Paragjykimet, armiku më i madh i femrës në politikë

Nga Farie Fjolla –

Nëse një femër e lindur në vitin ‘70 do dëshironte të bënte diçka ndryshe përveç punëve të shtëpisë, ishte tabu. Kështu kanë vuajtur nënat tona, gratë shqiptare të cilat ishin të kufizuara në çdo sferë të jetës së tyre, të trajtuara si “skllave”. “Kishte ngelur në kokën e shumicës se femra nuk mund të përparoj, femra shumë vështirë të bëj aktivitet në atë botën mashkullore, sepse në mbledhje ishin prezent vetëm burrat në të gjitha takimet, femra vetëm figurë.” – shprehet Selvie Saliu. Hyrja e saj në politik ka qenë e vështirë, ashtu si ka qenë për çdo grua. Besimi në atë kohë ishte 0 që ti jepej një detyrë në politikë gruas shqiptare. Prandaj ajo luftoi shumë që në fillim të listave për deputetë të jenë edhe femrat “ka qenë e detyruar që 30% të ishin gra, mirëpo ai 30% vihej në fund të listës që mos shkohet deri te femra, bënin kombinime mos të merrnim asnjë mandat!” .

Pas shumë përpjekjeve të saja dhe shumë zonjave të tjera, ndërroi kodi zgjedhor, tanimë brenda atij 30%-shit çdo e treta do të jetë femër. Në vitin 2002 formohet subjekti Bashkimi Demokratik për Integrim ku me formimin e degës në Gostivar, Selvia ka qenë një ndër femrat e para në parti. Brenda dy javëve, në kuadër të degës, me dy zonja të tjera formuan edhe forumin e gruas, ku vazhdon të jetë anëtare edhe sot. Pas dy vitesh fitoi mandatin si deputete në Maqedoninë e Veriut i cili zgjati 4 vite, ishte femra e dytë shqiptare në parlament.  Selvija aplikoi katër herë në universitetin e Shkupit për pedagogji por kurrë nuk u pranua. Ishin vitet 89-90 dhe për gjeneratat shqiptare aplikimi në shkollat e larta ishte shumë e vështirë, për mos të thënë pamundur. Pati fatin e madh të regjistrohej në Kosovë, ku edhe aty do hasej me vështirësitë e vendit. “Në Kosovë ishin luftërat që e trazuan vendin dhe atje mbasi shkuam ishin vitet që filluan studentët dhe profesorët ti largojnë prej fakulteteve, duhej mësimi te mbahej nëpër shkolla fillore”,- thotë ajo.

Pasi u diplomua u nis direkt për në Maqedoni, ishte gati e pamundur të kthehej në vendlindje, ngaqë kufijtë ishin mbyllur. Me shumë vështirësi ia doli dhe direkt në atë vit u punësua në arsimin fillor, ku vazhdoi për 9 vite. Ajo tregon që puna aty ka qenë periudha e saj më e bukur, “më ka dhënë një ndjesi të veçantë edhe puna edhe gjenerata, ndoshta pse e kam dashur shumë arsimin prej fëmijë. Mësuesja ime më ka thënë gjithmonë, që ti do të jesh ajo që do të me zëvendësosh mua!”  Pas punësimit filloi punë vullnetare në lidhjen e gruas shqiptare në Maqedoni (LGSHM) ku trajtonin tema të ndryshme, më frymëzuesja për të ishte motivimi i femrave shqiptare për tu regjistruar në shkollë, “në atë periudhë kam qenë e inkuadruar në sinzibilizimni edhe motivimin të femrës shqiptare për tu regjistruar në shkollë të mesme. Ka qenë shumë i ulët numri atëherë, sidomos i vajzave nga viset rurale. Kemi realizuar një projekt ku kanë marrë pjesë pedagogë edhe teologë dhe nga viti 97-98 dukshëm u rrit numri i vajzave nëpër shkollat e mesme.” Aktivizimi në “Lidhjen e Gruas” i dha kurajo të madhe dhe vullnet Selvies.  Veçmas profesionit, mundohej të jepte sa më shumë nga vetja për të ngritur figurën femërore. “Jam përpjekur të mbaj takime seminare të ndryshme, të peshojë vetën, të shoh veten ku jam për të thyer akullin, paragjykimet, se një femër është e mirë kur bën këtë apo atë!”

Përveç angazhimeve që kishte, doli si vullnetare në kampin e Cegranit (fshat i Gostivarit) duke dhënë mësim fëmijëve që kishin emigruar nga Kosova “nga puna, ikja tek kampi mësoja fëmijët dhe në mbrëmje ikja shpërndaja ndihma”. Në mendjen e saj del çdo ditë si një fotografi e vjetër, ai kamp me tendat e ngritura, plot me njerëz që mezi mban brenda dhe shiun e rrëmbyshem që çadrat nuk i përballonin dot, “sot kur e kujtoj, them po të kthehet prapë ajo punë humanitare dyfishin e kisha bo, punë e lodhshme por një kënaqësi e madhe”.

Duke u marrë shumë me politikë vendosi të lërë mbrapa karrierën e saj në arsimim, “arsimi kërkon seriozitet jashtë mase. Pasi ti orientohesh për të bërë krejtësisht një punë tjetër dhe sa herë të marrësh funksione të lesh ditarin , pastaj të lesh funksionet të marrësh ditarin disi nuk më dukej shumë serioze edhe definitivisht u largova”. Ajo arriti të ketë një karrierë, përmbushi disa nga qëllimet e saja por sërish ndihej e paplotësuar sikur i mungonte diçka, prandaj në 2008-ën u regjistrua në shkollë të lartë për sociologe në Shqipëri. “Pas diplomimit të dytë, kam filluar të punoj si drejtoresh për strehim edukim dhe arsimim të fëmijëve problematik së moshës 9-18 vjeçare. Me konkurs e fitova punën por ka qenë një instiucion shumë i vështir”. Aty punoi 3 vite, në vitin 2014 do fitoj sërish mandatin për deputete, i cili zgjati dy vite.  Selvija vrapoi shumë pas karrierës së saj, pas ëndrave, dhe kurrë nuk pati mundësinë të krijojë një familje, sipas saj diçka në jetë duhet sakrifikuar. Babai e ka mbështetur gjithmonë dhe nuk e shtynte asnjëherë të mendojë për martesë, ndryshe nga nëna, “Ai ka jetuar në Gjermani e shihte jetën ndryshe, dhe mundohej ta ngushëllonte mamin tim duke i thënë që ajo është jeta e saj private, është diçka personale dhe nuk është e varur nga askush! ”

Selvija nuk u largua kurrë nga familja, prej 6 fëmijëve vetëm ajo mbeti me prindërit. Pas vdekjes së nënës mundohej që çdo kohë të lirë t’ia kushtonte të atit, prandaj nuk kishte kohë të merrej me diçka tjetër. Ajo me lot në sy përmend babanë i cili ka vetëm disa muaj që ka ndërruar jetë, duke mos u bërë pishman për asnjë vendim që ka marrë, por ndihet shumë e lumtur që deri në fund të jetës së prindërve u qëndroi sa më afër.

Duke u bazuar në eksperiencën e saj shumë vjeçare Selvia ka një mesazh për të gjithë njerëzit: “Unë mendojë një njeri sa me lartë të ngjitet aq më tepër e sheh veten se sa i vogël është, ndërsa tek ne funksionon filozofia e kundërt. Ti kur ngjitesh përpjetë shkallëve përshëndete atë që zbret, sepse nesër kur do të zbresësh ti do të duash të të përshëndes atë që ngjitet. Prej atë ditë që merr një post, një funksion, duhet të jesh i pregatitur që një ditë do ta lesh”.

 

 

 

SHKARKO APP