“Nobel”-i, Pasternaku, Shollohovi dhe Kadareja

Në 80-vjetorin e lindjes së shkrimtarit tonë me famë botërore/

 Nga Skifter Këlliçi –

Jo më kot e rendita titullin e këtij shkrimi në formë trekëndëshi, ku në majën e tij lexohet emërtimi “Nobel”, deri më sot më i madhi në letërsinë botërore, akorduar për herë të parë në vitin 1901 dhe në bazën e këtij trekëndëshi emrat e shkrimtarëve të mësipërm, të tërë nga ish-kampi socialist, që lidhen me këtë çmim. Dy të parët janë sovjetikë: Pasternaku, (1880-1960), të cilit ky çmim iu dha më 1958-n për romanin “Doktor Zhivago”, që për rrethanat e tensionuara të lindura me këtë rast, ky shkrimtar, siç do të shohim më poshtë, u detyrua të mos e pranonte dhe Shollohovi, (1905-1884), që e pranoi në ceremoninë tradicionale të zhvilluar në vjeshtë të vitit 1965. Dy të parët pra, kanë ndërruar jetë para zhvillimeve tronditëse demokratike më 1990-n, që më pas sollën si pasojë shembjen e sistemit komunist në ish-Bashkimin Sovjetik në vendet e Europës Lindore. Mund të shtojmë edhe emrin e shkrimtarit të madh Bunin,(1880-1953), edhe ai fituesi këtij çmimi më 1933. Por Bunini, i larguar më vitin 1918 nga Rusia sovjetike, pra menjëherë pas Revolucionit të Tetorit, u cilësua si armik i pushtetit komunist, siç qe në të vërtetë, jetoi në Paris, deri sa ndërroi jetë më 1953, pa u kthyer kurrë në atdhe.

 Atyre u shtohet emri i Ismail Kadaresë, tashmë prej disa dekadash i quajtur si një ndër shkrimtarët më të njohur në botë, i cili, ndryshe nga Pasternaku dhe Shollohovi, është gjallë dhe emri i të cilit figuron në listat e Akademisë së Shkencave të Suedisë që në fillim të viteve 2000. Dhe çuditërisht “senatorët” e kësaj akademie, për arsye që nuk janë bërë të qarta, ende nuk ia kanë akorduar.

 Ç’ndodhi me Pasternakun? Poet i shquar, i cili vëllimin e tij të parë me poezi e kishte botuar që më 1914-ën, (“Binjaku midis reve”), për të vazhduar me vëllime të tjera poetike edhe pas vendosjes së regjimit komunist në Rusi, ndër të cilët i fundmi “Kur koha do të kthjellohet, (1956-1958), për krijimtarinë e pasur dhe të gjerë në këtë fushë deri në mesin e viteve ‘50 të shekullit të kaluar, ishte një ndër kandidatët për të fituar çmimin “Nobel”. Në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore ai nisi të shkruante romanin e tij të parë dhe të vetëm, me motive autobiografike, “Doktor Zhivago”, që trajtonte ngjarje të periudhës së Revolucionit të Tetorit, i cili solli përmbysjen e regjimit carist. Por Lidhja e Shkrimtarëve Sovjetikë ndaloi botimin e romanit, sepse autori përshkruante me ngjyra të zeza epopenë e lavdishme të këtij revolucioni.

 Kjo solli që Pasternaku të kishte pasoja të rënda, deri në përndjekje nga regjimi sovjetik dhe organet e Sigurimit (KGB), dhe të kalonte një jetë të mbyllur. Mirëpo një kopje e dorëshkrimit të “Doktor Zhivagos” kaloi fshehurazi kufijtë e BS dhe përfundoi në zyrat e shtëpisë së njohur botuese “Feltrineli”, në Milano, ku megjithë trysninë e emisarëve sovjetikë që shkuan posaçërisht atje, u përkthye dhe u botua me shpejtësi të rrufeshme. Romani nisi të përkthehej dhe botohej edhe në gjuhë të tjera dhe u bë simbol i realitetit të zymtë sovjetik që në ditët e para të ardhjes në pushtet të komunistëve rusë. Më 1958-ën, emri i Pasternakut u vu në krye të listës së kandidatëve për të fituar “Nobel”-in, i propozuar nga shkrimtari i madh francez Albert Kamy, i cili e kishte fituar atë vite më parë. Mirëpo para jurisë së “Nobel”-it u shfaq një pengesë shumë e madhe. Sipas rregullave, romani duhej të ishte botuar së pari në gjuhën amtare, pra në rusisht. Atëherë në këtë pështjellim të paparë deri atëherë në historinë e dhënies së këtij çmimi prestigjioz, “hyri në valle” CIA. Disa javë para dhënies së çmimit një grup agjentësh të saj arritën të zbulonin se në bordin e një avioni që udhëtonte nga Moska për në Maltë, dikush kishte një kopje tjetër të dorëshkrimit të romanit “Doktor Zhivago”.

Ashtu si në filmat dramatikë  “policeskë”, që jemi mësuar të shohim në ekran, agjentët e CIA-s arritën të zotërojnë dorëshkrimin, ta fotografojnë faqe për faqe dhe kësisoj në shtator të vitit 1958 libri arriti të dilte në dritë si botim rus, të përhapej në Europë dhe t’u jepej edhe një grupi turistësh sovjetikë në një ekspozitë ndërkombëtare Bruksel. Pastaj ai u përhap në vende të tjera, madje, të Europës Lindore, duke përfshirë edhe BS-në. Dhe me këtë dredhi u arrit që kjo kryevepër të bëhej e njohur dhe meritonte të shpërblehej me çmimin “Nobel”. Motivacioni me të cilin shoqërohej dhënia çmimit në fjalë Pasternakut, ishte kjo: “Për arritjet e rëndësishme në poezinë moderne lirike dhe gjithashtu për vazhdimin e traditës së madhe të romanit epik rus”. Autoritetet sovjetike e kuptuan fare mirë se ky motivacion lidhej kryesisht me publikimin e romanit “Doktor Zhivago”, që aq shumë po zgjonte interes në botën perëndimore. Fillimthi në kulmin e një gëzimi të papërmbajtur, Pasternaku dërgoi në Stokholm një telegram në të cilin i shprehte jurisë mirënjohjen e thellë për dhënien e çmimit “Nobel”. Por, pas disa ditësh, i trysnuar nga kërcënimet e organeve të KGB-së që diktoheshin nga qeveritarët sovjetikë, se po të merrte këtë çmim do të kishte pasoja të rënda, ai u detyrua të deklaronte se nuk pranonte këtë çmim. Aq më tepër, kur në mbledhjen e posaçme të shkrimtarëve të Moskës, më 31 tetor të vitit 1958 sekretari i LSH të BS ,Vasili V.Smirnov, deklaroi:  “Nuk duhet të harrojmë se “Nobel”-i për Letërsinë po priret gjithnjë e më shumë nga motive politike që nuk kanë asgjë të përbashkët me letërsinë…Çmimi “Nobel” i është dhënë shkrimtarit fashist Kamy, që njihet pak në Francë, i cili përfaqëson një personalitet në një radhë me të cilin nuk vihet as edhe një shkrimtar i zakonshëm. Ky Kamy i dërgoi një telegram urimi Pasternakut…Pasternaku duhet t’i drejtohet qeverisë me propozimin që të tërhiqet nga marrja e këtij çmimi (Duartrokitje)”.

I denigruar dhe dërmuar shpirtërisht, Pasternaku u detyrua forcërisht të jetonte thuajse i internuar së bashku me familjen në qytetin e vogël Peredelniko, ku dy vjet më pas, më vitin 1960 vdiq i harruar. Mbi bazën e romanit të tij në zë “Doktor Zhivago”, siç dihet, Hollivudi realizoi filmin me të njëjtin titull , që u bë po aq në zë sa kjo vepër. Romani arriti të botohej në BS vetëm më 1988-ën dhe falë politikës së “Gllasnostit”, që shpalli udhëheqësi i atëhershëm sovjetik, Gorbaçov. Një vit më pas biri i tij, Evgenij, u lejua nga autoritetet sovjetike të shkonte në Stokholm dhe pas 31 vjetësh të tërhiqte çmimin e “mallkuar”, “Nobel”. Pasternaku u rehabilitua dhe pastaj vepra e tij e plotë ku përfshihet edhe “Doktor Zhivago”, u botua në Rusi në disa vëllime.

Të vijmë tani të Shollohovi dhe Kadareja, dy shkrimtarë thuajse bashkëkohorë, ndonëse shkrimtari ynë i madh ka lindur 31 vjet më vonë se i pari. Deri në fillim të viteve 30-të të shekullit të kaluar autor i disa vëllimeve me tregime dhe veçanërisht i tri vëllimeve të para të romanit të njohur epik “Doni i qetë”. Kur ishte vetëm 27 vjeç, Shollohovi me kërkesën e tij bëhet anëtar i PK të BS. (Kadareja u detyrua të bëhej komunist më vitin 1976 kur ishte në moshën 38 -vjeçare).

Shollohovi çmohet dhe njihet personalisht nga Stalini, i cili e mbron nga sulmet që i bëhen nga drejtues të LSH të BS dhe bën mirë, sepse “Doni i qetë”, sipas tyre, përshkohet nga një ekzaltimin i jetës së kozakëve, përshkrim jo shumë realist e luftës së klasave dhe të personazheve të kuq, veçanërisht të personazhit kryesor, Grigor Melehovit, i lëkundur, që anon majtas, djathtas dhe përfundon antikomunist. Madje, Shollohovi ndërkohë, njihet personalisht me diktatorin e madh dhe, për më tepër, bëhet edhe mik tepër i madh i tij. Për besnikëri ndaj pushtetit sovjetik dhe vetë Stalinit, Shollohovi më 1937-ën zgjidhet deputet i Sovjetit Suprem të BS dhe më 1941 për romanin “Doni i qetë”, në katër vëllime, me porosi të atij vetë i jepet çmimi “Stalin”.

Edhe Kadareja u çmua nga Enver Hoxha, por diktatori nuk e bëri mik dhe vetëm një herë e ftoi në shtëpinë e tij, (1972). Për më tepër nuk e bëri anëtar të KQ të PPSH-së. Më vdekjen e Stalinit, (1953) dhe ardhjes në fuqi të Hrushovit që kritikoi ashpër dhe zbuloi krimet që ai i kishte shkaktuar popujve të BS, Shollohovi, përkrahu kursin e destalinizimit e vendit, por nuk shkroi qoftë dhe një tregim në të cilin të pasqyroheshin sado pak ngjarje të kësaj periudhe, aq të zymtë dhe tragjike në këtë vend. Sidoqoftë, ashtu si Stalini, edhe Hrushovi e mbajti pranë Shollohovin, madje edhe në udhëtimet që ndërmori në vende të ndryshme të Europës dhe veçanërisht më vitin 1959 në SHBA, e para vizitë e një udhëheqësi të madh sovjetik në kryeqendrën e botës kapitaliste. Jo vetëm kaq, por më vitin 1961, për besnikëri ndaj kursit të ri që zbatohej në BS, më 1961 Hrushovi e zgjodhi Shollohovin edhe anëtar të KQ të PK, ndonëse, regjimi hrushovian, megjithëse ndërmori masa të rëndësishme për rehabilitimin e miliona njerëzve të pafajshëm që humbën jetën në kampet e përqendrimit, të quajtura gullage, mbeti regjim i diktaturës, si në të gjitha vendet e kampit socialist, ndonëse jo me përmasat e diktaturës së tejskajshme të Enver Hoxhës, që e kishte shndërruar Shqipërinë në burg. Veç kësaj as Ramiz Alia, ashtu si paraardhësi i tij nuk e bëri mik Ismail Kadarenë dhe as e mori ndonjë herë me vete në vizita, jo më jashtë vendit, por nëpër Shqipërinë “e bukur socialiste”.

Qysh më 1958, siç u përmend më sipër, Pasternaku kishte qenë disa herë kandidat i “Nobel”-it. Në mars të atij viti Suedinë e vizitoi një delegacion LSH të BS dhe atje iu bë e ditur se ky shkrimtar, krahas poetit amerikan, Ezra Paundi dhe prozatorit italian, Moravia, ishte përsëri kandidat për të fituar “Nobel”-in. Atëherë kryesia e LSH i dërgoi ambasadorit sovjetik në Stokholm një telegram, në të cilin porositej që ai të bënte ç‘ishte e mundur që t’u njoftonte qarqeve letrare suedeze, se në Bashkimin Sovjetik me çmimin ‘Nobel” duhej të nderohej Shollohovi, sepse “…Pasternaku si letrar nuk gëzon përkrahjen e shkrimtarëve sovjetikë dhe shkrimtarëve përparimtarë të vendeve të tjera”. Por, megjithatë, siç e pamë më sipër, ky çmim iu dha Pasternakut për romanin e mësipërm”.

 Më vitin 1964, Sartri, shkrimtar dhe filozof i njohur francez, duke refuzuar marrjen e “Nobel”-it, deklaroi se, veç arsyeve vetjake, ai shprehte keqardhje që ky çmim nuk ishte dhënë deri atëherë Shollohovit , por një shkrimtari tjetër sovjetik, “vepra e të cilit ishte botuar jashtë vendit dhe ishte ndaluar në atdheun e tij”.  Pavarësisht se kjo deklaratë e Sartrit ishte shumë tendencioze, sepse vendimi që “Doktor Zhivago” të mos botohej në BS, siç e pamë, lidhej me arsye ideologjike, është fakt se “Nobel”-i më 1965 iu dha Shollohovit  për “Donin e qetë” me motivacionin: “Për forcën artistike dhe integritetin me të cilën në Donin e tij epik ai ka dhënë shprehimisht një fazë të jetës së popullit rus”.

 Në ceremoninë e rastit, të zhvilluar në Stokholm, ndërsa mbreti i Suedisë, Gustav Adolfi VI, po i dhuronte çmimin, Shollohovi nuk bëri atë që e kishin bërë deri atëherë të tërë fituesit, pra nuk u përul para tij, duke e justifikuar këtë veprim me fjalët: “Ne kozakët nuk jemi përulur para askujt, ndaj të më falni që unë nuk përulem para mbretit dhe kaq…”, deklaratë që natyrisht i la gojëhapur të pranishmit.(!?) Që Shollohovi mbeti shkrimtar me bindje të plota komuniste, e dëshmon edhe qëndrimi që ai mbajti kundër shkrimtarëve disidentë sovjetikë, Sinjavski dhe Daniel, të cilët, meqë veprat e tyre për gabime ideore nuk botoheshin në BS, arritën t’i kalonin dhe botonin në Perëndim. Si pasojë, ata u arrestuan dhe u dënuan përkatësisht me 5 dhe 7 vjet internim. Kundër tyre u ngrit nobelisti Shollohov, i cili zgjodhi tribunën e Kongresit të 28-të të PK të BS, (pranverë 1966), që, ndër të tjera t’i sulmonte ata me fjalët: “…Çuditërisht ka nga ata që gjykojnë se dënimi i tyre na qenkësh i ashpër. Unë do të dëshiroja t’u drejtohesha mbrojtësve të tyre në perëndim: Mos u shqetësoni, të dashur, për ashpërsinë e kritikës sonë. Kritikën ne e mbështetim dhe e zhvillojmë. Ajo tingëllon e ashpër edhe në kongresin tonë. Por shpifja nuk është kritikë, por baltë moçalesh…”,( duartrokitje). Natyrisht që fjalët e Shollohovit nuk u pritën mirë nga shumë, jo vetëm në perëndim, por as nga intelektualë sovjetikë, që ishin vënë në mbrojtje të shkrimtarëve të mësipërm.

Idealet tij komuniste ,Shollohovi i shprehu edhe kundër shkencëtarit të madh, Saharov dhe shkrimtarit t të shquar, Sollzhenjicin, i cili më 1970, si dhe vetë Shollohovi, ishte nderuar me çmimin “Nobel”, që u pasqyrua në letrën e një grupi shkrimtarësh sovjetikë, botuar në gazetën “Pravda”, më 31 gusht të vitit 1973, letër e nënshkruar dhe nga ai vetë. Ndër të tjera, në të shkruhej:  “Qëndrimi i njerëzve të tillë si Saharovi dhe Sollzhenjicini që shpifin kundër sistemit tonë shtetëror dhe shoqëror, nuk mund të ngjallë asnjë ndjenjë tjetër veçse neveri dhe dënim”.

Si pasojë, e këtyre qëndrimeve skajësisht komuniste, me plot të drejtë të krijohet bindja se Shollohovi jo vetëm nuk do ta fitonte, por as do të ishte kandidat i çmimi “Nobel”..

Kurse Kadareja, vërtet nuk i doli haptas në mbrojtje shkrimtarëve dhe artistë që u dënuan, madje, edhe u pushkatuan, se atij dhe kujtdo shkrimtari kjo do t’i kushtonte të paktën disa vite të rënda internimi, por nuk u ngrit të derdhte vrer si Shollohovi në një kongres partie ose të LSH, dhe as shkroi kundër tyre. Përkundrazi, ai ka qenë përkrahës i krijimtarisë së shkrimtarëve të tillë.

Shollohovi, siç e pamë, vërtet pati probleme me drejtuesit e LSH-së sovjetike për tri vëllimet e para të “Donit qetë”,(1928-1932), që mund të sillte si pasojë botimin e vëllimit të fundit,(1940), por atij i doli për krah vetë Stalini, i cili vendosi: “Le të shkojë menjëherë në shtyp!”

Kurse Kadareja pati probleme jo vetëm me kritikën, por jo rrallë edhe me vetë kokat e madha të partisë. Më 1969 u hoq nga qarkullimi numri 4 revistës “Nëntori”, ku ishte botuar edhe novela e tij “Përbindëshi”, e cilësuar me të meta të thella ideore. Më 1973 pas botimit të romanit “Dimri i vetmisë së madhe” ndaj shkrimtarit tonë të madh nisi një valë e pandërprerë sulmesh që u pasqyruan në shtypin e kohës, gjithashtu, për të meta ideore, ndonëse figura e Enver Hoxhës ngrihej lart. Pra, romani ishte thikë me dy presa, madje që në titull.

“Dimri i vetmisë së madhe” që nënkuptonte se Shqipëria kishte mbetur pa asnjë mbështetje në botë. Ndaj botimin e dytë të kësaj vepre,(1977), për të cilën pati vërejtje dhe vetë Enver Hoxha, Kadareja u shtrëngua, veç të tjerave ta titullonte “Dimri i madh”. Ndonëse tërthorazi, në një plenum të LSH ,(1982) nga vetë Ramiz Alia u kritikua romani “Nëpunësi i pallatit t ëndrrave”. “Botimi dhe ekspozimi jashtë nuk mund të merret si kriter bazë për vlerësimin e veprave, -tha ai në këtë plenum.-…Po nuk qe e madhe dhe me vlerë për popullin e vet, pak rëndësi ka se ku botohet vepra.”(Gazeta “Drita”,22 mars 1982). Aludonte kështu për veprat e Kadaresë, duke përfshirë dhe romanin e mësipërm.

Më 1976 Kadareja mund ta kishte pësuar ligsht, sepse dorëzoi për botim në gazetën “Drita”, poemthin, tashmë të njohur me titullin “Pashallarët e kuq”, ku Enver Hoxha paraqitej si xhelat, i cili zbriste në themelet e shtetit, që të priste kokat të atyre që quheshin armiq. Poemthi fatmirësisht u hoq nga botimi në çastin e fundit. Sidoqoftë, shkrimtari ynë u kritikua edhe nga vetë familja Hoxha, e cila menjëherë u vu në dijeni të këtij fakti.

Kurse Shollohovi nuk shkroi dhe as botoi ndonjë vepër, ku të kishte shtrembërime të vijës së partisë, të drejtuar nga Stalini,pastaj nga Hrushovi dhe të tjerë që e pasuan, të cilët e mbajtën gjithnjë pranë.  Kadareja në vitet e fundit të diktaturës shkroi romanin “Hija”, të cilin u detyrua të nxirrte fshehurazi jashtë vendit, në bashkëpunim dhe me drejtuesit e Shtëpisë Botuese “Fajard” ta depozitonte në një bankë që të gjente më vonë dritën e botimit në Francë. Qe fat që ky roman pas rrëzimit të komunizmit u botua jo vetëm në atë vendit, por edhe në Shqipëri.

 Shollohovi ishte më 1966 kur iu dha “Nobel”-i besnik i idealeve të partisë së tij dhe, siç e pamë, mbeti tillë deri në vdekje. Kurse, Kadaresë, i cili siç është shkruar vitet e fundit në shtypin tonë, dhe veçanërisht në librin “Ylli i shkrimtarit”, të studiuesit N.Kulla, (2013), ka qenë i gjurmuar edhe nga Sigurimi shqiptar , për më se 10 vjet kandidat i “Nobel”-it, vonohet t’i jepet ky çmim.

Mos ndoshta akademikët suedezë e kanë ruajtur këtë rast në vitin 2016, që sapo ka filluar dhe që përkon me 80-vjetorin e lindjes së tij, (28 janar), i cili do të kremtohet me madhështi në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në diasporën tonë që gjallon në të gjitha kontinentet?

SHKARKO APP