Nis epoka pa roaming për Ballkanin / Në 1 korrik ulen tarifat në gjithë rajonin

Duke filluar nga 1 korriku i vitit 2021, parashikohet që të gjitha tarifat roaming mes dy vendeve të eliminohen plotësisht dhe përdoruesit e telefonisë celulare në Shqipëri dhe Kosovë do të paguajnë në roaming tarifa të njëjta me ato që paguajnë brenda vendit.

 Të ardhurat me shumicë nga roamingu të tre operatorëve celularë shqiptarë me vendet e Ballkanit Perëndimor në vitin 2016 ishin 300 mijë euro, ndërsa në vitin 2017  u rritën në rreth 360 mijë euro. Këto të ardhura përbëjnë 9% të të ardhurave totale me shumicë të roamingut ndërkombëtar.

Ballkani Perëndimor është në prag të hedhjes së një ndër hapave më të rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal, ndoshta më të rëndësishmin që nga koha e marrëveshjeve të tregtisë së lirë. Tarifat e shërbimeve roaming mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të fillojnë një proces të uljes së përshkallëzuar, që do të çojë në heqjen totale të tyre në korrik të vitit 2021.

Shqipëria dhe Kosova e nisën procesin me një marrëveshje dypalëshe në fund të vitit të kaluar, ndërsa marrëveshja rajonale u nënshkrua në fillim të muajit prill, në samitin dixhital të Beogradit. Palë në marrëveshje janë Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina. Heqja e tarifave roaming do të bëhet sipas modelit të Bashkimit Europian, që i eliminoi plotësisht këto tarifa mes vendeve të Unionit në qershor 2017.

 

Në 15 qershor ulen tarifat me Kosovën

Ulja e tarifave roaming të telefonisë celulare me Kosovën është tashmë zyrtare. Këshilli Drejtues i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) miratoi gjatë muajit maj vendimet përkatëse për rregullimin e tarifave roaming për të tre operatorët e telefonisë celulare në vend.

Nga data 15 qershor, tarifa tavan që përdoruesit shqiptarë do të paguajnë për roaming-un në Kosovë do të jetë 28.5 lekë për minutë thirrje dalëse, 6 lekë për minutë për thirrje hyrëse, 9 lekë për mesazh të shkruar dhe 26.4 lekë për megabajt internet. Të njëjtat tarifa do të aplikohen në mënyrë të anasjelltë për përdoruesit kosovarë në Shqipëri.

Duke filluar nga 1 korriku i vitit 2021, parashikohet që të gjitha tarifat roaming mes dy vendeve të eliminohen plotësisht dhe përdoruesit e telefonisë celulare në Shqipëri dhe Kosovë do të paguajnë në roaming tarifa të njëjta me ato që paguajnë brenda vendit.

Tarifat që hyjnë në fuqi nga 15 qershori janë ndjeshëm më të ulëta se tarifat aktuale standarde të shërbimit roaming në Kosovë. Për shembull, Vodafone Albania aplikon sot një tarifë minimale standarde prej 215 lekë për minutë, ndërsa Telekom Albania 140 lekë për minutë. Vetëm Albtelecom, me 25 lekë për minutë thirrje dalëse, ka sot një tarifë standarde për të ulët krahasuar me tarifën e re tavan prej 28.5 lekësh për minutë.E njëjta rrugë, me reduktim fillestar deri në heqjen e plotë të tarifave roaming, do të ndiqet edhe me pesë vendet e tjera të rajonit.

AKEP ka hedhur për konsultim publik dokumentin përkatës, sipas të cilit niveli i tarifave dhe etapat do të jenë të ngjashme si me Kosovën. Miratimi zyrtar i tarifave pritet të bëhet pas datës 10 qershor.

Tarifat e reja me rajonin

AKEP ka përgatitur gjithashtu edhe dokumentin që do të rregullojë uljen e përshkallëzuar të tarifave roaming me vendet e rajonit, deri në heqjen përfundimtare të tyre brenda dy vitesh. Duke filluar nga 1 korriku i këtij viti, tarifa maksimale për thirrjet dalëse në roaming, përfshi TVSH-në, do të jetë 28.5 lekë për minutë, për thirrjet hyrëse 6 lekë për minutë, për mesazhet e shkruara 9 lekë për njësi, ndërsa për internetin 26.37 lekë për megabyte.

Nga 1 korriku 2020, deri në 30 qershor 2021, tarifa për thirrjet hyrëse në roaming do të ulet në rreth 3.75 lekë për minutë, ndërsa tarifa për shërbimet e tjera do të qëndrojë e njëjtë si në fazën e parë.

Nga 1 korriku 2021 të gjitha tarifat shtesë do të hiqen dhe përdoruesit shqiptarë që përdorin roaming në vendet e rajonit do të paguajnë çmime të njëjta si në Shqipëri.

Në fakt, rregullimi i tarifave është bërë në euro, për ta njehsuar nivelin e tyre me vendet e tjera të rajonit. Për fazën e parë, AKEP e ka bërë konvertimin sipas kursit 125 lekë për një euro. Për vitet në vazhdim, rregullimi do të bëhet sipas kursit zyrtar mesatar të këmbimit euro-lek për tremujorin e parë të vitit përkatës. Gjatë periudhës tranzitore, operatorët do të jenë të lirë të ofrojnë paketa ofertë në roaming, me kushtin që konsumi i plotë i sasisë së lejuar të mos çojë në tarifë për njësi më të lartë se tarifat standarde tavan.

Roaming në Ballkan, sa 10% e totalit

Të dhënat tregojnë se sasia e përdorimit të shërbimeve roaming të qytetarëve të Shqipërisë në vendet e Ballkanit Perëndimor në vitin 2017 afërisht sa 10% sasisë totale të roamingut (me të gjitha vendet e botës) për thirrjet dhe internetin, ndërsa për mesazhet e shkruara (SMS) trafiku me rajonin ka një peshë më të lartë, me 26%.

Ndërsa sasia e trafikut të gjeneruar nga pajtimtarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë roamingut në Shqipëri në 2017 për thirrjet ishte sa 11% e totalit, për SMS 16% dhe për internetin 43%. Mes vendeve të rajonit, pjesën më të rëndësishme në përdorimin e roaming në Shqipëri e zënë pajtimtarët e rrjeteve celularë të Kosovës. Nga gjithë trafiku roaming i pajtimtarëve të vendeve të rajonit,  62% e thirrjeve, 79% e SMS-ve dhe 99% e internetit i takonin përdoruesve nga Kosova.

Të ardhurat me shumicë nga roamingu të tre operatorëve celularë shqiptarë me vendet e Ballkanit Perëndimor në vitin 2016 ishin 300 mijë euro, ndërsa në vitin 2017  u rritën në rreth 360 mijë euro. Këto të ardhura përbëjnë 9% të të ardhurave totale me shumicë të roamingut ndërkombëtar (me të gjitha vendet e botës. Pjesën më të madhe të të ardhurave me shumicë nga operatorët e rajonit e zënë të ardhurat nga Kosova (70% të totalit).

Kostot me shumicë nga roamingu me pesë vendet e Ballkanit Perëndimor (kostot që operatorët shqiptarë paguajnë kur qytetarët shqiptarë përdorin roaming në këto vende) ishte 485 mijë euro në 2016 dhe 548 mijë euro në 2017. Këto kosto përbëjnë 9% të kostove totale me shumice të roamingut ndërkombëtar.

Bilanci i pagesave (të ardhura minus shpenzime) është negativ me të gjitha vendet e rajonit, përveçse me Kosovën, ku Shqipëria ka të ardhura neto pozitive. Në vitin 2018, të ardhurat neto me shumicë të tre operatorëve shqiptarë nga roamingu me Kosovën ishin rreth 150 mijë euro, apo rreth 50% më shumë se një vit më parë.

/ SCAN Magazine

SHKARKO APP