Nëse s’hapen negociatat në qershor, “fajin e ka vetëm Rama”…

Nga Kastriot Islami

Mogherini, në fakt Komisioni Europian, e tha “fjalën e mirë”, pra na e dha dhuratën…Nuk ka rëndësi se nëse raporti pasqyron realisht gjendjen e vërtetë, rëndësi ka që propozimi është në favor të hapjes së negociatave, sepse mund të ishte edhe ndryshe…Dikush mund të pyeste se përse vendimi në qershor mund të jetë i ndryshëm nga rekomandimi në prill? Apo nëse është vendimi i qershorit më afër realitetit, atëherë si duhet klasifikuar propozimi i prillit? Sepse do të ishte e vështirë, madje e pamundur, që një vendim i qershorit të ishte i ndryshëm nga propozimi i prillit, dhe të dy të pasqyronin gjendjen me të njëjtin realizëm.

***

Nejse; në çdo rast do të duhet të falenderojmë Mogherinin apo më saktë burokratët e Brukselit për propozimin optimist. Edhe sikur të kenë thënë fjalë më të mira se çfarë meritojmë. Edhe thjesht si dhuratë! Është e sigurtë se në Bruksel, Berlin, Paris apo gjetiu e kanë shumë të qartë se cila është realisht gjendja në Shqipëri. Po ashtu raporti nuk është bërë i tillë se “duan fort Ramën” apo se “Vllahutin nuk ka raportuar me realizëm gjendjen në Shqipëri…”. Arsyet janë disa të tjera. Një prej tyre e tha Presidenti francez në fjalën e tij në Strasburg: “Jam dakord që vendet e Ballkanit duhet të bëhen pjesë e BE për shkak të rrezikut që ju vjen nga Rusia apo Turqia, por BE duhet të thellohet para së të zgjerohet…”. Sa real është rreziku i faktorëve të tretë për Shqipërinë është çështje që “ha diskutim”. Por vendet e rëndësishme të BE ose më saktë disa vende të BE, po përdorin si argument për rritjen e shpejtësisë së integrimit të Ballkanit, pikërisht rrezikun e faktorit të tretë. Por ndërkohë janë të frikësuar se vendet e Ballkanit pasi do të bëheshin anëtare të BE mund të mos shpëtonin nga ky rrezik dhe të vazhdonin të kishin lidhje të dyfishta, prandaj Makron, duke kritikuar autoritarizmin e disa vendeve kërkoi që para zgjerimit të forcohen rregullat e funksionimit të BE.

***

Pas propozimit të Mogherinit, fjalën e kanë kryetarët e shteteve të BE për të marrë vendimin në qershor 2017. Analiza dhe vlerësimi i tyre mund të jetë i ndryshëm nga ai i burokratëve të Brukselit.

Sepse së pari, ata janë personazhe politikë që iu duhet të marrin vendimin, ndërkohë që burokratët e Brukselit, përfshi edhe Mogherinin e Hahn, vetëm propozojnë, prandaj dhe raportet e hartuara prej tyre mund të bazohen në një analizë dhe vlerësim ndryshe. Le të shpresojmë që vendimi i kryetarëve të shteteve të ndjekë logjikën e propozimit.

Së dyti, kryetarët e shteteve, kanë mbi kurrizin e tyre përveç zgjerimit edhe forcimin e Bashkimit aktual Europian. Brexit ishte një sinjal që duhet marrë në konsideratë. Zgjedhjet në Itali po ashtu. Makron u shpreh se zgjerimi i BE drejt Ballkanit duhet të paraprihet nga forcimi i Bashkimit Europian përmes thellimit. Një debat permanent në BE, për të gjetur modulacionin adekuat mes zgjerimit dhe thellimit në mënyrë që të sigurohet funksionaliteti i BE dhe procesi i vedimarrjeve të BE të jetë efikas. Dhe që vendet e reja të mos bëhen bllokuese të funksionimit të BE.

Së treti, kryetarët e shteteve janë të zgjedhur nga qytetarët e tyre, ndërkohë që burokratët e Brukselit janë të emëruar, prandaj këndveshtrimet e tyre mund të ndryshojnë. Në shumë vënde të BE, konfiguracioni politik që mbështet kryetarët e tyre të shtetit, është i brishtë. Prandaj sjellja e Merkel, Makron, e tjerë do të varej shumë nga gjëndja e votuesve, të cilët përcaktojnë edhe fatin e tyre politik. Kështu që kryetarët e shteteve janë të detyruar të marrin në konsidederatë edhe këtë faktor. Dhe gjëndja e votuesve për vëndet e Ballkanit, përfshi edhe Shqipërinë, nuk diktohet nga vlerësimi pozitiv i Mogherinit. Aq me tepër që nga vendet e Ballkanit, përvec se dëgjojnë cdo ditë lajme jo të këndshme, cdo ditë në vendet e tyre arrijnë shqiptarë që kërkojnë azil. Dhe për më tepër numri i tyre ja kalon edhe atij nga Siria, nga Afganistani…Thënë më thjesht, Merkel, Makron, apo dikush tjetër në Hollandë a Danimarkë, ndikohen më shumë se cfarë mendimi kanë qytetarët e tyre për Shqipërinë dhe emigrantët shqiptarë sesa cfare shkruan Mogherini apo burokratët e Brukselit!

***

Si përfundim duhet pritur qershori, me dëshirën e madhe dhe shpresën që kryetarët e shteteve të marrin një vendim në favor të hapjes së negociatave, sic propozoi dje në Tiranë edhe Mogherini. Nëse vendimi i qershorit nuk do të ishte në favor të hapjes së negociatave (larg qoftë!), fajin nuk e kanë ata që emigrojnë. Po ata që i kanë detyruar të emigrojnë. Dhe ata emigrojnë nga mungesa e shpresës për të jetuar, punuar dhe ndryshuar gjëndjen në Shqipëri.. Thënë shkurt e qartë, nëse në qershor nuk merret vendimi për hapjen e negociatave, fajin nuk e ka as Merkel, as Makron, as të djathtët konservatorë në vendet e tyre, as populistët, as opozita apo kundërshtarët në Shqipëri, as Rusia, as Erdogani, as Saimir Tahiri, as Adriatik Llalla, as Tom Doshi, as….as… Për këtë fajin e ka vetëm Rama dhe qeveria e tij, askush tjetër. Kjo duhet të kihet shumë mirë parasysh që tani dhe jo nesër apo në qershor!

SHKARKO APP