Njeriun që s’pajtohet me të keqen  

 

Nga Nuri Dragoj

Ishte muaji tetor i vitit 2002, kur po bisedoja me drejtorin ekonomik të Ministrisë së Arsimit, për një çështje që kishte të bënte me librin shkollor. Një firmë fantazmë kishte rrëmbyer nga buxheti i shtetit 5 miliardë lekë për shtypjen e librit shkollor, por ato nuk erdhën kurrë. Madje, shtypshkronjës në fjalë nuk i gjendej adresa. Zbrita te redaksia e gazetës “Mësuesi” për t’u informuar diçka më shumë rreth këtij problemi.

Kryeredaktori i gazetës, Ilir Kanini, ishte duke biseduar me një shok të vetin, dhe më pyeti:

-Njihesh me Franin? Ky është Fran Gjoka. -E kemi korespodent të gazetës për Lezhën, tha kryeredaktori.

I dhashë dorën Franit, duke i thënë se kisha lexuar dhjetra shkrime të tij dhe pata krijuar përshtypjen se ishte gazetar profesionist, jo mësues, për shkak të numrit të madh të shkrimeve të botuara, larmisë së tematikës dhe cilësisë së tyre.

Frani atë çast mu shfaq me fytyrë të pastër, si ajo e njerëzve që jetojnë përherë në ajër mali, e janë mësuar me çdo kohë, me ngricë e vapë, të cilat u kanë regjur lëkurën dhe ua kanë forcuar nervat për të duruar shqetësime e vuajtje. Me pamje burrërore, me hundë të rregullt që e ndan fytyrën në dy pjesë të barabarta, paraqitje mjaft shprehëse, ku mbizotëronte nuanca e zeshkët dhe e kuqërremtë, që e tregonin me burrëri të vërtetë. Kishte sy bojë kafe të çelët, të gjallë e të mprehtë dhe kur fliste të shihte drejt e në sy.

Ky ishte takimi i parë fizik me Fran Gjokën. Dy vite më pas, u takuam sërish në Ministrinë e Arsimit. Këtë radhë u bë shkak miku im Viron Kona, i cili atëherë kishte filluar punë në gazetën “Mësuesi”. Kështu takimet vijuan, e më pas mbetëm miq të mirë.

Frani është i sinqertë dhe nuk pajtohet me veset. Siç thotë dhe vetë ai, njerëzit e punës, në tërësi, janë të mirë, pasi nuk kanë kohë të merren me intriga. Është kjo arsyeja që Frani renditet ndër ata persona, që më mirë pranon të lërë kokën, sesa të gënjejë. Pranon të vdesë urije dhe nuk cënon tjetrin. Këto janë pikëpamjet e mësuesit lezhian. Të tillë karakter ka. Madje kështu i ka edukuar edhe fëmijët. Punon ditë e natë. Shokët e tij të afërt thonë se Frani është i fortë si hekuri dhe i kulluar si ari. Beson në krijimin e një shoqërie ideale, beson te vëllazërimi i njerëzve, te njohja e meritave dhe virtyteve, te paanësia, te ndjenjat e mrekullueshme universale.

Ndershmëria, vendosmëria dhe mirëbesimi e gjallëronin atë fytyrë tërheqëse, të cilit jeta e mundimshme, si e shumë shqiptarëve, i ka lënë ca rudha në ballë. Në fytyrën e Franit mund të lexosh lehtësisht çdo ndjenjë dyshimi e mosbesimi, sapo të lind në mendjen e tij. Kështu janë njerëzit e sinqertë. Me shtat të derdhur e të zhdërvjelltë, me të drejtë cilësohet burrë me trup të rregullt e mjaft i paraqitshëm.

 

Përse po rritet numri i analfabetëve në Shqipëri?

 

Rritja e analfabetizmit është shqetësim dite. Në Shqipëri, 12% e fëmijëve në moshë shkolle janë analfabet. Kjo do të thotë që ata nuk dinë të shkruajnë dhe të lexojnë, sepse rreth 30 mijë fëmijë nuk shkojnë fare në shkollë. Shkaqet e rritjes së numrit të analfabetëve janë të ndryshme, por në krye të tyre qëndron problemi ekonomik. Negativisht ndikon pakësimi i popullsisë në fshatra, shoqëruar me kufizimin e numrit të shkollave, por jo pak ndikim ka cilësia e shërbimit arsimor, gjaklmarrja dhe fenomene te tjera negative. Kjo ka bërë që edhe analfabetizmi funksional të jetë shumë i lartë dhe të kërcënojë seriozisht të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Banka Botërore pohon se mbi 50% e nxënësve janë analfabet funksional. Por edhe sikur kjo shifër të jetë e fryrë, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit deklarojnë se janë të tillë 25% e numrit të përgjithshëm të nxënësve. Pra, 60 mijë nxënës shkojnë në shkollë, por nuk dinë të shkruajnë e të lexojnë si duhet, aq më pak të kryejnë veprime arithmetikore. Paaftësia e mësuesve për shkak të nivelit të ulët që kanë, është një nga faktorët më me rëndësi, por edhe degjenerimi i teksteve ka bërë të vetën. Një mësues mathematike, në një prej gjimnazeve kryesore të Tiranës, thotë se nxënësi i klasës së 10 mëson veprime arithmetikore, të cilat më parë i përkisnin klasës së gjashtë. Sipas tij, kjo bëhet me qëllim, në dëm të interesave të kombit shqiptar.

Edukatorët e brezit të ri luajnë rol thelbësor në përgatitjen e së ardhmes së tyre, por edhe të rinjtë mësojnë nga përvoja shumëvjeçare e mësuesve, njihen me dobinë që sjell e drejta, si dhe dëmin që shkakton e keqja. Duke i njohur të dy këto anë të medaljes, mjaft të rëndësishme për jetën, ata përgatiten të kontribojnë dhe t’i shërbejnë me dinjitet dhe ndershmëri shoqërisë së brishtë shqiptare.

Në shtetet perëndimore, si Gjermani, Francë, Angli, Kanada, ca më tepër në Suedi e Norvergji, ky profesion është ndër më të vlerësuarit nga shoqëria, por edhe nga më të paguarit prej shtetit. Kjo për faktin se mësuesi ka funksion me rëndësi unike. Të gjithë ata që do të kenë fatin të ndërtojnë, projektojnë, shërojnë njerëz apo kafshë, të rrisin bimë të shëndetshme, të shkruajnë poema e romane, të bëjnë politikë apo drejtojnë institucione shtetërore, e deri te ata që prodhojnë armë atomike, më parë kanë qenë nxënës, pra kanë mësuar elementet më të domosdoshme të dijes nga mësuesit e tyre.

Diskutonim për këtë çështje me mësuesin lezhian, Fran Gjoka dhe dialogu rrodhi natyrshëm. Folëm për cilësinë e mësimdhënies, shkallën e interesimit të nxënësve, nivelin e mësuesve, i cili në mjaft raste është i dobët. Biseduam lidhur me preferencën e nxënësve për të studiuar në degë që gjykohen se kanë para, si mjekësi, drejtësi, shkenca politiko-sociale etj. Franit i dhimbset arsimi. E dashuron profesionin dhe gjithë jetën ia ka kushtuar përgatitjes së brezit në rritje. Ka provuar mijëra raste gëzimi, kur nxënësit e tij kanë dalë shkëlqyer në provime dhe më tej kanë kryer studimet e larta me rezultate të kënaqshme.

Sipas shkrimeve të Franit, mësuesi duhet të jetë pjesë e rrugëtimit të fëmijëve drejt udhës së dijes dhe një të ardhmeje të përkryer, duke i përgatitur profesionalisht dhe moralisht nxënësit. Me të drejtë mësuesi shihet si prind i dytë për fëmijët e shkollës, pasi dashuria e tyre është e madhe, dhe një pjesë të mirë të kohës e kalojnë së bashku. Problemet që hasin në udhëtimin e gjatë të jetës, fëmijët i ndajnë me mësuësit e tyre, pasi me ta ndihen më të lirshëm dhe më të sigurt. Por vlerësimi për këtë profesion fisnik është i paktë. Në degën e mësuesisë shkojnë nxënësit më të dobët, pasi kërkesa në to është e ulët, por edhe pagat e mësuesve janë nën nivelin mesatar, kur në perëndim është nga profesionet më të paguar.

 

Kërkohet më shumë vlerësim për mësuesin

 

Në shkrimet e tij, Fran Gjoka këshillon institucionet shtetërore që t’i kushtojnë më shumë vëmendje arsimimit të fëmijëve. Kjo zë fill me përgatitjen e mësuesve, hartimin profesional të teksteve, ndërgjegjësimin e prindërve për nevojën e arsimimit të fëmijëve etj. Prandaj në këto shkolla duhet të shkojnë nxënësit më të mirë dhe të forcohet kërkesa për diplomimin e tyre, pasi ajo ka rënë. Një miku im, mësues mathematike në një prej gjimnazeve kryesore të Tiranës, na thoshte se matematika që bëjnë sot nxënësit e klasë së dhjetë, më parë zhvillohej në klasën e shtatë. Ky fakt flet shumë. Prandaj themi që arsimi duhet të futet në listën e profesioneve më të paguara. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë objektivin e largët, për ta parë mësuesin si pasqyrë e të ardhmes së kombit.

Fran Gjoka ka shkruar shumë artikuj, në të cilët ka shpjeguar se lidhja mësues – nxënës është lidhje e fortë, e shenjtë, bazuar te sinqeriteti dhe dashuria reciproke. Mësuesit ushqejnë dashurinë për brezin e ri, të cilit i trasmetojnë gjithçka që dinë dhe, ashtu si brumi që gatuhet para se të piqet bukë, edhe fëmijët brujten me dituri, me qëllim që kur të rriten, të jenë të aftë të marrin përsipër përgjegjësitë e duhura, në organizmin dhe drejtimin e ekonomisë, apo të politikës, në dobi të zhvillimit.

Pesë vite më parë isha në Lezhë. Mirëpo, të shkosh në atë qytet bregdetar, dhe të mos takosh mësuesin e mirë, gazetarin e talentuar lezhian, nuk ka kuptim. Nuk mund të rrish pa takuar Franin. Shkuam në një kefeteri. Gjatë bisedës me mësuesin tonë, vura re se diçka e mundonte. Dialogu vetvetiu u përqendrua te puna, te jeta sociale, te varfëria, politika e lodhur, te korrupsioni, largimet nga Shqipëria e shumë të rinjve etj.

-Dua të them diçka, – tha Frani mendueshëm. – Nuk di si i gjykoni ju ngjarjet politiko-sociale në vitet e demokracisë, por unë do ta them mendimin tim. E kam fjalën për shkollën. Në fakt, njeriu i fiton vlerat njerëzore në radhë të parë në familje. Shkolla dhe mjediset e tjera shoqërore ndihmojnë për t’i çuar më tej këto vlera. Mësuesi luan rol me rëndësi, por siç thotë një fjalë e urtë, “mësuesi të hap derën, por duhet të hysh vet brenda”. Puna është se edukatorët e sotëm të brezit të ri, nuk po mundin ta hapin si duhet derën për nxënësit. Na mbytën mititantët e partive. Ç’punë kanë militantët me shkollën, ore zotëri? Ç’hyjnë bindjet politike në procesin e mësimit të matematikës apo të historisë? Gjithë drejtorët janë militantë. Por jo vetëm kaq. Mbi të gjitha janë të paaftë. Në shumë raste nuk kanë asnjë lidhje me mësimin. Kjo bënë që pedagogët e vërtetë, mësuesit profesionistë e të ditur, të ulin kokën, t’u binden të paaftëve. S’kanë rrugë tjetër, pasi ata të hedhin në rrugë, të lënë pa punë. Rastet janë të shumta.

-Ke të drejtë, i them Franit. – Kjo gjendje vihet re në të gjithë sektorët e jetës, në politikë, shkencë, arsim dhe ekonomi. Por duhet luftuar. Ja, ti me shkrimet e tua jep ndihmesë të vlefshme. Shkrimet e tua vlerësohen me nota pozitive, jo pse them unë, por ka dhe shumë të tjerë që i vlerësojnë.

-Nuk di ç’të them, – ma ktheu Frani. -Veçse jam i bindur që e keqja në këtë vend do të vijë duke u thelluar. Siç e thatë edhe ju, po rritet analfabetizmi absolut dhe ai funksional. Po ushqehet ndjenja e nënshtrimit, e bindjes së verbër. E pranoj që diktatura komuniste solli lulëzimin e sërvilizmit dhe nënshtrimit, karierizmit dhe shterpësisë së mendimit, hatëreve dhe privilegjit. Me anë të luftës së klasave u mboll frika dhe terrori, duke u bazuar në kultin e Enver Hoxhës, kultin e partisë dhe të sigurimit, të cilët ushqyen veprimet antihumane, hipoktizinë, korrupsionin, ryshfetin, servilizmin, abuzimin me karrigen, hatëret, vjedhjet, gënjeshtrën. Të gjitha këto çuan në shkatërrimin e personalitetit të njeriut, në varfërimin shpirtëror, duke e lënë atë pa personalitet dhe pa dinjitet, pa fisnikëri e pa burrëri, shembi bujarinë e besnikërinë, mikpritjen dhe shpirtgjerësinë, urtësinë dhe punëdashjen, ushqeu mosbesimin, dinakërinë e dembelizmin.

Po në ditët tona, çfarë po ndodh? Sot gjithçka e zotëron kryetari i partisë. Ai të bën ministër, deputet, drejtor, të fut ose të heq nga puna, ta zhvillon ose ta falimenton biznesin. Je i garantuar nëse i bën fresk drejtorit a ministrit, nëse mbyll gojën, nëse i thua shefit, “ti je bota”. Në të kundërt, mbetesh pa punë. Nuk ka rëndësi sa di, rëndësi ka me kë je, me mua apo kundër meje. A nuk është kjo luftë klase e pamëshirshme?

Enver Hoxha ndoqi politikën e izolimit me botën e jashtme, me kulturën dhe ekonominë europiane, me lirinë dhe demokracinë e tyre, pasi në këtë mënyrë e mbante më lehtë popullin të nënshtruar, në errësirë të plotë, sepse kështu komandohej më lehtë, njëlloj si feudalët e principatëve shekuj më parë. Sot jemi hapur me botën, por vendin e drejtojnë hajdutë e kriminelë, ata që dinë të vjedhin, të pacipët, njerëz që nuk e duan Shqipërinë. Të jesh i sigurt që na ka mbytur e keqja, mediokriteti është ulur këmbëkryq.

-Jemi në një mendje, – i thashë Franit. -Një nipi im, kreu universitetin në Gjermani, specializimin po aty, mbrojti dhe doktoraturën, të gjitha me medalje ari. E mbajtën asistent në universitet. Rast i rrallë, se në Gjermani nuk është e lehtë të konkurosh deri në këto nivele. Por i ati, burrë i vjetër e atdhetar, i thotë të birit: Hajde në Shqipëri të vendosësh dhe ti një gur në themelin e ngritjes së saj, në të kundërt mua nuk më tret dheu! Po nuk ndihmuam ne, që si fis kemi derdhur kaq shumë gjak në breza, kush do të ndihmojë? Dhe ai, iu bind. Djali erdhi në Shqipëri, por nuk e merrnin në punë. Konkuro, i thoshin. Dhe ai konkuroi 17 herë. Në 13 raste doli i pari, ndërsa në 4 konkurime, u klasifikua i dyti. Por punë nuk i dhanë, se titullari kishte të drejtë të zgjidhte ndër tre të parët. Nuk duhej në administratë një i ditur, atdhetar, sepse u prishte punë. Dhe iku. Por jo në Gjermani. I vinte turp. Shkoi në Kanada.

Kur ti Fran me flet për mediokritetin, më kujton vitet ’70, të shekullit të kaluar, kur nisi të diskutohej ngado për paaftësinë, e cila konsiderohej ndër rreziqet më të mëdha të shoqërisë shqiptare. Dukej sikur të gjithë ishin të tillë, përveç atij që e lakonte fjalën “mediokër” në të pesë rasat. Në atë kohë shkrojta dhe unë një artikull me titull “mesatarët”, në të cilin trajtoja një çështje të ditës. Flitej shumë për të dalluarit në gjithë fushat e jetës, kritikoheshin të prapambeturit dhe punohej pak me ata që i kategorizonin te mesatarët. Kjo pjesë e shoqërisë, ku gjeje elementë të shumtë, me një shtysë të lehtë, me një sinjal shprese për hapjen e dyerve, në dobi të atyre që e donin punën, mund të dilnin lehtësisht në nivelin e të përparuarve. Por atëherë ishte kohë e vështirë. Ndryshe mendohej dhe ndryshe shkruhej. Në letër gjërat duhej të hidheshin ashtu siç i kërkonin ata që ishin lart, në të kundërt, lehtësisht mund të konsideroheshe ‘i lajthitur”. Sot mund t’i thuash mendimet, por nuk i merr kush në konsideratë. Vlerën e ka marrë paraja, mendja është lenë mënjanë. Mbase do të vijë dita që Shqipërinë të drejtojnë shqiptarë.

Duke biseduar për rëndësinë që ka niveli përgatitor dhe serioziteti në punë i mësuesit, mu kujtua një moment nga një vizitë që bëmë dy vite më parë në Norvergji. Ishim ulur në një lokal për të drekuar. Në tavolinën pranë qe ulur një grua e moshuar, me trup të drejt si qiri. Në qafë mbante një gjerdhan perlash, goxha të madh. Besoj se qenë perla të vërteta. Në gishtat e duarve ishin mbërthyer disa unaza. Një shall i mëndafshtë, me disa ngjyra, bezhë, rozë e bojë qielli, lidhur ngushtë në grykë, ndikonte dukshëm në uljen e moshës së saj. Kapelja e zezë, puthitur majë kokës, nuk shkonte me fytyrën ngjyrë zhabe, por ia shtonte peshën një gruaje intelektuale, disi të rëndë. Ajo i kërkoi vajzës së shërbimit ta ndihmonte me pak peshk të zier, gjoks pule, ujë mineral dhe leng portokalli të freskët. Vajza iu gjend pranë për gjithçka dhe e shoqëroi deri te tavolina. Zonja kryqëzoi shikimin me mua dhe u ul në karrige, me një shkujdesje aristokrateje.

-Është personalitet për qytetin, – tha mikja jonë, – ka qenë ministre për 8 vjet dhe deputete e kuvendit. Ka dy vajza, të dyja mëusese, – theksoi disi me ton ajo.

-Pse, kaq të rëndësishëm janë mësuesit këtu? – pyeta unë.

-Shumë të rëndësishëm, – tha tërë seriozitet tjetra. – Para edukatës arsimore, nuk mund të vihet asgjë. Madje është profesioni më i paguar. Është detyrë për çdo qytetar, që të përfitojë sa më shumë dije dhe kulturën e vet ta përhapi kudo, madje të bindin dhe vendet e Lindjes që ta pranojnë atë.

-Pse vendet e Lindjes? – e pyeta.

-Sepse ato janë prapa dhe kanë nevojë për metodikat e reja, mënyrën e organizimit të teksteve, të sjelljes me nxënësin etj.

Fran Gjoka nuk pushon së shkruari. Mesa duket është ngacmuar nga thënia e Sami Frashërit: Njeriu nuk është i përjetshëm, le të përpiqet të jetë e pavdekshme ajo që do të thotë dhe ajo që do të bëjë. Jo secili prej nesh mund të bëjë gjëra të mëdha, shprehej Nënë Tereza, por të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla, me dashuri të madhe. Dhe Franit tonë, nuk i mungon dashuria.

Jeta është interesante. Gjithçka lidhet me dijen, me arsimin. Historianët e nesërm, në mungesë të dokumentacionit të shkruar, nuk do të mund të deshifrojnë  murranat e trishtuara dhe gjuhën e varreve modeste, me një gur si amanet sipër kokës. Ata nuk do ta kuptojnë dot, përse në vitin 1878, Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk e shpalli dot autonominë e Shqipërisë, dhe se çfarë vendi zë në atë histori gjuha shqipe, mësimi i brezave me shkrimin e saj. Pa arsimim, pa zhvillimin e gjuhës së shkruar, pa mendjen e mësuesve që përcjellin te brezat njohuritë e nevoshme, për të gjitha degët e shkencës, do ta kenë të vështirë të kuptojnë, përse në vitin 1944, kishte më shumë krisma pushkësh sesa cicërima zogjsh. Përse pas luftës pati më shumë taksi nusesh sesa traktorë dhe, pas vitit 1990, kishte më shumë refugjatë se sa banorë. Por shkrimet e Fran Gjokës, i orientojnë për të mos gabuar.

 

Mjedis natyror mahnitës

 

Frani jeton në Ishull Lezhë, gati 2 km larg qytetit. Kur kam shkelur për herë të parë pranë vendbanimit të tij, qe fundi i muajit prill dhe koha vazhdonte të ishte e freskët. Dielli qe ngritur mbi horizont dhe zogjtë këndonin nëpër pemë, duke kaluar nga një degë në tjetrën. Të dukej sikur kishin përgatitur një koncert të madh dhe po e shfaqnin në natyrë. Shtëpia e Fran Gjokës qe rrethuar me lule. Nuk di pse më krijohet përshtypja kaq shpesh, sikur gjëja më e bukur në botë janë lulet, sidomos trëndafilat, aroma e të cilëve është mahnitëse. Si krijoheshin ato lloj-lloj ngyrash, e mbi të gjitha, ajo aromë që mund të konkuronte parfumet më të arrira në botë?

Shiu kishte pushuar dhe ta kishte ënda të shihje ngjyrën e kaltërt dhe shumë të bukur të qiellit. Grumbuj reshë si kapule pambuku gjigant endeshin në hapësirë, sa në një krahë në tjetrin. Fryentë erë e lehtë dhe retë që patën zbritur fare poshtë, përplaseshin në kodër e mbi pemë dhe shkërmoqeshin brenda degëve të tyre. Dukej sikur retë kërcënonin diellin, duke i prerë rrugën. Mbase qe urdhër i dimrit, për të mos i hapur rrugë pranverës së qeshur. Por dukej se e keqja qe mundur. Retë u përhapën dalëngadalë dhe qielli po zbulohej duke i lenë hapësirë diellit të depërtonte në tokë, e cila buzëqeshte nën rrezet e tij. Era lëvizte gjethet e pemëve që fëshfërimin pa i trazuar degët. Cicërimat e zogjve mbushnin krejt mjedisin, duke filluar nga kodrat pranë, e deri te pemët buzë shtëpisë. Zhuzhurima e këngës së embël të bletëve ndihej ngado, pasi bletët i qenë përveshur punës për të thithur nektarin e luleve pranverore. Njerëzit qenë lehtësuar nga veshjet dimërore dhe ishin të qeshur, si vetë natyra.

Mrekullia të shoqëron ngado. Rreth 500 m nga shtëpia e Franit, ndodhet Hoteli i Gjuetarëve. Në shekullin e XV, ky vend u popullua gjerësisht nga banorët e Lezhës, për shkak të përndjekjes nga ushtria osmane. Burime dokumentare thonë se, në mars të vitit 1501, aty ka ardhur nipi i Gjergj Kastriot Skënderbeut, në krye të një kryengritje të gjerë shqiptare. Njihej me emrin Skënderbeu i Ri. Aty ndodhet dhe ky hoteli i famshëm, i cili është ndërtuar në vitet 1938-1939, gjatë qeverisjes së Benito Musolinit.dhe me inisiativën e Kontit Galeazzo Çiano, ministër i Jashtëm i Italisë.

Kahas Kontit Çiano, ajo vilë e mrekullueshme, jo vetëm për nga mjedisi ku është ngritur, por edhe për arkitekturën e saj, ka qenë e preferuar edhe nga krerët e pushtetit, në periudhën e viteve 1945-1990. Krahas qetësisë dhe bukurisë natyrore, funksionarët e lartë të partisë dhe shtetit pëlqenin edhe gjuetinë, pasi aty gjenden shumë shpend të egra, thëllëza, fazanë, rosa, zogj të ndryshëm. Njëkohësisht ka dhe vende të qeta për peshkim.

Hoteli i Gjuetarëve zë një sipërfaqe të konsiderueshme. Ai është ndërtuar me një kat, në gjatësi mbi 50 m, vetëm me dru pishe jashtë e brenda, dhe tërheq vëmendjen e çdo vizitori. Godina në fjalë u dëmtua në vitin 1997 nga keqbërës, të cilët grabitën shumë sende me vlerë. Por nuk u shua tërësisht. Mbijetoi në saj të përpjekjeve të pronarëve të tokës, për ta mbrojtur.

Unë jam një prej njerëzve që, ndonëse nuk banoj në atë rreth, e kam parë hotelin në fjalë edhe në vitet kur ishte në gjendje të mirë. Ndaj më lind mendimi, se nuk do të ishte keq, sikur të vihej dorë edhe nga shteti për ristrukturuktimin e tij, duke ruajtur vlerat arkitektonike, ashtu siç e pati ndërtuar në atë kohë Çiano. Me siguri dihet arkitekti i saj. Gjendet dhe projekti. Me ndihmën e shtetit italian mund të thirrej një arkitekt-restaurator, për ta rikthyer në gjendjen e mëparshme dhe të shërbente si një muze simbolik për turistët. Dikush mund të thotë: Le ta bëjë privati! Mundet, nëse ka mundësi financiare. Por edhe në këtë rast do të ishte mirë të mos mungonte asistenca e shtetit, me qëllim që objekti të flasë sërish me gjuhën e kohës kur u ndërtua 77 vjet më parë.

Është e vështirë të konceprtohet bukuria e atyre vendeve, nëse vizitori nuk është i vëmendshëm. Kam qenë edhe në ditë vjeshte në Ishull Lezhë. Një herë po ecja në rrugë, aty pranë Vainit, madje kalova deri në Kune, pjesë që i takon Shëngjinit.

-Këtu, ndërhyri Frani, rëra është e ngarkuar me jod, më shumë se kudo gjetkë.

Sytë më zunë një urë druri, ndërtuar mbi ujë. Shërbente për të bashkuar dy pjesë të kënetës së madhe, Vainin me Kunen. Dhe hymë në atë mjedis me pyll mahnitës. Vazhdoja të ecja. As vetë nuk e kuptoja pse kisha aq dëshirë të shihja gjethet e pemëve kur binin. Gjethet e zverdhura të drurit të frashërit, lisit, kumbullave, ftonjve, fiqve e hardhive, që binin pak e nga pak, duke formuar një qilim të praruar. Qenë ditët e fundit të nëntorit. Ato patën krijuar një shtresë në tokë, ndërsa në degë gjethet e mbetura kishin marrë pamje të praruar. Nën shkëlqimin e diellit dukeshin si të lara me flori. Ato i jepnin mjedisit një pamje plot bukuri e freski. Në atë rrugë kishin kaluar plotë njerëz të tjerë, në vite e shekuj. Në të ardhmen po ashtu, do të kalojnë njerëz të shumtë, që do të mbartin në vetvete, si dhe unë, mallin, hallet dhe brengat e tyre. Njerëzit jetojnë këtë jetë të çuditshme që ngjason me përrallat, apo që shfaqet si në ëndrra, me ankthin e të panjohurës, që të përgjon në çdo hap dhe të zë pusi aty ku nuk e pret.

-E shoh që u mahnite me këtë bukuri, – më thotë Frani.

-Po, ia kthej, nuk kam parë vend më të bukur!

-Nuk vinte kot Enver Hoxha në këto anë. Preferonte gjahun, por edhe mjedisin, pyllin e sidomos ajrin e ngarkuar me jod, – shtoi Frani.

 

Fshati ndihet i braktisur

 

Frani është njohës i mirë i problemeve të fshatit. Ka bërë dhe një bahçe të vogël, plotë drurë frutorë, vresht rrushi dhe një kënd ku mbjell perime e zarzavate. Punon Frani, ndaj dhe është i shëndetshëm. Por ndihet dhe disi i vrarë. E ka ndëshkuar jeta në një moment të vështirë. Vite më parë i humbi jetën një djal i tij i dashur. Frani u trondit. U bë një grusht. Por e mblodhi veten. Tashmë fëmijët e tjerë janë rritur, kanë krijuar familje, dy prej të cilëve jashtë vendit, në shtete të zhvilluara perëndimore. Ka edhe një vajzë, e cila është ilaç, apo melhelm për shpirtin e tij. Dhe jeta vazhdon, rrjedh herë e gëzuar e herë me trishtim, por nuk ndalet. Ndaj dhe ai nuk pushon së punuari në baçe dhe së shkruari para kompjuterit.

Në shkrimet e veta pasqyrohet me qartësi jeta e fshatit. Sipas Franit, një ndër të këqijat e shumta që i ka sjellë politika këtij populli, është moskthimi i pronës te i zoti. Ligji 7501 për ndarjen e tokës, i cili diku u zbatua dhe gjetkë nuk u përfill fare, hapi orekset e hajdutëve, matrapazëve, mafiozëve, gjithë atyre që për t’u pasuruar vrasin edhe babanë, siç thotë një shprehje popullore. Shumë politikanë e zyrtarë të shtetit shfrytëzuan postet partiake dhe qeveritare, për të grabitur sa më shumë prona. Bregdeti u mbush me vila funksionarësh të korruptuar, të cilët shpikën njëmijë marifete për të grabitur pronën e tjetrit. Pronarët e ligjshëm mbetën dyerve të gjykatave, me tapi në duar dhe xhepat e boshatisur, pasi u zhvatën prej sekserëve të zyrtarëve të hipotekës, apo gjyqtarëve të pacipë, që ia jepnin të drejtën atij që kishte pushtet, apo personit që paguante më shumë. Me dokumente hipotekore, familja e Fran Gjokës kishte mbi 200 dynym tokë, por përfitoi 2 dynym, sepse ligji u jepte vetëm një dynym atyre që ishin me arsim të lartë.

Grabitja e tokës u kthye në një maskaradë të paprinciptë, duke futur në garë politikanë, qeveritarë e deri te hajdutët ordinerë. U zhdukën dokumentet hipotekore, u blenë me çmime të ulëta prona të zgjedhura, por veçanërisht në bregdet. Kjo bëri që të kufizohej mundësía e kompensimit të pronarëve me tokë, që të përafrohej në vlerë me pronën e tyre. Korrupsioni mbi tokën u kthye në çështje dite. Partitë grindeshin për të marrë ministritë që kishin në varësi prona e sidomos hipotekat, ku gatuhej gjithçka e keqe, nga pazaret e deri te ndryshimi i hartave. Vjedhja e tokës fitoi qytetarinë, pasi u quajt tërësisht e moralshme. Termi sipas të cilit, e drejta e pronës është e patjetërsueshme, ngjasonte me përrallat e dimrit për të vënë fëmijët në gjumë, apo për të kaluar kohën. Rrëmbyesit e tokave mburreshin me aktin e kryer. Zaptuesit e trojeve që zbritën nga fshatrat e Pukës, Mirditës e Malësisë së Madhe, ndërtonin vila e dyqane, ndërsa pronari i vertet duhej të heshtte, nëse donte të jetonte. Kur pronari i ligjshëm kërkonte t’i kthehej prona, kërcënohej, pikërisht pse kërkonte pronën e trashëguar nga të parët e vet. U krijua një klimë zie, ku shteti bënte të paditurin, pasi qeveritarë të lartë e të mesëm, çdo ditë lëpinin gishtat e futur në qypin me mjalt, madje u dilnin në mbrojtje horrave të rrugës, që luanin rolin e të fortit, gjoja në mbrojtje të kësaj prone.

Ishte po kjo kategori që grabiste votën e qytetarëve, me qëllim që pushtetarët e korruptuar të zgjidheshin deputetë, të bëheshin ministra dhe të mbronin me ligj pronat e vjedhura. Rrëmbimi i pronave u kthye në epidemi të tmerrshme, në një murtajë apo kolerë, quajeni si të doni, që hëngri jo pak jetë njerëzish. U rrëmbye prona shtetërore, u shitën mijëra e mijëra ton armatime dhe paratë fluturuan përtej detit e oqeanit, duke u mbyllur në kasaforta bankare me kode të fshehta. Ndaj dhe ekonomisti i shquar amerikan, Advint Kint, disa vite më parë, i propozoi politikëës shqiptare që të bëhej amnistia fiskale dhe paratë e grabitura të legalizoheshin, me kusht që të investoheshin për t’u bërë Shqipëria. Por mori përgjigje negative, sepse paratë e shqiptarëve nuk duhet të vihen në shërbim të shqiptarëve. Për më tepër, grabitja e këtij populli duhet të vazhdojë.

Frani shqetësohet edhe për faktin që politika shqiptare nuk po e kupton situatën në të cilën ndodhet gjendja ndërkombëtare. Nëse luhet gabim, pavarësia është e kërcënuar, pasi zgjidhja e çeshtjeve konfliktuale nga të mëdhenjtë, bie në kurriz të vendeve të vogla. Ato shërbejnë si mall shkëmbimi, si koncension. Pavarësi të paktë ka edhe në zgjidhjen e çështjeve të brendshme me rëndësi kombëtare, pasi ritmi i jetës përcaktohet nga marrëveshjet ndërkombëtare. Nuk ka rëndësi çfarë dekreton Presidenti dhe çfarë voton Parlamenti. Dhe të gjithë lusin zotin të gjendet ndonjë grupim politik progresiv, që të dijë të reakordojë marrëdhëniet politike, me qëllim që Shqipëria të mos mbetet duke u përplasur, sa në një liman në një tjetër, por të mund të lundrojë në det të hapur.

SHKARKO APP