Organizohet në Shkup marshi për Çamërinë

Në kuadër të Javës Çame, në Shkup sot u organizua marshi për Çamërinë, i cili filloi nga Kalaja e Shkupit deri te Ambasada e Greqisë. Protestuesit u mblodhën në Shkup nga më shumë qytete të Maqedonisë së Veriut, ndërsa gjatë marshimit ata brohorisnin parulla si “Çamëria në zemrat tona”, “Çamëria është Shqipëri”, e të tjera.

I pranishëm në marsh ishte edhe kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) nga Shqipëria, Shpëtim Idrizi, i cili paraprakisht mori pjesë edhe në një panel diskutim bashkë me historianin Arben Lalla dhe opinionistin Kim Mehmeti.

Në emër të Këshillit Organizativ të Javës Çame në Shkup, Sumeja Ramani lexoi një letër para Ambasadës së Greqisë në Shkup, letër e cila më pas u dorëzua në ambasadë.

Në letër theksohet se spastrimi etnik i Çamërisë nga elementi shqiptar ka pasur prapavijë politike të pambështetur në asnjë fakt për akuzën se shqiptarët kanë qenë bashkëpunëtorë të nazistëve.

“Prandaj ne jemi sot këtu që t’i kërkojmë Greqisë që shqiptarët nga Çamëria të rikthehen për të vizituar shtëpitë dhe varret e të parëve. Ashtu si ua lejoi maqedonasve egjeas të Greqisë, që janë përzënë gjatë luftës civile 1947-1949 për t’i vizituar shtëpitë dhe varret e të parëve, Greqia njësoj duhet t’i lejojë edhe çamët për ta bërë këtë”, tha Ramani, raporton Anadolu Agency (AA)

Në letër gjithashtu i bëhet thirrje Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian që të detyrojnë Greqinë, si anëtare e BE-së, të ndalojë diskriminimin etnik dhe fetar ndaj çamëve.

Marshi u shoqërua nga forca policore, ndërsa përfundoi i qetë dhe pa incidente./AA

SHKARKO APP