Një orë e vështirë për politikën tonë të jashtme
Nga Skënder Minxhozi –
Janari na gjeti me kostumin e vendit që kryeson OSBE, një ndër organizatat më të vjetra të sigurisë e bashkëpunimit në Evropë. Një sfidë komplekse dhe e panjohur për ne, pasi nuk e kemi patur asnjëherë vulën e presidentit të rradhës, në marrëdhënien tonë prej mbi tre dekadash me këtë institucion. Muaji i parë i vitit 2020 na gjeti gjithashtu edhe si një shtet që ka dalë për të lobuar për ndihmë dhe mbështetje ekonomike e financiare, për shkak të tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit. Madje kjo sfidë e dytë humanitare e bëri të ngjajë si të tepërt dhe disi jashtë kohe, sfidën e parë, atë të drejtimit të OSBE. Një vend me mijëra të pastrehë nga tërmeti dhe që la pas një vit politik tronditës, kthehet e i jep mend Kaukazit, Ukrainës dhe pjesëve të tjera të trazuara të kontinentit, për punë sigurie e bashkëpunimi?!
Megjithatë si për të përmbushur thënien fataliste “nuk ka dy, pa tre”, përfshirja në orët e fundit, qoftë edhe indirekt, në krizën iraniane, i vendosi nervat edhe ashtu të tendosura të politikës tonë të jashtme në një tjetër sprovë delikate. Deklarata e liderit iranian Kamenei se “Është një vend shumë i vogël por shumë djallëzor europian, ku elementë amerikanë bashkëpunojnë me tradhtarë iranianë dhe planifikojnë kundër Republikës Islamike. Dhe plani që kishin u pa qartë, me protestat që u mbajtën në Iran, pasi disa nga ata tradhtarë erdhën në Iran për të protestuar. Agjentë armiq nisën të zbatojnë planin për të sabotuar, vrarë dhe opër të shkatërruar si qeverinë ashtu dhe kushtetutën tonë”, e fut Shqipërinë në syrin e një konflikti, i cili në fakt nuk është i saji.
Në fund të janarit është parashikuar të mbahet një konferencë donatorësh, për tërmetin e 26 nëntorit, i cili gjithnjë e më shumë po kthehet nga një problem e shqetësim kombëtar, në hallin e atyre që kanë mbetur pa strehë në mes të dimrit të acartë. Lobimi politik që qeveria shqiptare ka bërë pranë Bashkimit Europian, Turqisë e donatorëve të Gjirit Persik, po vjen drejt “printimit” të faturës financiare zyrtare. Çfarë do të dalë nga takimi i fund-muajit në Tiranë? Sa do të jetë dimensioni financiar i bamirësisë perëndimore, për një tërmet të cilin po provojmë se nuk mund ta përballojmë të vetëm?!
Nga ana tjetër, fillimi i presidencës së OSBE do ta çojë Edi Ramën, si kryeministër e ministër i jashtëm njëherësh, në disa vende ku prej fundit të viteve ’90 nuk zhvillohen vizita zyrtare të qeveritarëve të lartë shqiptarë. Fjala është më së pari për Rusinë, vendin që ka rezervuar deklarata shumë të ashpra personale ndaj Edi Ramës dhe partisë që ai drejton, në të shkuarën jo fort të largët. Gjithashtu ka pasur dhe ka kuriozitet të shihet sesi do ta përballojë pala shqiptare ushtrimin shumë të vështirë diplomatik të drejtimit njëvjeçar të OSBE, me gjithë aktivitetet jashtëzakonisht impenjuese brenda organizatës apo edhe në terren.
Sa për krizën iraniane, Shqipëria e ka bërë prej kohësh zgjedhjen e saj, kur pranoi 3200 muxhahedinët dhe kur përzuri ambasadorin e Teheranit në dhjetor të vitit 2018. E ky pozicion sot po na ekspozon përballë një risku që mbetet më shumë i natyrës diplomatike, sesa i mbarsur me pasoja konkrete për vendin tonë.
Javanews.al