”Nga Shkupi në Preshevë, të gjithë kundër Ramës”

Nga Besnik Veliu-Besian Leka

Shaip Kamberi, kryetari i Komunës së Bujanocit, e quan të mistershëm një projekt të tillë. Kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, thotë se para projekteve të tilla, dikush duhet të përballet me të kaluarën. E njëjtë mendojnë edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, është i prerë se rruga e integrimit nuk mund të zëvendësohet me asnjë iniciativë tjetër. Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët thotë se përmes një ideje të tillë, Serbia do ta sjell këmbëkryq në rajon ndikimin rus, e Afrim Gashi nga ‘Alternativa’ thotë se pa Kosovën nuk mund të ketë kurrfarë marrëveshjeje.

Përveç Republikës së Kosovës, porjektin e ashqutuajtur ‘Mishengen’, që po provojnë ta zbatojnë Edi Rama, Aleksander Vuçiq dhe Zoran Zaev, po e kundërshtojnë edhe përfaqësuesit e partive shqiptare në Maqedoni të Veriut dhe Luginë të Preshevës.

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një intervistë për Gazetën Express, ka thënë se një projekt i tillë në asnjë mënyrë nuk mund ta zëvëndësojë rrugën drejt integrimit euro-atlantik të rajonit.

‘Çdo iniciativë, ne kemi parë dhe kemi analizuar dhe kemi vlerësuar që rruga jonë euro-atlantike nuk mund të zëvendësohet me asnjë iniciativë tjetër. Kështu që mbetet një konsekuencë që ne të vazhdojmë dhe të punojmë për afrim, të punojmë që sa më parë vendi ynë të jetë anëtar i BE-së, ashtu siç e kemi realizuar anëtarësimin në NATO. Jemi për pajtim, jemi për të biseduar, por jo të vendosim në rrezik dhe të harrojmë, se rruga që prodhon stabilitet, paqe dhe ardhmëri dhe siguri është rruga e vetme euro-atlantike’, ka thënë Ahmeti, i pyetur rreth ‘Mini-shengenit’ ballkanik.

Kreu i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, thotë se synimet e një projekti të tillë po mbahen të fshehta dhe, sipas tij, një gjë e tillë lë vend për dyshime. Përveç kësaj, Kamberi thotë se nuk duhet hequr dorë asnjëherë nga kërkesa që Serbia të kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë.

‘Jo vetëm për ne, por e gjithë iniciativa po paraqitet si e panjohur për opinionin në këto vende. E keqja është se mungesa e transparencës adekuate me rolin dhe misionin e të ashtuquajturat ‘Minishengen’ po krijon hapësirë për dyshime. Mendoj se bartësit e kësaj ideje duhet qartë t’i elaborojnë të mirat dhe pritjet që mund t’i sjellë ky bashkëpunim. Të thuhet qartë se cilat janë të mirat që sjell për secilin shtet veç e veç dhe cilat janë rreziqet që mund të dalin nga kjo iniciativë. Është shumë e qartë se asnjëherë nuk duhet hequr dorë nga kërkesa që Serbia të ballafaqohet me krimet e kryera në Kosovë, por poashtu e kemi të qartë se ka edhe shumë çështje që mund të konsiderohen teknike, por që për njerëzit e zakonshëm janë shumë të rëndësihme, që duhet trajtuar. Për shembull, pritjet me nga disa orë nëpër kufijtë e Serbisë të diasporës shqiptare nga Kosova janë një temë që meriton trajtim’, ka thënë Kamberi për Express.

Kamberi thotë se e ardhmja e rajonit është integrimi në BE dhe potencon se për paqen afatgjate në Ballkan është e domosdoshme që Serbia të ballafaqohet me krimet e kryera në rajon e veçanërisht në Kosovë.

‘Shmangia nga kjo përgjegjësi nga ana e Serbisë po e shtyn edhe pajtimin me shqiptarët, i cili është kushti kryesor për ndërtimin e paqes afatgjate në rajon’, ka thënë ai.

Sipas tij, një unifikim i shqiptarëve do të mund ta vendoste në defensivë Serbinë sa i përket një projekti të tillë, por thotë se parakusht për një unifikim të tillë është konsensusi mes shqiptarëve lidhur me misionin e minishengenit.

‘Megjithatë, mendoj se në një bashkëpunim të ndërtuar mes pesë shteteve, në të cilin dy prej tyre (Shqipëria e Kosova) janë shqiptare, një tjetër (Maqedonia) me pjesëmarrje domethënëse të shqiptarëve, e asgjëson mundësinë që Serbia ta lozë rolin e xhandarit në këtë iniciativë dhe faktorizon shqiptarët në këtë iniciativë. Natyrisht, parakusht për këtë rol të rëndësishëm të shqiptarëve në këtë nismë është ndërtimi i konsensusit ndërshqiptar lidhur me rolin dhe misionin e vetë iniciativës’, shprehet Kamberi.

Përplasjen Shqipëri-Kosovë rreth Minishengenit Kamberi e cilëson si një situatë aspak të pëlqyer, pasi që, sipas tij, një situatë e tillë po i jep mundësi të tjerëve që ta marrin primatin rreth zhvillimeve në rajon.

‘Kjo iniciativë kërkon bashkërendim politik të dy shteteve, nëse duhet edhe në takime të përditshme, qoftë të nivelit politik, qoftë në rrafshin e ekspertëve. Situata politike e përgjithshme dhe rrethanat në të cilat gjenden edhe Kosova, edhe Shqipëria, nuk japin komoditet për akuza mediale, të nxitura nga mosdurimet personale apo për interesa afatshkurta. Në këtë situatë, kjo iniciativë nuk faktorizon shqiptarët, përkundrazi, ko gjendje po i bën më të brishtë dhe po krijon hapësira që lojtarët e tjerë ta marrin primatin’, është shprehur Kamberi për Express.

Kamberi bënë thirrje që të qetësohen gjakrat në dy anët në mënyrë që shqiptarët të jenë faktor në rajon.

‘Mendoj se duhet ulur topin nga dyja anët e ‘kufirit’ për t’i koordinuar mirë e mirë qëndrimet dhe veprimet dhe për t’i nxjerrë shqiptarët faktorë pa të cilët Ballkani Perëndimor nuk ka as stabilitet e as prosperitet. Fundja, edhe e ardhmja evropiane e Serbisë varet drejtpërdrejt nga ajo se si do t’i rregullojë raportet me Kosovën dhe shqiptarët. Të mos ia lehtësojmë këtë rrugëtim derisa ajo nuk kthjellet dhe ballafaqohet me krimet e saj’, ka përfunduar Kamberi për Gazetën Express.

Politikani shqiptar nga Maqedonia, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, për Gazetën Express thotë se asnjë bashkëpunim rajonal i fqinjëve pa Kosovën nuk reflektohet në realitetin gjeografik dhe ekonomik.

Sela madje thotë se një iniciativë e tillë e sjell Rusinë këmbëkryq në rajon përmes Serbisë.

‘Çfarëdo bashkëpunimi rajonal i fqinjëve pa Kosovën nuk e reflekton realitetin gjeografik, ekonomik, por politik të Minishengenit rajonal. Çdo nismë rajonale duhet të fillojë pikërisht nga Kosova dhe jo e njëjta të izolohet dhe të getoizohet. Minishengeni nuk mund të paraqitet si alternativë e BE-së dhe as që mund t’i zëvendësojë aspiratat e qytetarëve që janë përcaktuar për BE-në. Aleanca për Shqiptarët ka bërë gjithçka që ta përjashtojë ndikim rus në rajon e tani ky ndikim po vjen të na ulet këmbëkryq nëpërmjet minishengenit e nëpërmjet Serbisë. Interesat strategjike janë baza e nismave rajonale e tonat fatmirësisht janë të kundërta me të Serbisë. Shqipëria çdo dialog me Serbinë duhet ta shikojë me dioptrinë e Kosovës dhe interesave të saj, që janë njohja e Kosovës nga Serbia, anëtarësimi në organizatat e ndryshme ndërkombëtare, anëtarësimi në BE dhe NATO, këto duhet të jenë përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë në raport me Kosovën. Në princip, jemi për iniciativa rajonale mes fqinjëve, por assesi pa Kosovën dhe popullin e saj’, ka thënë Ziadin Sela për Express.

Ragmi Mustafa, kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar, thotë se iniciativat që e kanë për qëllim lehtësimin e jetës së qytetarëve duhet menduar si pozitive, megjithatë, sipas tij, paraprakisht duhet shqyrtuar përballja me të kaluarën.

‘Megjithatë, në këtë format duhet paraprakisht të shqyrtohet edhe trajtimi i paqes së vërtetë dhe përballjes me të kaluarën dhe krijohet hapësirë për t’i trajtuar çështjet arsimit e kulturës si dhe të drejtave të njeriut e komuniteteve’, ka thënë Mustafa për Gazetën Express.

I pyetur nëse janë konsultuar shqiptarët që jetojnë në Luginë rreth një iniciative të tillë, Mustafa thotë se ‘minishengeni’ është një projekt në kompetencë të instancave më të larta shtetërore, megjithatë, sipas tij, nuk duhet anashkaluar shqiptarët e Preshevës.

‘Marrëveshje të tilla ndërshtetërore multilaterale, që do ishte kjo e Mini-Shengenit, besoj që janë të rëndësishme për shtetet dhe interesat e shteteve, të cilat i nënshkruajnë ato. Edhe pse impakti do të ishte i madh edhe për qytetarët e Luginës së Preshevës, kjo marrëveshje kap gamë më të madhe dhe është kompetencë e instancave më të larta shtetërore të vendeve përkatëse. Në këtë mes nuk duhet reduktuar e mos të trajtohet edhe çështja e Luginës së Preshevës’, ka thënë ai.

Sa i përket përplasjeve mes Tiranës dhe Prishtinës zyrtare rreth Minishengenit, Mustafa ka thënë se e kanë përcjellë me vëmendje një situatë të tillë, duke bërë thirrje për një unifikim të faktorit shqiptar.

‘Duke pasur parasysh pozitën në të cilën gjenden qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës, dihet se mbështetemi te Prishtina dhe Tirana zyrtare në kërkesat tona për përmirësimin dhe avancimin e të drejtave tona. Padyshim se edhe qytetarët e Luginës ndjekin me vëmendje zhvillime të tilla si dhe kërkon që në një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë të trajtohet edhe çështja e Luginës së Preshevës. Ashtu si Prishtina, që ka argumentet kundër, edhe Tirana i ka ofruar argumentet për procesin. E në momentume si ky, besoj fuqishëm që politika mbarëshqiptare do të duhej të ishte e unifikuar, me anë të së cilës padyshim se do të përfitonin edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës’, ka thënë ai.

Në fund, politikani nga Lugina e Preshevës thotë se për iniciativa, Tirana dhe Prishtina do të duhej t’i kishin parasysh edhe shqiptarët që jetojnë në Serbi.

‘Duke ditur që çdo zhvillim rajonal ka impakt të madh edhe tek shqiptarët e Luginës, liderët politikë, si në Tiranë dhe Prishtinë, do të duhej t’i kishin parasysh edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, çdoherë që marrin vendime në politikat rajonale’, ka përfunduar Ragmi Mustafa, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Kreu i ‘Alternativës’ nga Maqedonia, Afrim Gashi, thotë se ‘Mini-shengeni’ assesi nuk guxon të shihet si alternativë për integrimin evropian. Edhe Gashi është kundër arritjes së çdo marrëveshjeje pa Kosovën.

‘Në parim, ideja për qarkullim të lirë të njerëzve dhe mallrave është shumë e pranueshme, por mendojmë se pa Kosovën nuk ka kuptim mini-shengeni. Na duhet integrim brenda-kombëtar para integrimit ballkanik. Në këtë drejtim, mund të themi se Mini-shengeni ballkanik nuk duhet të jetë alternativë për integrimin evropian. Ne jemi pjesë gjeografike e kontinentit dhe kemi bërë shumë reforma e kemi paguar shumë çmime për integrimin evropian. Andaj, BE-ja nuk duhet të na prodhojë alternativë refuzimi, por duhet të ofrojë mënyrë integrimi’, ka thënë Gashi për Gazetën Express.

Edhe nga ‘Lëvizja Besa’ në Maqedoni janë kundër çdo marrëveshje me të cilën do të mund të dëmtohej interesi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Kosovë e Shqipëri. Kështu i ka thënë Gazetës Express kreu i kësaj partie, Bilall Kasami.

‘Iniciativa e ashtuquajtur Mini-Shengen tregon se iniciativat e bashkëpunimit rajonal nuk janë në kundërshtim me vazhdimin e procesit të integrimit të shteteve të Ballkanit perëndimor drejt BE-së. Prandaj, kjo iniciativë duhet të jetë një mesazh i qartë për vendet me shumicë shqiptare, si Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, që të mendojnë seriozisht për ndonjë formë më serioze të integrimit mes tyre, integrim i cili do të ishte në frymën e përshpejtimit të rrugëtimit të tyre drejt BE-së. Sa i përket projektit të ashtuquajtur Mini-Shengen ballkanik, vlerësojmë se pa përfshirjen e të gjitha vendeve të Ballkanit perëndimor, e në veçanti Kosovës, nuk mund të jetësohen iniciativa të tilla. Lëvizja BESA përkrah çdo iniciativë e cila do ta përshpejtonte rrugëtimin tonë drejt BE-së, sepse vlerësojmë se shqiptarët, kudo që janë në trojet e tyre etnike, të vetmin opsion e kanë integrimin e plotë në familjen evropiane’, kanë thënë Kasami në një përgjigje për Gazetën Express.

Kundër projektit të Minishengenit ka dalë edhe presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Sipas tij, një ide e tillë nuk mund të realizohet nëse aty nuk merr pjesë edhe Kosova.

Nga Kosova të gjithë liderët janë kundër. Haradinaj ka thënë se Rama përmes një nisme të tillë po tenton ta heqë taksën që Kosova ia ka vendosur Serbisë. Thaçi e ka injoruar ftesën për Samitin e Tiranës. Isa Mustafa e ka cilësuar si përpjekje për krijimin e një ‘Jugosllavie të vogël’, ndërkohë Albin Kurti ka thënë se kryeministri shqiptar është ngutur, kur e ka konsultuar Serbinë para Kosovës.

Edhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë gjithëpërfshirje në mënyrë që një projekt i tillë të mund të jetë i realizueshëm.

Përfaqësuesi presidencial për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se pa Kosovën nuk mund të ketë minishengen. Matthew Palmer, në anën tjetër, në mënyrë deklarative e ka përkrahur një ide të tillë, duke thënë se aty ka vend edhe për Kosovën.’’

SHKARKO APP