Një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi…

Nga DRITAN HOTI

Marrëveshjet që janë kryesisht gjithëpërfshirëse, të cilat përmbyllin një cikël po aq tragjik, sa edhe të dhimbshëm të një konflikti ndërmjet dy kombeve, ekzaltohen nga historia. Me të drejtë, ato marrëveshje nuk shihen thjesht si epilogu i një konflikti, por si ngritja e siparit të një realiteti të ri ose e thënë më mirë, një ekuilibri paqeje përbrenda një rajoni, një kontinenti. Mirëpo, që rezultati i marrëveshjes, i cili si qëllim në vetvete ka ravijëzimin e realiteti të ri, që të jetë i suksesshëm, ndërvaret nga një mori motivesh e konditash që interferojnë në të, dhe ato janë: shtrirja gjeografike e të dyja kombeve në konflikt, prej ku edhe pesha gjeopolitike e sfidës, predispozita e elitave drejtuese si dhe shoqërive respektive për të rrokur ndryshimin, dhe mbi të gjitha përmasa e dy shteteve në konflikt, prej ku përcaktohet edhe ndikimi apo imponimet e fuqive të mëdha, patronazhin që ato pasqyrojnë. Për sa i përket një fillimi të ri midis Francës dhe Gjermanisë, i cili nuk përbën simetrinë e saktë për ato shqiptaro-serbe, megjithëse mbështetja e diplomacisë amerikane në atë kontekst nuk mungonte, përmasa e të dy vendeve si dhe bindjet intelektuale, vizioni i elitave tok me pritshmëritë e shoqërive në fjalë, vulosi realitetin e ri te prodhuar.

Në rastin e Gjermanisë dhe Francës, zanafilla dhe dinamika e konfliktit si dhe premisat e pajtimit ishin ekskluzivitet i të dyja fuqive në konflikt, e gjitha kjo e brendalidhur me procesin e konsolidimit të monarkisë së përqendruar, pra, të shtetit-komb francez sikundër realizimit të bashkimit gjerman, pra, shtetit-komb gjerman. Konflikti shqiptaro-serb ka po të njëjtën pikënisje e motiv, me një ndryshim të dukshëm. Aty, proceset, ai i shfaqjes së shtetit-komb serb, si dhe ai shtetitkomb shqiptar në zhvillim e sipër, nuk janë totalisht ekskluzivitete të asnjërit prej rivalëve në fjalë, por u frymëzuan nën patronazhin e fuqive të mëdha në periudhat përkatëse historike, asaj të Rusisë dhe aleatëve të saj në kapërcyellin e shekullit të XIX-të dhe XX-të, në rastin e Serbisë si dhe nën mbikëqyrjen e proteksionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rastin e çështjes shqiptare, më të cilën bota shqiptare ka hyrë tashmë në një aleancë të veçantë. Është pothuajse si një ligjësi e pashmangshme se përgjatë një konflikti apo krize të tejzgjatur ndërmjet dy kombeve në një moment të caktuar, kërkesa për një marrëveshje përfundimtare, që detyrimisht do të jetë gjithëpërfshirëse, bëhet një domosdoshmëri, si ajo e synuar aktualisht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, së cilës po i bëhet jehonë ndërkombëtarisht, në të cilat paradoksalisht elitat politike si dhe opinion publik respektiv i të dyja vendeve, ndoshta ende nuk janë përgatitur siç duhet.

Në një letër të pak ditëve më parë, adresuar dy presidentëve, atij të Kosovës, Thaçit si dhe homologut të tij, Vuçiç, Presidenti amerikan, Donald Trump, vinte theksin në arritjen përfundimtare gjithëpërfshirëse të marrëveshjes, e cila do të bazohej mbi “një ekuilibër përkundrejt pritshmërive të të dyja palëve.

Ndërsa këshilltari i tij për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, në mënyrë të kujdesshme, pranonte se edhe në rast se të dyja vendet binin dakord, që ndër të tjera, si pjesë përbërëse e këtij kompromisi të përfshihej edhe një proces shkëmbimi kufijsh, për të cilin SHBA-të nuk ishin sponsorizuesit e drejtpërdrejtë, ato do ta pranonin edhe këtë proces në funksion të rezultatit përfundimtar.

Me shumë takt diplomatik, këshilltari i Sigurisë kombëtare të Amerikës preferonte që thembra e Akilit e kësaj marrëveshjeje, ajo e shkëmbimit të kufijve, të buronte nga një kompromis reciprok i dëshiruar nga të dyja palët për të shmangur mundësisht trajtimin e këtij rasti si një precedent referues për problematika analoge, të cilat asociohen me atë të shkëmbimit të kufijve në raste dhe rrethana të tjera. Në këtë vazhdë, Presidenti ftonte që të dy kryetarët e shtetit, atë të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atë të Serbisë, Vuçiç, që ta firmosnin marrëveshjen përfundimtare në praninë e tij në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Mirëpo, raportet shqiptaro-serbe, në epiqendër të së cilës qëndron Kosova në ndryshim me rivalitetin franko-gjerman i së shkuarës si shtylla kryesore e arkitekturës europiane, janë pjese e rëndësishme e lojës gjeopolitike në Europën juglindore.

Ndërsa Kosova e mbështet rëndësinë e saj jo vetëm në përbërjen etnike, por edhe në shtrirjen gjeografike si kufiri ndarës i popullsive sllave me ato josllave, që janë shqiptarët, diametralisht të kundërt për sa u përket orientimeve gjeopolitike me ta. Serbia, e cila ka hyrë në një aleancë të posaçme me Rusinë mbi bazat e lidhjeve të gjakut dhe besimit të njëjtë fetar, ka shërbyer dhe ende vazhdon ta gëzojë këtë pozitë edhe në momentet aktuale, si baza kryesore mbështetëse e aksionit të Rusisë në Ballkan.

Në këtë kontekst, a do të ishte e gatshme Rusia ta pranonte dhe përshëndeste firmosjen e një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse në Shtëpinë e Bardhë? A nuk do të perceptohej nga diplomacia ruse kjo jo vetëm si një marrëveshje që i shkon përshtat pikëpamjeve amerikane, por edhe si ngritja e pengesave që do ta përafronin Serbinë me bllokun perëndimor, duke e privuar përfundimisht Rusinë nga pika kyçe e saj mbështetëse për strategjitë e saj në lidhje me Ballkanin, përherë të lakmuar nga ajo?

Rusia, sidoqoftë, do ta projektojë përfshirjen e saj në procesin përfundimtar të një marrëveshjeje të mundshme gjithëpërfshirëse, Kosovë-Serbi, duke i vlerësuar rezultatet sipas këndvështrimit të saj gjeopolitik.

Një ndër temat e nxehta të axhendës përgjatë vizitës së Presidentit Putin javën e ardhshme në Beograd me siguri do t’i përkushtohet kësaj situate. Në rast se dialogimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përparon në këtë sens, atëherë çdo produkt nga kjo marrëveshje do të duhet të ketë më shumë kujdes në funksion të asaj që në letrën e Donald Trump-it nënvizohet si “ekuilibri për pritshmëritë reciproke”, në të kundërt çdo pakënaqësi apo privim i perceptuar do t’i shtynte të dyja palët të tundoheshin nga politika nacionaliste.

Serbia do të orientohej serish drejt popullsive serbe rreth saj, kurse Kosova do të prihej qe t’i bashkëngjitej Shqipërisë, duke përmbushur kështu një aspiratë madhore kombëtare në pikëpamjen e shqiptarëve, por duke rezultuar njëkohësisht turbulluese për ekzistencën e fqinjëve rrethues.

Nëse arrihet kjo marrëveshje gjithëpërfshirëse bilaterale, etapa pasuese që ajo të shndërrohej në përfundimtare do të ishte parashtrimi i saj për miratim nga faktori ndërkombëtar, i cili personifikohet me qëndrimin e SHBAve, Britanisë së Madhe, Gjermanisë e deridiku Francës si dhe Rusisë, të cilat do ta trajtonin këtë problematikë në formën e një konsorciumi ndërkombëtar, një lloj shëmbëlltyre të Kongresit të dikurshëm të Berlinit, që ngriti siparin e kësaj krize në kurriz të shqiptarëve, të Konferencës së Rambouille-së që lançoi tatëpjetën e pozitave të Serbisë në Ballkan me një ndryshim, i cili këtë radhë do të konsistonte në finalizimin e marrëveshjes. Ndërkohë që përbrenda fuqive që përfaqësojnë atë që njihet si blloku perëndimor, nuk ekziston unanimiteti i qëndrimeve në lidhje me opsionin e shkëmbimit të kufijve.

Gjermania, e cila përndjek tashmë interesat e saj po sipas skemave të saj në Ballkan si dhe Britania e Madhe pothuajse përherë në sintoni me qëndrimet amerikane, e gjykojnë mekanizmin e shkëmbimit të kufijve brenda marrëveshjes si problematik e kontaminues për situata analoge apo të përngjashme dhe si rrjedhojë e kanë të vështirë ta pranojnë atë. Autori i artikullit në fjalë nuk shfaq kompetencën e plotë të paraqesë formulën definitive të ecurisë të këtij procesi, por synon ta parashtrojë atë në formën e një analize apo projeksioni të një prognoze.

Në tërësinë e elementeve që përbëjnë konstelacionin aktual të raporteve Kosovë-Serbi, duke përfshirë edhe iniciativat për këtë marrëveshje, spikat veçanërisht njeri prej tyre, ai i shpalljes së formimit të Ushtrisë së Kosovës pak ditë më parë, me një fjalë paralelisht po me procesin e negociatave dypalëshe, si një realizim ekzistencial historik, i përkrahur fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatit të saj të afërt, Britanisë si dhe e pranuar edhe nga Gjermania e Turqia, që përmban edhe një mesazh të dyfishtë.

Në rast të arritjes së marrëveshjes përfundimtare, ekzistenca e Ushtrisë së Kosovës si elementi-kyç i mbrojtjes së shtetit nënkupton se statusi i Kosovës si entitet do të vazhdojë të funksionojë në të njëjtin dimension si ai aktuali, pra, e pavarur, me status të parevokueshëm; në të kundërt, në rast të mungesës së marrëveshjes përfundimtare, status quo-ja e tanishme do të vazhdojë, por me kosto, pasi të dyja kombet do të fokusohen në përmbushjen e synimeve te tyre kombëtare dhe shqiptarët në stadin aktual janë më të favorizuar. Për ta do të jetë një gjendje që duhet t’a trajtojnë duke shmangur mangësite e se shkuares dhe pa komplekse, duke e parë sfidën si një përgjigje ndaj sensit të historisë.

*Pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë

SHKARKO APP