Nis konkursi për Notre-Dame/ Philippe: Kupola mund të jetë identike ose e përshtatur me kohën

Qeveria franceze lajmëroi një konkurs ndërkombëtar të arkitekturës për të rindërtuar  kupolën e katedrales Notre-Dame, dy ditë pasi u pushtua nga flakët.   Lajmërimi u bë nga Kryeministri francez, Edouard Philipe.

“Ky konkurs ndërkombëtar do të vendosë nëse ne do të ndërtojmë një kupolë të re, nëse kjo do të jetë e ngjashme me të vjetrën, identike apo nëse do të duhet, si ç’ndodh zakonisht me rizhvillimin e monumenteve, t’i japin katedrales një kupolë të re, të përshtatur me epokën tonë.”

Parisienët dhe turistët vazhdojnë të mblidhen rreth katedrales për të parë dëmet e monumentit gotik me sytë e tyre.  Por tashmë, ekziston shpresë për rikthimin e plotë. Ministri francez i Kulturës, Franck Riester, lajmëroi se ka mjaftueshëm para për të nisur rindërtimin e katedrales.   Dhurimet për rindërtimin e monumentit kanë ardhur nga e gjithë bota. Shuma totale pritet të arrijë 1 miliardë euro këtë javë.  Kryeministri  tha se do të prezantohet një ligj javën e ardhshme për të mbikëqyrur dhurimet në lidhje me rindërtimin e katedrales, në mënyrë që të garantohet transparenca.

“Duhet të jemi të lumtur që një numër i madh i francezëve kërkojnë të marrin pjesë në rindërtimin. Kam shpjeguar kushtet tatimore nënë të cilat këto dhurime do të trajtohen.  Vetëm dhurimet nën 1 mijë euro do të përfitojnë përjashtim tatimor, ndërsa pjesa tjetër do të jetë subjekt i ligjit.”

Presidenti Emmanuel Macron i premtoi vendit se katedralja do të jetë edhe më e bukur dhe do të rindërtohet brenda 5 viteve. Ekspertët janë më pak optimist, duke argumentuar se restaurimi mund të kërkojë dekada.

SHKARKO APP