Nga i importojmë ilaçet? Italia me Gjermaninë në vend të parë, Turqia ka “rrëmbyer” vendin e 3-të
Gjatë të gjithë vitit të kaluar, vendi ynë ka importuar produkte farmaceutike për një vlerë prej rreth 24.2 miliardë lekësh. Por cilat janë vendet kryesore nga ne importojmë këto produkte? Në vend të parë në 2019-ën ishte Italia me rreth 3.38 miliardë lekë, thuajse njësoj sa Gjermania e vendit të dytë.
Në vend të tretë, me rreth 2.7 miliardë lekë, ndjek Turqia. Turqia është një prej vendeve që ka njohur rritjen më të ndjeshme në tabelën e importeve shqiptare në këtë zë, pra të produkteve farmaceutike, nga diçka më shumë se 40 milionë lekë në vitin 2005, në gati 3 miliardë sot. Kthesa e madhe ka ardhur në vitin 2007, dhe që prej atëherë Turqia është ngjitur gradualisht në vend të tretë.
Vendin e 4-t të listës e mban një prej prodhuesve më të mëdhenj në botë të produkteve farmaceutike, Zvicra, me rreth 2.5 miliardë lekë. Sllovenia, Franca, Greqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Danimarka me Serbinë mbylin 10-tëshen e importuese më të mëdhenj të produkteve farmaceutike në vendin tonë. Katër vende e para të listës, pra Italia, Gjermania, Turqia dhe Zvicra përbëjnë thuajse 50% të totalit./scan