Një “Bild”, sa për njëmijë fjalë…

Nga Feti ZENELI – Përkthimi në shqip i emrit të gazetës më të madhe gjermane “Bild”; pra “foto”, më sjell ndërmend shprehjen: “një foto sa për një mijë fjalë”, sepse shkrimi më i fundit i kësaj gazete me publikimin e përgjimeve për blerjen dhe manipulimin e zgjedhjeve të përgjithëshme të vitit 2017 nga krerët e “Rilindjes”, duke përdorur banditë e trafikatë të majmur me paratë e krimit dhe drogës, të lë me të vërtetë pa fjalë. “Gjylja e madhe plasi”, duke bërë, këtë herë të hesht, edhe vetë Gjylameti, që një shkrim të mëparshëm të “Bild”, e quante thjeshtë, “një botim në median ndërkombëtare të baltës dhe shpifjes, që opozita reciton çdo ditë, për të nxirë imazhin e Shqipërisë jashtë vendit”. Ndoshta nga që e garantoi dhe Ministri Leshaj, se “… një publikim i tillë nuk e prish imazhin e Shqipërisë”, paçka se “Bild” printohet rreth 5 milion kopje dhe lexohet online nga 25 milion  gjermanë e qytetarë të tjerë të kësaj bote. Ndoshta e krahasojnë me “Drapër e Çekan”, këtë gazetë të madhe, e cila me furtunën mediatike që shkakton, shkul nga rrënjët qeveri e pushtete problematike, kudo që ndodhën.

Nëpërmjet këtij shkrimi, Peter Tiede u vë vulën botimeve të mëparshme në “Bild”, duke e etiketuar Shqipërinë si “Republikë e Mafies”, “një shtet në duarë gangsterësh” dhe “Kolumbi e Europës”. Nëse secilin prej këtyre artikujve do ta cilësonim si fotografi me teknikë gjermane të një ngjarjeje të caktuar, të gjitha së bashku ato formojnë një polifoto të krejt realitetit shqiptar për 6 vitet rresht, nën qeverisjen e “Rilindjes”, që s’ke çfarë diçiture tjetër t’i vendosësh veçse një ndër përcaktimet e mësipërme, si tituj shkrimesh në gazetën gjermane “Bild”. Gjithëçka filloi në vjeshtën e vitit 2013, pasi të majtët erdhën në pushtet, nën thirrjen “të bashkohemi me çdo lloj qelbësire për të rrëzuar Berishën”, duke prishur pak nga pak traditën institucionale të ligjit dhe rregullit demokratik në ushtrimin e qeverisjes, në emër të gjoja reformave, për të zëvendësuar atë me arbitraritetin, abuzivitetin, madje dhe kriminalitetin në shumë aspekte. Opozita demokratike i ka dencuar në vazhdimësi ngjarjet dhe problemet që ka mundur të faktoj, por në çdo rast ajo është ndeshur me agresivitetit dhe kundërshtimin brutal të shumicës qeverisëse. Kur përfaqësuesit kryesor të PD-së denonconin në Parlament gjatë 2014-ës faktin, se vendi po mbushej me kanabis sativa, aq sa droga po transportohej edhe me avionë, krerët e “Rilindjes” ironizonin, duke i quajtur “avionë mushkonjash”. Madje ata nuk ndryshuan sjellje apo qëndrim, as kur u kapën me avionin e Riformatos në rërën e Divjakës. Kjo histori e rëndë kriminale u pasurua gjatë 2015-ës me denoncimet e ish-policit Dritan Zagani për grupin trafikant “Habilaj” dhe lidhjet e këtij grupi me ish-Ministrin Saimir Tahiri, sikundër u kundërshtua sërish nga përfaqësuesit e mazhorancës sipas taktikës së luftës partizane, “mbrojtja më e mirë është sulmi”. Më vonë, e njëjta histori u përsërit me ish-Ministrin tjetër të rendit, Fatmir Xhafaj, vëllai i të cilit qëndronte në krye grupeve të trafikut të drogës në Vlorë, ndonëse kërkohej nga drejtësia italiane për të vuajtur dënimin e marrë atje. Ashtu si në rastet e mëparshme, edhe atij iu ofrua “dora e ngrohtë” e “Rilindjes” për ta mbrojtur nga “përgjimet fallco dhe Babale-t e PD-së”, po kur nuk mund të mbulohej më “dielli me shoshë”, e nisën për tërë natën në Itali dhe thirrën në ndihmë policinë për të prishur provat e materialit audio, siç është faktuar më vonë me denoncime të tjera, të cilat kanë rezultuar tërësisht të vërteta.

Seriali i historive kriminale, me drogë e trafiqe intensive të lëndëve narkotike, i interpretuar nga aktorë të botës së krimit, ku edhe grupi parlamentar dhe pushteti lokal i shumicës qeverisëse kishin përfaqësuesit e tyre, pasurohej gjithnjë e më shumë, duke arritur që në qershorin e 2017-ës, vetëm për serinë zgjedhore “Katër rrugët e Shijakut”, të mos mjaftojnë as 700 CD-i regjistrimesh. Falë dhe marrëveshjes tinzare të 17 majit, që kreu i “Rilindjes” dhe grupi i ndërkombëtarëve të SHBA-së dhe SHBE-së arritën t’i imponojnë dhunshëm kreut të opozitës shqiptare, institucionet e vërteta zgjedhore ishin bandat dhe grupet kriminale të drogës, në bashkëpunim  me ministra dhe drejtues të lartë të “Rilindjes”, veçanërisht në Ministrinë e Rendit, që fushatën e zgjedhjeve e kishin filluar paralelisht me atë të mbjelljes së kanabisit anë e mbanë vendit tonë. Qysh pa u dekretuar mirë zgjedhjet e 2017-ës, qarkullonin informacione se qeveritarë dhe “arkëtarë” shetitës kishin shkuar në bazë për garatuar fitoren “10 me 0” për “komandantin”, duke blerë e shantazhuar votesit kundërshtarë. Kjo ishte arsyeja, që të paktën 6 muaj e parë të 2017-ës, u shndërruan në ferrë për demokratët, të cilët; listoheshin, kërcënoheshin e izoloheshin, që socialistët ta kishin sa më të lehtë dhe më të thellë fitoren. Natyrisht, që 10 deputetë më shumë për “rilindasit” e rinj, se në zgjedhjet e 2013-ës, kur ndodhi rrotacioni i “njëmilionë shuplakave”, ndërkohë që kishin konsumuar një mandat qeverisës tepër problematik, tregon se rezultati zgjedhor nuk buroi nga vota e lirë, por nga ajo e marrë “me hir a me pahir”; pra dhunshëm e kriminalisht.

Efeket e publikimit të përgjimeve të gjermanes “Bild”, që u dhanë mundësinë të ndryshojnë qëndrim edhe më skeptikëve, të cilët hezitonin të besonin se “sekti rilindas” i ka vjedhur votat në bashkëpunim me bandat e trafikantëve të drogës në Shqipëri, u dukën edhe në pjesmarrjen gjigande të protestueve në darkën e datës 8 qershor, javën e shkuar. Qysh nga ky moment, shqiptarët po e besojnë gjithnjë e më pak, artikulimin për “qeveri të ligjshme”, edhe kur ajo del nga goja e ndërkombëtarëve. Ndonëse opozita s’ka rreshtuar së denoncuar me fakte e prova këtë masakër zgjedhore, një pjesë të grumbulluara edhe nga ministrat e saj teknik përgjatë 3 muajve (qershor-shtator 2017) në qeverinë “Rama” pas marrëveshjes së 17 majit, u deshën publikimet e përgjimeve të “Bild”, për të kuptuar se kemi të bëjmë me një “shtet gangsterësh”, që “vjedh vota për të vjedhur Shqipërinë”, siç është shprehur një publicist i njohur në vendin tonë. Aty tregohet, se si një bandë kriminale merrë kompetenca urdhëruese dhe komandon në emër të kreut të mazhorancës drejtuesit e institucioneve qeverisëse, përfshi dhe ata vendorë në Durrës e Shijak, sepse ajo është njëherësh dhe autore e caktimit të emrave të deputetëve në këtë zonë. Por kjo zonë përbën vetëm majën e ajsbergut, pasi e njëjta skemë është përdorur nga “Rilindja” socialiste kudo, në të gjithë vendin, duke e marrë për vete të gjithë tepsinë e pushtetit. Nga ana tjetër, problemi këtu është më i madh se sa thjeshtë blerja e votave në kuptimin e prishjes së standardeve zgjedhore, pasi “dardha…” e aleancës së pushtetit me bandat kriminale të trafikut të drogës “…e ka bishtin prapa”, tek shpërblimi me favore trafiqesh të paligjshme, para publike dhe vende pune gjatë ushtrimit të qeverisjes.

Këtu e ka bazën tenderat pa garë dhe mungesa e trasparencës në përdorimin e parasë publike, gjë për të cilën KLSH ka llogaritur një abuzim prej 3.7 miliardë euro me buxhetin e shtetit, duke rënduar me gati 5 mijë euro buxhetin e çdo familje shqiptare. Gjykata europiane e auditit konstaton në krahun tjetër, se një e treat e tenderave janë dhënë pa garë. PPP-të dhe koncesionet e qeverisë rilindase janë që të gjitha skema korruptive, aq sa departamenti amerikan i shtetit, me gjuhë diplomatike i quajti “vjedhje”. Kjo është arsyeja që për 6 vitet e fundit nuk ka ardhur në Shqipëri asnjë investitorë i huaj, ndërkohë që nga më shumë se 200 partneritete të qeverisë aktuale, asnjë nuk është kontratuar me kompani perëndimore. Por statistika më tronditëse në këtë drejtim është largimi i më shumë se 500 mijë shqiptarëve nga vendi si pasojë e varfërisë, papunësisë dhe mungesës së shpresës. Modeli i drogës e ka çuar vendin në krizë, pasi nuk është kurrë model zhvillimi. Kullat e larta, makinat e shtrenjta apo restorantet e shumta luksoze janë “bukuria që vret”, pasi historia e zhvillimit njerëzor tregon, se asnjë vend nuk është zhvilluar falë drogës.

Nga ana tjetër, “Bild”, ashtu sikundër i çorri qeverisë maskën, “Shqipëria që duam”, i dha goditjen shokuese edhe propagandës së shpifur vendase dhe të huaj për suksesin e refomës në drejtësi, që në fakt është shndërruar në kapje me sukses të sistemit të drejtësisë. Zgjedhja antiligjore e Arta Markut në krye të institucionit të akuzës është dështimi më i madh i kësaj reforme, pasi ajo po përdoret nga ekzekutivi për të mbrojtur “Avdyljat” e të gjithë llojeve, që kanë ushqyer me vota të blera pushtetin e “Rilindjes”. Përfshirja në institucionet e Vettingut të individëve të paaftë, pa integritet, shkelës të ligjit dhe me masa të ndryshme disiplinore gjatë viteve të punës është bërë me qëllim për t’i përdorur politikisht në shërbim të mazhorancës. Konstituimi i institucioneve të reja si SPAK dhe BKH me këto metoda, nuk duhet lejuar, për t’mos e shndërruar përfundimisht edhe “Drejtësinë e re”, ashtu si qeverinë e “tepsisë së vetme”,  në një vegël në duartë e banditëve. Për të shpëtuar ç’ka mund të shpëtohet nga “nderi i humbur” i Drejtësisë dhe i gjithë Shqipërisë, do të duhej vetëm një qeveri ekspertësh të pavarur me objektiv, shpëkutjen e shtetit nga kthetrat e bandave dhe rikthimin e pavarësisë së pushteteve, për t’i hapur rrugë zhvillimit dhe integrimit europian të vendit tonë. Reforma në drejtësi duhet të rikthehet në korrikun e vitit 2016, kur u votua me 140 vota, për të bërë korrektimet e nevojshme e për t’i shpallur luftë pa kompromis krimit të organizuar, drogës dhe korrupsionit. Në këto kushte, ku është katandisur shteti dhe demokracia shqiptare, ashtu siç na e provoi dhe “Bild” me zë e figurë, është marrëzi të ëndërrosh për qeverisje dhe reforma efiçiente, përfshi edhe reformën në drejtësi, e cila po përdoret nga “Rilindja” për të shantazhuar kundërshtarët politik dhe mbrojtur banditët në panik. Nëse ndërkombëtarët e konsiderojnë reformën në drejtësi, si investimin e tyre më të madh në Shqipëri, duhet të ndërhyjnë për ta shpëtuar drejtësinë nga kthetrat e mazhorancës dhe të banditëve që qëndrojnë pas saj. Boll e mbrojtën “Rilindjen”. Ka ardhur koha të mbrojnë demokracinë dhe drejtësinë, si një nga shtyllat e saj kryesore. Është e domosdoshme të ringrihen shtyllat e demokracisë, duke filluar me zgjedhjet e lira e të ndershme dhe ndërtimin e një shteti funksional. Me ç’dekretimi e datës së zgjedhjve vendore të 30 qershorit, Presidenti Meta, u krijoi mundësinë palëve politike që të reflektojnë rreth kërkesës historike, për të vënë demokracinë dhe Shqipërinë, mbi partinë, pasi vetëm kështu shkohet në Europë.

Së fundi, publikimi i regjistrimeve të “Bild” fakton në mënyrë të plotë dhe përfundimtare kauzën e drejtë të opozitës dhe rëndësinë jetike të triumfit të saj me çdo kusht, për të shpëtuar të ardhmen tonë, e cila ndodhet përballë një udhëkryqi të rrezikshëm: ose do kthehet në rrugën drejt kushteve demokratike, ose do vazhdojë të rrënohet në duartë e mafies politike dhe asaj ordinere.

SHKARKO APP