Negociatat nuk u çelën sërish…deri kur kështu?

Nga Marjana DODA –

Një vit më parë në Koha Jonë* kam shkruar se negociatat ndoshta nuk do të çelen kurrë. Ndonëse atëherë u angazhuan vende të rëndësishme, madje dhe opozita i kërkoi zyratarisht BE-së çeljen e tyre e nga pozita u konsiderua si fitore, por çdo gjë u sfumua thjesht në thënien:” Do të çelen në qershorin tjetër”. Çelja e negociatave tashmë është bërë si loja me kungullesha: Jo këtë vit. Por kur? Vitin tjetër. Por përse vitin tjetër?  Por kur?…dhe kështu pambarim.

Në analizën time të para një viti mendoja se problemet  brenda vetë BE-së, mungesa e dialogut politik në një parlament të tipit “komunist”, në një vend ku drejtohet me mentalitet satrapist, me një sistem drejtësie të kalbur, ku droga, krimi i organizuar dhe korrupsioni janë bërë aq shumë problem, vetëm me punësime militantësh të partisë në pushtet në administratën publike, vështirë se do të mund të çeleshin ato,  përkundrejtë vlerave që duhet të mbartë një shoqëri për tu bërë pjesë e familjes europiane.

Një vit më pas doli sërish se jemi më keq se një vit më parë, si vendi i parë në kultivimin e trafikimin e drogës, në eksportimin e krimit të organizuar drejt vendeve të BE-së që çdo ditë shpreh shqetësim për krimin e ardhur nga Shqipëria. Një vit më pas dolën abuzime me koncensione e tendera. Rasti më i fundit flagrant i kompanisë fantazmë “DH Albania” në Unazën e Re ku zhdukeshin miliona euro dëm nga buxheti i shtetit mbi taksapaguesit shqiptarë, në një vend ku nuk dihet ende minimumi jetik. Ndërsa sheh fëmijë e të moshuar në nevojë ekstreme si në poemen e mjerit ” kur shef fytyra të zbehta dhe sy të jeshilta, që të shikojnë si hije dhe shtrijnë duart e mpita”,  në një shoqëri ku nuk ka më mëshirë por oligarkë e qeveritarë  që pasurohen me djersën dhe gjakun e popullit të tyre. Një vit më pas gazeta e njohur gjermane “Bild” botoi regjistrime se si krimi organizuar dhe pushteti të vjedhin votën, të vetmen të drejtë legjitime në një demokraci elementare.

Një vit më pas dukemi sikur jemi kthyer pas si kurrë më parë. Një vit më pas jemi një shtet pa shtet, ku nuk funksionojnë institucionet më të rëndësishme, ku nuk ka opozitë në parlament, ku janë në luftë qeveri e president, ku nuk ka gjykatë kushtetuese e gjykatë të lartë, në një vend ku zgjedhjet për pushtet lokal do jenë njëpartiake, në një vend ku populli është ndarë në dy fronte duke provokuar një konflikt të mundëshëm civil. Atëherë, ku po shkojmë?

Ndonëse BE pati në plan të çelë njëherësh negociatat me Maqedoninë e Veriut, pas largimit të “dimrit Gruevski” e pagëzimit të emrit, pranvera maqedonase duket se ka çelur, porse tashmë “dimri shqiptar” po bëhet pengesë dhe për të, deri aq sa Presidenti Stevo Pendarovski, më 14 qershor të deklaronte se:” Problemi më i madh është ndarja me Shqipërinë. Shqipëria tani është rrëmujë. Opozita është larguar nga institucionet dhe po bëhet më e tensionuar”. Ndërsa pas takimit me Kancelaren Merkel, kryeministri Zoran Zaev do të ishte optimist se sipas tij Buntestagu në shtator do të japë dritë jeshile për fillimin e negociatave, ndërkaq më 14 qershor diplomatët e BE-së  mbështetën se Maqedonia e Veriut ka bërë shumë përparime në bisedimet për futjen në union.

Ndonëse forumet aktuale të BE-së, me gjithë dashamirësinë dhe predispozicionin e tyre kërkuan shpejtim të procesit, nuk mundën të realizonin fjalën e dhënë një vit më parë. Më 29 qershor 2019 në konferencën e Luksemburgut, Komisioneri i Zgjerimit të BE-së, Johanes Hahn e motivoi shtyrjen duke deklaruar se; “Disa shtete anëtare  kërkuan më shumë kohë për të vlerësuar raportin e përparimit të dy vendeve. Disa vende, si Hollanda, Danimarka, Franca dhe Gjermania kanë kërkuar më shumë kohë për të vlerësuar raportin e përparimit të dy vendeve”.  Pra, vendet me të rëndësishme të BE- janë ende skeptike. Sipas gazetës njohur gjermane “Süddeutsche Zeitung” , vetë Kancelarja Merkel i ka bërë refuzim në një seancë në komisionin parlamentar të Bundestagut rreth dëshirës së Komisionerit Evropian për hapje të shpejtë të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë e Maqedonisë Veriut.

Megjithë këtë zhgënjim, Ambasada e SHBA-ve në një deklaratë të saj më 30 maj do të inkurajonte se:” Ne mirëpresim rekomandimin e Komisionit Evropian për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit dhe konfirmimit të saj, se Shqipëria vijon të bëjë përpara në zbatimin e reformave jetike dhe të pakthyeshme. SHBA mbeten të përkushtuara që të punojnë me partnerët tanë shqiptarë e të BE-së për të siguruar integrimin me sukses të Shqipërisë në BE”.

Por duhet theksuar se në rreth 30 vite demokraci, ndërkombëtarët në të shumtën e rasteve kanë dështuar në këshillat dhe qëndrimet e tyre në Shqipëri. Në tërë aktivitetin e tyre ata thuajse janë bërë gjithnjë palë me forcën qeverisëse dhe janë joshur në forma të ndryshme prej saj, dhe asnjëherë me opozitën,ose me saktë të jene avokate të popullit. Vetëm në rastet kur ka ndodhur destabilizim ata sensibilizojnë qeveritë për të mbajtur qëndrim. Në vendet e tyre qeveritë dhe ministrat japin dorëheqjen e prishen koalicione për një nënshkrim kontrate abuzive (rasti zv.kancelarit austriak Sebastian Kurz), ndërsa në Shqipëri inkurajohet autokracia si një atavizmë e komunizmit që i shkon aq për shtat mentalitetit politik shqiptar.

Mesazhet e shtyrjes çeljes negociatave nuk janë aspak të qarta. Ndonëse ministri i Punëve të Jashtëm e të Evropës George Ciamba deklaron se Parlamenti dhe KE kanë dorëzuar raportin për të dy vendet anëtare të BE, se kanë bërë përparim, Shqipëria veçanarisht në gjyqësor, do nënvizonte se kriza politike në Shqipëri ka ndikuar negativisht në pozitën e disa vendeve, por përkundrejtë pretendimeve të Pendarovskit, vendimi për të dy vendet do jetë unik.

Por gjasat janë se Maqedonia e Veriut mund të përparojë më shpejt në rrugën drejt negociatave. Preceptimi i mesazheve të perëndimit janë aq të paqarta, ose preferohen të konsiderohen të tilla, saqë dhe vetë liderët në Shqipëri i lexojnë  ndryshe nga njëri-tjetri. Kështu, më 29 maj k.min Edi Rama do të cilësonte se: “Rekomandimi  pozitiv pa kushte i Komisionit Evropian për çeljen zyrtare të negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE konfirmon se Shqipëria i ka kryer me sukses detyrat e shtëpisë në këtë proces”(ndërkohë një vit më parë e konsideronte fitore). Ndërsa kryetari opozitës Lulëzim Basha, më 18 qershor do deklaronte se:” Shqipërisë ju mohua për të tretën herë nën qeverisjen Rama hapja e negociatave për anëtarësim në BE…vazhdojmë të mbetemi vendi më i izoluar në Evropë. Negociatat sot do të ishin hapur nëse Shqipëria nuk do të kishte qeverinë më të korruptuar në Evropë, nëse Shqipëria nuk do të ishte zonë e lirë e drogës dhe krimit”. Por edhe ky reagim I  opozites  nuk ka me vend pasi sic u citua me siper, Komisioneri Hahn dhe  Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian Federika Mogherini theksuan serish se  “Në bazë të një vlerësimi të rreptë dhe objektiv këtë vit për herë të dytë komisioni rekomandon çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut,pasi i kanë plotësuar të gjitha “detyrat e shtepise” . Atëhere kush nuk po i “vlerson” saktë e në mënyrë objektive këto detyra? Përfaqsuesit Europian, opozita  apo qeveria Rama në vend që ti beje detyrat  në shtepi …ato i ka bërë në “klase “ kuturu (!)

Megjithate  ministri Jashtëm Gent Cakaj, duhet thëne se përpos të tjerave karekterizohej me shpirt “pozitiv” do të entuziasmohej duke thënë se; “Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme në Luksemburg ka marrë vendim për shtyrjen e vendimit për hapjen e negociatave në një moment tjetër, por jo më larg se në tetor”.

Por a do çelen negociatat në Tetor?

Unë mendoj se jo. Me vjen keq z.minister ,pamvarsisht se dhe une jam tejet pozitive në tërësinë time, kësaj radhe realiteti është më i forte se unë. Nuk mund të çelen kur vetë BE  ka problem në zgjedhjen e forumeve drejtuese të saj, ku konfigurimi politik ndoshta nuk do të ketë vullnetin e protagonistëve të legjislaturës së mëparshme, kur situata politike në Shqipëri është në prag destabilizimi, ku në parlament nuk ka opozitë, kur zgjedhjet lokale po zhvillohen vetëm me një parti politike.

Pas 30 qershorit ende nuk dihet çfarë do të ndodhë. Nëse do formohet qeveri teknike tranzitore , sipas akuzave të opozitës  do dalin sheshit abuzimet me tendera e punësimet në administratën publike, me koncensionet e lidhjet e pushtetit me krimin Ndërkohë do vazhdojë të jetë e brishtë situata në Prokurori e gjyqësor,  ku vettingu po i rrëzon çdo ditë si gjethe të një lisi të kalbur një e nga një, dhe për më shumë që deri më tani asnjë politikan e qeveritar nuk është ndëshkuar nga ligji .

Ndaj nuk do të çelen negociatat, ndoshta  as deri në tetorin tjetër, në një vend ku nëse vazhdon të humbë shpresa mund të ndodhë eksod masiv dhe mund të kërkohen ekzile nga politikanë e qeveritarë të korruptuar, ndërkohë që Hollanda kërcënon deri në heqje vizash për Shqipërinë, pse jo, nuk dihet nëse do mbështetet dhe nga vende tjera për të na izoluar. Nuk do të çelen këto negociata përsa kohë ju qeveritarë punoni për imazhin tuaj personal jashtë kufijve dhe jo për popullin tuaj , jo për Shqipërinë. Fatkeqesisht sot në Shqipëri  ka makth për shpëtim, ndërsa negociatat  mbeten ende  një ëndërr …

_________________________________________

* Koha Jonë, datë 21.7.2018 “Negociatat ndoshta nuk do të çelen kurrë”.

SHKARKO APP