Një injorant kalibri

Nga Dritan Kaba –

Injoranca e Kryeministrit italian është shumë e dukshme!
Ky qenka “mbrojtësi” ynë!
Mirë Shqipëria, që na qenka me shumicë myslimane, po Maqedonia e Veriut ku e gjeti shumicën myslimane nuk e kuptoj!
Ky fakt tregon që “mbrojtësi” është një injorant i klasit të parë dhe nuk e di se çfarë po mbron.
Mbrëmë sondazhi në “Opinion” tregoi qartë, se 72% e shqiptarëve janë të ndërgjegjshëm, se vendi ynë nuk e meriton hapjen e negociatave. Shqiptarët janë më të qartë se burokratët e pavotuar, që ende nuk e meritojnë hapjen e negociatave.
Në Shqipëri gëlon krimi i organizuar. Ekonomia është kapur në dy tre duar oligarkësh. Drejtësia është inekzistente. Gjykatat dhe Prokuroria në 90% të tyre janë te kapura nga banda në pushtet. Organet e reja të Drejtësisë KLP, KLGJ dhe KED drejtohen nga njerëz që janë të zgjedhur në mënyrë antikushtetuese. Ku pjesëtaret e kësaj trupe “të re” mbi 70% e tyre janë vlerësuar nga OMN si të padenjë dhe ku pjesa me e madhe e tyre nuk kanë kaluar as Vettingun.
Arroganca, padrejtësia, paligjshmëria dhe grabitja e pronave dhe taksave të shqiptarëve janë katër kolonat ku mbështetet qeveria e Rilindjes. Këto janë katër këmbët e kësaj ngrehine të kriminalizuar, por Conte nuk e sheh! Ashtu siç nuk sheh as drogën që vërshon nga Shqipëria drejt vendit të tij.
Shqiptarëve nuk iu duhen të tillë “mbrojtës”. Ne nuk kemi nevojë për “përkëdheljet” e tij, por për miq realistë, që na e thonë të vërtetën në sy.
Shqiptaret nuk kërkojnë të hyjnë në BE si erëza që i hidhet një gjellë, për t’i dhënë shijen myslimane unionit, por si qytetarë të barabartë, që duan shtetin ligjor, progresin ekonomik, drejtësinë e barabartë dhe kërkojnë t’i bashkohen përkatësisë së tyre mijëra vjeçare si pjesë e pandashme e Evropës.
Shqiptarët nuk kërkojnë mëshire, as vlerësim për diçka që nuk tregon realisht vlerat dhe qenien e tyre evropiane, por një vlerësim realist për të parë veten tek qëndrimet e drejta.
Të tilla qëndrime dhe argumente si këto të injorantit Conte, vetëm e dëmtojnë integrimin e Shqipërisë në veçanti dhe çështjen kombëtare të shqiptarëve në Ballkan në përgjithësi.
Vetëm me reforma reale, me zhvillim ekonomik, krijim të një shteti ligjor me një drejtësi të pa kapur, me një luftë të pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit qeveritar, Shqipëria mund të bëhen pjesë vitale dhe e barabartë me shtetet e tjera evropiane.

SHKARKO APP