“Oqi” greke dhe amnezia historike e shqiptarëve

Nga ARMAND PLAKA 

Meqenëse dje u shënua Dita Kombëtare e ‘Jo’-së greke, të cilën me të drejtë pasardhësit e grekëve të djeshëm e përkujtojnë  me pompozitet, duke i parë ngjarjet tashmë shumë ftohtë në retrospektivë, po sjell shkurtimisht disa krahasime, të cilat mund të na ndihmonin të kuptojmë minimalisht se pse për të njëjtat akte, shqiptarët nuk mund të gjykohen njësoj.

Së pari, “Jo”-ja greke në shumë aspekte ishte e ngjashme me “Jo”-në që monarku shqiptar rezervoi për ultimatumin që Italia i drejtoi gjithë agresivitet më 6 prill 1939 Tiranës zyrtare. Pra, zyrtarisht Shqipëria s’i tha kurrë “Po”, Italisë.

IKU MONARKU DHE A BËRI GABIM?

Sigurisht, nisur nga një perspektivë tepër idealiste, klasike, por ai tha se ishte një zgjedhje strategjike për ta organizuar më mirë kryengritjen ndaj italianëve, sikurse bëri, fjala vjen, edhe De Gaulle, ndërsa iku me pjesëtarë të tjerë të Ushtrisë Franceze, duke synuar organizimin e luftës ndaj gjermanëve dhe rikthimin ngadhënjimtar.

Gjithçka, megjithatë, falë një ndihme shumë domethënëse të Londrës e Uashingtonit, të cilët në fund me zemërgjerësinë e tyre e renditën Francën dhe kontributet e saj në të njëjtin nivel me ato të BRSS, SHBA dhe Britanisë së Madhe, duke i dhënë të gjitha privilegjet si fuqi madhore me të drejtë vetoje etj.

Të vijmë sërish te rasti ynë. A e bëri Ahmet Zogu diçka të tillë? -Sa dëshirë kishte dhe në ç’masë e bëri, kjo pastaj është tjetër gjë.

Sidoqoftë, pa dashur të marr kahe, mund të pohoj në qetësi se nuk e bëri. E kjo nuk e nderon aspak. Por jo nga dëshira dhe vullneti, sepse thirrjet e tij në kancelaritë perëndimore e pikësëpari në Londër, ishin qysh në krye të herës për ta mbështetur në luftë ndaj italianëve, ndërsa popullit i bënte thirrje – tashmë nga jashtë – për rezistencë.

Në deklaratat e tij sheh mbështetje për fuqitë aleate dhe kurrë për ato të Boshtit. Pra, minimalisht s’mund të thuhet se ishte një bashkëpunëtor i fashizmit. Po a e mori ai ndihmën e pretenduar nga aleatët? Fakti është se nuk e mori.

A kishte ai besueshmëri, kapacitete e mundësi për t’i luftuar fashistët e nazistët? Nuk mund të them as jo e as po, përderisa fakti është se ai nuk mori ndihmë e madje as pritej më e konsiderohej më një partner. Në vend të tyre, ai mori zhgënjim e mospërfillje. Falë kjo, edhe marrëveshjeve të parashkruara mes “të mëdhenjve”, që tashmë e kishin vendosur jo vetëm fatin e tij, por të gjithë kontinentit e madje të gjithë botës, duke e ndarë qartazi në sfera influence.

DE GAULLE VS. PETAIN

A mund të quhet tradhtar De Gaulle se braktisi Francën? Po Marshalli Petain, heroi famëmadh i Luftës së Parë ndër francezët, që preferoi të qëndronte – gjithsesi i përkrahur me një shumicë votash dërrmuese nga anëtarët legjitimë të Asamblesë Kombëtare – e të udhëhiqte një qeveri të ashtuquajtur “kukull”, por që i siguroi Francës në realitetet që u krijuan nën pushtimin gjerman jo pak privilegje, ndërsa alternativë mbetej pushtimi i plotë, humbja e autonomisë ( qeveria Vichy – një kreaturë gjysmë autonome), bombardim i Parisit e përballje e pamëshirshme me makinën luftarake hitleriane.

Prej dekadash, roli i Petain-it shihet si i dyfishtë, si shpëtimtar i Francës ( i asaj çka mund të shpëtohej) dhe si tradhtar. E pra, s’mund të themi se Marshalli hijerëndë s’e donte Francën, apo se e donte më pak se De Gaulle. Thjesht ashtu u mendua në ato momente si një dalje nga kriza momentale, derisa të vinin realitete më të favorshme. Paralelisht nisi rezistenca franceze. Por zyrtarisht, Petain justifikohej se ata ishin rebelë, çka në shumë raste bëri që ta shpëtonte popullin nga hakmarrja gjermane.

PËRSE GREQIA NUK I THA “OQI” EDHE GJERMANISË?!

Askush nuk e ka çuar ndër mend të thotë se pse Greqia nuk i tha “Oqi” edhe Gjermanisë – sikurse bëri plot krenari ndaj Italisë në 1940 – ndërsa kjo e fundit me një aksion “blitz” e pushtoi brenda pak ditëve në pranverë të 1941, pasi kishte shtënë në dorë në të njëjtën mënyrë edhe Jugosllavinë? Përse grekët nënshkruan një kapitullim të turpshëm dhe ia dorëzuan Akropolin nazistëve? Shumë e thjeshtë: Sepse nuk kishin këllqe dhe bënë kompromis. Sepse kur kundërshtari që ke përballë është shumë më i fortë se ty, s’ke ç’bën; do thyhesh dhe do përpiqesh të shpëtosh çfarë mundesh e të presësh derisa të vijë një ditë më e mirë, të organizohesh e të hidhesh sërish në kryengritje.

Historia na jep plot shembuj të ngjashëm. Më i afërti për ne shqiptarët është ai i Serbisë e Millosheviçit në 1999. Sado që ai përbetohej se nuk do largohej nga Kosova, se Kosova ishte tokë serbe, se do ta mbronte me gjak e pallavra të tjera, në fund pamëtë gjithë se nënshkroi një marrëveshje me NATO-n dhe e mbylli atë punë me turp. Po pse? Nga dëshira? Jo. Nga presioni, nga vënia përballë një fakti të kryer, një realiteti të ri.

E njëjta gjë me Shqipërinë e vogël përballë një fuqie agresive, siç ishte Italia fashiste e 1939-s, jo vetëm numerikisht. Pra, për shqiptarët, me pamundësinë e mungesën e përkrahjes që kishin, Lufta e Dytë nisi më herët, qysh në prill 1939, sepse fati ashtu e deshi. U thyen se aq mundësi kishin për t’i bërë ballë një agresioni tinëzar, agresiv dhe të poshtër.

Pastaj, disa vendosën të bashkëpunojnë, disa jo, njësoj siç ndodhi kudo në kontinent e më gjerë. Askush nuk e dinte me siguri se cilat do të ishin fatet që lufta do rezervonte. Ishte koha kur të gjithë luanin me dy porta. Kudo nëpër Europë kishte ose qeveri kukull, vende e zona të pushtuara nga gjermanët e italianët (Serbia, Shqipëria, Greqia) ose shtete “kukull”, të cilat edhe pse të pavarura në letër, sikurse ishte shteti i pavarur kroat, ai hungarez, ai bullgar, ai sllovak, ai rumun, ai finlandez, ishin të detyruar të merrnin një kahje miqësore e bashkëpunuese me Rajhun e Tretë

Në fund të luftës, Finlanda dhe lideri i saj karizamatik, një nga aleatët e miqtë më të afërt të Hitlerit, gjenerali Carl Gustaf Emil Mannerheim, Presidenti i vendit edhe në dy vitet pas luftës, me një pragmatizëm të pashoq, s’e pati fare problem të luftonte kundër gjermanëve pas marrëveshjes që bëri me sovjetikët, duke menduar pikësëpari për atdheun e vet, për vijimin e ekzistencës së shtetit të vet, të kombit të vet, e cila përndryshe kërcënohej me zhdukje.

Po kështu vepruan rumunët. Elita ushtarake dhe ajo politike e vendit “e shitën” gjeneralin Antonesku, sepse e panë se çdo gjë kishte marrë fund. Po kështu bullgarët, të cilët u hodhën në krahët e rusëve në vitin e fundit të luftës.

“KOLABORACIONIZMI” I SHQIPTARËVE

Përse shqiptarëve u thuhet “kolaboracionistë”, ndërsa grekëve jo, ndërsa zyrtarisht Athina kishte qeverinë e saj, administratën e saj të kryesuar e përbërë nga krerët nën udhëheqjen e gjeneralit Jorgos Çolakoglu, sikurse në Shqipëri kishte një qeveri të përbërë nga shqiptarët që administronin gjithashtu punët e përditshme në vendin e vet, duke mos iu kundërvënë hapur italianëve e gjermanëve, të cilët koha i kishte sjellë si pushtues në vendin e tyre. Përse askush nuk kujtohet të përmendë faktin se megjithë heroizmin grek, ndihma e Raf-it britanik në veçanti, e për më tepër ajo politike e ushtarake pa rezerva e Londrës qysh para nisjes së luftës e deri në fund të saj, madje edhe pas saj, ishte një element jo i vogël dhe i qenësishëm që solli fundja edhe plot favore për Greqinë? Përse askush nuk e përmend se diçka e tillë Shqipërisë nuk iu ofrua kurrë, as para, as gjatë ( përshkruhet shpesh si minimale, e mangët e madje klienteliste) e as pas luftës?

Përse ne shqiptarët kemi një amnezi totale për sa i përket kujtesës sonë historike kolektive, saqë e marrim për të mirëqenë rezistencën greke, pa përmendur asnjëherë këto fakte dhe pa u hyrë me thellë arsyeve që çuan në “fitoren” e përkohshme greke ndaj italianëve, të cilët u rikthyen në pozita pushtuese tashmë jo vetëm në territoret në kufirin greko-shqiptar, por thuajse në mbarë Greqinë, përveç Athinës edhe Thrakisë, të cilat u administruan respektivisht nga aleatët e tyre gjermanë dhe bullgarë.

Në Serbi dhe Greqi, gjermanët vunë nën presion elitën ushtarake dhe politike të vendit dhe sajuan dy qeveri kukulla, të udhëhequra respektivisht nga Gjenerali Nediç (ish-shefi i shtatmadhorisë së ushtrisë monarkike jugosllave) në Beograd dhe Çolakoglu në Athinë.

I kërkuan që minimalisht të ishin joarmiqësorë ndaj gjermanëve, e të merreshin strikt me administrimin e punëve të brendshme, çka i bëri këta të fundit që të shiheshin shpesh me përçmim e urrejtje. Edhe pse nuk do të donin, i ndynë jo pak duart me gjak nga ky bashkëpunim.

Pra, nga të gjitha këto që përmenda më rezulton se Shqipëria ishte e përfshirë në një realitet, të cilin s’kishte kurrfarë kontributi e aq më pak dëshirë e vullnet për t’u përfshirë. Ky vend i vogël u përfshi në një vorbull fatkeqe dhune e keqdashje, e cila sot e kësaj dite akoma kontribuon në përçarjen e një shoqërie, të vendosur në pozicione shumë të skajshme, aspak e gatshme të ngrejë kokën lart e të gjejë pajtimin, duke u treguar kësisoj edhe fqinjëve së pari ca të vërteta historike, e duke hedhur tej amnezinë kolektive që na ka çuar që sot në këtë ditë, të përkujtojmë “Oqi”-n greke, pa përmendur arsyet se pse nuk mundëm ne vetë të kishim një “Jo” shqiptare. /Panorama

SHKARKO APP