Pa zgjidhje pas tërmetit, familja Demarku pret rindërtimin e shtëpisë së dëmtuar
Pas tërmetit të 21 shtatorit Enver Demarku nga fshati Arbanë është në pritje të rindërtimit të shtëpisë së tij të dëmtuar.
Shtëpia është shpallur e pabanueshme ndërsa Enveri së bashku me pjesëtarët e tjerë vijojnë të qëndrojnë aty duke rrezikuar jetën.
“Shteti ta shohë vetë, nuk banohet më në këtë shtëpi, ku të jetoj?”
Thotë se i ka ndjerë tërmetet që kanë rënë më pas në shtëpinë e tij të dëmtuar, por halli i ka detyruar të qëndrojnë aty pasi nga shteti nuk kanë marrë as çadër.
“Kemi frikë për kalamajtë.”
Kryefamiljari i bën thirrje shtetit ta ndihmojë pasi familja e tij e përbërë nga tre fëmijët, bashkëshortja dhe dy të moshuar nuk kanë mundësi ekonomike pasi të ardhurat e familjes janë 150 mijë lekë të vjetra.
“Vetë nuk e bëj dot!”
Të njëjtën thirrje e ka edhe Asllan Allamani, gjyshi i shtëpisë 86-vjeç, i cili na përshëndet me shpresën se problemi i tij do të shkojë në veshin e duhur dhe do të zgjidhet. /Ora News