Një ditë me shkrimtarin Ndue Dedaj

Nga Vlash Prendi

Shkrimtarin, studiuesin, poetin dhe gazetarin e njohur mirditor Ndue Dedaj, ka vite që e njoh. E njoh në radhë të parë si krijues, por edhe si njeri, si shok, si mik. Është nga ata personazhe të letërsisë dhe kulturës shqiptare për të cilin të merr malli, jo vetëm ta lexosh, por edhe ta takosh dhe të bisedosh me të. Çdo fjalë e tij, çdo mendim, çdo argument është i bazuar, të krijon një lloj ndjesie sikur po bisedon me një korife të kulturës sonë kombëtare, si Çabej, Kamsi, Mirdita apo Podrimja. Jemi takuar disa herë në manifestime letrare,kemi biseduar për çështje të ndryshme të kulturës, letërsisë dhe artit. Mendimet që jep, apo çështjet që parashtron shkrimtari dhe studiuesi Ndue Dedaj, janë gjithmonë të drejta, aktuale dhe me vlera të pakontestueshme. Është autor i shumë veprave letrare dhe studimore si “Këtej kaloi koha”, “Apokalipsi i Hënës”, “Hylli i Zotit njeri” – poezi, “Toka e Katedraleve”, “Kanuni mes kuptimit dhe keqkuptimit”-  studime dhe “Shembja”, “Unaza e Virgjëreshës”- romane, pa përjashtuar edhe shumë vepra të tjera, jo më pak të rëndësishme.

 U takuam në qytetin e Lezhës,të ftuar nga autoritetet e Qarkut në Ditët e “Muzës Poetike – Lisus 2016”, me rastin e 145 vjetorit të lindjes së kolosit të letrave shqipe, At’ Gjergj Fishta, një aktivitet model, organizuar nga Qarku Lezhë, nën moderimin e poetit të njohur Viktor Gjikolaj. Zbritëm ne provincialët krijues,siç na quajnë ata të qendrës, për të dhënë ndihmën tonë modeste në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti me mjaft nivel dhe cilësi, sepse jo rrallë here këto provincialët janë më të përgatitur dhe meritojnë më shumë se ata të qendrës, siç është rasti i intelektualit të mirënjohur Ndue Dedaj. Ecim bashkë me Nduen, shkrimtarin e talentuar rrugëve të qytetit të lashtë dhe bisedojmë për letërsinë,studimet dhe zhvillimet e fundit. Miku im është tepër i prekshëm ndaj zhvillimeve kombëtare, ai shpesh mban edhe qëndrim korrekt në shtyp ndaj tyre, sepse publikon shkrimet e tij në disa gazeta kombëtare si: “Koha jonë”, “Shqiptarja.com”, “Shqip”, “Panorama”, ku shkruan edhe për çështjet që e shqetësojnë, por edhe për figura të njohura të artit dhe të letërsisë apo kulturës sonë kombëtare.

Karakteri i tij prej njeriu fisnik, bie menjëherë në sy,jo vetëm kur bisedon me të,por edhe sapo takohesh. Këtë mendim ka edhe prof. Sadik Bejko, të cilin e takuam në Lezhë dhe pimë kafe me të. Profesori i foli me superlativa për poezinë e tij, të cilën për problemet dhe tematikat e larmishme që shtron, çështjet që trajton dhe vlerat artistike që mbart, mund të krahasohet me krijimet më të mira të poetëve më të mëdhenj të kombit. Libra të tillë, -tha ai, si “Këtej kaloi koha”, “Ajsbergu i hënës”,apo libri më i fundit i tij “Hylli i Zotit njeri”, i cili nuk kaloi në heshtje nga lexuesi ynë, kanë vlera të veçanta dhe zënë vend nderi në letërsinë tonë. Por vepra më e fundit që e ka rritur mjaft autoritetin e shkrimtarit Ndue Dedaj edhe si prozator me shumë vlera,është romani “Unaza e Virgjëreshës”, një vepër mjaft cilësore si për tematikën e vështirë që shkrimtari Ndue Dedaj guxon të trajtojë, edhe për vlerat e padiskutueshme letrare që ka pasqyruar. Ashtu si padashur, e pyes se nga e kishte marrë motivin për të trajtuar një tematikë të tillë,në këtë vepër. – Kam njohur virgjëresha të përbetuara, -më thotë shkrimtari. Madje, për persona të tillë më kanë folur edhe të parët e mi, prindërit, gjyshërit etj. Gjithmonë kam qenë kurajoz të di si e kalojnë jetën këto virgjëresha,si përshtaten me punët dhe detyrat e burrave etj. Nuk kanë qenë të rralla rastet kur në malësi i gjeje edhe zot shtëpie. Flet me pasion për librin, por përshkruan edhe sakrificat dhe mundin që ka derdhur në kërkime, shënime, shkrime, sqarime të koncepteve zakonore, deri në redaktim. Jo pa emocion falënderon dy fëmijët e tij Besin, jurist i njohur dhe Rivierën, gazetare në TV “Klan” për ndihmën, mbështetjen dhe kurajën që i kanë dhënë në këtë ndërmarrje të vështirë. Mua më kujtohen fjalët e të mirënjohurit Miho Gjini-Mjeshtër i Madh,i cili aso kohe e vlerësonte librin në shtypin e shkruar:”…nuk është për mitizimin enfatik të ngjarjeve me kreshnikë,me heroizma dhe trimërira. Perënditë e Dedajt zbresin në tokë si ato të Olimpit antik,trimat shtrohen në rrogoz dhe gratë heqin dorë nga “koburja në brez” dhe “xhamadani i trimërisë”.

Para ndërtesës së Pallatit të Kulturës, takojmë poetin Viktor Gjikolaj, i cili na njeh me axhendën e aktivitetit, ku kryefjalë e ditës do të ishte poezia, kjo gjini magjepsëse e letërsisë, do të vlerësoheshin edhe studime dhe krijime në prozë. Më flet me entuziazëm Ndue Dedaj për krijuesit e Qarkut të Lezhës, vlerëson impenjimin e tyre,punën e tyre plot pasion për ta radhitur rajonin tonë me rajonet më të njohura të Shqipërisë në fushën e kulturës dhe të letërsisë. Përmend plot pasion emrat e Kastriot Markut, Viktor Gjikolës, Salvador Gjeçit, Lindita Prengës, Ligor Stafës, Ernest Markut, Gjon Markut, Imer Hysës, Dodë Pjetrit, Preng Macës, Ndue Gjikës, Çezar Ricës, Ndue Markut, Mark Gj.Zefit, Gjergj Markut, veprat e të cilëve nuk kanë kaluar në heshtje. Madje kur ka qenë drejtor i shtëpisë botuese “Mirdita”, disa nga veprat e këtyre autorëve të njohur, Ndue Dedaj i ka redaktuar,u ka shkruar parathënien dhe i ka botuar,tamam si një personalitet me vlera i kulturës sonë, si një rilindës i vërtetë i ditëve tona.

Është modest,në kufijtë e thjeshtësisë. Më kujtohet vite të shkuara një takim me poetin e madh kosovar Ali Podrimja. Ishin bashkë me ne edhe shumë poetë dhe krijues të tjerë dhe përfaqësues të pushtetit lokal, që emrin ia dinin, por veprën s’ja njihnin. Nduja e vlerësoi poezinë e tij, veprën e tij. Të habiste siguria dhe thellësia e mendimit me të cilin fliste. E njihte historikisht veprimtarinë letrare të Podrimes,aq sa edhe poeti i njohur u mahnit me thellësinë e shprehjes së tij. Të gjitha këto më kujtohen sot, kur përkrah Ndue Dedës po përshkojmë sheshin qendror të qytetit,aty para përmendores së Gjergj Fishtës, veprën e të cilit duhet të përkujtojmë sot. Para nesh kalon studiuesi i njohur, fishtologu më në zë i ditëve tona,miku ynë i përbashkët Tonin Çobani. Ndalon Tonini dhe na përshëndet. Nuk e pyet për shëndetin…, por për krijimtarinë letrare dhe studimore. –Po,-i përgjigjet,njeriu i letrave,-kam shumë plane,shumë projekte,por në këta kohë të vështira,zor se mund të realizohen sipas parashikimeve tona.

Aty para përmendores së “Besëlidhjes së Lezhës” takojmë dy studiuesit e njohur kosovarë Isak Ahmeti dhe Sarë Gjergji, me të cilët njihemi prej kohësh. Rrjedh lirshëm biseda vëllazërore sidomos për fushën e krijimtarisë. Shkëmbejmë librat më të fundit të botuara, ndërkohë prof.Isaku nuk kursen fjalët e bukura dhe mbresëlënëse për veprën e Ndue Dedës “Toka e katedraleve”, një libër studimor më vlera të jashtëzakonshme për historinë e konsolidimit të kishës katolike në trojet e Arbrit. E vështroj autorin në heshtje dhe i kujtoj vlerësimin qe ka lënë një bir Mirditë për këtë vepër, Kolë Shtjefni, i cili qe shprehur se “…studiuesit e rinj kanë fillue me tregue vedin me botime mjaft interesante e shkencore,siç është edhe “Toka e Katedraleve”, ku autorit Ndue Dedaj i është dashtë me punue e hulumtue shumë për me dhanë një liber kaq të bukur…”.

   -Është një manual, -thotë profesor Isaku, -një libër tavolinë, me vlera të veçanta, sidomos për mua që vazhdoj të merrem me historinë e krishtërimit. Studiuesi Ndue Dedaj vihet në situatë të vështirë, nuk i pëlqen ta lavdërojnë, prandaj kërkon ta ndërrojë bisedën. Studiuesi i mirënjohur Sarë Gjergji më dhuron disa libra,por ai që më bëri përshtypje që “Stublla me shkollën e parë shqip 1584-1905”, ku vërteton me fakte historike se arsimi shqip ka rrënjë shumë më të thella se dokumentet që kemi sot nëpër duar. Më pyet për studiuesin e njohur Kastriot Marku, të cilin e kishte pasur redaktor të librit të librit. I them se për momentin nuk ndodhet këtu, por ka qenë i pranishëm në shtypin  e shkruar. Ndërsa prof.Isak Ahmeti kishte firmosur librin e tij me te ri “Mëvetësi e studimit dhe e krijimit të letërsisë”, botuar nga “Faik Konica” në Prishtinë, përmes të cilit merrte në shqyrtim disa vepra të studiuesit të njohur kosovar Anton Nikë Berisha. Mes turmës shquajmë edhe poetin e talentuar Zef Bardhi, fitues i Muzës vitin e kaluar me librin poetic “E paharruar…”, i cili kishte ardhur nga Italia enkas për aktivitetin kushtuar kolosit të letrave shqipe.

Para bibliotekës së qytetit takojmë poetin e njohur kosovar Vilson Culaj, i cili si gjithmonë në gaz,me atë humorin e tij të hollë, shpotit pa rezerva thellë në histori duke treguar një kulturë për t’u admiruar. Po bisedonte me studiuesin Ernest Marku, i cili i dhuroi librin e tij më të fundit “Fjalë të turitme të “gegnishtes letrare”. I pëlqeu mjaft krijuesit të nderuar kosovar kjo vepër, i cili pasi i hedh një sy, deshifron pa vështirësi disa fjalë të marra nga libri. Flet me pasion edhe për veprën e  Ndue Dedajt, i ka bërë përshtypje djaloshit kosovar libri studimor i tij “Kanuni mes kuptimit dhe keqkuptimit”, botuar rreth gjashtë vite më parë,por që vazhdon endë të jetë i freskët në memorien e lexuesit. Përtej modestisë më duhet të sjell ndër mend një pasazh të shkruar nga prof. Ismet Elezi, i cili e pat vlerësuar:”…Meritë e veçantë e autorit është se për kuptimin e Kanunit jep gjykime dhe interpretime bashkëkohore, duke nxjerrë në plan të parë domosdoshmërinë me frymën e ligjit…”. – Sidoqoftë,-shton Nduja,-Kanuni i përket të shkuarës historike,qe në moment dhe situate të caktuara duhet respektuar me rigorozitet, siç e kanë respektuar të parët tanë. Ndërkohë kemi ngjitur shkallët për në sallën “Gjergj Fishta”.Viktor Gjikolaj, poeti i njohur ideator dhe moderator i aktivitetit,si gjithnjë i qeshur,përpiqet të komunikojë me të gjithë. Është radha e Fishtës së madh, nën hijen e të cilit po gjallon edhe ky aktivitet. Për veprimtarinë e tij dhe të veçantat që solli ai në letërsinë shqipe folën prof.Tonin Çobani, Frano Kulli,foli edhe Ndue Dedaj, rrjedhshëm, bukur, por dhe Kadri Ujkaj. Shkrimtari Andrea Petromilo sapo kishte nxjerrë nga shtypi librin e tij më të ri “Trokth në livadhet e blerta”, ku merrte në shqyrtim veprimtarinë letrare të disa krijuesve, mes të cilëve edhe poetin e talentuar Viktor Gjikolaj, tregimtarin Gjergj Shyti dhe poetin Ndue Marku. Azem Baliaj,foli plot emocion për vlerat e librit. Bashkë me Nduen, dalim nga salla, përshëndetemi me shumë shkrimtarë dhe krijues,mes të cilëve Mujo Buçpapaj, botuesi i njohur i të vetmes gazetë letrare “Nacional” Qazim Shehu, poeti i njohur, bashkënxënës me mua në ish- shkollën pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan, poetja Lindita Prenga, Brunilda Përvathi, Agim Bajrami, shkrimtari i njohur Zef Përgega ardhur nga Amerika e largët etj. Gjatë rrugës për tek salla e Qendrës Kulturore të Fëmijëve, ku do të vijonte aktiviteti na shoqëroi regjisori dhe poeti i mirënjohur lezhjan Salvador Gjeçi, i cili na rrëfen edhe përkushtimin që kishte treguar për përgatitjen e disa poezive të Fishtës nga recituesit e kësaj qendre kulturore. Në holl, takoj Lulzim Logun, poetin e njohur tropojan, i cili më dhuroi “Antologji e poetëve të malësisë së Gjakovës”, një material me shumë vlera. Bisedojmë pak minuta me Lulzimin për planet krijuese. Edhe krijuesi dhe studiuesi Mark Zefi më dhuron librin e tij “Maksima nga veprat letrare”, një material i munguar në literature tone, ndërkaq na tërheq vëmendjen zëri melodioz i aktorit të njohur durrsak Mirush Kabashi, “Artist i Merituar”, i cili sapo kishte nisur të recitonte plot pasion vjershën e Fishtës “Metamorphozis”.

Është moderatori Viktor Gjikolaj që fton në skenë kryetarin e qarkut z.Gjokë Noka, i cili premtoi se aktivitete të tilla, në shërbim të letërsisë dhe kulturës do të ketë edhe në të ardhmen. Pastaj përshëndeti Prefekti i Qarkut z.Eduart Nreca ndërsa zv/kryetari i Qarkut z.Agustin Marku, vlerësoi punën plot pasion të krijuesve dhe premtoi për organizim të aktiviteteve të tjera të këtij lloji. Ndahen edhe çmimet në fushën e krijimtarisë letrare:

  • Autori Gjergj Marku për veprën “Ansambli Mirdita”, “Mjeshtër i Madh”
  • Brunilda Përvathi për veprën në poezi “Akrepa të thyera”.
  • Gjon Marku për veprën “Mëkati përtej detit”, – tregime.
  • Ndue Marku për veprën “Ashklat e muzës”, – poezi.

Në vlerësimin real të këtyre veprave,veç prof. Sadik Bejkos ka kontribuar edhe krijuesi Ndue Dedaj. Më tej, poetët pjesëmarrës recituan para të pranishmëve disa nga poezitë e tyre më të mira. Patën nderin të dilnin në skenë poetët:Tahir Bezhani nga Gjakova,Vilson Culaj, Agim Bajrami, Demir Gjergji, Azem Baliaj, Lindita Prenga etj., të cilët ndezën sallën me recitimet e tyre. Në fund juria nderoi më të mirët e Muzës Poetike: Tahir Bezhani, Agim Bajrami dhe Azem Baliaj.

Së bashku me të mirënjohurin Ndue Dedaj, me një tok librash në dorë, dalim plot emocion nga salla, duke uruar që aktivitete të tilla, në shërbim të kulturës dhe letërsisë të zhvillohen sa më shumë. –Është fat i madh ,- më thotë shkrimtari i njohur Ndue Dedaj, – qe në krye të dikasterit të qarkut është një person i tillë që kërkon të zbusë sadopak problemet e shumta që kanë shkrimtarët dhe artistët në promovimin e veprave të tyre. Ndahemi me miqtë tanë shkrimtarë dhe studiues nga mbarë trevat shqiptare, për t’u takuar sërish në aktivitete të tjera të kësaj natyre. Shpresojmë…

SHKARKO APP