Nga kamarier në vullnetar, kush është i riu shqiptar që po u shërben të moshuarëve me koronavirus në Itali
Një kamarier shqiptar është bërë personazh në mediat italiane, sepse prej disa ditësh është duke u shërbyer dhe ndihmuar disa të moshuar që ndodhen në karantinë për coronavirusin COVID 19 në Alessio.
Hoteli Bel Sit ku ai punon u vu në izolim nga autoritetet sepse një grua 72 vjeçare rezultoi me coronavirus. Kjo bëri që i riu shqiptar i quajtur Albi Albino të mos largohej prej aty, por t’u shërbente të moshuarve.
Përkushtimi me të cilin po punon dhe po jep ndihmë, është çmuar nga kreu i Rajonit të Ligurias, Giovanni Toti, i cili e ka vlerësuar me një postim në faqen e tij në Facebook.
“Ai është Albi Albino, një djalë shqiptar që po ndihmon aty ku ka më shumë nevojë, në hotelin e Alassios. Nga kamarier ka zgjedhur që të bëhet ndihmës dhe mbi të gjitha mik i shumë njerëzve që janë detyruar të qëndrojnë në karantinë, një pikë referimi në këtë moment delikat.
Një falenderim i veçantë shkon për këtë djalë që ka treguar forcë, guxim dhe vendosmëri tipike të vendasve. Faleminderit Albi, do të mundohemi që të marrësh shtetësinë italiane që aq shumë e dëshiron. Sepse ti je njëri prej nesh”, thuhet ne postim.