenë 36 vjet punë, duke ndikuar pozitivisht që nga ulja e vdekshmërisë foshnjore dhe deri në ndryshimet në konceptin e ri të kujdesit infermieror.

Në vitin 1990 u krijua sektori i ri i infermieristikës, për herë të parë në të gjithë spitalet e rretheve, ku unë, në funksionin e K/inmfermieres së Përgjithshme, së bashku me stafin infermieror, hodhëm bazat, duke futur konceptet e reja bashkëkohore në trajtimin e të sëmurëve. Në këtë plan janë hartuar shumë programe, platforma, tema kualifikimi, protokolle e teknika shërbimi në funksion të kualifikimit të infermier-mamive dhe deri në organizimin e konferencave e seminareve shkencore, që i shërbyen jo vetëm personelit të mesëm shëndetësor të spitalit Lezhë, por edhe si Distrikt (Prefekturë), ndonëse ishim ndër rrethet e para për këto ndryshime, u fitua një përvojë, të cilën Ministria e Shëndetësisë (Departamenti i Infermieristikës) e ka vlerësuar si eksperiencë të re edhe për spitalet e tjera të vendit.

Në organizimin, infrastrukturen dhe përmirësimin e punës në shërbimet e këtij institucioni, ndihmesë të madhe na dha edhe binjakëzimi i Spitalit Lezhë me spitalet e Kantonit Vau-dit, Zvicër për periudhën 1995-2000 (6 vjet). Kam qenë dhe koordinatore e projekteve për Binjakëzimin e Spitalit të Lezhës nga viti 1995-2000. Nga projekti i binjakëzimit ne përfituam shumë si në kualifikimin e personelit të lartë e të mesëm mjekësor dhe deri tek infrastruktura e spitalit, kontribut i dhënë këtu edhe nga Caritasi Zviceran etj.

Po kështu kam qenë koordinatore për një periudhë 2 vjeçare për cilësinë e shërbimeve spitalore, përformancën e treguesve të spitalit, projekt ky i Ministrisë së Shëndetësisë dhe OBSH, eksperiencë e cila është përgjithësuar nga Min. Shëndetësisë, ku Spitali i Lezhës ishte një ndër 6 spitalet pilot në shkallë vendi të përfshirë në këtë projekt. Unë kam qenë pjesëmarrëse në shumë kurse formimi e trajnime të niveleve të ndryshme të organizuara nga Ministria e Shëndetësisë, Caritasi, Shkolla Le Boun – Secur Genevë, ku jam diplomuar dhe çertifikuar për: a-Menaxhim spitali, b-Menaxhim në shërbimin e infermieristikës, c-Krijimin e bazave shkencore të kujdesjeve infermierore tek pacienti, d- trajnuese (për trajnimin e infermiereve në grupe).

Përveç punës si drejtuese dhe organizuese në vijimësi, jam përpjekur të punoj për t’u njohur me të rejat shkencore dhe jo vetëm t’i aplikoj në punën time të përditëshme, por dhe duke i transmetuar nëpërmjet formave, mjeteve e metodave të ndryshme personelit mjekësor si spital, rreth, distrikt e më gjerë në biseda, konferenca, seminare të organizuara lokale, rajonale dhe ato kombëtare, të organizuar nga Min. Shëndetësisë.

Konferenca e parë, organizuar në nëntor 2002 me tematikë: “Perspektivat e infermiere-mamisë në Spitalin e Lezhës”. U referuan temat, si: “Aktorët që kanë ndikuar në trajnimin në Spitalin e Lezhës”, “Rritja e cilësisë së kujdesit infermierore” etj.

Konferenca e dytë, organizuar në muajin nëntor 2003, me tematikë: “Projekte, realizime dhe detyra”. “Me referate kryesore strategjia e infermiereve në shërbimin spitalor Lezhë në vitet 2000-2003”, “Qëllimi i shoqatës së infermiereve, rritja e rolit të saj” etj.

Konferenca e tretë, në vitin 2004, me tematikë: “Vizioni i ri i kujdesjeve infermierore”, me tema referimi, si: “Roli i menaxhimit për kujdesjet infermierore në Spitalin Rajonal Lezhë dhe struktura e shërbimeve”, “Roli i përformancës për standartizimin e cilësisë së shërbimit dhe infeksionet intraspitalore” etj.

Kam referuar në konferenca kombëtare të organizuara nga Ministria e Shëndetësisë, si: “Përvoja e organizimit të Kujdesjeve infermierore në Spitalin e Lezhës në bashkëpunim me OJF”. Kam qenë pjesëmarrëse në seminare e konferenca kombëtare të organizuara nga Spitalet e Kantonit të Va-udit, Zvicër, me Caritasin, nga Ministrisë së Shëndetësisë etj. Për ne ishin arritje futja e karteles infermierore në çdo shërbim si dokument unik, që ofron informacion të plotë mbi gjendjen e pacientit. Ky dokument pasqyron mjekimin, vëzhgimin, përkujdesjen dhe elementet edukativë, si dhe marrëdhëniet e personelit infermieror me pacientin apo familjarët.

Formimin e infermiereve me programet bashkëkohore, trajnime të ndryshme, kanë sjellë ndryshime të rëndësishme në konceptimet e përkujdesjeve shëndetësore, rolit të infermierit në fushën e veprimit jo vetëm për sëmundjen, por edhe shëndetin dhe vlerësimin e individit në tërësi, që do të thotë infermierja jo të merret vetëm me mjekimin apo injeksionet, por të futet në psikologjinë e tij, duke u marrë me gjithë nevojat dhe ndihmën që ai kërkon.

Hartimi i protokolleve të sëmundjeve dhe teknikave të shërbimit, ka bërë një hop cilësor në strategjinë e kujdesit infermieror, që ka ndikuar direkt në rritjen e standardeve të cilësisë së shërbimit në të gjitha nivelet e specialiteteve dhe nënspecialiteteve në shërbimin spitalor, përformancen, integrimin në rritjen e vlerës tekniko-profesionale dhe etiko-deontologjike, që shërbejnë për formimin e vazhdueshëm profesional.

Të gjitha këto kanë ndikuar në arritjen e rezultateve, falë edhe bashkëpunimit të të gjitha hallkave e strukturave: Drejtori, shefa shërbimi, K/infermier-infermier e çdo bluzë e bardhë.

Botime: 1. Anëtare e grupit të punës në hartimin e rregullores. “Kujdesjet infermierore –Dokument Themeltar I (1, 2, 3, 4, 5, 6) të organizuara nga Ministria e Shëndetësisë -Drejtoria e Burimeve Njerëzore- Sektori i Infermieristikës, Maj 2004.

  1. Bashkautore: Dr. Dedë Jaku, Dr. Bruna Kola dhe Myzejen Dervishi “Mjekësi e specializuar”, Broshurë me rastin e 30 vjetorit të Spitalit Lezhë, viti 1998.
  2. Bashkautore: Dr. Dedë Jaku, Myzejen Dervishi (Litja), broshurë ”Rezatimi i mjekësisë zvicerane në Spitalin e Lezhës 1995-2000” (Impresione).
  3. Botime në revistën e parë të infermiereve me dy artikuj.
  4. Ka përgatitur një studim mbi historikun e infermieristikës në vite në Spitalin e Lezhës, (material i dhënë Drejtorisë së Spitalit Lezhë).

Nga viti 2006–2010 ka dhënë mësim: leksione, seminare dhe praktika në shkollën e Lartë të Infermiereve private “Medicom”, në lëndët: Bazat e kujdesjeve infermierore, Kujdesjet infermierore në sëmundjet e brendshme etj.

SHKARKO APP