Një mundësi që nuk duhet humbur!

Nga Shpëtim Puca – Sot Wolswagen shpalli një program të ri. Kërkohet një vend i përshtatshëm në Ballkanin Perëndimor për një fabrikë të re moderne, me një investim prej miliarda dollarësh. Në të do të prodhohen makinat e reja elektrike.

Kërkohet një vend i virgjër, i freskët me fuqi punëtore të re, një vend ku njerëzit të kenë nevojë dhe dëshirë për punë, një vend ku të rinjtë të mos marrin rrugën e mërgimit, por të jetojnë në familjen e tyre, afër të afërmeve, afër prindërve . Në këtë kompani do të punësohen me mijëra të rinj djem dhe vajza.

Kompania ndërkombëtare kërkon për projektin e saj një zonë bregdetare, kënetë ose moçalore. Zona do të sistemohet me të gjitha rruhet e komunikimit. Në të do të ndërtohen mijëra shtëpi të reja, të sistemuara me lulishte, me asfalt, shkolla, parqe, qendra shëndetësore dhe të rinjtë që do të punojnë aty do t’i kenë të gjitha kushtet moderne për të jetuar. Flitet për miliarda dollarë investime. Flitet për një të ardhme të re dhe të ndritur të një kombi që aq shume e duam.

Të nderuar vëllezër, vetëm ky lajm mua më la pa gjumë dhe më beri të ëndërroj dhe kjo dëshirë më solli në mes të natës nga Ankaraja në vendin tim të bukur. Aty fëmijët tanë do të punojnë, do të fitojnë, do të krijojnë familje të reja dhe pas punës do dalin në plazhet e bregdetit.

Fitimet, si nga ana e njerëzore ashtu edhe nga shteti, do të jenë shumë më të mëdha se sa 10 TAP të marra së bashku.  Vetëm në Turqi, një investim i tillë i kalon 50 miliardë dollarë në vit dhe shteti vetëm nga taksat e fitimet i ka me miliarda dollarë. Gjithashtu, të mos harrojmë që një investim i tillë në Turqi i mbushi 20 vjet duke sjellë të ardhura për shtetin dhe qytetarët. Aty njerëzve tanë do t’u rikthehet buzëqeshja, shpresa, dëshira dhe dashuria për vendin, për nënat, baballarët, vëllezërit dhe të dashurit.

Edhe tani që po shkruaj këto fjalë ndjej emocion dhe shprese se dikush nga drejtuesit e shtetit është më i mençur se unë, është më i gatshëm, më i përgatitur se unë dhe po bën gati valixhen për t’i hipur avionit dhe të flasë gojarisht me drejtuesit e Wolswagenit në Shtutgard, Gjermani.

Ky drejtues shteti do t’ju tregojë atyre kënetën e Lezhës, atë në Divjake, Nartën në Vlorë apo diku tjetër. Do t’ju tregojë edhe ndonjë mal aty afër për mbushje dheu, sepse male kemi plotë dhe do t’ju thotë: “Zotërinj, ja ku e keni Shqipërinë, ja ku e keni detin, ja ku i keni njerëzit, ja ku jemi edhe ne si shtet. Ju lutemi investoni tek ne, bëjeni këtë investim gjigand në Shqipëri në vendin tonë të bukur.

SHKARKO APP