Në Shkodër është agjeruar edhe kur feja ishte e ndaluar, Myftiu i Shkodrës: Mos u merrni shumë me tryezën, por lutuni!

Besimtarët myslimanë po agjerojnë në një situatë krejt të pazakontë këtë vit muajin e shenjtë të Ramazanit.

Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, në një intervistë për emisionin “Kjo është koha”, një emision kushtuar Ramazanit në Rtv Ora,  tha se natyrshëm besimtarët nuk e kanë pritur mirë këtë situatë por se drejtuesit e komunitetit mysliman atje i kishin paraprirë kësaj situate duke angazhuar imamë dhe teologë me ligjerata online për besimtarët.

Pademinë ai e konsideron një mëshirë të Zotit që po na kthen te dashuria dhe mëshira e tij.

“Një virus i vogël që nuk shihet me sy të lirë i ka vendosur të gjithë njerëzit në një alarm dhe i ka bërë që të merren me veten e tyre” thotë ndër të tjera Myftiu i Shkodrës.

Ai është besimplotë se kjo sfidë e re do ti shërbejë gjithësecilit për të përmirësuar cilësinë e marrëdhënieve të tij jetën dhe me tjetrin.

Po cila është lutja më e mirë në këtë muaj të Ramazanit duke marfrë parasysh edhe situatën ku ndodhemi?

“Allah, o Zoti i gjithësisë ne të lutemi ty të na mëshirosh, të na udhëzosh dhe të na ndriçosh zemrën dhe mendjen”.

Pjesë nga intervista në Rtv Ora

Si ka filluar ky muaj Ramazani në raport me këtë situatë dhe si kanë reaguar besimtarët në Shkodër?

Muhamed Sytari: Është një e vërtetë e madhe që nuk duhet ta harrojmë asnjëherë se në Shkodër është agjeruar muaji i Ramazanit edhe në momente më të vështira sesa këto që po jetojmë këto muaj dhe këtë vit. Edhe në kohë të shkuara kur ndalohej feja në mënyrë të dhunshme, agjerimi ka vazhduar në mesin e njerzve dhe për këtë dëshmitë janë të shumta. Forca e besimit, ajo drita e madhe e udhëzimit që është në zemrat e njerëzve, ajo nuk mund të preket nga asnjë ndërhyrje materiale, as nga dhuna, as nga privimi, as nga udhëzimi për tu izoluar, nga asgjë. Ajo është kontakti direkt mes Zotit dhe robit të tij. Muaji i madhërishëm i Ramazanit ka si qëllim të zhvillojë në zemrën e besimtarit këtë ndjesi të veçantë që është ajo lidhje e drejtëpërdrejtë me Zotin, është një prej adhurimet më sekrete. Tani jemi në momentet e agjerimit dhe askush nuk mund të thotë për tjetrin është apo jo agjërueshëm. Agjerimi bëhet vetëm për hir të Zotit, krijuesit të gjithësisë që thotë njëkohësisht që agjerimi është i imi dhe unë e jap shpërblimin për ty. Tashmë në Shkodër natyrshëm njerëzit nuk e kanë pritur mirë këtë situatë pasi për hir të së vërtetës sepse jemi mësuar ta presim muajin e madhërishëm të Ramazanit me tubime të shumta, me gjallërimin e xhamive, faljen e namazit dhe taravisë në xhami të shumta të qytetit të Shkodrës, tubimin për leximin e Kuranit  në mënyrë të përditshme, atmosferën e begatë të lëvizjes dhe komunikimit me njerëz të shumtë. Gjatë periudhës gati një mujore para Ramazanit i kemi paraprirë këtij momenti duke ditur që kjo situatë ka përfshirë mbarë botën islame duke angazhuar imamë dhe teologë të nderuar të Shkodrës që përditë kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë ligjerata online. Kjo e zbut sadopak këtë realitet.Përtej kësaj ne jemi në terren, ndjekim xhamitë tonë, ezani nuk është ndaluar për asnjë moment.Nuk është njësoj kjo situatë me atë që ishte.

Virusi apo pandemia, është një sprovë, është një dënim apo një mundësi nga e cila mund të gjendet rruga për të përfituar prej saj?

Muhamed Sytari: Është mëshirë e madhe nga Zoti i gjithësisë se u jep mundësi njerëzve për tu parë në pasqyrën e zemrës dhe shpirtit dhe për të bërë një llogari të madhe se ku është dhe ku ishte, a është në rregull ecuria e tij në marrëdhënie me Zotin. Ky virus i vogël që nuk shihet me sy të lirë kthehet në një sprovë për njerëzinë.Sot nuk dëgjojmë propagandat e para dy muajve as lajmet e frikshme, dhunës, terrorit, luftrave, të shkatërrimeve, të bombardimeve, të vëllavrasjes, të gjakderdhjes gjithandej në botë. Nuk dëgjojmë më lajme për djegien e pyjeve, shkatërrimin e ekosistemit, problemeve që lidhen me keqmemenaxhimin e pasurive natyrore. Një virus i vogël që nuk shihet me sy të lirë i ka vendosur të gjithë njerëzit në një alarm dhe i ka bërë që të merren me veten e tyre. Këtë fenomen e konsideroj si mëshirë nga Zoti i gjithësisë që gjithësesi po na kthen te dashuria dhe mëshira e tij, nuk po na shkatërron. Ky virus nuk është vrastar, nuk është kaq i frikshëm sa propagandohet.

A mendoni se pas kësaj pandemia shoqëria shqiptare do të bëhet më e mirë nga ana cilësore?

Muhamed Sytari: E pamë me tërmetet sesi njerëzit u solidarizuan me njëri-tjetrin. Pa asnjë dyshim edhe kjo sfidë e re do ti shërbejë gjithësecilit për të përmirësuar cilësinë e marrëdhënieve të tij jetën dhe me tjetrin.

Shumë sociologë mbështesin një tezë sekulariste që pretendon se koha e teknologjisë së lartë ka bërë që njeriut ti humbasë elementi shumë shpirtëror dhe si rrjedhojë edhe elementi teologjik, fetar. E besoni këtë tezë dhe apo ndodh ky fenomen edhe me besimin islam?

Besoj fort se shekulli XXI është shekulli i islamit. Njerëzit sado larg që të shkojnë dhe sado që të devijojnë dhe harrojnë derën e Zotit do të gjejnë përherë një dritë udhëzimi në këtë fe të madhënueshme islame që ka ardhur për mbarë njerëzimin dhe që ka garancinë e Zotit për të dhuruar përmes kësaj drite hyjnore mëshirën e tij për mbarë njerëzimin.

Cila do të ishte lutja më e mirë që mund të bëhet në këtë situatë?

Muhamed Sytari: Në këtë muaj të begatë të Ramazanit kemi momente të shumta për t’ju lutur Zotit por dy momente janë garante që Zoti i përgjigjet lutjes së gjithësecilit prej nesh.Momenti i parë është kur ngrihemi për të ngrenë syfyrin, është një kohë e rrethuar me bekim dher mëshirë nga Zoti dhe jemi të lutur që në atë kohë të lutemi dhe të përgjerohemi para duarve të Allahut. Momenti i dytë është në prag të iftarit, të mos angazhohemi shumë me tryezën dhe me ato orenditë por të shfrytëzojmë kohën për tu lutur. Lutja më e mirë në këto momente është: Allah, o Zoti i gjithësisë ne të lutemi ty të na mëshirosh, të na udhëzosh dhe të na ndriçosh zemrën dhe mendjen.

SHKARKO APP