”Një në pesë të infektuar me COVID-19 nuk shfaqin simptoma”, studimi gjerman: Shifrat janë mbi 10 herë më të larta se sa rastet e konfirmuara

Numri i të infektuarve me Covid-19 në Gjermani është mbi 10 herë më lartë se sa numri i rasteve të konfirmuara, bazuar në një studim të Universitetit të Bonit në një nga qytetet gjermane më të prekura nga virusi. Autorët e studimit gjithashtu zbuluan se rreth një në pesë njerëz të infektuar me Covid-19 nuk shfaqnin simptoma.

Rezultatet paraprake të studimit, të cilat ende nuk janë analizuar nga grupe të tjera shkencëtarësh për publikim në revistat shkencore, janë një rikujtim i rrezikut të infeksionit nga bartës të paidentifikuar të virusit, disa prej të cilëve nuk tregojnë simptoma, thanë studiuesit.

Rezultatet e studimit dalin në një kohë kur Gjermania ndërmori hapa të mëtejshëm për lehtësimin e kufizimeve, duke rihapur me kushte të rrepta muzetë, floktoret, kishat dhe më shumë fabrika të makinave.

Rreth 1.8 milion njerëz që jetojnë në Gjermani duhet të jenë infektuar, një shifër mbi 10 herë me e lartë se 160,000 rastet e konfirmuara deri më tani, thanë drejtuesit i ekipit të studiuesve, Hendrik Streeck dhe Gunther Hartmann.

“Është e rëndësishme të theksohet se kjo është një përllogaritje. Në qoftë se supozojmë se niveli i vdekshmërisë për Gjermaninë është 0,37 për qind, ne mund të projektojmë se 1, 8 milion njerëz janë të infektuar në të gjithë vendin”, thotë studiuesi Hendrik Streeck.

Ekipi analizoi tamponet e gjakut dhe hundës nga një kampion i 919 personave që jetonin në qytetin e Gangeltit pranë kufirit me Holandën, i cili ka patur nivelin më të lartë të vdekjeve në Gjermani.

“Ne besojmë se niveli 0,37 për qind është më i larti që mund të presim sepse Gangelti ishte një ‘super ngjarje e përhapjes (së koronavirusit)’. Njerëzit morën pjesë në një karnaval dhe virusi u përhap në një zonë të madhe”, tha studiuesi Gunther Hartman.

Autorët e studimit gjithashtu zbuluan se rreth një në pesë njerëz të infektuar me Covid-19 nuk shfaqin simptoma.

“Studimi tregoi shumë aspekte të ndryshme. Sipas studimit, çdo i pesti person i infektuar me koronavirus nuk shfaq simptoma. Të moshuarit mund të infektohen me Covid-19 dhe madje edhe në qoftë se kanë sëmundje të tjera serioze ata nuk do të thotë që (në të gjitha rastet) mund të kenë simptoma të rënda”, tha Hendrik Streeck, bashkëdrejtues i studimit.

/VOA

SHKARKO APP